Projektvendim "PËR KATEGORITË E SHËRBIMEVE, TË OFRUARA NGA ENTET SHTETËRORE DHE SUBJEKTE TË TJERA, TË CILAT PËRFITOHEN ME ÇMIME TË REDUKTUARA PËRMES PËRDORIMIT TË KARTËS SË STUDENTIT"

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë

|

Postuar më: 01.04.2019

PDF

|

XML

STEMA E REPUBLIKES - BLACK

KËSHILLI I MINISTRAVE

P R O J E K T V E N D I M

 

Nr._____, datë__________

 

PËR

 

 KATEGORITË E SHËRBIMEVE, TË OFRUARA NGA ENTET SHTETËRORE DHE SUBJEKTE TË TJERA, TË CILAT PËRFITOHEN ME ÇMIME TË REDUKTUARA PËRMES PËRDORIMIT TË KARTËS SË STUDENTIT

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të pikës 4, të nenit 100 të Ligjit 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave,

 

V E N D O S I:

 

  1. Shërbimet që ofrohen nga entet shtetërore në fushën e artit dhe kulturës, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, arsimit, sportit dhe rinisë, transportit, turizmit dhe mjedisit, ekonomisë, financave, punësimit dhe trajnimit dhe ato të mbrojtjes, përfitohen nga studentët me çmime të reduktuara përmes përdorimit të kartës së studentit, si një dokument unik i çdo studenti.

 

  1. Ministrat sipas fushës së përgjegjësisë përkatëse, miratojnë me urdhër të përbashkët me ministrinë përgjegjëse për arsimin, listën e shërbimeve të ofruara me çmime të reduktuar për studentët. Efektet financiare nga reduktimi i çmimeve përballohen nga buxheti i ministrive, sipas fushave të përgjegjësisë shtetërore.

 

  1. Mbajtësit e kartës së studentit përfitojnë shërbime me çmime të reduktuara edhe nga subjekte të tjera publike apo private, që kanë për objekt të tyre interesa studentore, në bazë të marrëveshjeve përkatëse pa efekte financiare për buxhetin e shtetit, të nënshkruara me ministrinë përgjegjëse për arsimin.

 

  1. Në nivel vendor, marrëveshjet për ofrimin e shërbimeve më çmime të reduktuara për mbajtësit e kartës së studentit nënshkruhen ndërmjet njësive të vetëqeverisjes vendore dhe ministrisë përgjegjëse për arsimin. Efektet financiare nga reduktimi i çmimeve përballohen nga buxhetet e njësive të vetëqeverisjes vendore.

 

  1. Njësitë e vetëqeverisjes vendore nënshkruajnë marrëveshje me subjekte të tjera publike dhe private për ofrimin e shërbimeve më çmime të reduktuara për mbajtësit e kartës së studentit.

 

  1. Çdo institucion i arsimit të lartë mund të  nënshkruaj marrëveshje pa efekte financiare me subjekte publike apo private për ofrimin e shërbimeve të ndryshme në nivel qendror apo vendor, më çmime të reduktuara për mbajtësit e kartës së studentit.

 

  1. Marrëveshjet e lidhura nga njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe institucionet e arsimit të lartë, marrin miratimin paraprak në ministrinë përgjegjëse për arsimin. Ministria përgjegjëse për arsimin konfirmon miratimin, brenda 10 ditëve pune nga njoftimi i marrëveshjes. Në rast se konfirmimi nuk paraqitet brenda 10 ditëve pune, miratimi konsiderohet i dhënë.

 

  1. Mbajtësit e kartës së studentit, përfitojnë të gjitha shërbimet e ofruara sipas përcaktimeve të këtij vendimi, nëpërmjet paraqitjes së kartës së studentit si dokument unik. Shërbimet e ofruara sipas përcaktimeve të këtij vendimi bëhen publike nga të gjitha institucionet qendrore dhe vendore, si dhe nga subjektet publike dhe private në faqet e tyre zyrtare, ndërsa ministria përgjegjëse për arsimin publikon të gjitha shërbimet e siguruara me çmime të reduktuara për mbajtësit e kartës së studentit.

 

  1. Karta e studentit mund të bëhet pjesë e projekteve ndërkombëtare, përmes marrëveshjeve që lidhen nga ministria përgjegjëse për arsimin. Kjo pjesëmarrje mundëson që shërbimet e ofruara nga këto projekte të përfitohen nga të gjithë mbajtësit e kartës së studentit në shtetet anëtare të projektit apo marrëveshjeve ndërkombëtare. Efektet financiare të pjesëmarrjes në projektet ndërkombëtarë, përballohet nga buxheti i ministrisë përgjegjëse për arsimin. 

 

  1. Ministria përgjegjëse për arsimin miraton me udhëzim formën, procedurat e përgatitjes dhe administrimit të kartës së studentit. Në rast se prodhimi dhe administrimi i kartës së studentit, i delegohet njësive të vetëqeverisjes vendore, atëherë ministria përgjegjëse për arsimin, nënshkruan një marrëveshje dypalësh me këto njësi mbi delegimin e këtyre përgjegjësive dhe kompetencave.

 

  1. Shpenzimet për prodhimin dhe administrimin e kartës së studentit do të përballohen nga buxheti i ministrisë përgjegjëse për arsimin. Në rast se prodhimi dhe administrimi i kartës së studentit do të delegohet te njësitë e vetëqeverisjes vendore, atëherë, shpenzimet do të përballohen nga buxheti i këtyre njësive.

 

  1. Qendra e Shërbimeve Arsimore, konfirmon për çdo vit akademik studentët e regjistruar në vitin përkatës akademik për çdo institucion të arsimit të lartë, pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin dhe pranë njësive të vetëqeverisjes vendore, në rastin e delegimit të prodhimit dhe administrimit të kartës së studentit.

 

  1. Ngarkohen ministritë sipas fushave të përgjegjësisë shtetërore, Qendra e Shërbimeve Arsimore, njësitë e vetëqeverisjes vendore, entet shtetërore, si dhe institucionet e arsimit të lartë, për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

                                                                                                     

K R Y E M I N I S T R I

EDI  RAMA

 

Propozimet dhe sugjerimet tuaja me qëllim përmirësimin e projektvendimit janë të mirëpritura në adresat zyrtare të MASR:

Iva.Beliu@arsimi.gov.al

Voltisa.Koci@arsimi.gov.al

 

Nuk ka ende asnjë koment për këtë konsultim

Diskutimet për këtë konsultim janë mbyllur.