P r o j e k t l i gj nr. _____ /2019 “Për pyjet

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit

|

Postuar më: 22.10.2019

PDF

|

XML

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

Kuvendi

 

P R O J E K T L I GJ

Nr. _____ /2019

 PËR PYJET[1]

 

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

 

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

 

VENDOSI:

 

 

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

 

Neni 1

Qëllimi i ligjit

  1. Qëllimi i këtij ligji është mbrojtja e pyjeve si pasuri me rëndësi të veçantë, për vlerat e mëdha dhe të pazëvendësueshme në mbrojtjen e klimës dhe tokës, ruajtja dhe përmirësimi i potencialeve prodhues, ekuilibrave të mjedisit natyror, biodiversitetit, burimeve gjenetike dhe regjimit hidrik, si detyrime me interes kombëtar dhe ndërkombëtar.
  2. Ligji kontribuon në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të pyjeve, që mundëson një jetë më të mirë, për shoqërinë sot dhe brezat e së ardhmes, duke rregulluar marrëdhëniet në sektorin e pyjeve, që kanë ndikim thelbësor: në cilësinë e mjedisit natyror, në zhvillimin e bujqësisë, energjisë dhe turizmit, në uljen e varfërisë, zhvendosjen e popullsisë, zbutjen e konflikteve dhe pabarazive me bazë sociale, gjinore, si dhe në sigurinë e vendit.
  3. Ligji synon ruajtjen, shtimin e sipërfaqes dhe rritjen e volumit të përgjithshëm të fondit pyjor kombëtar, rregullimin e marrëdhënieve dhe garantimin e qëndrueshmërisë financiare, organizimin funksional në të gjitha nivelet e qeverisjes, shfrytëzimin dhe përdorimin e qëndrueshëm dhe të balancuar të burimeve pyjore përkundrejt mundësisë që pyjet kanë, pa cënuar vazhdueshmërinë e jetës dhe ciklin e pyllit, si dhe garantimin e shërbimeve cilësore duke synuar mbrojtjen e duhur, përmirësimin dhe rigjenerimin e hapësirës pyjore.
     

Neni 2

Objekti dhe fusha e zbatimit

  1. Objekti i këtij ligji përfshin rregullimin e administrimit të sektorit të pyjeve, organizimin institucional, rregullimin mbi përfitimet dhe shërbimet ndaj tij, mbi bazën e parimit të zhvillimit të qëndrueshëm dhe angazhimeve ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë është palë, për të garantuar përmbushjen në vijimësi të funksioneve mjedisorë, ekonomikë, socialë dhe kulturorë, në interes të të gjithë shoqërisë.
  2. Ky ligj e shtrin veprimtarinë e tij mbi pyjet si një ekosistem natyror në të gjithë elementët e tij, mbi qeverisjen e sektorit të pyjeve në të gjitha funksionet e saj, për të gjitha kategoritë dhe në të gjitha format e pronësisë, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
  3. Përcaktimet e këtij ligji për fondin pyjor kombëtar, zbatohen për aq sa është e mundur edhe për zonat e mbrojtura, faunën e egër, si dhe bimët mjekësore, eterovajore e tanifere natyrore, të cilat janë të rregulluara me ligjet përkatës të posaçëm. Për të gjitha ato çështje/aspekte që lidhen me fondin pyjor kombëtar, të cilat janë të parregulluara nga ligjet e posaçme, do të zbatohen dispozitat e këtij ligji kuadër për pyjet.
  4. Dispozitat e këtij ligji zbatohen edhe në rastet e parashikuara në pikën 3 të nenit 5, pavarësisht se gjenden jashtë fondit pyjor kombëtar.
     

Neni 3

Përkufizime

Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

  1. “Administrimi i pyjeve” është tërësia e masave organizative, teknike dhe financiare për zhvillimin dhe mbrojtjen e tyre.
  2. “Agjencia” është agjencia shtetërore përgjegjëse për pyjet.
  3. “Agropylltari” janë sistemet e përdorimit të tokës ku kulturat tradicionale, bujqësore ose foragjere, kultivohen në të njëjtën sipërfaqe së bashku me drurët pyjore ose me bimë të tjera drusore shumëvjeçare.
  4. “ALFIS” (Albanian Forest Information System), është Sistemi Shqiptar i Informacionit për Pyjet.
  5. “Bashki” është njësia e vetëqeverisjes vendore që ka në pronësi sipërfaqe të fondit pyjor brenda kufijve territorialë administrativë të saj, e cila është përgjegjëse për administrimin e fondit pyjor publik.
  6. “Biodiversitet” ka kuptimin sipas ligjit përkatës për mbrojtjen e biodiversitetit.
  7. “Burime gjenetike” janë drurë apo grumbuj pyjorë të përbërë nga lloje me potenciale të larta gjenetike aktuale apo për të ardhmen.
  8. “Certifikatë origjine”, është një dokument sipas formatit të miratuar me urdhër të Ministrit, që deklaron se në cilin vend është prodhuar një mall ose një e mirë, si dhe përmban informacione në lidhje me produktin, sasinë, destinacionin e tij dhe vendin e eksportit.
  9. “Dëmtim i pyllit dhe mjedisit pyjor” janë dëmtime me pasoja humbjen e funksioneve të pjesëve të pyllit ose mjedisit dhe prishjen e ekuilibrave biologjikë natyrorë, si rezultat i ndërhyrjeve nga njeriu ose nga faktorë të tjerë natyrorë.
  10. “DPP” është Dokumenti i Politikave për Pyjet, ku “Politikat” janë drejtimet kryesore ku fokusohet sektori për të orientuar vendimmarrjen për të ardhmen, dhe që realizojnë synimet e qeverisjes, në përputhje me interesin publik dhe të grupeve të tjerë të interesit.
  11. “Druri dhe produktet e drurit” janë lënda drusore dhe produktet e drurit të përcaktuar në kodin përkatës doganor dhe/ose në nomenklaturën e kombinuar të mallrave.
  12. “Ekonomi pyjore” është njësia bazë e organizimit të sipërfaqes së fondit pyjor kombëtar për qeverisjen e pyjeve dhe drejtimin, planifikimin dhe kontrollin e mbarështrimit të pyjeve, që zakonisht përfshin një masiv pyjor, me kufij të qartë natyrorë.
  13. “Ekspert i certifikuar”, ka kuptimin sipas ligjit përkatës për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.
  14. “Elementet e marketingut” të prodhimeve drusore dhe jo-drusore nga pylli, përfshijnë: çmimin, llojin/et e produktit/eve, vendndodhjen dhe promovimin me mënyra e mjete të ndryshme.
  15. “Ekosistem pyjor” është një kompleks dinamik i bashkësive të kafshëve, bimëve e mikroorganizmave dhe mjedisit të tyre abiotik, që bashkëveprojnë si një njësi funksionale, ku drurët janë komponenti kyç i sistemit; dhe ku njerëzit, me nevojat e tyre kulturore, ekonomike, sociale dhe mjedisore, janë pjesë integrale e ekosistemeve pyjore.
  16. EUTR Regulation 995/2010 of 20.10.2010”, është rregullorja e BE për lëndën drusore me qëllim për të parandaluar shitjen në tregun e BE të lëndës së drurit të prerë në mënyrë të paligjshme si dhe të produkteve të drurit të përfituara prej saj, duke u mbështetur në sistemin “kujdesi i duhur”.
  17. “FLEGT (Forest Law Enforcement, Governance and Trade)”, është Plani i Veprimit i BE i vitit 2003, që synon të zvogëlojë prerjet ilegale duke forcuar menaxhimin e qëndrueshëm dhe ligjor të pyjeve, duke përmirësuar qeverisjen dhe duke promovuar tregtinë e drurit të prodhuar ligjërisht.
  18. “Fond pyjor kombëtar”, që përfaqësohet nga fondi pyjor publik dhe privat, është sipërfaqja e mbuluar me pyje, shkurre, toka me bimësi pyjore, përfshirë edhe sipërfaqet e zhveshura (çeltirat, shkëmbinjtë, dunat dhe ranishtat), sistemet agro-pyjore, brezat mbrojtës, infrastruktura përkatëse, si dhe pasuritë jopyjore bashkëshoqëruese, të cilat krijojnë një mjedis unik me pyjet e tokën pyjore.
  19. “Grumbull pyjor” është njësia bazë për hartëzimin e pyllit, që përfaqësohet nga një grup i dendur drurësh pak a shumë homogjenë në lidhje me përbërjen, dendësinë, madhësinë dhe habitatin e specieve.
  20. “Infrastruktura pyjore” përfshin mjetet, pajisjet, programet dhe aplikacionet kompjuterike, zyrat, ndërtesat, struktura pune/akomodimi, stenda informacioni, fidanishtet, magazinat, depot, rrjetin rrugor pyjor, teleferikët pyjorë, traktorët, makinat, motorët, radiot e antenat e radiokomunikimit, pritat, pendat, çezmat, rrethimet e gardhimet, tabelat, shenjat e ndryshme treguese e sinjalizuese, ato të mbarështimit pyjor, rrjetet e shërbimeve (ujësjellës, elektrike, telekomunikacion, etj.), si dhe lehtësitë e tjera të ngritura në fondin pyjor publik për informimin dhe pritjen e vizitorëve.
  21. “Inventarizimi kombëtar i pyjeve”, është procesi që realizon grumbullimin dhe vlerësimin e të dhënave mbi shtrirjen dhe gjendjen e fondit pyjor kombëtar, të cilat shërbejnë për hartimin e politikave në fushën e pyjeve, për zhvillimin e qëndrueshëm dhe shumëfunksional të tyre.
  22. “KKT” është Këshilli Kombëtar i Territorit.
  23. “KP” është Këshilli i Pyjeve.
  24. “Kujdesi i duhur” është sistemi i kujdesit të nevojshëm për parandalimin e tregtimit të paligjshëm të drurit dhe prodhimeve që rrjedhin prej tij.
  25. “Mbarështimi i pyjeve” është planifikimi afatgjatë për pyjet, publike dhe private, i cili kryhet në bazë të kritereve të caktuara për grumbullimin e informacionit mbi situatën/gjendjen faktike dhe përcaktimin e objektivave e masave të nevojshme, në funksion të statusit të dhënë, me synim përmbushjen e funksioneve ekologjike, ekonomike e sociale, duke zbatuar dhe harmonizuar parimet e zhvillimit të qëndrueshëm me nevojat e administruesve, pronarëve privatë dhe përdoruesve të tyre.
  26. “Mbrojtja e pyjeve dhe e tokës pyjore” është veprimtaria për parandalimin e degradimit të pyjeve dhe tokave pyjore nga faktorët njerëzorë e natyrorë, me synim garantimin e ripërtëritjes dhe përmirësimin e burimeve pyjore e jo pyjore bashkëshoqëruese dhe të mjedisit pyjor në tërësi.
  27. “Ministër” është ministri përgjegjës për pyjet.
  28. “Ministria” është ministria përgjegjëse për pyjet.
  29. “Mundësia vjetore e shfrytëzimit” është sasia e vëllimit drusor, e përcaktuar në një plan mbarështrimi të miratuar, që mund të pritet çdo vit, ose në mënyrë periodike, në një ekonomi pyjore përgjatë një periudhe të dhënë. Pjesë e mundësisë vjetore të shfrytëzimit bëhen edhe sasitë e materialit drusor të dëmtuar për shkaqe natyrore dhe/ose të tjera (fortuna, ngrica, dëbora, zjarre, sëmundje, dëmtues, etj.), të cilat kanë prioritet shfrytëzimi, duke mbajtur automatikisht në ekuivalencë mundësinë vjetore të planifikuar nga planet e mbarështimit.
  30. “Ngastër” është emërtimi i sipërfaqes pyjore, me kufij të qartë natyrorë, që krijohet nga ndarja në pjesë e një ekonomie pyjore dhe që shërben si njësi bazë për drejtimin, organizimin, planifikimin dhe kontrollin e mbarështrimit.
  31. “Nënngastër” është një njësi sipërfaqeje me madhësi minimale 0.5 ha, që shërben për vlerësimin e grumbujve pyjorë, planifikimin dhe kontrollin e trajtimeve të njëjta silvikulturore.
  32. “Organizimi institucional” është realizimi i atij funksioni të qeverisjes, që garanton institucione funksionale, aktivitet eficient të orientuar drejt rezultateve, akumulimin e dijes institucionale, si dhe infrastrukturën e nevojshme për përmbushjen e përgjegjësive.
  33. “Pasuri pyjore” janë tërësia e elementeve natyrorë të një sipërfaqeje pylli a toke pyjore, me vlera të përdorshme për nevojat e shoqërisë, në të cilët përfshihen toka, drurët, uji, bimësia e shumëllojshme jo pyjore dhe gjallesat e egra.
  34. “PKP” është Programi Kombëtar i Pyjeve.
  35. “PKSP” është Plani Kombëtar Sektorial i Pyjeve, që hartohet dhe miratohet sipas përcaktimeve të kuadrit ligjor për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.
  36. “Plani i mbarështimit” është dokumenti normativ i hartuar për një ekonomi pyjore që përmban analizën e gjendjes së pyjeve, përcakton objektivat që duhet të realizohen në funksion të statusit që kanë, planifikon masat për trajtimin e tyre si dhe ndërhyrjet për vitet e ardhshme.
  37. “Plani operacional vjetor” është dokumenti i planifikimit të të ardhurave dhe shpenzimeve nga aktivitetet në pyjet publikë, buxheti i shtetit, donacionet ose grantet e ndryshëm, për realizimin e punimeve të përcaktuara ose rekomanduara nga planet e mbarështrimit, të veprimtarive për zhvillimin dhe mbrojtjen e fondit pyjor, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës së nevojshme, si dhe për qëllime të tjera të parashikuara nga ky ligj dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.
  38. “Prerje kulturore” është tërësia e punimeve të seleksionimit, të rrallimit, të pastrimit, çlirimit, që zbatohen periodikisht në një grumbull pyjor nga çasti i krijimit deri në shfrytëzimin me synim përmirësimin dhe sigurimin e vazhdimësisë së prodhimit.
  39. “Prerje për shfrytëzimin e pyjeve” janë punimet për nxjerrjen e lëndës drusore nga pyjet dhe shkurret që kanë arritur moshën e shfrytëzueshmërisë, me qëllimin kryesor heqjen e gjeneratës së vjetër dhe krijimin e kushteve për instalimin në rrugë natyrore të gjeneratës së re, gjatë fazave të prerjeve, ose me pyllëzime artificiale për llojet që trajtohen me prerje rrah, si dhe për vlerësimin ekonomik të materialit drusor të përfituar nga prerjet.
  40. “Prerje rrah” quhet prerja rrafsh me tokën e të gjithë drurëve në një pjesë pylli.
  41. “Prodhime pyjore jo-drusore” përfshijnë lulet, frutat, farat, sythat, bisqet, degët, drurët dekorativë, shpatullat, kalemat, gjethet, halat, boçet, zhukat, kallamishtet, rrëshira, plisat, bari, rrënjët, zhardhokët, kërpudhat, myshqet, humusi, lëgusha, torfa, dheu, gurët, zhavorri dhe rëra.
  42. “Pronar privat i pyllit” është personi fizik/juridik, që gëzon të drejtat ekskluzive të pronësisë, gëzimit dhe disponimit të pyllit, brenda kufijve të caktuar nga ligji.
  43. “Pyje prodhues”, funksioni i të cilëve është prodhimi i lëndës drusore dhe prodhimeve te tjera jo-drusore.
  44. “Pyje mbrojtës”, funksioni i të cilëve është kryesisht mbrojtja e tokës nga gërryerja, rrëshqitjet, përmbytjet, mbrojtja e tokave bujqësore nga erërat, stabilizimi dhe përmirësimi i cilësisë dhe sasisë së regjimit ujor.
  45. “Pyje të mbrojtur”, funksioni i të cilëve është përmbushja e qëllimeve të përcaktuar në statusin e dhënë.
  46. “Pyll” është sipërfaqja e tokës, më e madhe se 0.5 ha, e mbuluar me drurë më të lartë se 5 metra dhe me shkallë mbulimi mbi 10 për qind, ose me drurë të aftë për të arritur këto pragje.
  47. “Pyllëzim” është mbjellja me fidanë ose me farë e një siperfaqeje që nuk ka qenë asnjëherë e veshur me pyje (inproduktive/tjetër).
  48. “Pyll i lartë” (trungishte) është pylli i përbërë nga drurë me prejardhje nga fara.
  49. “Pyll i ulët” (cungishte) është pylli i përbërë nga drurë me prejardhje vegjetative, nga lastarë.
  50. “Pyll i virgjër” është pylli natyror i pacënuar nga veprimtaria njerëzore.
  51. “Regjistri Kombëtar i Fondit Pyjor (RKFP)”, është regjistri zyrtar i të dhënave kadastrale të fondit pyjor kombëtar, i organizuar në nivel qendror, rajonal dhe vendor, në të cilin regjistrohen të gjithë informacionet bazë dhe ndryshimet periodike të ndodhura në pronësinë, të drejtat reale, pozicionin hartografik, sipërfaqe, volum, etj., shoqëruar me sistemin e informacionit gjeografik (GIS), i nevojshëm për administrimin dhe planifikimin e pyjeve.
  52. “Rezerva strategjike të lëndës drusore” janë sipërfaqe pyjore të vëna në ruajtje për të përballuar nevojat e krijuara nga ngjarje madhore.
  53. “Ripyllëzim” është mbjellja e drurëve pyjorë në një sipërfaqe të përkufizuar “pyll” ose “tokë me bimësi pyjore”, në të cilën për arsye të ndryshme nuk është siguruar ripërtëritja në rrugë natyrale, ose ripërtëritja është dëmtuar dhe nuk garanton zhvillimin e grumbullit të ri.
  54. “Ruajtje in-situ” janë masat menaxhuese, të nevojshme për të ruajtur burimet gjenetike pyjore në habitatet e tyre.
  55. “Sektori i Pyjeve” është tërësia e integruar e fondit pyjor kombëtar dhe e dinamikave që zhvillohen në të, grupeve të interesit, rregullave, burimeve dhe inputeve të nevojshme, strukturave, aktivitetit, shërbimeve që kryhen në pyje, dhe ndërveprimi i këtyre elementëve si një sistem i integruar funksional që garanton pyjet që duam.
  56. “Sistemi organizativ” i sektorit të pyjeve, është tërësia e integruar e institucioneve, aktiviteteve, dijes dhe infrastrukturës në shërbim të tyre, në të gjitha nivelet e sektorit.
  57. “Shërbimet e ekosistemit” janë përfitimet që marrin njerëzit nga ekosistemet dhe përfshijnë: “Shërbime të furnizimit” për ushqim dhe ujë; “Shërbime rregullatore” për rregullimin e përmbytjeve, thatësirës, sëmundjet, degradimin e tokës (mbrojtja e tokës nga gërryerja, rrëshqitjet, mbrojtja e tokave bujqësore nga erërat, përthithja e karbonit, zhvillimi i faunës) të cilat lidhen edhe me ndryshimet klimaterike dhe mbrojtjen e biodiversitetit; “Shërbime mbështetëse” për tokëformimin dhe ciklin e lëndëve ushqyese; “Shërbime kulturore” që lidhen me rekreacionin dhe përfitime të tjera jo materiale.
  58. “Shkurre” janë bimë drusore shumëvjeçare, përgjithësisht me lartësi mbi 0.5 metra dhe më pak se 5 metra, zakonisht pa një trung dhe kurorë të përcaktuar.
  59. “Toka me bimësi pyjore” janë terrene me drurë dhe shkurre me madhësi mbi 0.5 ha, me një shkallë mbulimi deri 10 për qind.
  60. “Zhvillimi i qëndrueshëm i pyjeve” është procesi i administrimit dhe shfrytëzimit të pyjeve, në mënyra dhe intensitete të tillë që të ruajnë larminë e tyre biologjike, prodhimtarinë dhe kapacitetet ripërtëritëse, për të përmbushur tani dhe në të ardhmen funksionet ekologjike, ekonomike dhe shoqërore, pa shkaktuar dëme në ekosistemet e tjerë, si në nivel vendor, kombëtar, rajonal dhe botëror.

 

 

KREU II

SEKTORI I PYJEVE

 

Neni 4

Klasifikimi i pyjeve dhe Fondi Pyjor Kombëtar

  1. Pyjet klasifikohen në varësi të statusit që kanë, funksionit që përmbushin, shfrytëzimit dhe përdorimit që i nënshtrohen, moshës, llojit të drurëve dhe bimësisë nga të cilat përbëhen, apo të tjera kategori:
  1. Referuar tipologjisë së pyjeve, ata kategorizohen në: pyll i lartë (trungishte), pyll i ulët (cungishte), dhe shkurre.
  2. Në varësi të funksionit që caktohen për të përmbushur, pyjet klasifikohen në: pyje mbrojtës, pyje të mbrojtur dhe pyje prodhues.
  1. Klasifikimi i pyjeve bëhet mbi bazën e kritereve të përcaktuara me udhëzim të Ministrit.
  2. Fondi pyjor kombëtar, përbëhet nga:
  1. Pyjet (sipas përkufizimit në këtë ligj), pyjet në parqet kombëtare, rezervat natyrore dhe zona të tjera të mbrojtura, terrenet pyjore pa bimësi për shkak të fatkeqësive natyrore, të cilat pritet të rigjenerohen brenda disa viteve, brezat pyjorë mbrojtës nga era, nga zjarret, si dhe korridoret me drurë me sipërfaqe më të madhe se 0.5 hektar dhe gjerësi të madhe.
  2. Tokat me bimësi pyjore si dhe sipërfaqet e zhveshura si çeltirat, shkëmbinjtë dhe ranishte që ndodhen në pyje.
  3. Flora dhe fauna e egër, bimësia barishtore natyrore me vlera foragjere, mjekësore, eterovajore e tanifere, prodhimet e tjera pyjore e jopyjore.
    ç)  Infrastruktura pyjore.
  1. Në fondin pyjor kombëtar, nuk përfshihen, por administrohen sipas dispozitave të këtij ligji:
  1. drurët e veçantë dhe grupet e drurëve, kudo që ndodhen, kur sipërfaqja që mbulojnë nuk plotëson kriterin për t’u konsideruar pyll, si dhe ata që ndodhen në një rresht rreth tokave bujqësore, anës rrugëve, kanaleve, vijave të ujit;
  2. paraqet urbanë dhe sipërfaqet e pyllëzuara pranë monumenteve dhe varrezave, pavarësisht nga sipërfaqja e tyre;
  3. drurët dhe shkurret industriale, që gjenden jashtë fondit pyjor kombëtar.
  1. Në fondin pyjor kombëtar, nuk bëjnë pjesë grumbujt me drurë në sistemet e prodhimit bujqësor, të tilla si parcelat me drurë frutorë, ullishtat dhe sistemet e tilla ku kulturat bujqësore rriten nën kurorat e drurëve.

 

Neni 5

Kufijtë dhe ndryshimet në Fondin Pyjor Kombëtar

  1. Fondi pyjor kombëtar ndahet në ekonomi pyjore, ngastra dhe nënngastra. Kufijtë e fondit pyjor kombëtar janë të përhershëm, të përcaktuar qartë, të shënuar në terren dhe të hedhur në hartë.
  2. Ndalohet prishja, fshirja ose dëmtimi i shenjave kufidëftuese, gjeodezike e topografike, i tabelave paralajmëruese apo treguese, të vendosura në fondin pyjor kombëtar.
  3. Sipërfaqja e fondit pyjor kombëtar të ruhet dhe të mos zvogëlohet dhe në rastet e lejuara nga ligji për heqjet nga fondi pyjor kombëtar, të garantohet zëvendësimi i tyre si dhe rritja e volumit të përgjithshëm të fondit pyjor kombëtar.
  4. Ndryshime (heqje/shtesa) të sipërfaqeve nga fondi pyjor kombëtar, bëhen me:
    1. miratimin e Ministrit, për sipërfaqe deri 1 ha;
    2. vendim të Këshillit të Ministrave, për sipërfaqe mbi 1 ha deri 10 ha;
    3. ligj të veçantë, për sipërfaqe mbi 10 ha.

Rastet, procedurat dhe dokumentacioni përkatës për ndryshimet e sipërfaqeve dhe pakësimin në volum nga fondi pyjor kombëtar apo zgjerimin e tyre, për dhënien në përdorim dhe për ndryshimin e kategorisë së përdorimit, miratohen nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e Ministrit.

  1. Subjektet përfituese, për të cilat është miratuar ndryshimi i destinacionit të fondit pyjor kombëtar, detyrohen të paguajnë paraprakisht kostot e përllogaritura për pyllëzimin kompensues përkatës, përfshirë kostot e mirëmbajtjes së nevojshme pas mbjelljes që garanton zënien efektive të tyre, sipas përcaktimit me vendim të Këshillit të Ministrave dhe detajimit me udhëzim të Ministrit. Subjektet që ushtrojnë këto aktivitete të lejuara nga ligji, detyrohen për rehabilitimin e sipërfaqes në të cilën është ushtruar aktiviteti përkatës.
  2. Sipërfaqet e pyjeve që zihen nga ndërtimi i infrastrukturës së nevojshme për shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e fondit pyjor kombëtar, me natyrë të përkohshme, nuk konsiderohen ndryshime destinacioni.
  3. Në fondin pyjor kombëtar, ndalohet ndryshimi i destinacionit:
  1. të sipërfaqeve të djegura në fondin pyjor;
  2. nëse cënon ruajtjen e biodiversitetit, stabilitetin e terrenit, regjimin e ujit, mbrojtjen nga rënia e gurëve dhe ortekëve, ruajtjen e peizazhit, si dhe rolin e pyjeve për mbrojtjen nga era.
  1. Ndryshimet në sipërfaqe, destinacion dhe çdo elementi që lidhet me to, duhet të pasqyrohen në Regjistrin Kombëtar të Fondit Pyjor (RKFP), pas miratimit nga organi kompetent dhe hyrjes në fuqi, sipas përcaktimeve të këtij neni.

 

Neni 6

Regjistri Kombëtar, Inventarizimi dhe Rrjeti i Monitorimi të Fondit Pyjor Kombëtar

  1. Regjistri Kombëtar i Fondit Pyjor (RKFP), është regjistri zyrtar, që ngrihet dhe mirëmbahet nga agjencia, në të cilin pasqyrohet tërësia e informacioneve kadastrale të nevojshme dhe e ndryshimeve periodike për çdo njësi të fondit pyjor kombëtar. Struktura e RKFP-së si dhe kriteret teknike për evidentimin dhe pasqyrimin e gjendjes dhe ndryshimeve, mënyra e mbajtjes së të dhënave në nivel vendor, rajonal dhe qendror, informacioni që duhet regjistruar, si dhe afatet e përgatitjes dhe raportimit nga administratorët ose pronarët e pyjeve, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit.
  2. Inventarizimi Kombëtar i Pyjeve, realizon grumbullimin dhe vlerësimin e të dhënave mbi shtrirjen dhe gjendjen e fondit pyjor kombëtar. Ai synon vlerësimin e pyjeve dhe evoluimin e tyre në kohë, sigurimin e të dhënave me karakter sasior e cilësor, në një proces të vazhdueshëm e ciklik, duke mundësuar përditësimin periodik të të dhënave. Cikli i plotë i inventarizimit kombëtar të pyjeve, realizohet çdo 10 vjet. Agjencia organizon dhe udhëheq, në rang kombëtar, punën për inventarizimin e pyjeve.
  3. Agjencia organizon Rrjetin e Përhershëm të Monitorimit të Fondit Pyjor Kombëtar, si pjesë e Rrjetit Kombëtar të Monitorimit të Gjendjes së Mjedisit, në lidhje me të cilin:
  1. Programi i monitorimit, metodika për grumbullimin, analizimin, interpretimin, organizimin e të dhënave dhe raportimin e tyre, si dhe kriteret dhe indikatorët për vlerësimin e secilit komponent të përfshirë në monitorim, hartohen nga agjencia, në bashkëpunim me institucionet shkencore.
  2. Programi përfshin të gjithë komponentët që i nënshtrohen monitorimit, tërësinë e elementëve të nevojshëm për secilin prej tyre si dhe të dhënat që mundësojnë paraqitjen e gjendjes dhe prirjeve të proceseve për çdo komponent.
  3. Agjencia përpunon dhe nxjerr rezultatet e monitorimit, si dhe harton dhe publikon raportin vjetor për gjendjen e fondit pyjor si pjesë të Raportit për Gjendjen e Mjedisit.

 

Neni 7

Grupet e Interesit në Sektorin e Pyjeve

  1. Grupet kryesore të interesit në sektorin e pyjeve përfshijnë institucionet qëndrore dhe vendore që kanë përgjegjësi mbi zhvillimin e sektorit dhe mbarështimin e pyjeve, pronarët privatë të pyjeve, organizimet e shoqërisë civile që operojnë në fushën e mjedisit dhe të pyjeve, profesionistët e fushës, shoqatat apo format e tjera të organizimit kolektiv të përdoruesve të pyjeve, bizneset që shfrytëzojnë produktet pyjore, si dhe komunitetet në zonat rurale, jeta e të cilëve është drejtëpërsëdrejti e lidhur me pyjet.
  2. Grupet e ndryshme të interesit, bashkëpunojnë dhe bashkërendojnë veprimtarinë e tyre në funksion të zhvillimit të sektorit, si dhe ofrojnë kontributin në përputhje me përcaktimet ligjore dhe interesat e tyre të ligjshme, përgjatë proceseve të hartimit dhe zbatimit të kuadrit ligjor dhe dokumenteve planifikues mbi pyjet.
  3. Institucionet përgjegjëse për pyjet, garantojnë informimin dhe ndërgjegjësimin e grupeve të interesit mbi rëndësinë e pyjeve, politikat dhe masat e ndërmarra në lidhje me mbrojtjen, administrimin dhe mbarështimin e tyre. Agjencia garanton konsultimin, koordinimin dhe angazhimin e grupeve të interesit në nivel kombëtar, duke harmonizuar përpjekjet dhe kontributin e tyre drejt përmirësimit të gjendjes së pyjeve.
  4. Nën orientimin dhe koordinimin e Ministrisë, me urdhër të ministrit ngrihet Këshilli i Pyjeve (KP), që përbëhet nga profesionistë të fushës, përfaqësues të institucioneve akademike, shoqërisë civile, organizimeve të përdoruesve të pyjeve, biznesit si dhe individë me kontribut të veçantë në sektorin e pyjeve, i cili funksionon si një forum që iu mundëson aktorëve të parashtrojnë qëndrimet dhe interesat e tyre në kuadër të harmonizimit dhe ekuilibrimit të interesave sektoriale, duke ofruar orientim, këshillim dhe opinione profesionale, jo të detyrueshme për institucionet, në lidhje me qeverisjen e pyjeve.
  5. Rregullorja e KP-së hartohet nga Ministria në bashkëpunim me përfaqësues të grupeve të interesit dhe miratohet nga Ministri.

 

Neni 8

Qeverisja e Sektorit të Pyjeve

  1. Me qeverisje të sektorit të pyjeve, kuptohet garantimi i mbarështimit, të drejtave dhe detyrimeve dhe financimit të pyjeve; ngritja dhe vënia në eficencë e organizimit funksional; manaxhimi i përfitimeve nga shfrytëzimi i fondit pyjor kombëtar; si dhe realizimi i shërbimeve të nevojshme ndaj pyjeve.
  2. Parimet kryesore që udhëheqin qeverisjen e pyjeve janë:
  1. Integrimi i elementëve të qeverisjes përkundrejt funksioneve dhe qëllimit;
  2. Drejtësia në raport me përfitimet, përgjegjësitë, nevojën dhe mundësitë;
  3. Ekuilibri midis përdorimit, kohës, vlerës dhe cilësisë;
    ç)  Qëndrueshmëria në raportet kosto-përfitim, të shtrira në kohë dhe për brezat e ardhshëm.
  1. Vlerat bazë ku mbështetet qeverisja e pyjeve, janë:
  1. Potenciali ripërtëritës i vetë pyjeve, si një sistem që zhvillohet dhe ripërtërihet;
  2. Pasuritë natyrore me kushtet klimatike të favorshme, burimet ujore dhe diversitetin e tyre;
  3. Sipërfaqja e konsiderueshme e fondit pyjor kombëtar;
    ç)  Tradita e gjatë dhe eksperienca e grumbulluar në pylltari.

 

Neni 9

Politikat dhe Programi Kombëtar i Pyjeve

  1. Politikat në sektorin e pyjeve, janë në përputhje dhe zbërthejnë më tej politikat kombëtare, duke orientuar administrimin e sektorit, organizimin institucional, përfitimet nga shfrytëzimi i fondit pyjor kombëtar dhe shërbimet ndaj pyjeve dhe përcaktohen në Dokumentin e Politikave për Pyjet.
  2. Dokumenti i Politikave për Pyjet (DPP), është plani i nivelit më të lartë strategjik, që lidh qëllimin dhe vizionin e qeverisjes me masat dhe aktivitetet konkrete për realizimin e tyre. DPP shërben si bazë për hartimin e strategjive dhe programeve të zhvillimit, hartimin dhe zbatimin e rregullave, orientimin e buxheteve, ngritjen dhe përmirësimin e institucioneve përgjegjëse. DPP miratohet nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit.
  3. Programi Kombëtar i Pyjeve (PKP), është dokument planifikimi strategjik në zbatim të politikave sektoriale, që realizohet me një proces pjesëmarrës, gjithpërfshirës, ndërsektorial, për përmirësimin e mëtejshëm të qeverisjes së qëndrueshme të pyjeve. PKP reflekton nevojat dhe prioritetet kombëtare dhe siguron përputhjen me legjislacionin, politikat dhe strategjitë kombëtare, ose lokale.
  4. PKP miratohet në zbatim të politikave dhe përditësohet në vazhdimësi, në kontekstin e zhvillimeve të përgjithshme dhe të veçanta të vendit dhe të sektorit të pyjeve, si edhe ato që burojnë prej marrëveshjeve ndërkombëtare në të cilat Republika e Shqipërisë është palë. PKP miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit.
  5. Monitorimi dhe kontrolli i zbatimit të DPP-së dhe PKP-së, bëhet në mënyrë të vazhdueshme dhe ciklike nga strukturat përgjegjëse sipas këtij ligji, duke bërë vlerësimin e ecurisë dhe ndryshimin e tyre çdo 3 vjet dhe rishikimin tërësor çdo 10 vjet.
  6. Të gjitha institucionet apo autoritetet e tjera publike, veprimtaria e të cilave lidhet apo ndikon mbi fondin pyjor kombëtar, detyrohen që përpara miratimit të nismave apo akteve planifikuese të sektorëve që mbulojnë, të bashkërendojnë dhe të konsultohen me autoritetet përgjegjëse të qeverisjes së pyjeve.

 

 

KREU III

ADMINISTRIMI I SEKTORIT TË PYJEVE

 

Neni 10

Mbarështimi i pyjeve

  1. Mbarështimi i pyjeve realizohet në përputhje me politikat dhe programin kombëtar të pyjeve, duke garantuar ruajtjen, zhvillimin dhe ripërtëritjen e fondit pyjor kombëtar, sigurimin e kushteve për shfrytëzimin e tij në përputhje me prioritetet kombëtare. Mbarështimi i pyjeve, përshtatet dhe plotësohet në përputhje me ndryshimet e gjendjes së fondit pyjor kombëtar si dhe me ndryshimet shoqërore dhe ekonomike të vendit.
  2. Planifikimi i funksioneve, produkteve dhe punimeve në fondin pyjor kombëtar, bëhet nëpërmjet:
    1. Planit Kombëtar Sektorial të Pyjeve (PKSP), si dokumenti afatgjatë dhe kuadër i planifikimit në pyje, që përcakton zonimin e përgjithshëm funksional të fondit pyjor kombëtar, veprimtaritë dhe aktivitetet e lejuara të zhvillohen në të, aktivitetet që realizohen në përputhje me kufizime të caktuara, si dhe ato të ndaluara. Ky dokument hartohet nga Ministria dhe miratohet nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT).
    2. Planeve të Mbarështimit të ekonomive pyjore, si dokument zyrtar normativ bazë afatgjatë për pyjet, për realizimin e qeverisjes, zhvillimit dhe mbrojtjes së tyre, i vlefshëm për një periudhë 10 vjeçare. Planet e mbarështimit hartohen nga pronarët përkatës, bazuar në metodikat/udhëzuesit e përgatitur nga Ministria, nëpërmjet ekspertëve të certifikuar/licencuar ose strukturave pyjore. Për të gjitha format e pronësisë planet e mbarështimit miratohen nga Ministri, ndërsa për bashkitë duhet të jetë marrë edhe miratimi paraprak i Këshillit Bashkiak përkatës.
    3. Planeve Operacionale, si instrument afatshkurtër vjetor që garanton planifikimin e punimeve, zbatimin, kontrollin apo monitorimin e Planeve të Mbarështrimit, përmes identifikimit, detajimit dhe planifikimit të aktiviteteve specifike që duhet të realizohen në nivel ngastre pyjore, shoqëruar me burimet financiare dhe kapitale të nevojshme për zbatimin e tyre. Planet Operacionale për fondin pyjor publik e privat, brenda territorit administrativ të bashkisë, miratohen nga kryetari i bashkisë.
  3. Dokumentet planifikuese të përmendura në pikën 2 të këtij neni:
  1. hartohen në përputhje me parimet e pjesëmarrjes së publikut dhe mbështeten në objektivat e zhvillimit strategjik, social dhe mjedisor të zonës;
  2. zbatohen sipas rastit nga strukturat përgjegjëse për pyjet në përputhje me përgjegjësitë e përcaktuara në këtë ligj dhe me detyrimet që këto plane parashikojnë, ku Agjencia monitoron në mënyrë të vazhdueshme zbatimin e tyre si dhe raporton para Ministrit;
  3. përditësohen sipas nevojës nga strukturat përgjegjëse për pyjet, duke kaluar në të njëjtin proces miratimi.

 

Neni 11

Të drejtat dhe detyrimet mbi pyjet

  1. Për shkak të vlerës dhe rëndësisë, pyjet janë pasuri kombëtare dhe trajtohen si të tillë. Funksioni i pyjeve si një e mirë publike, prevalon mbi çdo interes tjetër të çdo subjekti dhe garantohet me vendosjen e kufizimeve përkatëse. Institucionet shtetërore garantojnë trajtimin prioritar të pyjeve sipas statusit të tyre “pasuri kombëtare” dhe interesit publik që ato përmbushin.
  2. E drejta e pronësisë mbi fondin pyjor kombëtar, nënkupton mundësinë për të gëzuar dhe disponuar pjesë apo sipërfaqe të fondit pyjor kombëtar, brenda kufizimeve të vendosura në këtë ligj, në përputhje me funksionin dhe destinimin e fondit pyjor kombëtar. Sipas pronësisë, fondi pyjor kombëtar ndahet në fondin pyjor publik dhe privat:
  1. Fondi pyjor publik përfshin të gjitha kategoritë e fondit pyjor kombëtar që janë në pronësi të institucioneve shtetërore, në nivel qëndror dhe vendor, dhe ndahet në: fondi pyjor në pronësi të bashkive për sipërfaqet brenda kufijve të tyre administrativë, si dhe fondi pyjor në pronësi të Ministrisë ku përfshihen pyjet në zonat e mbrojtura që gjenden nën administrimin e agjencisë përgjegjëse për zonat e mbrojtura.
  2. Fondi pyjor në pronësi private përbëhet nga sipërfaqet pyjore të kthyera pronarëve privatë në përputhje me legjislacionin në fuqi si dhe nga grupet e drurëve apo pyllëzimet që ekzistojnë apo krijohen në tokat në pronësi private.
  1. E drejta e shfrytëzimit të fondit pyjor kombëtar, nënkupton të drejtën që ka fituar subjekti i cili ka plotësuar kërkesat dhe kriteret e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi, për të përfituar ekonomikisht, nëpërmjet aktiviteteve dhe veprimtarive të ndryshme në fondin pyjor, përmes shfrytëzimit dhe shitjes së materialit drusor, prodhimeve jo-drusore nga pylli, zhvillimit të gjuetisë, etj. Në lidhje me të drejtën e shfrytëzimit:
  1. Subjektet e licencuara për ushtrim aktiviteti në pyje që zotërojnë të drejtën për shfrytëzimin e fondit pyjor kombëtar apo ndërmarrjet e specializuara të ngritura nga bashkitë për këtë qëllim:
  1. detyrohen ta ushtrojnë atë në përputhje me kriteret për mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të pyjeve sipas këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim;
  2. të kryejnë punimet sipas përcaktimeve në projektet tekniko-ekonomike të miratuara nga agjencia;
  3. të respektojnë detyrimet apo kushtëzimet e vendosura në këtë ligj, në aktet nënligjore, në planet e mbarështimit, dhe në kontratat e nënshkruara me strukturat përgjegjëse që administrojnë fondin pyjor kombëtar.
  1. Familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike si familje në nevojë, u jepet nga Bashkitë përkatëse, e drejta e shfrytëzimit të pjesëve të fondit pyjor të dhënë në përdorim dhe e drejta e shitjes së produkteve pyjore, për zbutjen e varfërisë, sipas udhëzimit të përbashkët të ministrit përgjegjës për pyjet dhe atij për çështjet sociale.
  1. E drejta e përdorimit mbi pyjet, nënkupton mundësinë e personit për ta përdorur pjesën e fondit pyjor kombëtar të dhënë në përdorim dhe për të gëzuar frytet që rrjedhin prej tij, në masën që ka nevojë për vete dhe për familjen e tij, përkundrejt punës së tij në kryerjen e shërbimeve përmirësuese të atij pylli si dhe pa cënuar mundësinë që kanë pyjet dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Në lidhje me të drejtën e përdorimit:
  1. Familjet dhe komunitetet me banim të përhershëm në zonat rurale, kanë të drejtën e përdorimit të sipërfaqeve të fondit pyjor kombëtar në afërsi të fshatit për përmbushjen e nevojave vetjake.
  2. E drejta e përdorimit të fondit pyjor kombëtar për nevojat e komuniteteve rurale, bazohet në respektimin e parimit të barazisë gjinore, në përputhje me politikat për zhvillimin rural, duke njohur përgjegjësitë për ruajtjen dhe kujdesin ndaj pyllit.
  3. Kriteret dhe rregullat për dhënien në përdorim të fondit pyjor përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
  1. Administrimi i fondit pyjor kombëtar bëhet sipas dispozitave të këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, pavarësisht formës së pronësisë.
  2. Kalimi i të drejtave dhe detyrimeve mbi fondin pyjor kombëtar dhe pa ndryshuar destinimin e tij, bëhet në përputhje me Kodin Civil dhe sipas mënyrave dhe kushteve të përcaktuar me ligje të veçanta, duke përmbushur detyrimet e mëposhtme:
  1. Personat fizikë ose juridikë që kanë në pronësi, administrim, shfrytëzim ose përdorim pyje, grumbuj drurësh ose dru pyjorë, brenda ose jashtë fondit pyjor kombëtar, janë të detyruar të sigurojnë mbrojtjen e tyre.
  2. Subjektet kanë detyrimin që të regjistrojnë pranë RKFP-së të drejtat dhe detyrimet mbi fondin pyjor kombëtar sipas këtij ligji, si dhe çdo ndryshim të tyre.
  1. Të drejtat e subjekteve mbi pasuritë e fondit pyjor kombëtar si dhe kufizimet e tyre, së bashku me infrastrukturën përkatëse, regjistrohen nga vetë subjektet në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës sipas dispozitave në fuqi të legjislacionit përkatës për regjistrimin e pasurive.

 

Neni 12

Financimi i Sektorit të Pyjeve

  1. Financimi i sektorit të pyjeve bazohet në parimin e qëndrueshmërisë, që nënkupton ekuilibrimin e shpenzimeve që kryhen për ruajtjen, rigjenerimin dhe zhvillimin e fondit pyjor kombëtar, me të ardhurat që sigurohen nga shfrytëzimi i tij dhe shërbimet që ofron. Të ardhurat nga aktivitetet në fondin pyjor kombëtar përdoren vetëm dhe në funksion të rimëkëmbjes së pyjeve.
  2. Burimet e financimit të sektorit të pyjeve janë:
    1. të ardhurat nga buxheti i shtetit, si kthim i kontributit të pyjeve në ekonomi dhe shoqëri;
    2. të ardhurat nga shfrytëzimi i pyjeve për të gjitha funksionet dhe produktet që mundësojnë;
    3. të ardhurat nga tarifat apo taksat e posaçme mbi pyjet, si dhe nga dëmshpërblimi apo kompensimi i ndikimit mbi fondin pyjor kombëtar, të cilat depozitohen në një fond të veçantë i cili investohet sërish në pyje;

ç)  të adhurat nga donacionet dhe grantet e ndryshme.

  1. Si rregull i përgjithshëm, është i detyrueshëm kthimi i plotë për pyjet i vlerave monetare të siguruara nga pyjet. Të ardhurat e realizuara nga pyjet, duhet të kthehen në investime për pyjet.
  2. Tarifat bazë për të gjitha veprimtaritë që zhvillohen në sektorin e pyjeve, për shërbimet publike e mjedisore që zhvillohen në fondin pyjor publik, si dhe ato të vlerësimit të dëmeve në pyje, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Organi përgjegjës për vjeljen e të ardhurave në sektorin e pyjeve është struktura përgjegjëse për pyjet në bashki/zonat e mbrojtura, ndërsa procedura e mbledhjes së tyre apo ekzekutimit të detyrueshëm, rregullohet sipas legjislacionit në fuqi për kundërvajtjet administrative.
  3. Ministria, bashkitë, ministria përgjegjëse për financat dhe agjencia shtetërore përgjegjëse për pyjet, planifikojnë çdo vit fondet e nevojshme për fondin pyjor publik, në përputhje me legjislacionin për buxhetin e shtetit dhe financat publike, në nivel qëndror apo rregullimit të buxhetimit në nivel vendor.
  4. Burimet financiare në dispozicion të ministrisë (përfshirë agjencitë) dhe të bashkive, për pyjet publike, përdoren për:
  1. mbrojtjen e pyjeve, florës, faunës së egër, mjedisit dhe biodiversitetit si dhe parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve, dëmtuesve dhe zjarreve;
  2. punimet e mirëmbajtjes dhe të përmirësimit të gjendjes së pyjeve, ndërtimin, riparimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës pyjore;
  3. investime të ndryshme në fondin pyjor publik për trajtimin, zhvillimin dhe shtimin e sipërfaqes së pyjeve dhe volumit të tyre;

ç)  hartimin dhe zbatimin e planeve të mbarështimit dhe monitorimin e pyjeve, studime e kërkime shkencore, si dhe për mbështetjen e bashkive si njësi të vetëqeverisjes vendore dhe pronarëve privatë;

  1. organizimin e fushatave periodike për edukimin dhe ndërgjegjësimin publik për mbrojtjen dhe mirëqeverisjen e pyjeve.

 

 

KREU IV

ORGANIZIMI I SEKTORIT TË PYJEVE

 

Neni 13

Institucionet qëndrore përgjegjëse për pyjet

  1. Ministria, është institucioni më i lartë politikëbërës dhe rregullator, që garanton zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit, duke koordinuar partneritetin me sektorët dhe aktorët e tjerë dhe ekuilibruar interesat sektoriale. Ministria, në përmbushje të rolit të saj, nëpërmjet strukturave përgjegjëse për pyjet në Ministri, realizon këto përgjegjësi:
  1. Përcakton drejtimet e politikave mbi pyjet duke garantuar harmonizimin me prioritetet kombëtare dhe politikat e tjera sektoriale;
  2. Harton dhe monitoron zbatimin e programeve dhe dokumenteve strategjikë për zhvillimin, ruajtjen dhe administrimin e fondit pyjor kombëtar;
  3. Harton dhe përmirëson kuadrin ligjor rregullator në fushën e pyjeve, monitoron zbatimin dhe efektivitetin e tij, si dhe përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga marrëveshjet ndërkombëtare për pyjet;
    ç)  Planifikon financimin e sektorit bazuar në politikat dhe prioritetet e miratuara, duke garantuar shpërndarjen e drejtë dhe eficiente të fondeve.
  1. Agjencia përgjegjëse për pyjet, është person juridik publik, buxhetor, në varësi të ministrit, që ka si mision mirëqeverisjen e pyjeve në nivel kombëtar, ruajtjen dhe zhvillimin e tyre, përdorimin e qëndrueshëm dhe multifunksional të burimeve në fondin pyjor kombëtar, si pasuri natyrore me rëndësi kombëtare. Agjencia realizon këto përgjegjësi funksionale kryesore:
    1. Sigurimin e performancës në sektorin e pyjeve, vlerësimin e gjendjes së pyjeve dhe impaktit të sektorit përmes monitorimit të treguesve kyç dhe nivelit të realizimit të politikave, programeve dhe planeve në nivel kombëtar.
    2. Mbrojtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve pyjore përmes optimizimit të shfrytëzimit të tyre drejt përfitueshmërisë ekonomike, në përputhje me prioritetet në përdorim e nevojat e vendit, si dhe me kriteret për mbarështimin e pyjeve.
    3. Vendosjen e normave, standardeve, çmimeve bazë dhe praktikave më të mira të unifikuara në fushën e pyjeve me qëllim orientimin dhe eficiencën e strukturave dhe subjekteve që kanë të drejta dhe detyrime mbi fondin pyjor kombëtar. Normat dhe çmimet bazë të përcaktuara nga agjencia, i dërgohen për vlerësim Ministrit, që ia propozon për miratim Këshillit të Ministrave.
      ç)  Zbaton sistemet e certifikimit të pyjeve të pranuara në nivel ndërkombëtar.
    4. Garantimin e koordinimit, bashkëveprimit dhe angazhimit të strukturave përgjegjëse për pyjet në nivel qëndror dhe vendor si dhe të aktorëve të tjerë (ojf, biznese, komunitete, etj.), duke konsideruar edhe respektimin e barazisë gjinore.
       dh) Ngritjen dhe funksionimin e sistemit të integruar të informacionit mbi pyjet në nivel kombëtar, si dhe harmonizimim e kërkimit shkencor në fushën e pyjeve.
    5. Mbikëqyrjen e strukturave përgjegjëse për pyjet përsa i përket zbatimit të kërkesave ligjore dhe dokumenteve planifikues në pyje, si dhe këshillimin e ndërgjegjësimin e aktorëve në lidhje me detyrimet mbi pyjet.
      ë)  Garantimin e funksionalitetit të sistemit të kontrollit dhe të inspektimit të veprimtarive që zhvillohen në fondin pyjor kombëtar, duke ndërhyrë sipas përcaktimeve në këtë ligj.

Funksionet e zgjeruara dhe të detajuara të agjencisë si dhe organizimi i saj, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e Ministrit.

  1. Agjencia përgjegjëse për zonat e mbrojtura garanton manaxhimin e qëndrueshëm, ruajtjen, rigjenerimin, përdorimin fondit pyjor kombëtar nën administrim, kontrollin dhe inspektimin e tij, në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe legjislacionin e posaçëm për zonat e mbrojtura.

 

Neni 14

Strukturat vendore përgjegjëse për pyjet

  1. Struktura përgjegjëse për qeverisjen e pyjeve në bashki, është strukturë e specializuar në nivel vendor, me atribute menaxhuese, kontrolluese, teknike dhe këshillimore, që administron fondin pyjor kombëtar në pronësi dhe realizon këto detyra:
  1. Përgjigjet për administrimin tërësor të fondit pyjor kombëtar, publik e privat, brenda kufijve administrative të bashkisë.
  2. Ngre dhe mirëmban regjistrin e fondit pyjor kombëtar në bashki. Mbledh të dhëna për zhvillimin e pyjeve publike dhe private, përgjigjet për ruajtjen e ekuilibrit biologjik në fondin pyjor vendor dhe mban të dhëna të sëmundjeve, dëmtuesve dhe zjarreve në pyjet e bashkisë e ato private brënda territorit administrativ të bashkisë.
  3. Në zbatim të dokumenteve të planifikimit strategjik dhe Planeve të Mbarështimit, harton, miraton, zbaton dhe kontrollon ecurinë sipas Planeve Operacionale për fondin pyjor publik e privat, brenda territorit administrativ të bashkisë, duke bashkëpunuar me institucionet përgjegjëse për mjedisin, si dhe administron të gjithë dokumentacionin përkatës.
    ç)  Përgatit projektet për investimet në pyje, kontrollon dhe merr në dorëzim punimet e kryera në pyje, pavarësisht nga burimi i financimit dhe mbështet dhe miraton planifikimin dhe zbatimin e qeverisjes në pyjet private.
  4. Monitoron mirëmbajtjen dhe funksionimin e infrastrukturës në fondin pyjor publik. Drejton dhe mbikqyr punën për përmirësimin e zonave të gërryera dhe luftimin e erozionit, rrëshqitjeve dhe ortekëve brenda territorit të bashkisë, si dhe luftën ndaj dëmtuesve dhe sëmundjeve.
     dh) Siguron mbështetje teknike nëpërmjet këshillimit të pronarëve privatë dhe të përdoruesve të pyjeve publikë dhe organizatave të tyre, si dhe organizon trajnime dhe ofron shërbim këshillimor për ta, në përputhje dhe në respektim të barazisë gjinore.
  5. Bashkëpunon për zhvillimin e veprimtarive kërkimore në pyje dhe mbikqyr zhvillimin e florës dhe faunës së egër dhe propozon mbrojtjen e llojeve të rrezikuara, të rralla ose në rrezik.
    ë)  Bashkëpunon me shoqërinë civile dhe organizatat e ngritura mbi baza ligjore me objekt të tyre “pyllin”, si dhe garanton gjithëpërfshirjen e popullsisë lokale për administrimin, qeverisjen dhe mbrojtjen e fondit pyjor që ka në pronësi.
  6. Kontrollon dhe realizon proceset inspektuese për zbatimin e dispozitave ligjore dhe të akteve nënligjore në fuqi për pyjet, duke përfshirë veprimtaritë që zhvillohen në fondin pyjor kombëtar nga subjektet private e publike, juridikë e fizikë, si dhe mbikqyr zbatimin e kushteve të lejeve, licencave dhe detyrimeve kontraktuale nga ana e tyre.
  1. Strukturat komunitare në fshat (kryetari i fshatit dhe kryesia e fshatit), kujdesen për përdorimin e qëndrueshëm të pyjeve në fshat, në përputhje me nevojat dhe politikat për zhvillimin e zonave rurale, duke realizuar përgjegjësitë e mëposhtme:
  1. kontribuojnë për mbrojtjen dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të fondit pyjor kombëtar në përdorim të komunitetit rural;
  2. nxisin zhvillimin e agropylltarisë në pjesë/zona të përshtatshme të fondit pyjor kombëtar;
  3. mundësojnë bashkëpunimin dhe koordinimin me strukturat përgjegjëse për pyjet në nivel qëndror, rajonal dhe ato në bashki, për hartimin, zbatimin dhe monitorimin e planeve të mbarështimit të pyjeve në afërsi të fshatit;
    ç)  ndihmojnë në ndërgjegjësimin e komunitetit rural mbi rëndësinë e ruajtjes së pyjeve dhe ekuilibrave biologjikë në to, si dhe orientojnë përdorimin e pyjeve në përputhje me kërkesat ligjore dhe planet e mbarështimit;
  4. sinjalizojnë dhe bashkëpunojnë me strukturat kontrolluese dhe monitoruese për parandalimin dhe ndëshkimin e aktiviteteve të paligjshme që dëmtojnë pyjet.
  1. Strukturat komunitare në fshat, nën koordinimin e Bashkisë, bashkëpunojnë me shoqërinë civile dhe organizatat e ndryshme, duke angazhuar dhe përfshirë komunitetin për administrimin, qeverisjen dhe mbrojtjen e fondit pyjor në pronësi të Bashkisë.
  2. Nën orientimin dhe koordinimin e agjencisë shtetërore përgjegjëse për pyjet, me vendim të kryetarit të bashkisë, strukturave komunitare mund t’u jepen detyra të caktuara mbi përdorimin e pyjeve, kujdesin dhe ruajtjen e tyre, në përputhje me ligjin përkatës për vetëqeverisjen vendore.

 

Neni 15

Profesionistët e pyjeve

  1. Institucionet përgjegjëse për pyjet, promovojnë rolin e profesionistëve të pyjeve dhe garantojnë mbrojtjen dhe rritjen /zhvillimin e tyre, kushte pune të përshtatshme, vlerësimin e drejtë dhe të paanshëm të performancës, si dhe rritjen në karrierë bazuar në parimin e meritokracisë.
  2. Organizimi i strukturave përgjegjëse për pyjet në nivel qëndror dhe vendor, bëhet mbi bazën e parimit të profesionalizmit. Në pozicionet që mbulojnë funksione teknike apo ku kërkohen njohuri të specializuara mbi pyjet, stafi i punësuar duhet të zotërojë formimin përkatës profesional në degën e inxhinierisë së pyjeve ose degëve të tjera të lidhura me pyjet dhe mjedisin.
  3. Institucionet e edukimit profesional dhe të arsimit të lartë në fushën e pyjeve, planifikojnë numrin e kuotave në degët përkatëse me qëllim formimin e specialistëve të ardhshëm, në përputhje me kërkesat që vijnë nga institucionet publike përgjegjëse për qeverisjen e pyjeve, të përcaktuara në këtë ligj, si dhe politikat qeverisëse mbi arsimin përkatës.
  4. Stafi teknik dhe profesional i institucioneve publikë përgjegjës për pyjet, i nënshtrohet programeve të zhvillimit/trajnimit të vazhdueshëm. Agjencia realizon organizimin dhe koordinimin e aktorëve të ndryshëm, duke përfshirë donatorët, me qëllim integrimin në një program të trajnimeve të parashikuara në kuadër të projekteve të ndryshme dhe certifikimin/licencimin e ekspertëve të fushës.
  5. Formati i certifikatës/licencës dhe mënyra e certifikimit/licencimit të ekspertëve/specialistëve bëhet sipas rregullores së miratuar nga Ministri. Certifikatat/licencat e ekspertëve/specialistëve firmosen nga Ministri.
  6. Bashkitë ngrenë strukturën përgjegjëse për pyjet brenda territorit të tyre, me personel me arsim profesional dhe të lartë pyjor duke garantuar një raport të drejtë gjinor. Numri i punonjësve të strukturës përgjegjëse për pyjet përcaktohet në përpjesëtim me sipërfaqen e fondit pyjor, si vijon:
    1. Një specialist pyjesh për 750 – 1000 ha për pyjet e lartë;
    2. Një specialist pyjesh për 1500 – 2500 ha për pyjet e ulët dhe shkurret.
      Emërimi në detyrë i punonjësve të strukturës përgjegjëse për pyjet bëhet nga kryetari i bashkisë, në përputhje me kriteret e përgatitura nga agjencia shtetërore përgjegjëse për pyjet dhe të miratuara nga ministri. Agjencia shtetërore përgjegjëse për pyjet monitoron respektimin e kërkesave ligjore mbi punësimin e specialistëve të pyjeve, me qëllim garantimin e përmbushjes së kërkesave profesionale përkatëse.
  7. Inspektorët e strukturave kontrolluese të pyjeve në bashki, përveç varësisë administrative kundrejt strukturës përgjegjëse për pyjet ku janë pozicionuar, kanë lidhje funksionale dhe zbatojnë drejtimin metodik dhe kontrollues të strukturës përkatëse për kontrollin dhe procesin e inspektimit në pyje në agjencinë shtetërore përgjegjëse për pyjet, bazuar në natyrën e veçantë të funksionit që realizojnë dhe përgjegjësinë e përbashkët për përmbushjen e tij. Në lidhje me inspektorët e strukturave kontrolluese të pyjeve në bashki:
  1. Emërimi dhe lirimi nga detyra i tyre, bëhet nga titullari përkatës në bashki, me miratimin e titullarit të agjencisë shtetërore përgjegjëse për pyjet, në përputhje me kriteret dhe procesin e konkurrimit të përcaktuar nga agjencia.
  2. Gjatë ushtrimit të veprimtarisë së kontrollit dhe procesit të inspektimit, inspektorët e strukturave kontrolluese të pyjeve në bashki raportojnë në përputhje me linjën dhe hierarkinë administrative përpara drejtuesit të strukturës përgjegjëse për pyjet në bashki, si dhe, në përputhje me linjën funksionale tek struktura përkatëse për kontrollin në agjencinë shtetërore përgjegjëse për pyjet.

 

Neni 16

Kërkimi shkencor në fondin pyjor kombëtar

  1. Veprimtaritë kërkimore e shkencore në fushën e pyjeve kryhen nga institucione arsimore e shkencore, subjekte juridikë e fizikë, që përmbushin kushtet dhe kriteret, sipas legjislacionit të posaçëm në fushën kërkimore-shkencore, duke konsideruar edhe respektimin e barazisë gjinore. Ministria dhe bashkitë, bashkëpunojnë me ministrinë përgjegjëse për arsimin, për planifikimin dhe financimin e punës kërkimore e shkencore në fondin pyjor kombëtar.
  2. Institucionet arsimore e shkencore, bashkërendojnë aktivitetin e tyre me institucionet publike në nivel qëndror e vendor, me qëllim orientimin e punës së tyre drejt nevojave reale dhe prioriteteve të sektorit, sigurimit të konsulencave, oponencave dhe asistencës teknike, si dhe vënies në përdorim dhe aplikimit në praktikë të dijeve të akumuluara, të zbulimeve dhe rezultateve të punës akademike e kërkimore, për përmirësimin e qeverisjes së pyjeve.
  3. Institucionet arsimore, institucione të tjera dhe subjekte juridikë e fizikë, kanë të drejtë të kërkojnë ngritjen e bazave eksperimentale dhe didaktike në fondin pyjor publik, për zhvillimin e veprimtarive kërkimore e shkencore, praktikave mësimore të nxënësve e studentëve dhe kualifikimin e specialistëve të pyjeve, të cilat miratohen:
  1. nga bashkia, për fondin pyjor në pronësi të saj;
  2. nga Agjencia përgjegjëse për zonat e mbrojtura, për sipërfaqet në zonat e mbrojtura.
  1. Me propozim të ministrit, Këshilli i Ministrave miraton vendimin për kriteret e ushtrimit, miratimit dhe të monitorimit të veprimtarive kërkimore-shkencore në fondin pyjor kombëtar.
  2. Grumbujt pyjorë me lloje me vlera të larta gjenetike, aktuale apo potenciale, shpallen “burime gjenetike” me urdhër të Ministrit dhe ruhen “in-situ”.
  3. Grumbujt e drurëve dhe të llojeve pyjore, të caktuara për konservim, germoplazmë, “in-situ” dhe “ex-situ”, për grumbullim, përpunim, shpërndarje dhe certifikim të materialit mbjellës, administrohen nga bashkitë/zonat e mbrojtura.

 

Neni 17

Sistemi i integruar i informacionit në pyje

  1. Sistemi i integruar i informacionit në pyje, përbëhet nga të dhënat e mbledhura dhe të ruajtura në bazën shtetërore të të dhënave mbi pyjet, nga teknologjia, pajisjet, rrjetet dhe aplikacionet që mundësojnë shkëmbimin e këtyre të dhënave dhe informacionit mes institucioneve përgjegjës për pyjet, në nivel qëndror dhe vendor.
  2. Baza e të dhënave organizon dhe integron të dhënat dhe informacionin që përmban inventari kombëtar i pyjeve, planet e mbarështrimit, regjistri kombëtar i fondit pyjor, dhe monitorimi i fondit pyjor kombëtar, duke ofruar një pasqyrë të hollësishme dhe të detajuar të treguesve pyjorë, për të garantuar manaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve, duke përfshirë edhe të dhënat që kanë referencë gjeohapësinore.
  3. Agjencia, projekton, ndërton, mirëmban dhe përditëson sistemin e integruar të informacionit (që përmbledh sistemet ALFIS/FDS/GIS) në sektorin e pyjeve, duke garantuar aksesin dhe shkëmbimin e të dhënave sipas ligjit dhe siguruar ndërveprimin me bashkitë/zonat e mbrojtura për marrjen e informacionit vendor në kohë reale, nën orientimin e ASIG (Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor).
  4. Agjencia monitoron performancën e qeverisjes së pyjeve bazuar në treguesin e dinamikës së produktivitetit të tokës dhe jep rekomandimet e duhura për përmirësimin e gjendjes tek strukturat përgjegjëse.

 

Neni 18

Infrastruktura mbi pyjet

  1. Bashkitë dhe agjencia për zonat e mbrojtura, janë përgjegjëse për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës në fondin pyjor kombëtar që kanë nën administrim, në përputhje me dokumentet planifikues në pyje. Për fondin pyjor privat, kjo infrastrukturë ndërtohet nga pronarët.
  2. Agjencia shtetërore përgjegjëse për pyjet, në bashkëpunim me bashkitë/zonat e mbrojtura, mbikqyr ndërtimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës në pyje, si dhe ofron mbështetje teknike dhe financiare në rastet kur investimet në infrastrukturë realizohen me financimet e buxhetit të shtetit.
  3. Personat juridikë ose fizikë, që kanë marrë pyje në përdorim ose shfrytëzim, sipas legjislacionit në fuqi, ndërtojnë, riparojnë dhe mirëmbajnë infrastrukturën pyjore, me mjetet e tyre financiare. Në rastin kur ndërtojne rrugë të reja, shpenzimet reflektohen në tarifat e reduktuara të lëndës drusore.
  4. Bazuar në kërkesat për mbrojtjen e pyjeve dhe kryerjes së shërbimeve në to, strukturat përgjegjëse për pyjet në bashki dhe agjencia përgjegjëse për zonat e mbrojtura, mund të kufizojnë, bllokojnë ose vendosin tarifa për qarkullimin në rrugët pyjore.
  5. Në raste zjarresh, katastrofash natyrore ose manovrash ushtarake, lejohet, pa asnjë kufizim përdorimi i infrastrukturës rrugore në fondin pyjor kombëtar.
  6. Asetet, instalimet dhe rrjetet që janë pjesë e infrastrukturës publike kombëtare dhe lokale, por që shtrihen në sipërfaqet e fondit pyjor kombëtar, projektohen, ndërtohen dhe mirëmbahen nga entet dhe institucionet përgjegjëse, në përputhje me përcaktimet e këtij ligji dhe të kuadrit ligjor mbi planifikimin dhe zhvillimin e territorit, duke respektuar dokumentet strategjikë në sektorin e pyjeve dhe planet e mbarështimit të ekonomive pyjore, me qëllim mbrojtjen dhe moscenimin e pyllit dhe mjedisit.

 

 

KREU V

PËRFITIMET NGA SHFRYTËZIMI I FONDIT PYJOR KOMBËTAR

 

Neni 19

Kategoritë e përfitimeve dhe rregullat mbi shfrytëzimin e fondit pyjor kombëtar

  1. Përfitimet nga shfrytëzimi i fondit pyjor kombëtar kategorizohen si vijon:
  1. përfitimet nga shfrytëzimi i “shërbimeve në ekosistem” që pylli mundëson;
  2. përfitimet nga shfrytëzimi për “veprimtari të ndryshme” që zhvillohen në fondin pyjor kombëtar;
  3. përfitimet nga prodhimi, shfrytëzimi dhe shitja e “prodhimeve jo-drusore nga pylli”;

ç)  përfitimet nga prodhimi, shfrytëzimi dhe shitja e “materialit drusor”.

Në dhënien e të drejtave për të përfituar nga shfrytëzimi i fondit pyjor kombëtar, mbahet në konsideratë rëndësia dhe interesi publik për pyjet si pasuri kombëtare, që prevalon mbi çdo interes tjetër që mund të ndërthuret me fondin pyjor kombëtar.

  1. Personat fizikë dhe juridikë, kanë të drejtë të shfrytëzojnë fondin pyjor kombëtar, vetëm kur kanë dalë fitues në procedurat e konkurimit publik dhe kur lidhin kontratën me bashkitë/zonat e mbrojtura, sipas përcaktimeve të mëposhtme:
  1. Kërkesat, që duhet të plotësojnë subjektet për pjesëmarrje në konkurimin publik, përcaktohen me udhëzim të ministrit.
  2. Të drejtat, që sigurohen nga kontrata për shfrytëzimin e fondit pyjor kombëtar, nuk mund të transferohen.
  3. Subjektet që kanë lidhur kontratën, mund të ndërtojnë ose të vendosin instalime të përkohshme, sipas skemave teknologjike, të miratuara nga struktura përgjegjëse për pyjet bashkiake/zonat e mbrojtura, duke plotësuar kërkesat dhe standardet e përshtatshmërisë për personat me aftësi të kufizuara aty ku është e mundur.
    ç)  Kur subjekti privat i specializuar kërkon të marrë sipërfaqe të mëdha nga fondi pyjor kombëtar, për afate të gjata kohore për të rehabilituar pyjet (përfshirë pyllëzimet me drurë pyjore në sipërfaqet e degraduara dhe tokat e abandonuara), kërkesa shqyrtohet në mbështetje të legjislacionit mbi koncesionet dhe partneritetin publik privat.
  1. Veprimtaritë e shfrytëzimit në fondin pyjor kombëtar, përveçse kur kryhen nga strukturat përgjegjëse për pyjet në bashki si dhe nga banorët apo pronarët për nevojat e tyre, sipas këtij ligji, mund të realizohen vetëm nga individë të certifikuar apo subjekte të licencuar sipas ligjit, në përputhje me procedurat e miratuara nga Këshilli i Ministrave.
  2. Procedurat e unifikuara në nivel kombëtar që do të ndiqen për shfrytëzimin e pyjeve nga banorët për nevojat e tyre (si mënyra e likujdimit të tarifave, procesi i damkimit, lidhja e kontratës, dorëzimi dhe kolaudimi i parcelave, etj.), përgatiten nga agjencia shtetërore përgjegjëse për pyjet në konsultim me bashkitë, dhe miratohen me urdhër të ministrit.
  3. Strukturat përgjegjëse për pyjet në territor, nën bashkërendimin e agjencisë shtetërore përgjegjëse për pyjet, në lidhje me elementet e marketingut sipas përkufizimit në këtë ligj:
  1. ndërtojnë bazën e të dhënave të prodhimeve drusore dhe jo-drusore nga pylli, të përfituara nga shfrytëzimi dhe të shitura, me vendndodhjen e tyre, si dhe të shërbimeve të ofruara në pyje, së bashku me tarifat, çmimet apo vlerat përkatëse;
  2. monitorojnë, në vijimësi, kërkesë-ofertën në treg dhe çmimet e produkteve drusore të papërpunuara, gjysmë të përpunuara dhe të përpunuara, të produkteve jo-drusore nga pylli dhe shërbimeve të ndryshme në pyje, dhe i reflektojnë ato në bazën e të dhënave;
  3. promovojnë vlerat e shumëfishta të fondit pyjor kombëtar, nevojën për mbrojtjen dhe zhvillimin e tij, nëpërmjet mënyrave dhe mjeteve të ndryshme të publikimit e të informimit.

 

Neni 20

Përfitimet nga shfrytëzimi i shërbimeve në ekosistem

  1. Shërbimet në ekosistem, janë përfitimet që sigurohen nga funksionet natyrore të pyjeve dhe punimet e kryera në to, ku përfshihen kategoritë e shërbimeve sipas përkufizimit në këtë ligj.
  2. Strukturat përgjegjëse për pyjet në bashki dhe agjencia përgjegjëse për zonat e mbrojtura, vlerësojnë shërbimet e ekosistemit që mundësojnë pyjet nën përgjegjësinë e tyre, si përfitime që njerëzit marrin prej pyjeve.
  3. Pyjet janë edhe objekt i përvetësimit (sekuestrimit) të karbonit, që llogaritet dhe tregtohet sipas rregullave dhe procedurave të parashikuara në Protokollin e Kiotos, ku:
  1. Kuotat e karbonit, në procesin e sekuestrimit të tij, u përkasin pronarëve, sipas pronësisë që kanë mbi fondin pyjor;
  2. Ministria është institucioni përgjegjës për zbatimin e dispozitave të Protokollit të Kiotos dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, ku Republika e Shqipërisë është palë.
  1. Rregullat për përfitimet nga shfrytëzimi i shërbimeve të ekosistemit pyjor, kompensimi dhe pagesat, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit.
     

Neni 21

Përfitimi nga shfrytëzimi për veprimtari ekonomike në fondin pyjor kombëtar

  1. Pjesë të fondit pyjor e publik jepen në shfrytëzim/përdorim për zhvillimin e veprimtarive për:
    1. qëllime pushimi, argëtimi, shëndetësore, shoqërore, turistike, sportive dhe kulturore;
    2. fidanishte, baza didaktike-eksperimentale dhe punë kërkimore-shkencore në fushën e pyjeve;
    3. mbarështimin e florës dhe faunës së egër, kultivimin dhe grumbullimin e bimëve të ndryshme, zhvillimin e agropylltarisë, bujqësisë dhe akuakulturës, kullotjen e blegtorisë dhe kositjen e barit, dhe zhvillimin e gjuetisë;
      ç)  shtrimin e rrjeteve/linjave, tubacioneve dhe ndërtime infrastrukturore të tjera të përkohshme ose të përhershme;
    4. nxjerrje, prodhim dhe depozitim materialesh inerte në karrierë, kryerjen e operacioneve të kërkim-zbulimit dhe shfrytëzimit të mineraleve, hidrokarbureve dhe të ujit;
       dh) zhvillimin e manovrave ushtarake ose zbatimin e projekteve në interes të mbrojtjes kombëtare.
  2. Strukturat përgjegjëse për pyjet në bashki, identifikojnë dhe shpallin listën e vendeve ose të shesheve të fondit pyjor publik, ku mund të ushtrohen këto veprimtari.
  3. Gërmimet në fondin pyjor publik për nxjerrjen e humusit, plisave të barit, gurëve, rërës, zhavorrit, vendosja e kaminave për prodhimin e qymyrit të drurit, eshkës së kovaçit dhe të furrave të gëlqeres, për karriera që përdorin lëndë plasëse, bëhen me miratim paraprak të strukturës përgjegjëse për pyjet sipas këtij ligji.
  4. Dhënia në shfrytëzim/përdorim e pjesëve të fondit pyjor kombëtar për veprimtaritë e përmendura në pikën 1 të këtij neni, bëhet në bazë të kontratave, të nënshkruara nga kryetari i bashkisë/organi përgjegjës për zonat e mbrojtura kur përfshihet në këto zona. Kontratat përfundojnë në çastin kur KKT miraton tjetër zhvillim, për sipërfaqen e fondit pyjor kombëtar objekt kontrate. Rregullat, procedurat e kërkimit, të shqyrtimit e të miratimit të kërkesave për dhënie në shfrytëzim/përdorim të fondit pyjor kombëtar për këto veprimtari, caktohen me udhëzim të ministrit.
  5. Çmimet dhe tarifat për dhënien në shfrytëzim/përdorim të fondit pyjor kombëtar për veprimtaritë e përmendura në pikën 1 të këtij neni, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e përbashkët të ministrit përgjegjës për pyjet dhe ministrit përgjegjës për financat. Pronarët privatë, për veprimtaritë që zhvillohen në fondin pyjor në pronësi të tyre, kanë të drejtë të përdorin çmime dhe tarifa të vendosura në marrëveshje me subjektet e interesuara.
  6. Subjektet që marrin në shfrytëzim/përdorim pjesë të fondit pyjor kombëtar, duhet të jenë të licencuar për ushtrimin e aktivitetit në përputhje me legjislacionin përkatës, si dhe kanë detyrimin për të depozituar planin e rehabilitimit që do të zbatohet sipas planit/grafikut të shfrytëzimit të miratuar nga ministria përgjegjëse për aktivitetin në sipërfaqet respektive dhe rehabilitimin përfundimtar në mbyllje të aktivitetit në zonën përkatëse.
  7. Kriteret, kushtet, mënyra dhe realizimi i rehabilitimit bëhet bazuar në udhëzimin e Ministrit, në bashkërendim me ministritë përgjegjëse për aktivitetin e miratuar.

 

Neni 22

Përfitimi nga shfrytëzimi i produkteve jo-drusore nga pylli

  1. Shfrytëzimi i prodhimeve jo-drusore nga pylli, lejohet në fondin pyjor kombëtar për qëllime të përfitimit ekonomik, në përputhje me këtë ligj dhe legjislacionin e posaçëm për bimët mjekësore, eterovajore dhe tanifere natyrore, dhe në mbështetje të kritereve dhe kontigjentëve të caktuara nga Ministria sipas rregullave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
  2. Vjelja e prodhimeve jo-drusore në pyje kryhet në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe të akteve të tjera nënligjore, duke mos cenuar mbrojtjen e tokës dhe të elementëve klimatikë, ekologjikë e shoqërorë. Rregullat dhe kriteret caktohen me manual të miratuar me urdhër të ministrit.
  3. Struktura përgjegjëse për pyjet në bashki/zona të mbrojtura, vlerëson dhe planifikon mundësinë e shfrytëzimit të prodhimeve jo-drusore nga pylli, brenda mundësisë vjetore të shfrytëzimit të fondit pyjor kombëtar, bazuar në planet e mbarështimit dhe mbështetur në bazën e të dhënave, sipas rregullave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
  4. Grumbullimi i prodhimeve jo-drusore pyjore e nënprodukteve të fondit pyjor kombëtar, mund të kryhet nga individë, persona juridikë e fizikë, të licencuar, pasi të jenë pajisur me lejen përkatëse nga struktura përgjegjëse për pyjet në bashki ose në zonat e mbrojtura, si dhe të kenë depozituar planin e rehabilitimit që do të zbatohet në përfundim të aktivitetit në zonën përkatëse.
  5. Struktura përgjegjëse për pyjet në bashki, mbi bazën e planifikimit dhe të lejeve që lëshon për subjektet grumbulluese, i pajis ato edhe me certifikatën e origjinës.
  6. Subjektet që veprojnë në tregtinë e prodhimeve jo-drusore pyjore, janë përgjegjës për promovimin e rëndësisë dhe përfitimeve të prodhimeve jo-drusore pyjore, për hartimin dhe përhapjen e informacionit mbi to, kryerjen e trajnimeve dhe udhëzimin e personave/komuniteteve që angazhohen në mbledhjen dhe përpunimin e tyre, duke garantuar shfrytëzimin brenda mundësive prodhuese e biologjike dhe përputhshmërinë me teknikat që mundësojnë rigjenerimin e tyre, në funksion edhe të forcimit të ekonomive rurale dhe përmirësimit të kushteve të jetesës në fshat.
  7. Të gjitha produktet pyjore jo-drusore (përfshirë bimët mjekësore, eterovajore dhe tanifere natyrore) transportohen dhe shiten pasi të jenë pajisur me certifikatë origjine.
     

Neni 23

Përfitimi nga shfrytëzimi i produkteve drusore

  1. Shfrytëzimi i materialit drusor, lejohet në fondin pyjor kombëtar për qëllime të përfitimit ekonomik dhe vetëm nëpërmjet kryerjes së punimeve të parashikuara në planet e mbarështimit, duke u realizuar sipas përcaktimeve në këtë ligj. Në trajtimin dhe shfrytëzimin e fondit pyjor, përdorimi i standardeve për prerjet vjetore të lejueshme, ciklet e prerjeve, teknikat e shfrytëzimit dhe infrastruktura, janë të detyrueshme.
  2. Vëllimi i materialit drusor që do të shfrytëzohet çdo vit, planifikohet brenda mundësisë vjetore të shfrytëzimit, bazuar në planet e mbarështimit. Pjesë e këtij vëllimi është edhe vëllimi i materialit drusor me vlerë ekonomike, i planifikuar nga prerjet kulturore si edhe nga dëmtimet si rezulatat i katastrofave natyrore ose zjarret. Në lidhje me këtë vëllim:
  1. Planifikimi i mundësisë vjetore të shfrytëzimit për fondin pyjor, publik dhe atë privat, hartohet nga struktura përgjegjëse për pyjet pranë bashkisë.
  2. Ministri miraton me Urdhër, mundësinë vjetore të shfrytëzimit për pyjet, në përputhje me të dhënat e planit operacional vjetor, me propozimin e kryetarit të bashkisë, brenda muajit dhjetor të çdo viti.
  3. Struktura administrative përgjegjëse për pyjet, monitoron periodikisht prodhimet drusore të realizuara nga subjeket që shfrytëzojnë pyjet, bën rakordimet për përputhshmërinë e vëllimit të prodhimeve me vëllimin e lëndës së kontraktuar.
  1. Shitja e lëndës drusore nga bashkitë bëhet me ankand, sipas legjislacionit në fuqi, në dy mënyra: në këmbë (të paprerë) ose me asortimente, me përjashtim të rasteve të përcaktuar në pikat 3 dhe 4 të nenit 19 të këtij ligji, ku shitja bëhet sipas tarifave bazë të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
  2. Rregullat për trajtimin, shfrytëzimin, shitjen, eksportin (rastet e lejuara), importin, administrimin dhe transportin e materialit drusor dhe prodhimeve jo-drusore pyjore, si dhe kategorizimi i rrugëve autopyjore, përdorimi dhe standardet teknike të tyre, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit.
  3. Pronarët privatë kanë të drejtë të shesin materialin drusor dhe jo-drusor në fondin pyjor në pronësi të tyre, pa ankand dhe sipas çmimeve apo tarifave të vendosura në marrëveshje me subjektet e interesuar, duke respektuar rregullat e vendimit të Këshillit të Ministrave referuar në pikën e mësipërme, përsa i takon trajtimit, shfrytëzimit dhe transportit të materialit drusor dhe prodhimeve jo-drusore pyjore.
  4. Çmimet dhe tarifat për prodhimet drusore dhe jo-drusore në fondin pyjor kombëtar, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e përbashkët të ministrit përgjegjës për pyjet dhe ministrit përgjegjës për financat.
  5. Shfrytëzimi i prodhimit drusor, mund të kryhet nga individë të certifikuar, persona juridikë e fizikë, të licencuar apo njësitë/ekipet e specializuara të bashkisë, pasi të jetë hartuar dhe miratuar projekti teknologjik i shfrytëzimit, dhe të jenë pajisur me lejen përkatëse nga struktura përgjegjëse për pyjet në bashki. Subjektet që zotërojnë të drejtën e shfrytëzimit të prodhimeve drusore, janë përgjegjës për trajnimin dhe udhëzimin e stafit, mbi teknikat dhe metodologjitë e shfrytëzimit të materialit drusor që garantojnë ruajtjen dhe ripërtëritjen e pyllit, në përputhje me kërkesat ligjore.
  6. Materiali drusor, i papërpunuar, si dhe prodhimet e tjera pyjore e jopyjore transportohen nga pikat e grumbullimit dhe qendrat e përpunimit deri në destinacionin përfundimtar, të shoqëruara me vërtetim transporti, të lëshuar nga struktura përkatëse e shërbimit pyjor në bashki ose nga pronari privat, që vërteton se prodhimi është në përputhje me ligjin. Modeli i vërtetimit të transportit miratohet me urdhër të ministrit.
  7. Subjektet që veprojnë në tregtinë e lëndës drusore dhe të prodhimeve jo-drusore pyjore, zbatojnë sistemin “kujdesi i duhur”, për të parandaluar tregtimin e tyre nëse janë prerë apo grumbulluar në mënyrë të paligjshme. Për zbatimin e sistemit “kujdesi i duhur”:
    1. Shitësi dhe blerësi i lëndës drusore të papërpunuar e të përpunuar dhe i prodhimeve jo-drusore pyjore, janë të detyruar të vërtetojnë origjinën e ligjshme të tyre, nëpërmjet kontratave dhe dokumentacionit tjetër plotësues ligjor, përfshirë detyrimisht certifikatën e origjinës.
    2. Rregullat dhe procedurat për zbatimin e sistemit “kujdesi i duhur”, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
  8. Certifikimi i cilësisë së produkteve, përfshirë prodhimet drusore dhe ato jo-drusore nga pylli, bëhet nga subjekte të akredituar sipas legjislacionit në fuqi, ku:
  1. Për certifikimin e cilësisë së produkteve pyjore, lidhen marrëveshje teknike midis pronarëve të pyjeve dhe subjekteve të akredituar.
  2. Sistemet e certifikimit, karakteristikat dhe kërkesat e organeve kombëtare për certifikimin, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit.
     

Neni 24

Shitja e lëndës së drurit dhe produkteve të tij në tregun e BE

  1. Çdo aktor që vendos për herë të parë në treg, drurin/produktet e drurit, duhet të sigurojë që druri i përdorur është shfrytëzuar ligjërisht dhe (kur është e mundur) të jetë eksportuar ligjërisht nga vendi i origjinës së shfrytëzimit.
  2. Pranohet si e ligjshme, lënda drusore dhe produktet e drurit, të shoqëruar me licencë sipas FLEGT ose Konventës për Tregtinë Ndërkombëtare të Specieve të Rrezikuara (CITES). Në të gjitha rastet e tjera, subjektet që veprojnë në tregtinë e lëndës drusore duhet të ushtrojnë “kujdesin e duhur” kur ato fusin drurin ose produktet e drurit vendas dhe të importuar në tregun e BE.
  3. Skema e licencimit FLEGT përbën një grupim rregullash dhe procedurash për importin e disa produkteve të drurit, që zbatohet nëpërmjet marrëveshjeve të partneritetit me shtetet që prodhojnë dru/lëndë druri.
  4. Me propozimin e ministrit përgjegjës për pyjet, Këshilli i Ministrave përcakton institucionet dhe autoritetet përkatëse si dhe miraton rregullat dhe procedurat për zbatimin e rregulloreve FLEGT dhe EUTR, përfshi zbatimin e çdo rregullimi tjetër që bëhet i detyrueshëm për shtetin shqiptar në të ardhmen.
  5. Ndalohet depozitimi në tregun e BE-së i lëndës drusore të prerë në mënyrë të paligjshme dhe i produkteve të përfituara prej saj, pavarësisht nëse lënda drusore është me origjinë vendase ose e importuar.

 

 

KREU VI

TRAJTIMI DHE SHËRBIMET NDAJ PYJEVE

 

Neni 25

Elementët e shërbimit ndaj fondit pyjor kombëtar

  1. Shërbimi ndaj fondit pyjor kombëtar ka si qëllim mbrojtjen, trajtimin dhe kryerjen e punimeve silvikulturore e të punimeve të tjera në fondin pyjor, të cilat mundësojnë sigurimin e funksioneve ekologjike dhe shoqërore, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës pyjore, vjeljen e prodhimeve pyjore dhe përdorimin, duke siguruar vazhdimësinë e prodhimeve pyjore, të burimeve të tjera dhe të gjeneratës së re të masivit pyjor.
  2. Shërbimi ndaj fondit pyjor kombëtar përfshin të gjitha veprimtaritë, masat silvikulturore dhe punimet që kryhen nga strukturat përgjegjëse për pyjet dhe/apo subjektet që kanë fituar të drejta ose ushtrojnë veprimtari mbi të, që lidhen me mbrojtjen e fondit pyjor kombëtar nga dëmtimet e natyrave dhe origjinave të ndryshme, kryerjen e mirëmbajtjes së fondit pyjor, realizimin e proceseve të prerjeve/vjeljes së prodhimeve pyjore, si dhe ripërtëritjen e fondit pyjor kombëtar.
  3. Proceset kryesore të punës për garantimin e shërbimeve ndaj fondit pyjor kombëtar, përfshijnë: proceset e planifikimit, zbatimit, kontrollit, certifikimit të punës që duhet të kryhet sipas funksioneve të mbrojtjes, mirëmbajtjes, prerjeve, rigjenerimit të fondit pyjor kombëtar.
  4. Trajtimi i pyjeve bazohet në masat dhe rekomandimet e planifikuara në planet e mbarështimit, nëpërmjet planeve operacionalë vjetorë, të cilët zbatohen nga strukturat që administrojnë pyjet, pronarët privatë, si dhe nga të gjithë personat juridikë e fizikë, që zhvillojnë veprimtari në fondin pyjor kombëtar.

 

Neni 26

Mbrojtja e fondit pyjor kombëtar

  1. Mbrojtja e pyjeve përfshin masat parandaluese, vëzhgimin e situatës në pyje dhe evidentimin e dëmeve apo sinjalizimin e pranisë së faktorëve dëmtues, rikuperimin e dëmeve dhe rehabilitimin e pjesëve të dëmtuara, si pasojë e faktorëve dhe fenomeneve që cenojnë dhe dëmtojnë fondin pyjor kombëtar, të tilla si:
    1. dëmtimi i fondit pyjor kombëtar (përfshirë infrastrukturën pyjore dhe veprat ujore), prerjet ose kullotja pa leje, sëmundjet dhe insektet, zjarret, shkatërrimi, pushtimi apo tjetërsimi;
    2. lëndët e gazta, të lëngëta, të ngurta, radioaktive; lëndë dhe mbetje të rrezikshme, që krijohen ose shkarkohen nga objekte a veprimtari industriale, bujqësore, komunale, tregtare, shoqërore e kulturore, ushtarake, të transportit;
    3. çdo veprimtari që cenon ekuilibrin e sistemeve ekologjike, natyrore, ose dëmton të mirat materiale dhe vlerat kulturore e historike, e realizuar nga cilido institucion shtetëror, qendror apo vendor, personat fizikë a juridikë, vendas a të huaj.
  2. Mbrojtja e fondit pyjor kombëtar, pavarësisht nga forma e pronësisë, është detyrë e përhershme e strukturave përgjegjëse për pyjet në nivel qendror dhe vendor, e pronarëve privatë, e subjekteve që kryejnë veprimtari në këtë fond dhe, sipas rastit, edhe e strukturave të tjera shtetërore të ngarkuara nga ligje të tjera.
  3. Ndalohet ndezja e zjarreve në fondin pyjor kombëtar, publik apo privat, në tokat e tjera në afërsi të tyre, si dhe çdo veprim tjetër që përbën burim ose shkak për përhapjen e pakontrolluar të tyre.
  4. Për parandalimin e zjarreve në fondin pyjor kombëtar:
    1. Strukturat përgjegjëse për pyjet në bashki/zona të mbrojtura, si dhe pronarët privatë, organizojnë sistemin e vrojtim-sinjalizimit, duke zbatuar edhe të gjitha detyrimet sipas ligjit përkatës për mbrojtjen civile.
    2. Struktura përgjegjëse për pyjet në bashki, si dhe pronarët privatë, çdo vit hartojnë planin për parandalimin dhe shuarjen e zjarreve, për sipërfaqen e fondit pyjor kombëtar në territorin e tyre, ku përfshihen mjetet në dispozicion si dhe numrin e personave të organizuar në njësitë e posaçme për këtë qëllim, duke koordinuar dhe zbatuar të gjitha përcaktimet e ligjit përkatës për mbrojtjen civile, vlerësimin e riskut nga fatkeqësitë dhe planin vendor për emergjencat civile.
    3. Plani për parandalimin dhe shuarjen e zjarreve në fondin pyjor kombëtar, miratohet nga këshilli bashkiak brenda muajit mars të çdo viti. Bashkitë koordinojnë këtë plan me detyrimet e ligjit përkatës për mbrojtjen civile, për të siguruar funksionimin e sistemit të monitorimit, të paralajmërimit të hershëm, të njoftimit dhe të alarmit në territorin e tyre. Subjektet që ushtojnë veprimtari/aktivitete në fondin pyjor kombëtar detyrohen sipas ligjit përkatës për mbrojtjen civile, që të garantojnë mbrojtjen nga zjarret në këto sipërfaqe, duke hartuar/përditësuar planet për mbrojtjen e tyre nga zjarret, të harmonizuara me planet e jashtme për emergjencat civile të bashkisë dhe prefekturës, si edhe detyrimin për rregulloret e brendshme të tyre.

ç)  Struktura përgjegjëse për pyjet në bashki organizon çdo vit fushata informimi, sensibilizimi dhe trajnimi për parandalimin e zjarreve në pyje, në periudhën më të rrezikuar nga zjarret. Këto fushata organizohen në nivel kombëtar edhe nga Ministria dhe Agjencia.

  1. Për shuarjen e zjarreve në pyje:
    1. Njësitë e vetëqeverisjes vendore, komunitetet lokale dhe pronarët privatë, ngrenë njësi të posaçme dhe bashkëpunojnë ndërmjet tyre, si dhe me strukturat e tjera shtetërore, sipas detyrimeve të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi. Struktura përgjegjëse për pyjet në bashki, përdoruesit e pyjeve përmes përfaqësuesve të tyre lokalë dhe pronarët privatë, mbajnë të dhëna statistikore për zjarret në pyjet brenda territoreve të tyre dhe raportojnë pranë agjencisë shtetërore përgjegjëse për pyjet.
    2. Shpenzimet për shuarjen e zjarreve, përballohen nga struktura ose subjekti që ka në pronësi pyllin, dhe nga buxheti i shtetit në rastin e një prone me rëndësi kombëtare, historike, kulturore, arkeologjike, ekologjike, etj.
  2. Rregullat për parandalimin dhe shuarjen e zjarreve në pyje, si dhe për ngritjen e njësive të posaçme për shuarjen e zjarreve, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
  3. Në rast konstatimi të pranisë së sëmundjeve e dëmtuesve ose dëmtimit të pyjeve me prejardhje tjetër:
  1. Të gjithë subjektet që zhvillojnë veprimtari në fondin pyjor kombëtar, duhet të njoftojnë menjëherë strukturën përgjegjëse për pyjet dhe agjencinë.
  2. Strukturat përgjegjëse për pyjet, kur vërejnë se bimët dhe prodhimet pyjore janë të infektuara nga parazitë karantinorë dhe se janë kryer shkelje të kuadrit ligjor në fuqi, bëjnë menjëherë bllokimin dhe njoftojnë, jo vetëm pronarin ose përdoruesin, por edhe eprorët për arsyet e bllokimit.
  3. Shpenzimet e luftimit të sëmundjeve, dëmtuesve dhe insekteve në fondin pyjor kombëtar, në rastet e dëmtimeve masive, përballohen nga buxheti i shtetit.
  1. Për mbrojtjen e fondit pyjor kombëtar, ndalohet kullotja:
    1. në zonat e mbrojtura;
    2. në pyllëzimet e reja dhe në sipërfaqet me pyje të ulët të ricunguar;
    3. në grumbujt pyjorë që kanë arritur moshën e pjekurisë, ku pritet të arrihet ripërtëritja natyrale;

ç)  në pyjet e shfrytëzuar ose në shfrytëzim e sipër, deri sa të jetë bërë ripërtëritja natyrale e tyre.

Kriteret dhe rregullat për kullotjen në pyje, përcaktohen me udhëzim të ministrit.

 

Neni 27

Përmirësimi i fondit pyjor kombëtar

  1. Strukturat përgjegjëse për pyjet në bashki, hartojnë planet e përmirësimit të fondit pyjor kombëtar që kanë nën administrim, ku planifikohen të gjitha ndërhyrjet dhe shërbimet për parandalimin e degradimit të fondit pyjor kombëtar dhe rehabilitimin e tij.
  2. Për aq sa kushtet dhe mundësitë lejojnë, strukturat përgjegjëse për pyjet në bashki i realizojnë shërbimet ndaj pyjeve në përputhje me parimin e eficiencës ekonomike në kryerjen e ndërhyrjeve përmirësuese.
  3. Punimet mbrojtëse dhe ripërtëritëse në fondin pyjor kombëtar, kryhen për të parandaluar ose kufizuar veprimet shkatërruese në pyll. Masa për kryerjen e punimeve mbrojtëse e ripërtëritëse, ndërmarrin edhe pronarët, për drurët pyjorë që ndodhen në tokat pyjore, në tokat bujqësore në afërsi të pyllit si dhe për drurët që ndodhen jashtë fondit pyjor kombëtar.
  4. Rritja e prodhimtarisë së fondit pyjor kombëtar nëpërmjet ripërtëritjes së pyjeve të shfrytëzuar, përmirësimit të pyjeve ekzistues, zbatimit të punimeve sanitare dhe të mirëmbajtjes, në përputhje me funksionin e pyjeve dhe nevojat ekonomike; si dhe shtimi i sipërfaqes së fondit pyjor kombëtar nëpërmjet pyllëzimit të tokave bujqësore, të braktisura e të pandara, të vendeve të zhveshura e të gërryera, të djegura, të tokave ranore e zhavorrishte e të tjera të kësaj kategorie; është detyrë e strukturave përgjegjëse për pyjet dhe e përdoruesve të këtyre tokave.
  5. Mirëmbajtja e infrastrukturës së fondit pyjor kombëtar, realizohet nga strukturat përgjegjëse për pyjet në bashki/zona të mbrojtura, në bashkëpunim me strukturat e tjera në bashki që janë përgjegjëse për punët dhe infrastrukturën publike.
  6. Subjektet që kanë të drejta mbi pyjet, që administrojnë ose shfrytëzojnë pjesë të fondit pyjor kombëtar dhe prodhimet e tij, janë përgjegjës për ngritjen dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës përkatëse në shërbim të veprimtarisë që realizojnë, në përputhje me miratimet dhe lejen e strukturave përgjegjëse për pyjet në bashki.
  7. Sistemimet malore (gardhet/pritat) ndërtohen për frenimin e dukurisë së gërryerjes në sipërfaqet e fondit pyjor kombëtar ku kjo dukuri është e pranishme dhe sipas nevojave dhe kushteve konkrete, shoqërohen me pyllëzimin e shpateve të ujëmbledhësve, përrenjve dhe përroskave.
  8. Rregulla, kritere teknike dhe metodologji të posaçme për shërbimet që kryhen në fondin pyjor kombëtar, përcaktohen me udhëzim të Ministrit.
     

Neni 28

Prerjet në fondin pyjor kombëtar

  1. Prerjet në ngastra/nënngastra, për shkak të ndërhyrjeve dhe trajtimeve silvikulturore në jetën e pyllit apo vjeljes së materialit drusor dhe prodhimeve të tjera, lejohen:
  1. Vetëm në moshën e shfrytëzueshmërisë dhe kur pylli ka arritur fazën e pjekurisë.
  2. Realizohen nën kontrollin e strukturave përgjegjëse për pyjet dhe lejohen vetëm kur kërkohet teknikisht sipas projekteve përkatëse, në rastet:
  1. e prerjeve farore, dritësuese dhe përfundimtare mbështetur në rekomandimet e planeve të mbarështimit të ekonomive pyjore;
  2. e prerjeve në pyjet e dëmtuar nga katastrofat natyrore apo si pasojë e rënies së zjarreve.
  1. Prerja e drurëve në fondin pyjor kombëtar, bëhet pas shënimit të tyre me damkë. E drejta e damkimit, administrimi dhe mënyra e përdorimit të çekiç damkës përcaktohet me udhëzim të Ministrit.
    ç)  Subjektet që kryejnë prerje shfrytëzuese në fondin pyjor publik dhe privat, shënojnë me bojë të paheqshme dhe vendosin etiketa në prodhimet e tyre, sipas kritereve të vendosura me vendim të Këshillit të Ministrave.
  2. Prerjet shfrytëzuese në fondin pyjor publik e privat, organizohen në bazë të vitit pyjor, i cili fillon në datën 1 tetor dhe përfundon në datën 30 shtator të vitit pasardhës.
     dh) Në sipërfaqet me filizëri të zhvilluar mbi lartësinë optimale, prerjet shfrytëzuese lejohen edhe në periudhën e vegjetacionit, duke respektuar kriteret teknike të vendosura me vendim të Këshillit të Ministrave.
  1. Projektet e punimeve kulturale, projektet e pyllëzimit dhe rehabilitimit të fondit pyjor, mbështeten në rekomandimet e planit të mbarështimit dhe miratohen nga agjencia shtetërore përgjegjëse për pyjet.
  2. Trajtimet e ndaluara në fondin pyjor kombëtar, janë:
  1. Ndalohet shndërrimi i pyjeve të lartë në cungishte.
  2. Ndalohet prerja rrah e pyjeve të lartë, me përjashtim të ndërhyrjeve të nevojshme për mbrojtjen fitosanitare, ose për arsye të tjera me interes publik.
  3. Ndalohet shfrytëzimi i pyjeve cungishte dhe prerja rrah në periudhën e vegjetacionit si dhe kur nuk sigurohet mbrojtja hidrogjeologjike e territorit, ruajtja e burimeve ujore, mbrojtja e peizazhit dhe mjedisit, turizmi dhe rekreacioni.
    ç)  Ndalohet prerja rrah në pyjet me funksion mbrojtës.
  4. Ndalohen prerjet për shfrytëzimin e pyjeve:
  1. në kufinjtë e sipërm të vegjetacionit pyjor;
  2. mbi dhe nën rrugët kombëtare deri 150 ml;
  3. përreth qendrave të banuara dhe objekteve të rëndësishme;
  4. përgjatë rrjedhave ujore.
  1. Krijimi i rezervave strategjike të lëndës drusore në këmbë (të paprerë), ruajtja dhe trajtimi i pyjeve të virgjër ose pothuajse të virgjër, si dhe kalimi i tyre në konservim të plotë, bëhen në përputhje me kriteret dhe procedurat e përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit.
     

Neni 29

Rigjenerimi i fondit pyjor kombëtar

  1. Në trajtimin e pyjeve, zhvillimi dhe ripërtëritja natyrore e tyre sigurohet edhe nëpërmjet rigjenerimit nga operacionet silvikulturore, si vijon:
    1. Sipërfaqet e pyjeve të larta, përshkohen me prerje kulturore sipas fazës së zhvillimit në të cilën gjenden dhe të kërkesave të silvikulturës.
    2. Strukturat përgjegjegjëse për pyjet, ndërmarrin masat dhe garantojnë kushtet për rigjenerimin natyror të pyjeve, në përputhje me ciklet e tyre natyrore dhe karakteristikat e tjera të ekosistemit pyjor.
  2. Rehabilitimi i ekosistemeve pyjore, i tokave pyjore të degraduara e të braktisura, i peizazhit pyjor, i habitateve të florës e faunës së egër, kryhet nën drejtimin e strukturave përgjegjëse për pyjet sipas këtij ligji, nëpërmjet mënyrave të mëposhtme:
  1. Rehabilitimi i terreneve të degraduara, kryhet nëpërmjet nxitjes dhe mbështetjes së pyllëzimeve, ripyllëzimeve, agropylltarisë, në pronat publike dhe private.
  2. Zgjedhja e materialit mbjellës, fara e fidanë, bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e biodiversitetit dhe për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor.
  1. Ripyllëzimet, kryhen në sipërfaqet pyjore të dëmtuara nga shkaqe të ndryshëm dhe ku nuk është siguruar ripërtëritja në rrugë natyrore, sipërfaqet ku filizëria e instaluar është djegur dhe dëmtuar dhe nuk garantohet zhvillimi i grumbullit të ri, si dhe në sipërfaqet ose brezat pyjorë që trajtohen me pyllëzime artificiale dhe prerje rrah.
  2. Pyllëzimet artificiale, kryhen në tokat me bimësi pyjore, sipërfaqet e zhveshura, të gërryera dhe ranishtat, pjesë e fondit pyjor kombëtar, publik dhe privat. Për pyllëzimet artificiale, krahas llojeve autoktonë, përdoren edhe lloje drurësh e shkurresh me rritje të shpejtë, të vlefshëm për industrinë e përpunimit dhe për nevoja energjetike.
  3. Pyllëzimet kryhen pas miratimit të projektit tekniko-ekonomik nga agjencia, në përputhje me udhëzuesin teknik të miratuar nga Ministri, duke përcaktuar sipas rastit pyllëzimin me farë ose fidanë, standardet e tyre, si dhe llojin e drurëve që do të mbillen. Projektet hartohen nga specialistët e strukturës përgjegjëse të pyjeve ose konsulentë privatë të licencuar për ushtrimin e kësaj veprimtarie.
  4. Në çdo rast, ndalohet pyllëzimi me farë në terrenet e zhveshura, nëse nga ekspertët specialistë pyjorë konsiderohet i pamundur instalimi i filizërisë me farë.
  5. Për garantimin e ripërtëritjes dhe shëndetësimit të pyjeve (përfshirë parandalimin e rrezikut të shpërndarjes së sëmundjeve dhe dëmtuesve), ndalohet kryerja e aktiviteteve të mëposhtme:
  1. grumbullimi, shpërndarja ose mbjellja e farave, kalemave, shpatullave e fidanëve pyjorë të drurëve e shkurreve pyjore, pa lejen e agjencisë shtetërore përgjegjëse për pyjet;
  2. tregtimi i materialit drusor dhe i prodhimeve të tjera të pyllit, të infektuar nga sëmundjet dhe të prekura nga dëmtuesit;
  3. mbjellja e farave dhe materialit tjetër vegjetativ pyjor, të pa pajisur me certifikatën përkatëse;

ç)  fidanishteve që merren me aktivitetin prodhues të materialit vegjetativ mbjellës si dhe farërave, nuk iu lejohet shitja apo shpërndarja e tyre të pa shoqëruar me certifikatën e origjinës dhe atë fitosanitare.

 

 

KREU VII

KONTROLLI DHE KUNDËRVAJTJET NË SEKTORIN E PYJEVE

 

Neni 30

Kontrolli i veprimtarive në fondin pyjor kombëtar

  1. Funksioni i kontrollit garanton ekzekutimin optimal të veprimtarive në fondin pyjor kombëtar, në përputhje me dokumentet planifikues në pyje, normat dhe standardet e miratuara, përcaktimet e kuadrit ligjor në fuqi, kushtet e lejeve, licencave apo kontratave të nënshkruara mes strukturave përgjegjëse për pyjet dhe subjekteve përkatës.
  2. Kontrolli ushtrohet mbi veprimtaritë e shfrytëzimit dhe të shërbimeve në pyje që realizohen nga strukturat përgjegjëse për pyjet sipas këtij ligji dhe/ose nga subjektet përkatës që iu është dhënë e drejta për veprimtaritë e shfrytëzimit apo të shërbimeve në pyje, duke kontrolluar të gjithë ciklin që nga dhënia e lejeve dhe inputet e përdorura, proceset e ndjekura në kryerjen e këtyre veprimtarive, cilësinë dhe përputhshmërinë me kërkesat (konformitetin) të rezultateve të arritura si dhe aktivitetet përmbyllëse rehabilituese sipas ligjit.
  3. Funksioni i kontrollit ushtrohet nga strukturat përkatëse në bashki dhe në zonat e mbrojtura, të cilat ushtrojnë këto detyra:
  1. kontrollojnë përmbushjen e detyrimeve ligjore, kontraktuale si dhe përcaktimet në planet e mbarështimit, operacionalë dhe të shfrytëzimit (përfshirë planet e rehabilimit), nga ana e subjekteve (persona juridikë dhe fizikë) që kryejnë veprimtari në pyje;
  2. parandalojnë, zbulojnë dhe dënojnë, rastet e dëmtimit, pushtimit, shpërdorimit, tjetërsimit, shkretimit dhe degradimit të pyjeve brenda territorit të tyre, si dhe bashkëpunojnë me strukturat e ngarkuara me ligj, për parandalimin dhe shuarjen e zjarreve;
  3. parandalojnë dhe marrin masa administrative në rastet e shfrytëzimit e të tregtimit të paligjshëm të materialit drusor, të prodhimeve drusore dhe jo-drusore nga pylli, të florës e faunës së egër, si dhe çdo veprimtarie tjetër, që bie në kundërshtim me këtë ligj;
    ç)  ndërmarrin masa administrative ndaj kundërvajtësve në pyje, nëpërmjet inspektorëve pyjorë pranë strukturave përgjegjëse për kontrollin si dhe ndjekin zbatimin e tyre deri në ekzekutimin e plotë sipas ligjit;
  4. kryejnë kallëzime për shkeljet që përbëjnë vepra penale dhe ndërmarrin masa parandaluese ndaj tyre, duke ofruar ekspertizë dhe mbështetje për strukturat e mbrojtjes dhe sigurisë së mjedisit dhe pyjeve pranë Policisë së Shtetit për verifikimin dhe hetimin e tyre;
     dh) vlerësojnë dëmet e shkaktuara në pyje dhe marrin vendim zhdëmtimi në ngarkim të subjekteve kundërvajtës për shpenzimet e dëmtimit të fondit pyjor kombëtar dhe të kthimit në gjendjen e mëparshme;
  5. bashkëpunojnë dhe bashkërendojnë punën me Policinë Bashkiake, me inspektoratet e tjera, me Policinë e Shtetit dhe strukturat për mbrojtjen dhe sigurinë e pyjeve pranë tyre, si dhe me institucionet apo organet e tjera sipas rastit, për parandalimin, kontrollin dhe ndëshkimin e kundërvajtësve në fondin pyjor kombëtar;
    ë)  bashkëpunojnë me agjencinë dhe i krijojnë asaj lehtësitë e nevojshme, zbatojnë orientimet dhe detyrat e lëna prej saj si dhe i vënë në dispozicion informacionin/dokumentacionin e kërkuar, brenda një afati kalendarik 5-ditor nga data e marrjes së kërkesës.
  1. Agjencia, në kuadër të garantimit të funksionalitetit të sistemit të kontrollit, orienton dhe mbikëqyr strukturat e kontrollit të pyjeve në bashki dhe në zonat e mbrojtura, duke ndërhyrë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të pakufizuar në rastet kur vëren pamundësinë ose mosushtrimin e kompetencave ligjore nga ana e tyre.
  2. Funksioni i kontrollit që ushtrohet nga strukturat përkatëse në bashki dhe në zonat e mbrojtura, realizohet përmes proceseve të inspektimit që organizohen mbi bazën e riskut të vlerësuar dhe në përputhje me metodologjitë dhe programet përkatëse, duke u shtrirë përgjatë të gjithë ciklit të veprimtarive në pyje, që përfshin:
  1. marrjen e lejeve/licencave/kontratave/të drejtave e detyrimeve sipas ligjit, për shfrytëzimin dhe shërbimet në pyje;
  2. procesin e ndjekur (respektimin e standardeve/metodologjive/udhëzuesve teknikë) dhe ekzekutimin e aktiviteteve përkatëse;
  3. përfundimin dhe dorëzimin e tyre, duke kontrolluar/verifikuar aktivitetet e mbylljes dhe rehabilitimit sipas afateve ligjore.
  1. Si rezultat i proceseve të kontrollit dhe në përputhje me përcaktimet e ligjeve përkatës për kundërvajtjet administrative dhe për inspektimin, strukturat përgjegjëse për kontrollin dhe procesin e inspektimit në pyje, nëse konstatojnë shkelje përkundrejt kërkesave të lejeve/kontratave/ligjit, ndërmarrin këto lloje të masave parandaluese dhe sanksioneve administrative:
    1. këshillimin e subjekteve mbi përgjegjësitë e tyre si dhe caktimin e detyrave për shmangien e parregullsive;
    2. propozimin për refuzimin, pezullimin ose heqjen e lejeve dhe licencave ndaj subjekteve që ushtrojnë veprimtari në pyje apo zgjidhjen e kontratave përkatëse;
    3. bllokimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e prodhimeve drusore e jo-drusore të siguruara në mënyrë të kundërligjshme, mjetet që kanë shërbyer për kryerjen e kundërvajtjes, si dhe çdo produkt ose përfitim pasuror të arritur përmes tyre, duke i kaluar në llogarinë e institucionit për pyjet;
      ç)  ndëshkimin me gjobë në përputhje me kufijtë dhe parashikimet e këtij ligji si dhe ekzekutimin;
    4. vendimin për pagimin dhe rehabilitimin e dëmeve të shkaktuara në fondin pyjor si dhe ekzekutimin e tyre;
       dh) kallëzimin penal sipas rastit.
  2. Strukturat e specializuara për mbrojtjen dhe sigurinë e mjedisit dhe pyjeve, pranë Policisë së Shtetit, kanë si përgjegjësi:
  1. të garantojnë mbrojtjen dhe sigurinë e pyjeve përmes parandalimit, zbulimit dhe hetimit të veprave penale kundër pyjeve dhe procedimit penal të autorëve të tyre, në përputhje me parashikimet e legjislacionit penal;
  2. të bashkëpunojnë me strukturat përgjegjëse për kontrollin në pyje sipas këtij ligji dhe i mbështesin ato sipas kërkesës dhe nevojës.

 

Neni 31

Kundërvajtjet administrative në fondin pyjor kombëtar

  1. Shkeljet e mëposhtme, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe, përveç vlerës së dëmit llogaritur sipas tarifave për shpërblimin e dëmeve të shkaktuara në fondin pyjor kombëtar, dënohen me gjobë sipas kufijve dhe përcaktimeve në pikat e mëposhtëme, në përputhje me ligjet përkatës për kundërvajtjet administrative dhe për inspektimin.
  2. Dënohen me gjobë nga 5,000 deri në 10,000 lekë shkeljet e mëposhtme:
  1. Nxjerrja dhe grumbullimi i prodhimeve drusore dhe jo-drusore, nga individë të pa formalizuar dhe pa lejen përkatëse;
  2. Prerja pa damkë e drurëve dhe prerja pa leje e pyjeve, drurëve të veçuar dhe e shkurreve, filizërisë dhe e fidanëve në fidanishte, kur pasojat materiale janë të lehta;
  3. Mbledhja e prodhimeve jo-drusore nga pylli jashtë periudhës teknike të vjeljes, si dhe, nxjerrja e rrënjëve të drurëve pyjorë gjatë periudhës së vegjetacionit;

ç)  Kullotja e bagëtive në fondi pyjor kombëtar të përfshirë në zonat e mbrojtura, në pyllëzimet e reja dhe në sipërfaqet me pyje të ulët të ricunguar, në grumbujt pyjorë që kanë arritur moshën e pjekurisë në të cilët pritet që të arrihet ripërtëritja natyrale, në pyjet e shfrytëzuar ose në shfrytëzim e sipër deri sa të jetë bërë ripërtëritja natyrale e tyre, pyjet e rinj, në filizëri, në fidanishte, në ngastrat gjenetike e eksperimentale, në sipërfaqet ku kryhen punime përmirësuese dhe në pyjet mbrojtës;

  1. Krasitja për gjethe, kositja dhe grumbullimi i barit në fondin pyjor kombëtar, pa lejen përkatëse;

 dh) Parkimi i automjeteve, vendosja e rulotëve në pyjet me funksion mbrojtës e të veçantë, në parqet kombëtare, në rezervatet e mbarështrimit të florës e të faunës së egër, në fidanishtet pyjore ose në vendet e tjera të fondit pyjor kombëtar, me rëndësi të veçantë, pa lejen përkatëse;

  1. Nxjerrja e gurëve, plisave, rrënjëve, cungjeve, marrja e dheut, rërës dhe zhavorrit, kur pasojat materiale janë të lehta, pa lejen përkatëse;

ë)  Mosruajtja e materialit drusor dhe e çdo prodhimi tjetër, me origjinë pyjore, të sekuestruar, i cili ndodhet në qendrat e përpunimit apo në sheshet e depozitimit e të tregtimit, nga subjektet, të cilave u është sekuestruar, deri në shitjen e tyre.

  1. Dënohen me gjobë nga 20,000 deri në 40,000 lekë shkeljet e mëposhtme:
  1. Ndërhyrjet për pyllëzime dhe përmirësimin e bimësisë së tokave pyjore, pa lejen përkatëse dhe në kundërshtim me rregullat mbi pyllëzimet; përfshirë pyllëzimin me farë në terrenet e zhveshura; si dhe përdorimi i plehrave kimike apo pesticideve pa lejen përkatëse dhe në kundërshtim me rregullat;
  2. Grumbullimi, shpërndarja ose mbjellja e farave, kalemave, shpatullave e fidanëve pyjorë të drurëve e shkurreve pyjore, pa lejen e agjencisë shtetërore përgjegjëse për pyjet; mbjellja e farave dhe materialit tjetër vegjetativ pyjor, të pa pajisur me certifikatën përkatëse; si dhe shitja apo shpërndarja, nga fidanishtet që merren me aktivitetin prodhues të materialit vegjetativ mbjellës dhe farërave, të pa shoqëruar me certifikatën e origjinës dhe atë fitosanitare;
  3. Prishja, fshirja ose dëmtimi i shenjave kufidëftuese, gjeodezike e topografike, i tabelave paralajmëruese apo treguese, të vendosura në fondin pyjor kombëtar;

ç)  Prerja pa leje apo dëmtimi i pyjeve, në pronësi private, nga pronarët apo nga subjektet, të cilave u janë dhënë në përdorim ose me qira, kur pasojat materiale janë të lehta.

  1. Dënohen me gjobë nga 50,000 deri në 100,000 lekë shkeljet e mëposhtme:
  1. Ngritja e strukturave, punimeve, zhvillimeve të ndryshme dhe kryerja e veprimtarive në fondin pyjor kombëtar, pa lejen përkatëse;
  2. Ndezja e zjarreve jashtë vendeve të caktuara apo në fondin pyjor kombëtar, publik dhe privat, në tokat e tjera në afërsi të tyre, si dhe çdo veprim tjetër që përbën burim ose shkak për përhapjen e pakontrolluar të tyre;
  3. Prishja e shenjës së damkës në dru apo përdorimi i çekiç-damkës nga persona të pa autorizuar dhe nga një zonë pyjore në tjetrën;

ç)  Ndryshimi i zërit kadastral në kundërshtim me procedurat ligjore në fuqi dhe mos raportimi i ndryshimeve përkatëse në fondin pyjor kombëtar dhe në tokën pyjore, ngarkon me përgjegjësi titullarin e njësisë së qeverisjes vendore dhe pronarin privat;

  1. Djegia e sipërfaqeve në fondin pyjor kombëtar me qëllim ndryshimin e destinacionit të tyre, ndryshimi i destinacionit të sipërfaqeve të djegura në fondin pyjor kombëtar si dhe kur cënon ruajtjen e biodiversitetit, stabilitetin e terrenit, regjimin e ujit, mbrojtjen nga rënia e gurëve dhe ortekëve, ruajtjen e peizazhit, si dhe rolin e pyjeve për mbrojtjen nga era;
     dh) Shndërrimi i pyjeve të lartë në cungishte, prerja rrah e pyjeve të lartë (me përjashtim të ndërhyrjeve të nevojshme për mbrojtjen fitosanitare ose për arsye të tjera me interes publik), si dhe shfrytëzimi i pyjeve cungishte dhe prerja rrah në periudhën e vegjetacionit si dhe kur nuk sigurohet mbrojtja hidrogjeologjike e territorit, ruajtja e burimeve ujore, mbrojtja e peizazhit dhe mjedisit, turizmi dhe rekreacioni;
  2. Prerja rrah në pyjet me funksion mbrojtës, si dhe prerjet e pyjeve në kufinjtë e sipërm të vegjetacionit pyjor, mbi dhe nën rrugët kombëtare deri 150 ml, përreth qendrave të banuara dhe objekteve të rëndësishme, përgjatë rrjedhave ujore.
  1. Dënohen me gjobë nga 80,000 deri në 100,000 lekë shkeljet e mëposhtme:
  1. Transferimi i të drejtave të siguruara nga kontrata e trajtimit, shfrytëzimit dhe përdorimit në fondin pyjor kombëtar;
  2. Tregtimi i materialit drusor dhe i prodhimeve të tjera të pyllit, të infektuara nga sëmundjet, barërat e këqija e parazitare ose të prekura nga insektet;
  3. Mbledhja e prodhimeve jo-drusore nga pylli, me mënyra që sjellin degradimin, kërcënimin, rrallimin, zhdukjen apo dobësimin e funksioneve të tyre;

ç)  Kryerja e veprimtarive pa lejen përkatëse kur kryhet në fondin pyjor kombëtar, të deklaruar me funksion mbrojtës e të veçantë (si ngritja e ndërtimeve të thjeshta, gardhimeve, kampingjeve, ndërhyrjet me punime në dunat bregdetare, pjesë e fondit pyjor kombëtar, etj.);

  1. Përdorimi i paligjshëm i fondit pyjor kombëtar dhe i tokës pyjore.
  1. Dënohen me gjobë nga 100,000 deri në 300,000 lekë shkeljet e mëposhtme:
  1. Eksporti i lëndës së drurit të papërpunuar, lëndës së ndërtimit, druve të zjarrit dhe asortimentet që rrjedhin nga tjetërsimi i tyre, si edhe qymyrit të drurit, apo të tjerë produkte, gjithmonë kur këto ndalohen specifikisht të eksportohen me ligj apo vendim të Këshillit të Ministrave;
  2. Ndërtimi i objekteve dhe zhvillimi i veprimtarive që shkaktojnë degradimin dhe gërryerjen e tokës (si ndërtimi i furrave të gëlqeres dhe i kaminave të qymyrit të drurit, dëmtimi i infrastrukturës pyjore si rrugë dhe vepra ujore në fondin pyjor kombëtar);
  3. Mos ripyllëzimi i sipërfaqeve ose brezave pyjorë pas prerjeve rrah të llojeve që nuk ripërtërihen në rrugë natyrore, si dhe mos pyllëzimi/ripyllëzimi nga ana e personave fizikë/juridikë për sipërfaqe që hiqen nga fondi pyjor kombëtar;

ç)  Hedhja e mbetjeve brenda sipërfaqes së fondit pyjor kombëtar dhe jashtë vendeve të caktuara, kur pasojat materiale janë të lehta.

  1. Dënohen me gjobë nga 300,000 deri në 500,000 lekë shkeljet e mëposhtme:
  1. Transporti me automjete apo mjete të tjera i materialit drusor nga pylli dhe prej shesheve të depozitimit për në qendrat e përpunimit e të shitjes, si dhe i produkteve jo-drusore pyjore drejt qendrave të grumbullimit i pashoqëruar me dokumentacionin që provon origjinën e tij;
  2. Mosrealizimi i masave apo punimeve të parashikuara në projekte në mjedisin pyjor si dhe mos pastrimi i parcelës së shfrytëzuar.
  1. Dënohen me gjobë nga 500,000 deri në 1,000,000 lekë shkeljet e mëposhtme:
  1. Shkarkimet e kimikateve, të ujërave të ndotur industrialë, në fondin pyjor kombëtar;
  2. Gërmimi për karriera të çdo lloji që përdorin lëndë plasëse, pa lejen përkatëse.
  1. Kur pasojat janë të rënda, për shkeljet e cituara më poshtë, dënimi me gjobë është si vijon:
  1. Prerja pa damkë e drurëve dhe prerja pa leje e pyjeve, drurëve të veçuar dhe e shkurreve, filizërisë dhe e fidanëve në fidanishte, kur pasojat janë të rënda dënohet me gjobë me vlerë nga 500,000 deri në 1,000,000 lekë;
  2. Nxjerrja e gurëve, plisave, rrënjëve, cungjeve, marrja e dheut, rërës dhe zhavorrit, kur pasojat janë të rënda, pa lejen përkatëse, dënohet me gjobë me vlerë nga 100,000 deri në 300,000 lekë;
  3. Hedhja e mbetjeve brenda sipërfaqes së fondit pyjor kombëtar dhe jashtë vendeve të caktuara, kur pasojat janë të rënda dënohet me gjobë me vlerë nga 500,000 deri në 1,000,000 lekë.
  1. Kriteret për ndarjen e shkeljeve me pasoja të lehta apo me pasoja të rënda dhe sanksionet financiare, caktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit. Kur shkeljet e këtij ligji kanë sjellë pasoja të rënda, struktura përkatëse bën kallëzim penal.
  2. Kur institucionet, strukturat apo personat përgjegjës për fondin pyjor kombëtar, me veprimet apo mosveprimet e tyre, nuk kanë zbatuar përgjegjësitë ligjore, krahas detyrimit për ushtrimin e ndjekjes së procedurave disiplinore administrative, dënohen edhe me gjobë nga 100,000 lekë deri në 500,000 lekë sipas përcaktimeve në këtë ligj, dhe sipas rastit, bëhet edhe njoftimi zyrtar në organet e procedimit penal. Gjobat e parashikuara në këtë pikë vendosen nga Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë dhe kundër tyre mund të bëhet ankim brenda 10 ditëve pranë Ministrit, i cili duhet të shprehet brenda 10 ditëve. Kundër vendimit të Ministrit mund të bëhet ankim në gjykatën kompetente brenda 30 ditëve nga data e shpalljes së vendimit.

 

Neni 32

Përgjegjësia për dëmet në fondin pyjor kombëtar

  1. Personi fizik apo juridik, veprimet ose mosveprimet e të cilit ndikojnë në ndotjen dhe/ose dëmtimin e fondit pyjor kombëtar, përveç përgjegjësive të tjera, mban edhe përgjegjësi financiare, duke përballuar kostot e shkaktuara nga ky dëmtim apo rrezik për fondin pyjor kombëtar, mbështetur në parimin “dëmtuesi paguan”. Përgjegjësia për dëmin e shkaktuar në fondin pyjor kombëtar, garanton:
  1. parandalimin dhe zhdëmtimin e të gjithë dëmit që i shkaktohet fondit pyjor kombëtar;
  2. rehabilitimin e pjesëve të dëmtuara të fondit pyjor kombëtar;
  3. prezantimin e masave dhe praktikave për minimizimin e rrezikut të dëmtimit të pyjeve.
  1. Veprimtaritë që konsiderohen të rrezikshme dhe dëmtuese për fondin pyjor kombëtar, kriteret në bazë të të cilëve bëhet vlerësimi i kërcënimit të mundshëm dhe përcaktimi i dëmit në fondin pyjor kombëtar, si dhe metoda për përcaktimin e kostove dhe specifikimin e shpenzimeve për eleminimin apo rehabilitimin e dëmit të shkaktuar, bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave.
  2. Masat që lidhen me rehabilitimin e pjesëve të dëmtuara të fondit pyjor kombëtar, miratohen me udhëzim të Ministrit.

 

Neni 33

Procedimi në fondin pyjor

  1. Të drejtën e procedimit administrativ për zbatimin e këtij ligji e kanë strukturat përgjegjëse për pyjet sipas këtij ligji nëpërmjet inspektorëve përkatës të tyre, të cilët kur evidentojnë shkelje:
  1. mbajnë procesverbal në momentin e konstatimit të kundërvajtjes, që nënshkruhet nga hartuesi i tij, dëshmitarët nëse ka të tillë dhe kundërvajtësi. Procesverbali është i vlefshëm edhe vetëm me nënshkrimin e hartuesit, sipas kompetencës territoriale.
  2. dokumentojnë shkeljet me të gjithë mjetet e mundshme, foto, regjistrime zanore e video.
  3. ndjekin procedurat e mëtejshme për dënimin e kundërvajtësit sipas ligjit dhe detyrimin për shpërblimin e dëmit, deri në ekzekutimin e tyre.
  1. Inspektorët e pyjeve kanë të gjitha të drejtat për të hyrë, kontrolluar, realizuar procesin e inspektimit dhe për të marrë masat përkatëse të procedimit, si dhe të bllokimit apo sekuestrimit, në rastet e shkeljeve.
  2. Masa e gjobës përcaktohet, në çdo rast, në përpjesëtim të drejtë me rëndësinë dhe natyrën e kundërvajtjes së konstatuar dhe pasojat e ardhura, me rrethanat, përgjegjësinë dhe pjesëmarrjen në vendimmarrje të zyrtarit ose të kundërvajtësit dhe me faktin nëse kundërvajtësi është përsëritës apo jo.
  3. Në rast përsëritjeje të kundërvajtjes, kundërvajtësi dënohet me dyfishin e vlerës së gjobës.
  4. Në përputhje me rastet dhe nevojat, krahas dënimit kryesor me gjobë, merren edhe masa urgjente sipas ligjit përkatës për kundërvajtjet administrative dhe për inspektimin.
  5. Për subjektet e dënuara, struktura përgjegjëse për pyjet sipas këtij ligji, paraqet kërkesën për heqjen e licencës përkatëse dhe autoritetet përgjegjëse janë të detyruar të marrin vendim për heqjen e licencës brenda pesë ditëve. Subjekti, të cilit i është hequr licenca, nuk mund të pajiset më me të njëjtën licencë për 5 vitet në vijim.
  6. Për çdo rast kundërvajtjeje administrative apo vepre penale të kryer ndaj fondit pyjor kombëtar, vlerësohet edhe dëmi real që është shkaktuar (llogaritur sipas tarifave përkatëse) dhe kërkohet zhdëmtimi i tij nga personi/subjekti përgjegjës sipas ligjit.
  7. Procedura dhe vendimmarrja për dënimin dhe masat përkatëse, ankimi dhe ekzekutimi, rregullohen nga legjislacioni në fuqi për kundërvajtjet administrative dhe inspektimin. Përmbajtja dhe modelet e akteve për kundërvajtjet në pyje, miratohen me urdhër të Ministrit.
  8. Të ardhurat që vijnë nga ekzekutimi i vendimeve të dënimit dhe masave përkatëse, derdhen në fondin e pyjeve në buxhetin e institucionit përkatës, me detyrimin për t’u investuar përsëri në pyje.

 

 

KREU VIII

DISPOZITAT KALIMTARE DHE TË FUNDIT

 

Neni 34

Shfuqizimet, marrëdhënia me ligjet e tjera dhe aktet nënligjore

  1. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, shfuqizohen Ligji nr. 9385, datë 04.05.2005, “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”, i ndryshuar, si dhe të gjitha aktet dhe dispozitat ligjore e nënligjore që vijnë në kundërshtim me këtë ligj.
  2. Aktet nënligjore të miratuara përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe për aq sa nuk bien ndesh me të, mbeten në fuqi dhe do të zbatohen deri në miratimin e akteve të reja nënligjore.
  3. Për të reduktuar ndërhyrjet mbi fondin pyjor kombëtar, frenimin e degradimit si pasojë e mbishfrytëzimit apo dëmtime të tjera, mund të vendosen ndalime me ligj të veçantë për periudha të caktuara kohore që gjykohen të nevojshme për përmirësimin dhe rehabilitimin e gjendjes së fondit pyjor kombëtar.
  4. Të gjitha ato përcaktime në këtë ligj që janë në kundërshtim me ligjin nr. 5/2016 “Për shpalljen e moratoriumit në pyje në Republiken e Shqipërisë”, nuk do të zbatohen deri në momentin që ky moratorium do të jetë në fuqi.
  5. Kuadri ligjor ekzistues i fushave apo sektorëve të tjerë, që ndikon dhe ndërlidhet me fondin pyjor kombëtar, duhet të harmonizohet me përcaktimet e këtij ligji, duke përfshirë legjislacionin mbi zonat e mbrojtura, mbi bimët mjekësore, eterovajore e tanifere natyrore, mbi gjuetinë, florën dhe faunën e egër, mbi planifikimin dhe zhvillimin e territorit, mbi kadastrën shtetërore, etj. Në çdo rast, rëndësia kombëtare dhe interesi publik mbi fondin pyjor si pasuri kombëtare, prevalojnë mbi interesat e tjerë.

 

Neni 35

Dispozita Kalimtare

  1. Në funksion të ngritjes në rang kombëtar të një sistemi të integruar të planifikim-zhvillimit të fondit pyjor kombëtar, ngarkohet agjencia shtetërore përgjegjëse për pyjet të kryejë analizën e dokumenteve ekzistuese, vlerësimin e dokumenteve të planifikimit që janë të nevojshme për të gjithë fondin pyjor kombëtar, dhe përllogaritjen e kostove dhe afateve të nevojshme për hartimin e tyre.
  2. Strukturat, organet dhe institucionet ekzistuese në sektorin e pyjeve, vazhdojnë funksionimin e tyre deri në ngritjen/riorganizimin e strukturave, organeve dhe institucioneve të reja sipas përcaktimeve dhe afateve të këtij ligji.
  3. Ngarkohen organet e bashkive që brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të përcaktojnë dhe miratojnë ngritjen/riorganizimin e strukturave përgjegjëse për pyjet, ku përfshihen edhe ato kontrolluese, sipas përcaktimeve në këtë ligj dhe aktet nënligjore në zbatim.
  4. Agjencia shtetërore përgjegjëse për pyjet, në bashkëpunim me Inspektoratin Qëndror, unifikon praktikat për kontrollin dhe procesin e inspektimit në fondin pyjor kombëtar nga strukturat përgjegjëse në ushtrimin e kompetencave të tyre.
  5. Organi ekzistues inspektues, vazhdon të ushtrojë funksionin e vet sipas organizimit aktual deri në ngritjen dhe funksionimin e strukturave të reja kontrolluese/inspektuese, sikurse parashikohet në ndryshimet e bëra në këtë ligj dhe në aktet nënligjore.
  6. Çdo referim në ligje të tjera tek Inspektorati/Policia Pyjore dhe për shkelje në fondin pyjor kombëtar, do të nënkuptojë respektivisht kontrollin dhe procesin e inspektimit sipas strukturave të përcaktuara në këtë ligj dhe në aktet nënligjore, përveç mbrojtjes dhe sigurisë së pyjeve ndaj veprave penale në to për të cilat bëhet referim në strukturat e posaçme të mbrojtjes së pyjeve pranë Policisë së Shtetit.

 

Neni 36

Detyrimet për nxjerrjen e akteve

  1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave dhe ministri përgjegjës për pyjet, që pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, të nxjerrin aktet nënligjore përkatëse.
  2. Ngarkohen ministrat përgjegjës për pyjet, financat, punën dhe çështjet sociale, që brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojnë udhëzimin e përbashkët në zbatim të nenit 11, pika 3, shkronja “b” të këtij ligji, si dhe të hartojnë propozimet e përbashkëta në zbatim të nenit 21 pika 5 dhe nenit 23 pika 6 të këtij ligji.
  3. Agjencia shtetërore përgjegjëse për pyjet, brenda 12 muajve nga fillimi i veprimtarisë së saj, realizon miratimet, harton standardet, specifikimet, rregullat, lejimet dhe ushtron detyrat e parashikuara në këtë ligj.

 

Neni 37

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

 

 

[1] Ky ligj përafron Rregulloren e Këshillit (KE) nr.2173/2005, 20 dhjetor 2005, “Për ngritjen e një skeme licencimi FLEGT për importin e drurit në Komunitetin Evropian” CELEX_32005R2173, OJ L 347, 30.12.2005, p. 1-6, dhe Rregulloren (BE) nr.995/2010, të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, 20 tetor 2010, që përcakton detyrimet e operatorëve, të cilët vendosin dru/lëndë druri dhe produkte druri në treg" CELEX_32010R0995, OJ L 295, 12.11.2010, p. 23-34.

Nuk ka ende asnjë koment për këtë konsultim

Identifikohu për të komentuar