Projektvendim "PËR KRITERET PËR PËRCAKTIMIN E NJËSISË SË VETËQEVERISJES VENDORE, NUMRIT THELBËSOR DHE KËRKESËS SË MJAFTUESHME TË PERSONAVE TË PAKICAVE KOMBËTARE, PËR T’U ARSIMUAR NË GJUHËN E PAKICËS KOMBËTARE"

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë

|

Postuar më: 06.03.2019

PDF

|

XML

Leter me koke Keshilli i ministrave-1-01

 

P R O J E K T V E N D I M

 

Nr.______, datë ____.____.2019

 

PËR

KRITERET PËR PËRCAKTIMIN E NJËSISË SË VETËQEVERISJES VENDORE, NUMRIT THELBËSOR DHE KËRKESËS SË MJAFTUESHME TË PERSONAVE TË PAKICAVE KOMBËTARE, PËR T’U ARSIMUAR NË GJUHËN E PAKICËS KOMBËTARE

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 13 të ligjit nr. 96/2017 “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

  1. Personat që i përkasin një pakice kombëtare, kanë të drejtë të arsimohen në gjuhën e pakicës kombëtare, në institucione arsimore të caktuara me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin.

 

  1. Në institucionet arsimore ekzistuese, ku gjuha e arsimimit është gjuha shqipe, nxënësit e një pakice kombëtare kanë të drejtë të arsimohen në gjuhën e pakicës kombëtare që i përkasin, si dhe të studiojnë historinë, traditat dhe kulturën e tyre, sipas kurikulave dhe programeve të miratuara nga ministria përgjegjëse për arsimin.

 

  1. Njësitë e vetëqeverisjes vendore, numri thelbësor dhe kërkesa e mjaftueshme me qëllim sigurimin e së drejtës për t’u arsimuar në gjuhën e pakicës kombëtare, përcaktohen në bazë të kritereve të mëposhtme:

 

  1. numri i personave që i përkasin pakicës kombëtare, i cili duhet të jetë jo më pak se 20 për qind e numrit të përgjithshëm të banorëve të njësisë administrative, si nëndarje e bashkisë;
  2. periudha e regjistrimit si banor në njësinë e vetëqeverisjes vendore, sipas periudhave të regjistrimit të popullsisë, konfirmuar me vërtetim të lëshuar sipas të dhënave nga Regjistrat Themeltarë të Gjendjes Civile dhe /ose Regjistri Kombëtar të Gjendjes Civile të vitit 2010.
  3. kërkesa formale, paraqitur nga  prindër apo kujdestarë ligjorë të fëmijëve që i përkasin pakicës kombëtare, pranë bashkisë/njësisë administrative, ku shprehet vullneti në mënyrë formale dhe bazuar në të drejtën e vetë identifikimit, të mjaftueshme për formimin e klasës.

 

  1. Numri i nxënësve që u përkasin pakicave kombëtare që kanë të drejtën të arsimohen në gjuhën e pakicës kombëtare që i përkasin, si dhe të studiojnë historinë, traditat dhe kulturën e tyre, duhet të jetë jo më pak se 15 nxënës për klasë në bazë të kërkesës formale nga prindërit apo kujdestarët ligjorë sipas përcaktimit në shkronjën c të pikës 3 të këtij vendimi.

 

  1. Administrimi i informacionit për plotësimin e kritereve të përcaktuara në pikën 3 bëhet nga prefekti i qarkut. Pas verifikimit të përmbushjes së kritereve, prefekti  përcakton njësinë e vetëqeverisjes vendore, në të cilat personat që i përkasin një pakice kombëtare do t’u sigurohet e drejta të arsimohen në gjuhën e pakicës kombëtare.

 

  1. Njësitë e vetëqeverisjes vendore të cilat kanë marrë konfirmimin sipas pikës 5 të këtij vendimi kanë të drejtën e nismës për hapjen e klasave në gjuhën e pakicave kombëtare në përputhje me parashikimet në ligjore për krijimin dhe funksionimin e klasave në gjuhën e pakicave kombëtare.

 

  1. Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Ministria e Brendshme, prefekti i qarkut dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

 

KRYEMINISTRI

EDI RAMA

Propozimet dhe sugjerimet tuaja me qëllim përmirësimin e projektvendimit janë të mirëpritura në adresat zyrtare të MASR:

Erzen.Tola@arsimi.gov.al

Altea.Tahiraj@arsimi.gov.al

 

Nuk ka ende asnjë koment për këtë konsultim

Diskutimet për këtë konsultim janë mbyllur.