Projektligji Per Rinine

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë

|

Postuar më: 15.11.2018

PDF

|

XML

                                                                  

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

KUVENDI

 

 

PROJEKTLIGJ

 

Nr.____, datë______2018

 

PËR

 

RININË

 

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

 

KUVENDI

 

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

 

V E N D O S I:

 

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

 

Neni 1

Qëllimi

 

1. Ky ligj ka për qëllim përcaktimin e veprimtarive, mekanizmave dhe autoriteteve përgjegjëse për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të të rinjve në Republikën e Shqipërisë, në kuadër të të drejtës së të rinjve për mbrojtje të veçantë nga shteti.

 

2. Ky ligj synon:

  1. të plotësojë kuadrin ligjor e institucional për të rinjtë;
  2. të mbrojë të drejtat e të rinjve dhe të garantojë përputhshmërinë me rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare në këtë fushë;
  3. të përcaktojë funksionet dhe kompetencat e institucioneve qendrore e vendore publike si dhe organizatave, që ushtrojnë veprimtarinë në fushën e rinisë;
  4. të krijojë kushtet e nevojshme për aktivizimin, pjesëmarrjen dhe mbështetjen e të rinjve për përmbushjen e potencialit të tyre në interes të shoqërisë.

 

Neni 2

Fusha e zbatimit

 

Ky ligj zbatohet për të rinjtë me shtetësi shqiptare, brenda ose jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, të rinjtë pa shtetësi ose me shtetësi të huaj.

 

Neni 3

Përkufizime

 

Në këtë ligj, termat e mëposhtme kanë këto kuptime:

1. “Dialog i strukturuar” është një dialog i hapur, transparent, afatgjatë, i vazhdueshëm dhe sistematik mes të rinjve dhe organizatave rinore dhe institucioneve në nivel qendror e lokal që mbulojnë çështje të lidhura me të rinjtë;

2. “Edukimi jo-formal për të rinjtë” është çdo veprimtari e organizuar dhe përshtatur për të rinjtë jashtë sistemit formal të arsimimit, i bazuar në nevojat dhe interesat e të rinjve, parimet e vullnetarizmit dhe pjesëmarrjes aktive të të rinjve në proceset e të nxënit nëpërmjet të cilit fitojnë kompetenca të nevojshme për zhvillimin e potencialit personal, pjesëmarrje aktive në shoqëri dhe akses në tregun e punës;

3. “Hapësira rinore të sigurta” është standardi që duhet përmbushur në hapësirat ku të rinjtë mblidhen, angazhohen në veprimtari që i përshtaten nevojave të tyre të shumëllojshme, marrin pjesë në procese vendimmarrëse dhe shprehen lirshëm. Hapësirat rinore të sigurta përfshijnë hapësirat qytetare që i japin mundësi të rinjve të angazhohen në çështjet e qeverisjes; hapësirat publike që i japin mundësi të rinjve të marrin pjesë në veprimtari sportive, kulturore e argëtuese në komunitet; hapësirat digjitale që i ndihmojnë të rinjtë të ndërveprojnë virtualisht me të rinj të tjerë brenda e jashtë vendit; dhe hapësira fizike të projektuara dhe planifikuara për të plotësuar nevojat e shumëllojshme të të rinjve në përgjithësi e sidomos të atyre nga grupet vulnerabël ose të margjinalizuar;

4. “Infrastrukturë rinore” është një hapësirë fizike, tokë, ndërtesë apo pjesë ndërtesë e projektuar dhe planifikuar veçanërisht për të rinjtë dhe veprimtari rinore;

5. “Politikë rinore” janë veprimtaritë e qëllimshme dhe të qëndrueshme të ndërmarra nga ana e pushtetit qendror e vendor, organizatat rinore dhe shoqëria, që synojnë krijimin e kushteve të favorshme për zhvillimin personal të të rinjve dhe për pjesëmarrjen e tyre në jetën publike, sociale, ekonomike dhe kulturore, në nivel lokal dhe kombëtar nëpërmjet veprimtarive që inkurajojnë zhvillimin e të rinjve në vend.

6. “Punonjës rinor” është një i rritur që ka kryer trajnime të veçanta dhe/ose ka eksperiencë profesionale për të punuar me të rinjtë dhe zbatuar veprimtari rinore.

7. “Subjekte (Aktorë) të politikave rinore” janë organet, institucionet dhe strukturat, në nivel qendror e vendor, që brenda fushës së vet të veprimtarisë ushtrojnë përgjegjësi që prekin të rinjtë e hartojnë politika rinore si dhe aktorë të tjerë që marrin pjesë në procesin e hartimit e zbatimit të politikave rinore;

8. “Subsidiaritet” është parimi i kryerjes së funksioneve dhe ushtrimit të kompetencave në një nivel qeverisjeje sa më pranë të rinjve.

9. “Të rinj” janë persona në moshën 15 vjeç deri në 29 vjeç.

 

Neni 4

Parimet për mbështetjen e veprimtarisë së të rinjve

 

Mbështetja dhe fuqizimi i të rinjve bazohet në parimet e mëposhtme:

  1. promovimin e të drejtave dhe mbështetjes me qëllim fuqizimin e të rinjve;
  2. legjitimitetin, barazinë në të drejta e mundësi dhe mosdiskriminimin;
  3. koordinimin e politikave rinore me politikat në fushën e arsimit, kërkimit shkencor, politikave financiare, punësimit, vullnetarizmit, mbrojtjes e përfshirjes sociale, shëndetësisë, kulturës, sportit, mjedisit, turizmit, drejtësisë, punëve të brendshme e të jashtme, integrimit dhe të mbrojtjes;
  4. harmonizimin e politikave rinore me politikat e zbatuara nga Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës, Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe institucione të tjera ndërkombëtare;
  5. garantimin e pjesëmarrjes së të rinjve në proceset politikëbërëse dhe vendimmarrëse;
  6. lirinë e organizimit, iniciativave rinore dhe të vetë-qeverisjes së organizatave;
  7. subsidiaritetin.

 

KREU II

RRJETI RINOR

 

Neni 5

Rrjeti rinor

 

1. Rrjeti rinor përbëhet nga institucionet dhe strukturat, në nivel qendror e vendor, që brenda fushës së vet të veprimtarisë ushtrojnë përgjegjësi në fushën e të drejtave e mbrojtjes së të rinjve, organizatat rinore dhe të rinjtë individë, që veprojnë në nivel qendror dhe vendor.

 

2. Roli i këtyre aktorëve përcaktohet nga ky ligj, aktet e tij nënligjore dhe legjislacioni tjetër në fuqi që normon çështje të caktuara që lidhen me të rinjtë.

 

Neni 6

Ministria përgjegjëse për rininë

 

Ministria përgjegjëse për rininë ka këto kompetenca:

a) harton e propozon politikat dhe veprimtaritë për rininë;

b) planifikon buxhetin për realizimin e veprimtarive në fushën e rinisë;

c) vlerëson e monitoron zbatimin e politikave dhe veprimtarive;

c) koordinon bashkëpunimin me institucione të tjera qendrore, vendore dhe organizatat, të cilat janë përgjegjëse për aspekte të veçanta të të rinjve;

ç) monitoron situatën e të rinjve dhe ndikimin e politikave rinore;

d) konfirmon standardet për ndërtimin e hapësirave të sigurta për të rinjtë;

dh) përfaqëson Republikën e Shqipërisë në nivelet dhe organizmat ndërkombëtare për çështjet e rinisë;

e) përmbush detyrimet e anëtarësimit dhe bashkërendon pjesëmarrjen në programe e projekte ndërkombëtare;

ë) bashkëpunon me njësitë e vetëqeverisjes vendore për politikat, projektet e programet në fushën e rinisë.

 

Neni 7

Institucionet e tjera qendrore

 

Institucionet e tjera qendrore, përgjegjëse për çështjet e arsimit, kërkimit shkencor, politikave financiare, punësimit, vullnetarizmit, mbrojtjes e përfshirjes sociale, shëndetësisë, kulturës, sportit, mjedisit, turizmit, drejtësisë, punëve të brendshme e të jashtme, integrimit dhe të mbrojtjes, sipas fushës së përgjegjësisë shtetërore duhet:

a) të sigurojnë realizimin në mënyrë efektive të të drejtave të të rinjve;

b) të mbështesin politikat rinore;

c) të garantojnë të drejtën e të rinjve për mbrojtje të veçantë nga shteti në procesin e hartimit të politikave sektoriale si dhe të planifikojnë fonde që ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës së të rinjve.

 

Neni 8

Njësitë e vetëqeverisjes vendore

 

1. Njësitë e vetëqeverisës vendore, në përputhje me funksionet e tyre, hartojnë dhe zbatojnë politikat në fushën e rinisë.

 

2. Bashkitë, në përputhje me misionin e tyre duhet:

a) të hartojnë plane vendore duke përcaktuar objektivat dhe prioritetet e politikave rinore vendore në përputhje me dokumentet politikë në fushën e rinisë dhe të garantojë zbatimin e tyre;

b) të krijojnë këshillin rinor vendor; 

c) të organizojnë dhe koordinojnë veprimtari që synojnë arritjen e objektivave vendore në fushën mbrojtjes dhe fuqizimit të të rinjve;

ç) të zgjedhin shërbime informimi dhe këshillimi për të mbështetur mirëqenien dhe zhvillimin e të rinjve dhe realizojnë ato në mënyrë të përshtatshme me nevojat e tyre;

d) të përmirësojnë mundësitë kolektive të komunitetit për të angazhuar dhe mbështetur të rinjtë;

dh) të inkurajojnë vullnetarizmin e të rinjve dhe edukimin jo-formal për të zgjeruar njohuritë, eksperiencën e aftësitë e të rinjve për të përvetësuar vlerat e shoqërisë civile, jetesës së shëndetshme, kulturës, artit, sportit, sipërmarrjes, inovacionit, mbrojtjes së mjedisit, sigurisë e parandalimit të trafikimit dhe krimit;

e) të garantojnë pjesëmarrjen e të rinjve në vendimmarrje nëpërmjet ndërtimit e mbajtjes së një dialogu të strukturuar;

ë) të mbështesin krijimin dhe zhvillimin e infrastrukturës rinore dhe hapësira të sigurta;

f) të krijojnë struktura administrative për çështjet e rinisë;

g) të miratojnë fonde nga të ardhurat vendore ose nga transferta e pakushtëzuar, për zhvillimin e projekteve, programeve e veprimtarive rinore;

gj) të mbledhin, analizojnë, publikojnë e përditësojnë të dhëna periodike, në lidhje me situatën e të rinjve në territorin e tyre, aktivitetet e zbatuara dhe planifikuara.

 

Neni 9

Autoriteti Kombëtare Rinor

 

1. Autoriteti Kombëtare Rinor është person juridik publik buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për rininë, që financohet nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera të ligjshme dhe ushtron veprimtarinë në të gjithë territorin.

 

2. Autoriteti Kombëtare Rinor kryen këto funksione:

a) zbaton politikat dhe programet për të rinjtë;

b)organizon, administron, financon, koordinon dhe monitoron programet dhe projektet rinore;

c) bashkëpunon me organizma, institucione, donatorë dhe subjekte të tjerë vendas e të huaj, për prezantimin dhe zbatimin e politikave, programeve e veprimtarive për rininë;

ç) mbështet ngritjen e kapaciteteve të njësive dhe strukturave në nivel qendror dhe vendor;

d) krijon dhe mirëmban bazën e të dhënave për rininë.

 

3. Mënyra e organizimit dhe funksionimit të Autoritetit Kombëtar Rinor miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 10

Këshilli Kombëtar Rinor

 

1. Këshilli Kombëtar i Rinisë është organ këshillimor që krijohet dhe funksionon pranë Ministrit përgjegjës për çështjet e rinisë, që merr pjesë në hartimin dhe zhvillimin e politikave dhe veprimtarive në fushën e rinisë.

 

2. Këshilli Kombëtar i Rinisë kryesohet nga Ministri përgjegjës për çështjet e rinisë dhe përbëhet nga 14 anëtarë, nga të cilët 4 anëtarë përfaqësues të ministrive të linjës, 2 përfaqësues nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, 4 përfaqësues nga këshillat rinore vendor dhe 4 përfaqësues nga organizatat rinore.

 

3. Përbërja, mënyra e përzgjedhjes së anëtarëve, organizimi dhe funksionimi i Këshillit Kombëtar të Rinisë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Neni 11

Këshilli Rinor Vendor

 

1. Këshilli Rinor Vendor është organ këshillimor që krijohet dhe funksionon pranë Kryetarit të Bashkisë me qëllim konsultimin e planeve vendore, monitorimin e planeve e politikave rinore në nivel vendor dhe propozimin e nismave që i përshtaten nevojave të të rinjve në territorin ku ato veprojnë.

 

2. Këshilli Rinor Vendor kryesohet nga Kryetari i Bashkisë dhe përbëhet nga të paktën 4 anëtarë të tjerë për  bashkitë e vogla, me përfaqësi të barabartë nga strukturat rinore publike e jopublike që veprojnë në nivel vendor. Kriteret dhe procedurat e përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Rinor Vendor miratohen me vendim të Këshillit Bashkiak referuar kritereve dhe procedurave të miratuara nga Këshillit të Ministrave për Këshillin Kombëtar Rinor.

 

3. Këshilli Rinor Vendor krijohet me vendim të Kryetarit të Bashkisë dhe funksionon sipas rregullores së miratuar prej tij.  

 

Neni 12

Organizatat rinore

  1. Organizatat rinore janë persona juridikë, subjekte të së drejtës publike ose private, që krijohen dhe funksionojnë në bazë të Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë dhe legjislacionit për organizatat jofitimprurëse.

 

2. Zhvillimi i organizatave rinore inkurajohet dhe mbështetet nga programet e projektet vendore, kombëtare dhe ndërkombëtare.

 

3. Regjistrimi si organizatë rinore në bazën e të dhënave për rininë, sipas nenit 18 të këtij ligji, bëhet me kërkesë të organizatës.

 

4. Organizatat rinore, që krijohen riorganizohen apo transformohen, duke përcaktuar në aktin e themelimit dhe statutin e tyre, si objekt të vetëm, aktivitete dhe veprimtari për të rinjtë, mund të përfitojnë financime dhe nga organet e pushtetit qendror ose vendor, në zbatim të dispozitave të legjislacionit shqiptar në fuqi, nëpërmjet granteve, transfertave të pakushtëzuara, si dhe nga burime të tjera të ligjshme. Asnjë organizatë tjetër që ka në objektin e veprimtarisë edhe aktivitete dhe veprimtari të tjera përveç atyre për të rinjtë nuk mund të financohet nga shteti.

 

 

Neni 13

Organizata Kombëtare Përfaqësuese Rinore

 

1. Organizata Kombëtare Përfaqësuese Rinore është një organizatë që themelohet, organizohet dhe funksionon në zbatim të Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë dhe legjislacionit për organizatat jofitimprurëse dhe e ushtron veprimtarinë në përputhje me statutin e miratuar përpara kërkesës për regjistrim, nga ministri përgjegjës për rininë. Nëse ministri përgjegjës nuk e miraton paraprakisht statutin brenda 60 ditëve nga data e depozitimit, statuti konsiderohet i miratuar në heshtje.

 

2. Të drejtën për të themeluar Organizatën Kombëtare Përfaqësuese Rinore e kanë jo më pak se 30 organizata rinore me të paktën 1000 anëtarë dhe që ushtrojnë veprimtarinë në një territor prej të paktën 70% të bashkive të vendit. Organizatat rinore themeluese dhe anëtare, pranojnë qëllimin, fushën e veprimtarisë dhe përcaktimet e tjera të kësaj organizate të rregulluara në statutin e saj.

 

3. Ministria përgjegjëse për rininë njeh vetëm një Organizatë Kombëtare Përfaqësuese Rinore, pranë së cilës shtohen anëtarë të rinj në çdo kohë, në përputhje me rregullat dhe statutin e miratuar.

 

4. Njohja e një organizate si Organizatë Kombëtare Përfaqësuese Rinore bëhet me urdhër të ministrit përgjegjës për çështjet e rinisë, në bazë të kërkesës të vetë organizatës dhe është e vlefshme për 4 vjet kalendarike nga dita e njohjes.

 

5. Organizata Kombëtare Përfaqësuese Rinore, financohet nga kontributi i organizatave rinore themeluese dhe anëtare, nga organet e pushtetit qendror ose vendor mbi bazë projektesh, si dhe nga burime të tjera të ligjshme.

 

 

KREU III

PUNA RINORE DHE ORGANIZATAT

 

Neni 14

Puna rinore

 

1. Punë rinore është çdo veprimtari e natyrës sociale, kulturore, arsimore, mjedisore me ose për të rinjtë, në grupe ose individualisht, që ka për qëllim të motivojë dhe mbështesë të rinjtë që të identifikojnë e ndjekin rrugë të përshtatshme në jetë duke kontribuar në zhvillimin e tyre personal dhe social, dhe në zhvillimin e shoqërisë në përgjithësi.

 

2. Puna rinore realizohet nëpërmjet angazhimit dhe fuqizimit të të rinjve në krijimtari aktive, përgatitjen, ofrimin dhe vlerësimin e iniciativave dhe veprimtarive që reflektojnë nevojat, interesat, idetë dhe eksperiencat e tyre. Nëpërmjet këtij procesit të të nxënit jo formal dhe informal të rinjtë fitojnë njohuri, aftësi, vlera dhe qëndrime, që i nevojiten për të qenë të sigurtë në të ardhmen.

 

3. Puna rinore është e bazuar në qasjen individuale dhe vlerësimin e nevojave të veçanta të të rinjve.

 

Neni 15

Punonjësi rinor

 

1. Punonjës rinor është personi që ofron shërbime këshillimi, informimi, mbështetje dhe udhëzime për të rinjtë, duke i ndihmuar ata të përdorin maksimalisht aftësitë dhe mundësitë e tyre në drejtim të zhvillimit të mëtejshëm personal, emocional, social dhe ekonomik.

 

2. Puna e punonjësve rinorë përfshin çdo veprimtari në mbështetje të të rinjve përfshirë planifikimin dhe menaxhimin e veprimtarive komunitare, edukative dhe këshillime për të rinj me probleme familjare, shëndetësore, sociale, ekonomike e probleme me ligjin.

 

3. Punonjësit rinorë e ushtrojnë veprimtarinë e tyre pranë institucioneve publike, jo-publike, organizatave rinore dhe strukturave të tjera që ushtrojnë veprimtari në fushën e rinisë.

 

KREU IV

FINANCIMI

 

Neni 16

Burimet e financimit

 

  1. Burimet e financimit për realizimin e politikave, programeve dhe veprimtarive rinore, janë fondet nga:

a) buxheti i shtetit;

b) buxhetet vendore;

c) të ardhura të gjeneruara nga organizatat rinore e organizatat për të rinjtë;

ç) donacionet;

d) sponsorizimet;

dh) burime të tjera të ligjshme.

  1. Fondet e buxhetit të shtetit për rininë përcaktohen në buxhetin vjetor të shtetit, për ministrinë përgjegjëse për rininë.
  2. Përdorimi fondeve publike nga Buxheti i Shtetit për institucionet dhe organizatat rinore, bëhet në përputhje me kushtet dhe qëllimet e grantit të akorduar.
  3. Të gjitha të ardhurat e krijuara nga autoriteti kombëtare rinor dhe organizatat rinore administrohen dhe përdoren 100% prej tyre dhe pjesa e papërdorur e të ardhurave mbartet në vitin pasardhës.

 

 

Neni 17

Financimi i politikave, programeve e veprimtarive rinore;

 

  1. Financimi e bashkë-financimi i politikave, programeve, projekteve e veprimtarive rinore planifikohet e realizohet nëpërmjet, fondeve grant apo transfertë e pakushtëzuar, për:

a) financimin e objekteve dhe infrastrukturës rinore;

b) financimin e veprimtarisë dhe projekteve të organizatave rinore;

c) financimin për anëtarësimin dhe pjesëmarrjen në programe ndërkombëtare;

ç) financimin e studimeve, vëzhgimeve dhe analizave.

  1. Fondi i projekteve konkurruese për zhvillimin dhe financimin e objekteve dhe infrastrukturës rinore shpërndahet mbi bazën e projekteve që paraqiten nga organizmat e rrjetit rinor, sipas kritereve të përcaktuara në ligjin vjetor të buxhetit.
  2. Procedurat e paraqitjes, shqyrtimit dhe financimit të projekteve apo studimeve të organizatave rinore të përcaktuara në pikën 4 të nenit 12 të këtij ligji, përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për financat si dhe ministrit përgjegjës për rininë.

 

 

 

KREU V

INFRASTRUKTURA RINORE

 

Neni 18

Ambiente për Rininë

 

  1. Ambiente për rininë janë pasuritë e paluajtshme pronë publike ose private, të destinuara apo vëna në dispozicion për aktivitete dhe veprimtari rinore.
  2. Ambiente publike për rininë janë pasuri të paluajtshme në pronësi të pushtetit qendror ose vendor, sipas juridiksionit të vendndodhjes territoriale të tyre, të destinuara apo vëna në dispozicion për aktivitete dhe veprimtari rinore.
  3. Pronarët apo administratorët e mjediseve, janë përgjegjës për ndërtimin, rindërtimin, ruajtjen, mirëmbajtjen dhe shërbimet, si dhe krijimin e kushteve për funksionimin normal të tyre.
  4. Ambientet për rininë ndërtohen, rindërtohen, përshtaten dhe mirëmbahen në funksion dhe për krijimin e kushteve për ushtrimin e veprimtarive për rininë dhe të rinjtë.
  5. Ndërtimi i objekteve për rininë dhe për zhvillimin e veprimtarive për rininë, bëhet në përputhje me standardet dhe kushtet teknike të miratuara nga ministria përgjegjëse për infrastrukturën.
  6. Pjesë e infrastrukturës rinore janë dhe pasuritë e luajtshme të destinuara apo vëna në dispozicion për aktivitete dhe veprimtari rinore.
  7. Pronarët apo administratorët e mjediseve, garantojnë rregullat teknike të sigurisë dhe ato higjieno-sanitare, shëndetësore për shfrytëzimin dhe frekuentimin e rregullt e normal të ambienteve për rininë dhe të rinjtë, në përputhje me standardin e hapësirave të sigurta.

 

KREU VII

DISPOZITA TË FUNDIT

 

Neni 19

Baza e të dhënave për rininë

 

1. Ministra përgjegjëse për çështjet e rinisë krijon, mban dhe administron bazën e të dhënave që kanë të bëjnë me të rinjtë, përmbajtja e të cilës publikohet në portalin “Për Rininë” dhe ndërveprimin e përmbajtjes së tij me bazat e tjera të informacionit.

 

2. Qëllimi i bazës së të dhënave për rininë është të sigurojë informacion të përditësuar në lidhje me situatën dhe nevojat e të rinjve në vend si edhe të mbështesë procesin e planifikimit, mbikëqyrjes, administrimit dhe vlerësimit të politikave rinore në nivel qendror dhe lokal.

 

3. Baza e të dhënave për rininë përmban:

a) listën e organizatave rinore në vend;

b) listën e organizatave rinore në vend me objekt të vetëm të veprimtarisë, aktivitete dhe veprimtari për të rinjtë.

c) të dhëna për Organizatën Kombëtare Përfaqësuese Rinore;

ç) informacion mbi politikat rinore kombëtare, vendore e Evropiane;

d) informacion të përditësuar mbi mundësitë e financimit të projekteve e veprimtarive rinore;

dh) studime, analiza, vlerësime e vëzhgime në lidhje me situatën e të rinjve e vlerësime të zbatimit të politikave vendore e lokale rinore;

dh) informacione e dokumente të tjera me interes për të rinjtë.

 

4. Kriteret dhe procedurat e regjistrimit në bazën e të dhënave rregullohet me udhëzim të ministrit përgjegjës për çështjet e rinisë.

 

 

Neni 20

Miratimi i akteve nënligjore

 

1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda 9 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojnë aktet nënligjore në zbatim të nenit pikës 3 të nenit 9 dhe pikës 3 të nenit 10 të këtij ligji.

 

2. Ngarkohet ministri përgjegjës për çështjet e rinisë dhe ministri përgjegjës për çështjet e financave që, brenda 9 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojnë udhëzimin e përbashkët në zbatim të pikës 3 të nenit 17,  dhe pikës 4 të nenit 19 të këtij ligji.

 

Neni 21

Hyrja në fuqi

 

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.

 

                                                                                                                                                           K R Y E T A R I

GRAMOZ RUÇI

 

Propozimet dhe sugjerimet tuaja me qëllim përmirësimin e projekt ligjit janë të mirëpritura në adresat zyrtare të MASR:

voltisa.koci@arsimi.gov.al

iva.beliu@arsimi.gov.al

 

Nuk ka ende asnjë koment për këtë konsultim

Diskutimet për këtë konsultim janë mbyllur.