Për krijimin, mbatjejn dhe menaxhimin e rezervave minimale të sigurisë të naftës bruto dhe nënprodukteve të saj

PDF

|

XML

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) ka iniciuar përgatitjen e projektligjit “Për krijimin, mbatjejn dhe menaxhimin e rezervave minimale të sigurisë të naftës bruto dhe nënprodukteve të saj” dhe në zbatim të Ligjit nr. 146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik”, do të organizojë konsultimin publik me Organet Publike dhe Grupet e Interesit në lidhje me këtë projektligj.

Arsyet kryesore të nevojshme për nxjerrjen e këtij projektligji janë:

- Ligji aktual nr. 8450, datë 14.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, te gazit dhe nënprodukteve të tyre”, i ndryshuar, i cili trajton aktualisht çështjet e rezervës së sigurisë, nuk është në përputhje të plotë me Direktivën 2009/119/EC. Gjithashtu ligji aktual vendos të gjithë detyrimin e mbajtjes së rezervës së sigurisë tek industria (shoqëritë e tregtimit me shumicë dhe rafineritë). Ndërkohë projektligji i propozuar parashikon mbajtjen e rezervës së sigurisë nga një Agjenci shtetërore dhe jo nga industria, siç është aktualisht.

- Një arsye tjetër e rëndësishme për nxjerrjen e këtij projektligji është parashikimi për mbajtjen e rezervës së sigurisë për naftën bruto deri në masën 50% të sasisë së rezervës, duke mundësuar kështu jo vetëm mbajtjen e një produkti strategjik që mund të furnizojë rafineritë vendase në kohë mungesash, por edhe uljen e tarifës së rezervës, për shkak të çmimit të ulët në krahasim me nënproduktet e rafinuara.

- Miratimi i akteve nënligjore, të cilat janë parashikuar të hartohen në zbatim të këtij projektligji, në kuadër të angazhimeve që ka vendi ynë në dokumentin e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, si anëtare e këtij organizmi ndërkombëtar.

Qëllimi i projektligjit:

- Sigurimi i bazës për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave të sigurisë së naftës bruto dhe nënprodukteve të saj, nëpërmjet parashikimit të procedurave të nevojshme për përdorimin e rezervave të sigurisë në rast të reduktimit të papritur deri në mungesë të furnizimit të tregut me nënprodukte të naftës bruto.

Afati:

Bazuar në gërmën b), të pikës 1, të nenit 15 “Afati për dorëzimin e komenteve dhe rekomandimeve”, të Ligjit nr. 146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik”, palëve të interesuara u jepet koha e arsyeshme për të dërguar pranë organit publik vendimmarrës komentet dhe rekomandimet e tyre brenda 20 ditëve pune nga data e njoftimit për procesin e njoftimit e të konsultimit publik.

Si e tillë, jeni të ftuar të dërgoni komentet tuaja brenda datës 11 Mars 2019.

- Komentet/rekomandimet mbi projektligjin dhe relacionin shpjegues të tij mund t’i dërgoni në adresën elektronike: ilia.gjermani@infrastruktura.gov.al

Nuk ka ende asnjë koment për këtë konsultim

Diskutimet për këtë konsultim janë mbyllur.