Lënda: Relacion për riorganizimin e Trupave Inspektuese të Inspektorateve Shtetëror ekzistues, Agjencive dhe Drejtorive, të cilat kryejnë procedura inspektuese.

Inspektoriati Qendror

|

Postuar më: 18.02.2019

PDF

|

XML

Lënda:   Relacion për riorganizimin e Trupave Inspektuese të Inspektorateve Shtetëror

  ekzistues, Agjencive dhe Drejtorive, të cilat kryejnë procedura inspektuese.

 

  • Objektivi

Objektivi i këtij projekti është riorganizimi i trupave inspektuese shtetërore sipas fushave të inspektimit me funksione të ngjashme inspektuese, për të shmangur mbivendosjet e kompetencave ligjore, si dhe për një menaxhim dhe koordinim më të mirë të ISH-ve.

Inspektoratet në Shqipëri kanë një bazë unike ligjore, në bazë të së cilës funksionon në tërësi veprimtaria inspektuese, rregulluar kjo me ligjin nr. 10433, datë 16.06.2011, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, si dhe vendime dhe udhëzime administrative.  Ligji për inspektimin ka dhënë efekte praktike në punën e inspektorateve, dhe si rrjedhojë ka patur rritje të nivelit të zbatimit të ligjeve sektoriale, për të cilat inspektoratet shtetërore janë përgjegjëse.

  • Gjendja aktuale e Trupave Inspektuese.

Në zbatim të ligjit nr. 10433, datë 16.06.2011, “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, trupat inspektuese janë të organizuara sipas parimit “një inspektorat për një ministri”, por për fusha inspektimi të veçanta ka raste përjashtimore.

Aktualisht trupat inspektuese janë të organizuara në inspektorate shtetërore dhe vendore.

Trupat inspektuese janë gjithsej 15, dhe të ndara sipas fushave të ministrive të linjës:

Ministria e Ekonomisë dhe Financës:

  1. Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore;
  2. Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut.

Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale:

1) Inspektorati  Shtetëror Shëndetësor;

2) Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore;

3) Zyra për Mbrojtjen ndaj Rrezatimit.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit:

1) Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit.

Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave ka në varësi:

1) Autoriteti Kombëtar i Ushqimit;

2) Drejtoria e Shërbimit të Peshkimit dhe Akuakulturës;

3) Drejtoria e Shërbimit Veterinar.

Ministria e Arsimit dhe Sportit:

1) Inspektorati Shtetëror i Arsimit.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë:

1) Inspektorati Shtetëror Teknik Industrial;

            2) Autoriteti Kombëtar për  Sigurinë  dhe Emergjencat në Miniera;

3) Drejtoria e Inspektimit Hekurudhor.

Ministria e Punëve të Brendshme:

  1. Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit.

Kryeministria:

1) Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave.

Nisur nga mbikëqyrja e veprimtarisë inspektuese të Inspektorateve Shtetërore, është konstatuar se ka mbivendosje të disa funksioneve inspektuese midis inspektorateve të ndryshme, të cilët inspektojnë në mënyrë të pavarur, për të njëjtën fushë inspektimi, duke rënduar biznesin dhe rritur kostot e tepërta financiare të buxhetit të shtetit.

Përveç inspektorateve dhe trupave inspektuese, përmendur sa më sipër, ekzistojnë edhe institucione të tjera, të cilat megjithëse ushtrojnë funksione inspektimi, nuk janë nën mbikëqyrjen e Inspektoratit Qendror. Nga një vështrim i shpejtë, ne kemi identifikuar agjenci, drejtori, shërbime, të cilat po jua paraqesim me poshtë:

  • Lista e Institucioneve të tjera inspektuese

 

  1. Fondi i Sigurimit të Kujdesit të Detyrueshëm Shëndetësor
  2. Inspektorati Teknik i Digave dhe Dambave
  3. Inspektorati Mbrojtjes së Tokave
  4. Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore
  5. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtjura
  6. Autoriteti i Aviacionit Civil
  7. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit
  8. Drejtoria e Përgjithshme Detare
  9. Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore
  10. Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve
  11. Drejtoria e Hetimit Tatimor
  12. Drejtoria e Hetimit Doganor
  13. Instituti i Sigurimeve Shoqërore
  14. Instituti i Sigurimeve Shëndetësor

 

  • Riorganizimi i trupave Inspektuese.

Për sa ju informuam më lart, si dhe për zbatimin e parimit të ligjit të inspektimit, sipas gjykimit tonë, sugjerojmë riorganizimin e të gjitha trupave inspektuese me funksione të përbashkëta ose të ngjashme inspektuese.

Këtë riorganizim strukturor të trupave inspektuese e konsiderojmë si një mjet për rritjen e transparencës, efikasitetit të trupave inspektuese, uljen e barrës administrative ndaj biznesit, si një hap i rëndësishëm i goditjes së korrupsionit gjatë procesit të inspektimeve.

Për rritjen e efektivitetit dhe koordinimit brenda trupave inspektuese me funksione inspektimi të ngjashme, propozojmë sa më poshtë:

  1. Inspektoratin Shtetëror të Shëndetësisë dhe Ushqimit, duke krijuar një mega inspektorat, i cili duhet të jetë përgjegjës për kontrollin e sigurimit të shërbimeve të kujdesit shëndetësor dhe zinxhirit ushqimor, duke siguruar mbrojtjen e interesit publik,  ku të jenë pjesë përbërëse edhe këto institucione:

 

  1. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit;
  2. Inspektorati Shtetëror Shëndetësor;
  3. Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore;
  4. Drejtoria e Shërbimit të Peshkimit dhe Akuakulturës;
  5. Drejtoria e Shërbimit Veterinar;
  6. Zyra për Mbrojtjen nga Rrezatimet;
  7. Fondi i sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor;
  8. Inspektorati i Mbrojtjes së Tokës;

 

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka si qëllim, garantimin e shëndetit të qytetarëve dhe mbrojtjes së konsumatorit, duke siguruar një nivel të lartë të mbrojtjes së shëndetit të njeriut dhe mbrojtjes së konsumatorit në të gjitha fazat e prodhimit primar, si dhe në të gjitha fazat e trajtimit, përpunimit dhe shpërndarjes së ushqimeve dhe ushqimeve për kafshë.

AKU ka për qëllim të pakësojë, eliminojë ose parandalojë risqet për shëndetin e konsumatorit përmes analizës së tre komponentëve themelorë: vlerësimit të riskut, menaxhimit të riskut dhe komunikimit të riskut në fushën e ushqimeve dhe ushqimeve për kafshë, mbrojtjes së bimëve dhe inputeve bujqësore, etj.

Objektivat në fushën e sigurisë ushqimore dhe shëndetit të kafshëve, të cilat bëjnë të mundur mbrojtjen e konsumatorit, realizohen nëpërmjet inspektimeve duke bashkëvepruar në të njëjtën kohë edhe me një rrjet të integruar dhe funksional laboratorësh të autorizuar të kontrollit si dhe atyre të referencës. 

Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, është përgjegjës për të gjitha funksionet e inspektimit në fushën ministrore të përgjegjësisë për shëndetësinë.

AKU dhe ISHSH kanë të përbashkët kryerjen e procedurave inspektuese në PIK, ku shpesh ndodh edhe mbivendosja e kontrollit të produkteve, për të cilat merren mostra për analizë nga të dy inspektoratet.

Ndodh që këto inspektorate gjatë procedurës inspektuese në subjekt kanë kërkesa të njëjta në lidhje me zbatueshmërinë e legjislacionit sipas fushave përkatëse.

Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, është inspektorati, i cili ka si qëllim garantimin e tregut me barna të sigurta, cilësore dhe efikase, në vazhdimësi me standarde bashkëkohore në drejtim të kontrollit të cilësisë së barnave, si dhe të pajisjeve mjekësore.

 

Drejtoria e Shërbimit të Peshkimit dhe Akuakulturës, është autoriteti kompetent për inspektimin e veprimtarisë ekonomike të prodhimit dhe kultivimit të organizmave ujorë në fushën e akuakulturës duke ofruar në të njëjtën kohë garanci për mbrojtjen e konsumatorit në përputhje me sistemin e sigurisë ushqimore si dhe atë të mjedisit.

 

Drejtoria e Shërbimit Veterinar, është sektori pranë MBZHR përgjegjëse për për mbrojtjen e shëndetit dhe të mirëqenies së kafshëve, mbrojtjen e shëndetit publik në Republikën e Shqipërisë nga sëmundjet zoonotike të transmetueshme nga kafshët.

 

Zyra për Mbrojtjen nga Rrezatimet, ka si qëllim mbrojtjen e shëndetit nga rrezatimet jonizuese dhe jojonizuese.

Fondi i sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, për sektorët të cilët ushtrojnë veprimtari inspektuese pranë këtij institucioni, konkretisht dy drejtoritë: Drejtoria e Kontrollit, me sektorët e kontrollit: të depove farmaceutike, të farmacive, të spitaleve si dhe atij parësor; Drejtorinë e Rimbursimit, me sektorët përkatës: e listës së barnave dhe pajisjeve mjeksore, monitorimit dhe analizës së rimbursimit, të cilët kryejnë funksione inspektimi.

Inspektorati i Mbrojtjes së Tokës, me funksione inspektimi si pjesë strukturore e MBZHR pranë Drejtorisë së rregullimit të lejeve, licencave dhe monitorimit, me detyrimin dhe përgjegjësinë e mbrojtjes së tokës bujqësore.

 

  1. Inspektoratin Shtetëror të Mjedisit dhe Territorit, bashkohen nën këtë inspektorat institucionet me struktura inspektuese si:

 

  1. Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit;
  2. Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit;
  3. Agjencia Kombëtar e Zonave të Mbrojtura;
  4. Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.

Këto institucione janë përgjegjëse për kontrollin e zbatimit të legjislacionit në fushën e mbrojtjes së mjedisit, përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, mbrojtjen e natyrës, biodiversitetit, pyjeve e kullotave, monitorimin e cilësisë së ujërave, mbrojtjen e zonës bregdetare dhe veprimtarive turistike, si dhe  turizmin, duke siguruar një mbrojtje sa më efikase të mjedisit që na rrethon.

Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit, ka për mision garantimin e respektimit të kërkesave ligjore në fushën e mbrojtjes nga kundërvajtjet administrative të mjedisit, pyjeve, ujërave dhe turizmit.

 

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, ka si objekt, mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme, zbatimin e dispozitave në menaxhimin e integruar të burimeve ujore dhe prodhimin e tregtimin e produkteve të ndërtimit. Përfshin sigurinë për mbrojtjen dhe mirëmenaxhimin e territorit dhe inspektimin gjatë punimeve të ndërtimit dhe gjatë shfrytëzimit të digave dhe dambave.

 

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, ushtron funksion në zbatim të ligj nr. 81/2017 “Për Zonat e Mbrojtura”, VKM nr. 102, datë 4.2.2015, “Për krijimin dhe mënyrën e organizimit e të funksionimit të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe të Administratave Rajonale të Zonave të Mbrojtura”.

Sektorët AKZM-së dhe ADZM-së kanë detyra dhe përgjegjësi të ngarkuara nga legjislacioni mjedisor në fuqi, për zonat e mbrojtura, nëpërmjet mbikëqyrjes së veprimtarive në zonat e mbrojtura dhe sigurimit të pajtueshmërisë së tyre në përputhje me kërkesat e këtij ligji dhe aktet të e tjera ligjore e nënligjore në fuqi; kontrollit të aktiviteteve që përdorin burimet natyrore brenda rrjetit të zonave të mbrojtura; kontrollit për zbatimin e rregulloreve dhe kritereve për përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore në zonat e mbrojtura.

Funksioni inspektues në zbatim të (neni 66) të, Ligjit nr. 81/2017 “Për Zonat e Mbrojtura”, realizohet nga:

Inspektorati i Policisë Pyjore, si pjesë e ISHMPUT, brenda  detyrave dhe përgjegjësive të caktuara në dispozitat ligjore në fuqi, i cili kryen funksionet kontrolluese në zonat e mbrojtura, pavarësisht nga forma e pronësisë së administrimit, në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe aktet nënligjore në zbatim të tij;

Administrata e zonës së mbrojtur, e cila është përgjegjëse për kryerjen e funksioneve kontrolluese në territorin e zonës së mbrojtur, që ka në administrim.

Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, pranë Ministrisë së Kulturës: ushtron kompetenca inspektuese mbi ecurinë e gërmimeve arkeologjike në tokë dhe ato nënujore, në zbatim të ligjit nr. 27/2018 “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë” dhe ligjit për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë.

  1. Inspektoratin Shtetëror të Teknikës dhe Teknologjisë, kjo strukturë do të jetë përgjegjëse për mbikëqyrjen e tregut të produkteve jo ushqimore dhe shërbimeve të destinuara për konsumatorët, sipas legjislacionit për sigurinë e përgjithshme të produkteve jo ushqimore dhe legjislacionit për tregtimin e mbikëqyrjen e tregut të produkteve jo ushqimore. Pjesë në këtë inspektorat mendojmë se duhet të jenë:

 

  1. Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial;
  2. Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencën në Miniera;
  3. Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (MM);
  4. Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore.

 

Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial, ushtron inspektime në fushën e përpunimit, transportimit dhe tregtimit të naftës dhe gazit dhe nënprodukteve të tyre, e garantimit të sigurisë së njerëzve dhe vlerave materiale nga rreziqet e shfryrjeve dhe të shpërthimeve të shkaktuara nga pajisjet nën presion, si dhe nga pajisjet dhe instalimet elektrike, si dhe ushtron funksionin e tij rregullator në përputhje me nevojat e vendit, të mbrojtjes kombëtare dhe të sigurimit publik, duke respektuar parimet e ekonomisë së tregut.

 

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, inspekton sigurinë në punë, të emergjencave dhe shpëtimit në veprimtarinë minerare dhe punimeve nëntokësore të veprave hidroenergjetike.

 

Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (Ministria e Mbrojtjes), kryen funksion në zbatim të ligjit nr. 46/2018, “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë në Republikën e Shqipërisë”, është struktura përgjegjëse për transferimet ndërkombëtarë të mallrave ushtarake, të artikujve dhe teknologjive me përdorim të dyfishtë, duke kryer edhe veprimtari kontrolli në të gjitha fazat e licencimit, regjistrimit, njoftimit, lëvrimit, pas lëvrimit, si dhe në të gjitha fazat e para-licencimit. AKSHE ka të drejtë sipas ligjit, të kontrollojë dokumentacionin, apo të inspektojnë ambientet e subjekteve të përfshira në transferimin ndërkombëtar për të parandaluar shkeljet e legjislacionit, në fushën e kontrollit shtetëror të eksporteve dhe inspektimi kryhet sipas ligjit për inspektimin.

Propozojmë që funksionet inspektuese që kryhen nga AKSHE t’i bashkëngjiten këtij inspektorati.

 

Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, ushtron funksionin e mbikëqyrjes së shfrytëzimit racional të burimeve natyrore, në bazë të politikave qeverisëse, dhe monitorimin e post -shfrytëzimit të tyre, në sektorin minerar, hidrokarbur dhe hidroenergjetik, në zbatim të VKM nr. 547, datë 9.8.2006, “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore”, i ndryshuar. Funksionet inspektuese i kryejnë:

Drejtoria Minerare, me Sektorin e mbikëqyrjes së veprimtarisë minerare e post-minerare, si dhe Sektorin e mbikëqyrjes së shfrytëzimit të krommbajtësit, i cili raporton për gjendjen aktuale të shfrytëzimit racional të burimeve natyrore.

Drejtoria Hidrokarbureve, me Sektorin e mbikëqyrjes së ndikimit në mjedis të veprimtarisë hidrokarbure, e cila auditon shpenzimet e kryera nga shoqëritë e licencuara për kryerjen e operacioneve hidrokarbure.

Është menduar se Inspektorati Shtetëror i Teknikës dhe Teknologjisë, do të mbulojë të gjitha inspektimet për mallra, që tregtohen duke përfshirë edhe: naftën dhe gazin; pajisjet nënpresion; pajisjet elektrike; materialet e ndërtimit, në pikat e prodhimit apo shitjes së tyre.

 

  1. Inspektoratin Shtetëror i Transportit dhe Infrastrukturës, si inspektorat që mbikëqyrës dhe kontrollin sektorin e infrastrukturës dhe transportit rrugor, detar, hekurudhor dhe të aviacionit, ku pjesë përbërëse mund të jenë:

 

  1. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor;
  2. Autoriteti i Aviacionit Civil;
  3. Drejtoria e Përgjithshme Detare;
  4. Drejtoria e Inspektimit të Hekurudhave.
  5. Inspektorati Teknik i Digave dhe Dambave.

 

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, kryen kontrollin shtetëror dhe mbikëqyrjen e kualifikuar për transportin rrugor për verifikimin nëse transportuesit përmbushin detyrat e përcaktura në këtë ligj dhe e ushtrojnë atë sipas licencave, lejeve dhe certifikatave në zbatim të ligji nr. 8308, datë 18.03.1998, “Për transportin rrugor”, i ndryshuar.

Autoriteti i Aviacionit Civil, i cili kryen funksion kontrollues, në zbatim të ligjit nr. 10233, datë 11.02.2010, “Për autoritetin e aviacionit civil”, i ndryshuar. AAC rregullon dhe mbikëqyrë të gjitha veprimtaritë në fushën e transportit ajror civil në Republikën e Shqipërisë.

Drejtoria e Përgjithshme Detare, ka organ të posaçëm shtetëror për kontrollin e ligjshmërisë dh disiplinës në veprimtarinë e fushave të detarisë pranë administratës detare, e cila funksionon në kapiteneritë e porteve, duke realizuar inspektime në zbatim të ligjit nr. 9251, datë 8.07.2004, “Kodi detar i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar

Drejtoria e Inspektimit të Hekurudhave, rregullon dhe mbikëqyr sektorin e hekurudhave  nëpërmjet kontrollit të rregullave të sigurisë për mirëmbajtjen e infrastrukturës hekurudhore në përputhje me standardet e sigurisë në transportin hekurudhor, gjendjen dhe kushtet teknike të trenave dhe pajisjeve hekurudhore, në zbatim të ligjit nr. 9317, datë 18.11.2004, “Kodi hekurudhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndyshuar.

 

Inspektorati Teknik i Digave dhe Dambave (ITD) është organ që ushtron kontroll gjatë ndërtimit, shfrytëzimit e mirëmbajtjes së digave në zbatim të ligjit nr. 8681, datë 2.11.2000, “Për projektimin, ndërtimin, shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e digave dhe dambave”, i ndryshuar. Ky inspektorat është pjesë e strukturës së Sekretariatit Kombëtar të Digave të Mëdha, merr vendime administrative për shkeljet e kryerjen e veprimeve të kundërligjshme, dhe procedura e inspektimit kryhet sipas ligjit për inspektimin.

 

Të gjitha këto institucione duhet të organizohen në një njësi të përbashkët, për t’i ofruar e garantuar përdoruesve të transportit civil, se shërbimi ndaj tyre apo mallrave do të jetë në përputhje me kriteret që përcaktojnë ligjet sektoriale. Aktualisht të gjitha këto institucione nuk kanë një bërthame të vetme organizuese e koordinuese. Prandaj ky organizimi i ri do të shtoj efektivitetin dhe do të minimizojë kostot ndaj përdoruesve e përfituesve. Si një pjesë shumë të rëndësishme, duhet ngritur edhe inspektimi i rrugëve kombëtare për sa i përket sigurisë së tyre, lejeve për hyrje dhe dalje në rrugë që përdorin subjekte tregtare apo individët. Mbikëqyrja e Kontratave të Mirëmbajtjeve, Sigurisë së Mjeteve Motorike Lëvizëse apo Kontratave Koncesionare.

 

  1. Inspektorati Shtetëror i Ekonomisë, ku pjesë e këtij inspektorati të jenë:

 

  1. Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut;
  2. Drejtoria e Hetimit Tatimor;
  3. Drejtoria e Hetimit Doganor.

 

Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, ka si objekt të veprimtarisë së tij inspektimin dhe monitorimin e tregut të brendshëm për produktet joushqimore për të siguruar mbrojtjen e konsumatorit, mbrojtjen e shëndetit publik, ruajtjen e një konkurrence të ndershme në treg dhe mbrojtjen e mbajtësve të së drejtës, sipas përcaktimit të ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve; mbrojtjes së pronësisë industriale, sipas legjislacionit për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to; inspektimit metrologjik, sipas legjislacionit për metrologjinë; instalimet teknologjike dhe industriale.

 

Drejtoria e Hetimit Tatimor, ushtron veprimtari kontrolluese në bazë ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008, "Për procedurat tatimore ne RSH", i ndryshuar, si dhe të VKM-së nr. 400, datë 22.04.2009, "Për përcaktimin e detyrave dhe të funksioneve të Drejtorisë së Hetimit Tatimor", DHT merr dhe aplikon marrjen e masave administrative për kundërvajtjet tatimore të konstatuara për rastet e shkeljeve të parashikuara në ligjin e procedurave tatimore, të kryer nga Sektori i Zbatimit pranë DHT-së. 

Drejtoria e Hetimit Doganor, ushtron veprimtari kontrolluese në bazë të ligjit nr. 102/2014 "Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë", dhe kryen konstatimin  dhe  verifikimin  e  shkeljeve  të  dispozitave  të  parashikuar  nga  Kodi Doganor dhe legjislacioni në fuqi. DHD autorizon  kontrolle,  inspektime,  investigimi,  mbikëqyrje përmes  kontrollit  të  mallrave,  dokumentacionit  tregtar  dhe  kontabël,  ambienteve të  operatorit  apo  personave të tjerë të lidhur me të sipas ligjit, për të mundësuar vjeljen e plotë të detyrimeve që duhen paguar nga operatorët ekonomik.

Inspektorati Shtetëror i Ekonomisë, do të garantojë ligjshmërinë për mbikëqyrjen e tregut si dhe të interesave për sa i përket anës financiarë dhe fiskale, duke siguruar tatimpaguesit, administratën tatimore, agjentët tatimorë, agjentët e mbajtjes së tatimit në burim, si dhe për persona të tjerë, të përcaktuar nga legjislacioni tatimor duke patur veprimtari inspektuese dhe vënë masë administrative, dhe për rrjedhojë duhet të grupohen në këtë inspektorat të vetëm.  Në ligje të veçanta përmenden dhe detyrimet për t’i dhënë njëri-tjetrit informacion. Duke qenë se janë institucione të veçanta, shkëmbimi informacionit mund të bëhet me vonesë dhe mund të mos performojnë si duhet.

 

  1. Inspektorati Shtetëror i Çështjeve Sociale.

 

Ky Inspektorat të mbikëqyrë legjislacionin e punës dhe sigurimeve shoqërore, si dy detyrime me natyrë fiskale dhe që kanë të bëjnë me pagesa të lidhura me punën dhe si të tilla duhet të evidentohen nga ky Inspektorat. Aktualisht, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, kontrollon zbatimin e legjislacionit të punës nga të gjithë punëdhënës e punëmarrës. Sugjerimi jonë është që t’i bashkohen edhe disa institucione të tjera që kanë në fokus zbatueshmërinë e legjislacionit të punës, sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si më poshtë:

 

  1. Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore;
  2. Instituti i Sigurimeve Shoqërore;
  3. Instituti i Sigurimeve Shëndetësore;
  4. Inspektorati Shtetëror i Arsimit;
  5. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave;

 

Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, kontrollon zbatimin e legjislacionit të punës nga të gjithë, punëdhënës e punëmarrës. Sugjerimi jonë është që t’i bashkohen edhe disa institucione të tjera, që kanë në fokus zbatueshmërinë e legjislacionit të punës, si më poshtë:

Instituti i Sigurimeve Shoqërore, i cili në zbatim të  ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993, “Për Sigurimet Shoqërore në RSH”, i ndryshuar, inspektorët e Agjencive Lokale të Sigurimeve Shoqërore sanksionojnë punëdhënësit për moszbatim afatesh dhe procedurash për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore.

Instituti i Sigurimeve Shëndetësore, kontrollon rregullimin e financimit të kujdesit shëndetësor në zbatim të ligjit nr. 7870, datë 13.10.1994, “Për sigurimet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

 

Inspektorati Shtetëror i Arsimit , Agjencia Kombëtare, Drejtoria e Sporteve, Drejtoria e Përgjithshme: Arsimi, sporti dhe kultura janë lloje inspektimesh që mund të rrinë bashkë pasi kanë të bëjnë me mirëqenien intelektuale dhe fizike të njeriut.

 

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, inspekton rrjetin arkivor për formatin, ruajtjen dhe përpunimin e dokumenteve, si dhe përcaktimin e sanksioneve ndaj titullarëve e specialistëve të institucioneve, në zbatim të ligjit  nr.9154, datë 6.11.2003, “Për Arkivat”.

 

Është menduar që dhe arkivat të qëndrojnë në këtë kolonë pasi fondi arkivor i sotëm dhe i kaluar i përket trashëgimisë kulturore të një populli. Duke qenë se, çështjet sociale, janë probleme që ndikojnë një numër të konsiderueshëm të individëve që i përkasin një shoqërie të pa zhvilluar nga ana arsimore, Arsimi ngelet faktorë i rëndësishëm në shoqëri, i cili ndikon në përmirësimin dhe rritjen e mirëqenies sociale, duke krijuar standarde në arsimin e mesëm dhe atë universitar.

Arsimi, sporti dhe kultura mendoj që janë lloje inspektimesh që mund të rrinë bashkë pasi kanë të bëjnë me mirëqenien intelektuale dhe fizike të njeriut. Është menduar që dhe arkivat të qëndrojnë në këtë kolonë pasi fondi arkivor i sotëm dhe i kaluar i përket trashëgimisë kulturore të një populli.

 

Vlen për t’u theksuar se, nga institucionet e sipërpërmendura për të qënë pjesë e inspektorateve të strukturuara sipas Aneksit bashkëlidhur janë marrë në konsideratë vetëm strukturat të cilat kanë si objekt funksioneve inspektuese.

Reforma në inspektorate ka për qëllim funksionimin e një institucioni të ri, që ka vullnetin për t’i zbatuar më me efektivitet procedurat e inspektimit duke evituar kështu anshmërinë, dublikimet dhe mbivendosjet, duke siguruar një përdorim më të mirë të burimeve publike dhe maksimizuar efektivitetin.

Një nga qëllimet e reformave në inspektorate është edhe krijimi i premisave për vendime të rëndësishme lidhur me cilësinë e jetës së qytetarëve, për mbrojtjen e shëndetit, ambientit, sigurinë e përgjithshme teknike, mbrojtjen e interesave ekonomike të konsumatorit dhe të sektorit privat, në lidhje me cilësinë e inspektimeve në Shqipëri.

Humbja e besimit qytetar për funksionimin dhe zbatimin e ligjit ka pasoja negative jo vetëm në cilësinë e jetës së konsumatorëve, por edhe në krijimin e një klime jo të favorshme për zhvillimin e konkurrencës së ndershme, rritjen e investimeve të huaja dhe zhvillimin e ekonomisë në tërësi.

 

INSPEKTORI I PËRGJITHSHËM

 

SHKËLQIM HAJDARI

Nuk ka ende asnjë koment për këtë konsultim

Diskutimet për këtë konsultim janë mbyllur.