P R O J E K T L I G J PËR AKTIVITETET E TURIZMIT DETAR

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit

|

Postuar më: 18.02.2020

PDF

|

XML

koka e ligjit

 

 

 

 

 

 

 

P R O J E K T L I G J

 

Nr.______, datë _____

 

PËR AKTIVITETET E TURIZMIT DETAR

 

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

 

K U V E N D I

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

 

V E N D O S I

 

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

 

Neni 1

Objekti

 

Objekti i këtij ligji është përcaktimi i rregullave, kushtet dhe kriteret për aktivitetet e turizmit detar dhe mjetet lundruese për zbavitje, infrastrukturën e nevojshme për ushtrimin e tyre, si edhe përckatimin e përgjegjësive insitucionale për këtë fushë në Republikën e Shqipërisë.

 

Neni 2

Fusha e zbatimit

 

Dispozitat e këtij ligji zbatohen për:

 

a) aktivitetet e turizmit detar që zhvillohen përgjatë vijës bregdetare dhe në ujërat e brendshme të lundrueshme të Republikës së Shqipërisë nga persona fizikë dhe juridik, vendas dhe të huaj;

 

c) individë, vendas apo të huaj, të cilët kryejnë lundrime për argëtim, me mjetet e tyre lundruese ose të marra me qira, në ujërat e brendshme të lundrueshme të Republikës së Shqipërisë;

 

ç) mjetet lundruese vendase dhe mjetet lundruese të huaja, të cilat kërkojnë të hyjnë dhe/apo të përdorin hapësirën detare shqiptare, për qëllime private apo tregtare në fushën e aktiviteteve të turizmit detar.

 

Neni 3

Përkufizime

 

Në këtë ligj, termat e mëposhtme kanë këto kuptime:

 

1. “Aktivitetet e turizmit detar”, janë veprimtaritë që ushtrohen në ujrat e brendshme të lundrueshme të tilla si lundrimi për zbavitje, Serf, Zhytje çlodhëse, windsurf, ski në ujë, wake board, motor uji, peshkim për turizëm etj..

 

2. “Autorizimi” është miratimi që organet kompetente shtetërore i japin një mjeti lundrues detar të huaj për të hyrë në ujërat e brendshme, të lundrueshme shqiptare për qëllime turistike.

 

3. “Bovë” është një enë pluskuese si fuçi, që vihet në det si shenjë ose për të lidhur aty përkohësisht varkat e anijet e vogla.

 

4. “Jahti” është një mjet lundrues i drejtuar nga motori motorik ose vela, i cili mund të ketë më shumë se një byk, i destinuar dhe i pajisur për qëndrim të gjatë në det, në kohën e lirë, për sport dhe zbavitje, me  gjatësi më të madhe se 10 m, i cili përdoret për nevoja personale apo aktivitet  fitimprures

 

5. “Krocierat” janë anije lundruese me kapacitet të madh të cilët mund të transportojnë persona, për qëllime turisitike në vende të ndryshme brenda ujërave  territoriale të Republikës së Shqipërisë, ose midis disa shtete.

 

6 “Kitesurfing” është aktiviteti nëpërmjet të cilën përdoret një dërrasë lundruese, që shfrytëzon fuqinë e erës me një balonë të madhe dhe të kontrollueshme dhe që shtyhet nëpër ujë.

 

7. “Kontrata e çartërimit “Bareboat” për mjetin lundrues për argëtim”, në kuptim të këtij ligji është kontrata sipas së cilës njëra nga palët merr përsipër t’i dorëzojë palës tjetër mjetin lundrues, për një periudhë të caktuar kohe, kundrejt pagesës së një tarife, pa ekuipazh.

 

8. “Kontrata “Çarter me kohë” e mjetit lundrues për zbavitje”, në kuptim të këtij ligji është kontrata me të cilën njëra palë merr përsipër të vërë në dispozicion të palës tjetër mjetin lundrues, për një periudhë të caktuar kohore, kundrejt një pagese të caktuar, përfshirë kapitenin dhe ekuipazhin.

 

9. “Librezë lundrimi” është akti që vërteton se një mjet lundrues, i cili regjistrohet në Regjistrin e Mjeteve Lundruese Shqiptare, plotëson kërkesat ligjore për regjistrim dhe i ka të dhënat teknike për të kryer një ose disa veprimtari të caktuara në fushën e detarisë.

 

10. “Lundrimi për zbavitje” është ai lloj lundrimi, i cili realizohet me mjetet lundruese për zbavitje të përcaktuara nga ky ligj dhe në përputhje me legjislacionin detar në fuqi, qëllimi  specifik i të cilit është çlodhja dhe argëtimi. 

 

11. “Lundrim mbi dallgë” (Surf) është një aktivitet që ushtrohet në ujërat sipërfaqësor, në të cilin ushtruesi hipën në anën e përparme ose në sipërfaqen e një dallge në lëvizje, që zakonisht e mbart/zhvendos drejt bregut.

 

12. “Mjetet të tjera turistike” jane mjete lundrimi për zbavitje të cilat nuk përfshihen në kategorinë e Jahtit apo Krocerës dhe përcaktohen sipas nenit 11 të këtij ligj.

13. “Mjet i lundrimit për zbavitje” janë  mjetet e lundrimit të destinuara dhe përdorura për qëllime turistike të tilla si jahti, krocera apo mjete të tjera turistike. Ato kategorizohen sipas gjatësisë (LOA) dhe/apo cilindratit të motorrit por jo tonazhit.

 

14. “Operator te Turizmit Detar” ka të njëjtin kuptim si operatori turistik i parashikuar në ligjin legjislacionin për turizmin dhe i nështrohet të njejtës procedurë licensimi sipas ligjit për turizmin. 

 

15. “Peshkim për turizëm” ka të njëtin kuptim sipas legjislacionit në fuqi për peshkimin.

 

16. “Pontil” ka të njëjtin kuptim sipas legjislacionit për portet turistike.

 

17. “Port turistik” ka të njëjtin kuptim sipas legjislacionit për portet turistike.

 

18. “Stacion sezonal ankorimi” është një grup bovash së bashku me infrastrukturë provizore të përshtashme për ankorimin e mjeteve lundruese për zbavitje e cila mund të vendoset edhe në funksion të hoteleve apo restaranteve gjatë sezonit veror.

 

19. “Windsurf”, është aktiviteti i hipjes në ujë në një dërrasë me vela.

 

20. “Wakeboard” është aktiviteti i hipjes në një dërrasë lundruese të vogël dhe kryerjes së manovrave akrobatike, ndërsa tërhiqet pas nga një varkë me motor.

 

21. “Ujëra të brendshme, të lundrueshme” ka të njëjtin kuptim si ligji për portet turistike.

 

22. “Zhytja” është aktiviteti për qëllime zbavitje dhe argëtimi që ushtrohet nga individët, në përputhje me parashikimet e këtij ligji.

 

 

KREU II

AKTIVITETET E TURIZMIT DETAR

 

Neni 4

Aktivitetet turistike detare

 

1. Aktivitetet turistike detare që kryhen nëpëmjet mjeteve të lundrimit për zbavitje, të cilat lundrojnë dhe parkojnë/ankorojnë në ujërat e brendshme, të lundrueshme, mund të jenë:

a) lundrimi për zbavitje në ujrat e brendshme, të lundrueshme;

b)peshkim për turizëm, peshkim nën ujë dhe zhytje çlodhëse, duke mbajtur një distancë më të madhe se 500 m nga plazhet e frekuentuara nga notarët, si dhe të paktën 100 metra nga rrjetat e peshkimit të peshkatarëve profesionistë;

b) aktivitete të tjera ujore, si windsurf, ski në ujë, wake board, motor uji, etj., duke mbajtur një distancë prej të paktën:

i) 300 metra nga plazhet e frekuentuara nga notarët;

ii) 100 metra nga mjetet fryrëse që sinjalizojnë praninë e zhytësve në skuba dhe

iii) 200 metra nga impiantet fikse, nga rrjetat dhe nga impiantet e akuakulturës.

c) kitesurfing, e cila kryhet në një distancë mbi 150 metrash nga bregu.

 

2. Rregullat më të hollesishme për zhvillimin e këtyre aktiviteteve, standardet që duhet të plotësojnë mjetet/pajisjet për aktivitetet e përcaktuara në pikën 1 të këtij nenin, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për turizmin.

 

Neni 5

Operatorët e turizmit detar

 

1. Aktivitetet e turizmit detar për qëllime çlodhëse dhe argëtuese ofrohen vetëm nga  operatorët e turizmit detar, të licencuar dhe që ofrojnë për klientët shërbime për ushtrimin e  aktiviteteve të përcaktuara nga ky ligj.

 

2. Operatori i turizmit detar është operatori turistik i licencuar në përputhje me ligjin për turizmin dhe ligjin për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë, me kusht që të ofrojë shërbime për të paktën një nga aktivitetet e përcaktuara në pikën 1 të nenit 3 të këtij ligji.

 

3. Operatori i turizmit detar, para fillimit të aktiviteteve të turizmit detar, pajiset me certifikatë për ushtrimin e këtyre veprimtarive nga ministria përgjegjëse për turizmin. Kriteret dhe procedura për certifikimin përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për turizmin.

 

4. Operatorët janë përgjegjës për përmbushjen e të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga ky ligj dhe mospërmbushja e tyre i ngarkon me përgjegjësi administrative sipas nenit 28.

 

 

Neni 6

Harta për ushtrimin e aktiviteteve të turizmit detare

 

1. Aktivitetet e turizmit detar mund të ushtrohen vetëm në vende të lejuara, sipas hartës të publikuar nga ministria përgjegjëse e turizmit dhe monitorohet nga struktura përgjegjëse inspektuese në turizëm.

 

2. Harta për ushtrimin e aktiviteteve të turizmit detar hartohet nga ministria përgjegjëse për turizmin në bashkëpunim me ministritë përgjegjëse për peshkimin, mbrojtjen, kulturën dhe transportet, bazuar në kriteret e sigurisë, gjeografike, kulturore etj., duke marrë në konsideratë shfrytëzimin e hapësirës detare edhe për qëllime të tjera.

 

3. Miratimi i hartës, rregulla me të hollësishme për bashkëpunimin midis institucioneve, përgjegjësitë përkatëse, miratohen më vendim të Këshillit të Ministrave me propozim të ministrit përgjegjës për turizmin. 

 

 

Neni 7

Klientët e aktiviteteve të turizmit detar

 

 

 1. Klientët e aktiviteteve të turizmit detar janë shtetasit shqiptar apo të huaj që ushtrojnë këto aktivitetet në ujrat e brendshme të lundrueshme dhe ndahen në amatorë dhe profesionistë.

 

2.Kur klientët kërkojnë ofrimin e shërbimit të aktiviteteve të turizmit detar pranë një operatori të turizmit detar, ky operator ka detyrimin që në varësi të klientit ti garantojnë shërbimin me udhërrëfyes të licencuar për këto lloj aktivitesh sipas ligjit për turizmin.

 

3. Pavarësisht parashikimit të pikës 2, për klientin amator, operatori i turizmit detar ka detyrimin e garantimit të shërbimit me udhërrëfyes të licencuar.

 

 

 

KREU III

KATEGORIZIMI I MJETEVE LUNDRUESE DHE PËRDORIMI I TYRE

 

 

Neni 8

Mjetet lundruese për zbavitje

 

1. Mjetet lundruese për zbavitje, sipas përcaktimit të pikës 13 të nenit 3, mund të jenë në pronësi/përdorim të vetë individit, ose në pronësi/përdorim të operatorëve të turizmit detar.

 

2. Mjetet lundruese për zbavitje të përcaktuara në këtë Kre mund të përdoren për qëllime tregtare kur:

  1. janë objekt i kontratave të qirasë;
  2. përdoren për mësimin profesional të lundrimit për zbavitje;
  3. përdoren si një mjet mbështetës për zhytjet nënujore të kryera për qëllime sportive ose çlodhëse.

3. Përdorimi i mjeteve lundruese për zbavitje për qëllime tregtare duhet të regjistrohet në regjistrin detar, me një shënim të veçantë si mjet lundruese për zbavitje dhe të plotësojnë këto kritere:

a)  të jenë më të reja se 15 vjet;

b)  të kenë rinovuar certifikatën e përshtatshmërisë çdo vit;

c) të kenë policën e sigurimit, brenda periudhës së vlefshmërisë dhe që garanton jetën, shëndetin e klienteve si edhe përgjegjësinë për dëmet që mund t’u shkaktohen të tretëve.

           

4. Rregulla më të hollësishme për mjetet lundruese për zbavitje si dhe kushtet që duhet të plotësojnë këto mjete përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për turizmin.

 

 

Neni 9

Jahtet

 

1. Në varësi të regjimeve juridike të përshtatshme, jahtet ndahen në:

  1. jaht për veprimtari fitimprurëse, i cili është një jaht i destinuar për dhënie me qira me ekuipazh ose pa të;
  2. jahti për nevoja personale të individëve vendas ose të huaj, i cili është në pronësi të tyre, dhe nuk përdoret për veprimtari fitimprurëse.

 

2. Operatorët të turizmit detar të cilët përdorin jahte për veprimtari fitimprurëse, duhet të regjistrohen dhe licencohen në Shqipëri, në përputhje me kërkesat e këtij ligji.

 

3. Operatori i turizmit detar, në rastin kur jahtin e përdor për veprimtari fitimprurëse, ka detyrimin ta regjistrojë në regjistrin detar, në përputhje me dispozitat e Kodit Detar, përpara dhënies me qira apo në përdorim në një nga format e kontratave të çartërimit “Bareboat” apo “Çarter me kohë”.

 

Neni 10

Krociera

 

1. Krociera mund të përdoret brenda vendit vetëm kur është e regjistruar në regjistrin detar shqiptar dhe është në pronësi/ përdorim të operatorëve të turizmit detar, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

 

2. Krocierat e huaja, mund të hyjnë në ujërat e brendshme, të lundrueshme në përputhje me parashikimet e Kodit Detar dhe pasi të plotësojnë kushtet e mëposhtme:

a) të jenë pajisjur me autorizim sipas procedurave të parashikuara në këtë ligj, në rastin kur krocera nuk ka qëllim zbarkimin e klientëve për qëllime turistike në tokë, dhe

b) të jenë pajisjur me autorizim dhe të ketë kontatë të lidhur me operatorin turistik shqiptar ose udhërëfyesin e certifikuar për ofrimin e shërbimit turistik, në rastin kur kanë qëllim zbarkimin e klientëve për qëllime turistike në tokë.

 

Neni 11

Mjetet e  tjera turistike

 

1)Mjetet e tjera turistike kategorizohen në:

 

a) mjete për lundrim brenda 1 milje nga bregdeti, si pedalonët, sërf me vela dhe motorë, kanoa, kajak, motora uji (akuaskuter) dhe të ngjashme;

b) mjete me gjatësi të skafit të barabarta ose më pak se 10 metra gjatësi totale (LOA), të përshtatshme për t’u përdorur brenda kufijve të ujërave territoriale;

c) mjete lundruese me gjatësi të skafit të përfshirë mes 10 dhe 24 metra gjatësi totale (LOA);

ç) mjete lundruese me gjatësi të skafit më të madh se 24 metra gjatësi totale (LOA);

d) mjete lundruese pavarësisht gjatësisë së skafit të përdorura për qëllime tregtare përfshirë këtu dhe mjetet të pajisura ekskluzivisht për qira për qëllime turistike dhe lundrim ndërkombëtar;

e)të gjithë mjetet lundruese që kanë motor me cilindratë më të madhe se 750 cc kur janë me karburim apo injeksion me dy kohë, ose 1000 cc me karburim apo injeksion me katër kohë jashtë kuverte (fuoribordo), ose 1300 cc kur janë me karburim apo injeksion me katër kohë brenda kuvertës (entro bordo), apo 2000 cc kur janë me cikël diesel jo të mbiushqyer, apo 1300 cc kur është me cikël diesel të mbiushqyer, sidoqoftë me një fuqi më të madhe se 30 kË ose 40,8 CV.

2. Rregullat më të hollësishme për përdorimin e tyre për qëllime turistike si dhe regjistrimi i tyre, përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për transportet dhe ministrit përgjegjës për turizmin.

Neni 12

Kontratat për qëllime tregtare të mjeteve lundruese

 

1. Kontratat që mund të lidhen me qëllim realizimin e aktiviteteve turistike detare për zbavitje janë kontrata “Bareboat” dhe “Çarter me kohë”. Këto kontrata mund të lidhen vetëm kur njëra nga palët është operator turistik detar i licensuar në Republikën e Shqipërisë.

 

2. Kontrata “Bareboat” e mjetit lundrues përcakton të drejtat dhe detyrimet mes palëve si dhe dorëzimin e mjetit te përfituesi, i cili merr përsipër përgjegjësitë dhe rreziqet gjatë lundrimit. Kjo kontratë duhet të hartohet me shkrim, të nënshkruhet nga palët dhe të mbahet në bord, kopja origjinale ose një kopje e njehsuar me origjinalin. Në rast të një klienti të huaj, dëshmitë e Kapitenit njihen provizorisht për drejtimin e mjetit lundrues për zbavitje deri në 24m.

 

3. Kontrata “Çarter me kohë” e mjetit lundrues përcakton të drejtat dhe detyrimet mes palëve si dhe parashikon që mjeti i dhënë në përdorim nuk dorëzohet por mbetet në dispozicion të përdoruesit, së bashku me ekuipazhin. Kjo kontratë  duhet të hartohet me shkrim dhe duhet të mbahet në bord, kopja origjinale ose një kopje e njehsuar me origjinalin.

 

4. Përfituesi/përdoruesi i mjetit lundrues, njofton elektronikisht nëpërmjet Zyrës së Shërbimit me një Ndalesë për Hyrjen në Shqipëri, lidhjen e njërës prej kontratave të parashikuara më sipër.

 

 

 

 

KREU IV

PËRDORIMI I HAPËSIRËS DETARE PËR AKTIVITETE TURISTIKE

 

Neni 13

Hyrja në ujërat territoriale shqiptare

 

1. Hyrja në ujërat e brendshme, të lundrueshme shqiptare bëhet sipas procedurave kufitare, portuale dhe doganore në fuqi.

2. Qëndrimi dhe lundrimi në ujrat e brendshme, të lundrueshme, të një mjeti të huaj lundrues për zbavitje lejohet pas marrjes së autorizimit, nëpërmjet Zyrës së Shërbimit me një ndalesë për hyrjen në Shqipëri, e cila ngrihet pranë kapitenerisë së porteve dhe bashkëvepron me institucionet e tjera kompetente.

3. Rregullat më të hollësishme për ngritjen dhe funksionimin e Zyrës së Shërbimit me një ndalesë, institucionet e përfshira, llojet dhe format e njoftimit që duhet të realizojnë subjektet, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave me propozim të ministrit përgjegjës për turizmin dhe ministrit përgjegjës për transportet. 

 

Neni 14

Dokumentacioni për hyrjen dhe qëndrimin

 

1. Mjetet e lundrimit zbavitës që hyjnë në ujërat territoriale shqiptare duhet të paraqesin kërkesë në rrugë elektronike, pranë Zyrës së Shërbimit me një Ndalesë, të shoqëruar me dokumentacionin e mëposhtëm:

a)  Librezën e lundrimit, të marrë në përputhje me parashikimet e legjislacionit detar;

b) Certifikatë sigurie lëshuar nga një organ i autorizuar dhe brenda afatit të vlefshmërisë;

c) Polica e sigurimeve për dëmtimin e pronës dhe/ose palëve të treta e vlefshme në detin territorial dhe në territorin shqiptar (Karta e Gjelbër);

ç) Kontratë dhënie në përdorim ose kontratë qiraje ekskluzivisht për mjetin e lundrimit, të lidhur me pronarin e mjetit;

d) Për mjetet që nuk regjistrohen, sipas parashikimeve të Kodit Detar, duhet të paraqitet edhe certifikata e përdorimit të motorit.

 

2. Për ekuipazhin dhe individët që janë në bordin e mjetit të lundrimit zbavitës, i kërkohet:

a) dëshmi aftësie e drejtuesit të mjetit lundrues për zbavitje;

b) pasaportë ose dokumentin e identitetit të vlefshëm për dalje jashtë vendit dhe brenda periudhës së vlefshmërisë së tij.

 

3.Aplikimi dhe dokumentacioni duhet të dorëzohen të paktën 24 orë para mbërritjes në ujërat brendshme, të lundrueshme shqiptare. Kërkesa elektronike duhet të përcaktojë parashikimin për datën e hyrjes dhe periudhën e qëndrimit në ujërat e brendshme të lundrueshme shqiptare.

 

Neni 15

Autorizimi

 

1. Zyra e Shërbimit me një Ndalesë, pas verifikimit të aplikimit dhe dokumentacionit shoqërues, lëshon autorizimin e hyrjes dhe qëndrimit në ujërat e brendshme, të lundrueshme shqiptare.

 

2. Autorizimi është i vlefshëm për një periudhë prej 18 muajsh dhe lejon që mjetet e lundrimit të lundrojnë në të gjitha ujërat e brendshme të lundrueshme dhe të parkojnë/ankorojnë sipas përcaktimit të këtij ligji. Me përfundimin e afatit të Autorizimit mjeti i lundrimit duhet të largohet nga ujërat territoriale shqiptare.

 

3. Në rastet kur mjeti i lundrimit mbetet në ujërat territoriale shqiptare përtej periudhës të parashikuar në Autorizimin, passjell përgjegjësi në përputhje me legjislacionin detar, doganor, administrativ në fuqi dhe sipas rastit edhe atë penal.

 

4. Elementët e formës dhe përmbajtjes së autorizimit përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për turizmin.

 

Neni 16

Përjashtimet për mjetet e lundrimit në ruajtje.

 

1. Mjeti i lundrimit mund të qëndrojë në ujërat e brendshëm, të lundrueshëm shqiptare edhe përtej afatit 18 mujor, nëse është arrestuar, bllokuar, sekuestruar, vendosur peng apo është vendosur masë sigurimi padie, sipas legjislacionit të brendshëm në fuqi dhe marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara nga vendi ynë. 

 

2. Me vendosjen në ruajtje të mjetit lundrues, institucioni që ka vendosur arrestimin, bllokimin, sekuestrimin njofton, në cdo rast edhe autoritetet doganore, në rrugë elektronike, duke i bashkëngjtur dokumentet e bordit si edhe kërkesën për vendosjen e vulave sipas parashikimeve të  legjislacionit doganor.

 

Neni 17

Dalja nga ujërat shqiptare në periudhën e vlefshmërisë së autorizimit

 

1. Gjatë periudhës së vlefshmërisë së autorizimit, mjeti i lundrimit mund të lëvizë lirshëm brenda ujërave të brendshëm, të lundrueshëm shqiptare dhe të ankorohet në vendet e përcaktuara nga ky ligj.

 

2. Mjeti i lundrimit mund të largohet nga  ujërat e brendshëm, të lundrueshëm shqiptare, gjatë periudhës së vlefshmërisë së autorizimit, pasi ka ndjekur procedurat e nevojshme të daljes. Në këtë rast autorizimi e humb vlefshmërinë e tij.

 

 

Neni 18

Lundrimi në det dhe ruajtja e jetës në det.

 

2. Kur kërkohet nga Konventa Ndërkombëtare për Parandalimin e Ndotjes nga Anijet, Konventa për mbrojtjen e jetës detare dhe zonës bregdetare mesdhetare, ose Konventa të tjera ndërkombëtare në të cilat Republika e Shqipërisë është palë, mjetet e lundrimit duhet të jenë të pajisura  me pajisjet e dizajnuara për të parandaluar ndotjen e detit nga vajrat dhe ujërat vajore, mbeturinat, me qëllim ruajtjen e detit nga substanca të tilla që mund të zbrazen dhe hidhen në det.

 

3. Në rast të përplasjes në det midis mjeteve të lundrimit të përmendura në këtë ligj ose midis tyre dhe mjetit shqiptar të lundrimit, zbatohet Rregullorja Ndërkombëtare për Parandalimin e Përplasjes në Det (COLREGS 1972), aq sa është e pajtueshme.

 

4. Në rast fatkeqësie në det zbatohen parashikimet e Konventës Ndërkombëtare të Kërkimit Detar dhe Shpëtimit (SAR).

 

 

KREU V

NDALIMET DHE KUFIZIMET

 

Neni 19

Ndalimet dhe kufizimet për peshkimin në turizëm

 

1. Gjatë ushtrimit të aktivitetit të peshkimin në turizëm, individit i ndalohet:

a) kapje ditore e peshkut, molusqeve dhe krustaceve në një sasi totale që tejkalon 5  kg, përveç në rastin e peshqve të vetëm me një peshë më të lartë;

b) marrja e mostrave të datave të detit (Lithophaga lithophaga);

c) mbledhja e llojeve të peshqve me madhësi më të vogël se masat e listuara në aktet nënligjore përkatëse për një maksimum total të 5 kg;

ç) përdorimi i pushkëve gjatë zhytjes nën ujë me përdorimin e cilindrave;

d) përdorimi i shtizave për të mitur nën moshën 14 vjeç që zhyten;

dh) vendosja ose lundrimi i një mjeti të lundrimit në një distancë më të vogël se 100  m nga mjetet fryrëse që sinjalizojnë praninë e zhytësve;

e) praktikimi i peshkimit natën.

 

2. Ushtrimi i këtij aktiviteti lejohet vetëm përmes përdorimit të pajisjeve të mëposhtme:

a) pllakë çati ose ekuilibri;     

b) shtrati ose rezzaglio ose skifteri harabel;

c) linja të fiksuara, si shufra me jo më shumë se tre grepa, linja të vdekura, rryma me jo më shumë se gjashtë grepa, linja për cefalopodë, raketa për t’u përdorur në këmbë;

ç) linjat sipërfaqësore dhe fundore dhe filaksion;

d) rrjeta për peshkim sipërfaqësor, shtizë, shtizë dore, shufër për cefalopodë;

dh) Parangale fikse ose rrjedhin/creels.

 

3.Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për turizmin dhe ministrit përgjegjës për peshkimin përcakton me vendim rregullat për ushtrimin e aktiviteteve detare, standardet për mjetet që mund të përdoren, llojin dhe sasinë e gjallesave detare që i lejohet të peshkojë, si edhe rregullat për shmangien e dëmtimit dhe ndotjes së mjedisit.

 

Neni 20

Ndalime dhe kufizime për mjetet e lundrimit për zbavitje

 

1. Klientët që përdorin mjeteve të lundrimit për zbavitje u ndalohet:

a) lidhja e mjetit në një distancë më të vogël se 300 m nga brigjet me rërë ose 150 m nga brigjet shkëmbore;

b) hedhja e mbeturinave në det dhe/ose derdhja e materialit ndotës nga mjetet e lundrimit për zbavitje që lundrojnë ose qëndrojnë në ujërat territoriale shqiptare;

c) lëshimi ose hedhja në det e vajrave, ujëra me vaj, mbeturinave, si dhe çdo substancë tjetër që mund të ndotë mjedisin nga mjetet e lundrimit për zbavitje;

ç) riparimi i paligjshëm i pasurive që i përkasin trashëgimisë arkeologjike nënujore, sipas Konventës së UNESCO-s për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Nënujore të vitit 2001 është e ndaluar.

 

 

 

 

KREU VI

INFRASTRUKTURA PËR AKTIVITETET E TURIZMIT  DETARE

 

Neni 21

Ankorimi i mjeteve lundruese turistike

 

1. Mjetet e lundrimit për zbavitje, si rregull kanë të drejtë të parkohen, sipas parashikimeve të këtij ligji, në të gjitha portet turistike, të cilat janë shpallur si të tilla, në përputhje me legjislacionin për portet turistike.

 

2 Mjetet e lundrimit për zbavitje mund të ankorohen/parkohen edhe në porte të tjera, me kusht që të ketë vende ankorimi të dedikuara për këtë qëllim.

 

3. Në këtë rast midis operatorit apo individit që përdor mjetin e lundrimit për zbavitje dhe subjektit që administron portin lidhet një kontratë-tip, e cila ndër të tjera duhet të përmbajë:

  1. identitetin e palëve;
  2. kushtet e ankorimit;
  3. kohën e ankorimit;
  4. tarifat që do të aplikohen;
  5. ruajtjen e mjetit gjatë ankorimit;
  6. mënyrën e përdorimit të mbetjeve të mjetit;
  7. masat për sigurinë dhe ruajtjen e mjedisit.

 

4. Ministria përgjegjëse për turizmin përcakton kushtet/ standardet që duhet të përmbushin portet e tjera, në të cilat ankorohen mjetet e lundrimi tpër zbavitje si dhe miraton modelin e kontratës-tip që lidhet mes palëve.

 

 

Neni 22

Portet dhe pontilet turistike

 

1. Në portin/pontilin turistik lejohen të gjitha aktivitetet e turizmit detar në përputhje me legjislacionin në fuqi për portet turistike.

 

2. Për ushtrimin e aktivitetit të turizmit detar, në portet turistike funksionon administrata e portit turistik, e cila bashkrendon punën me strukturën përgjegjëse për inspektimin në turizëm, për ushtrimin e veprimtarive brenda kërkesave të këtij ligji dhe ligjit në fuqi për portet turistike.

 

3. Mjetet e lundrimit detar për zbavitje lejohen të ankorohen në portet turistike dhe pontile, sipas kushteve dhe kritereve  të përcaktuar nga legjislacioni në fuqi për portet turistike.

 

Neni 23

Stacionet sezonale te ankorimit

 

1. Vendosja e stacioneve sezonale te ankorimit dhe bovave pranë brigjeve detare me qëllim ankorimin e mjeteve lundruese turistike, mund të bëhet nga persona fizikë ose juridikë, të cilët e kanë për objekt të veprimtarisë së tyre vendosjen e këtyre stacioneve dhe vetëm në zonat e përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

2. Personat fizikë ose juridikë, të interesuar për zhvillimin e këtij aktiviteti iu nënshtrohen procedurave të konkurimit publik, përveçse në rastet kur kontrata rinovohet sipas pikës 5 të këtij neni. Me fituesin, ministria përgjegjëse për turizmin lidh kontratën për dhënien në administrim të sipërfaqes ujore, si dhe për të drejtën e vendosjes së stacioneve sezonale me qëllim ankorimin e mjeteve lundruese turistike.

 

3. Kushtet e qirasë, ndër të cilat edhe afatet brenda të cilave duhet të fillojnë e të përfundojnë punimet për vendosjen e stacionit të bovave, përcaktohen në kontratën përkatëse që ministria përgjegjëse për turizmin lidh me subjektin fitues.

 

 

 

4.Kohëzgjatja e kontratës për dhënien në administrim të sipërfaqes ujore, si dhe për vendosjen e stacioneve sezonale me qëllim ankorimin e mjeteve lundruese turistike është deri në 15 vjet, me të drejtë rinovimi.

 

5. Ministria përgjegjëse për turizmin, miraton rinovimin e kontratës ekzistuese në rastet kur subjekti i cili ka fituar të drejtën për vendosjen e stacionit dhe administrimin e sipërfaqes ujore të nevojshme për këtë qëllim,  e kërkon atë deri në 3 muaj përpara përfundimit të afatit të kontratës.

 

6. Kërkesa për rinovimin e kësaj kontrate refuzohet në rastet kur:

a) ushtruesi i aktivitetit nuk ka përmbushur kërkesat për të cilat është lidhur kontrata dhe/ose nuk ka përmirësuar pikat e dobëta gjatë periudhës së ushtrimit të këtij aktiviteti, ashtu sikurse i është kërkuar në kontratën paraardhëse;

b) ushtruesi i aktivitetit ka shkelur dispozitat e këtij ligji apo ka vepruar në kundërshtim me kushtet e përcaktuara në kontratë;

c) kërkesa për rinovimin e kontratës nuk është në përputhje me Vendimin e Këshillit të Ministrave që parashikon zonat në të cilat mund të vendosen stacionet e bovave;

ç) kërkesa për rinovimin e kontratës bie ndesh me parimet e mbrojtjes së mjedisit, sipas legjislacionit në fuqi;

d) ushtruesi i aktivitetit ka pushuar zhvillimin/ushtrimin e kësaj veprimtarie.

 

7.Ndalohet vendosja e stacioneve të bovave me qëllim ankorimin e mjeteve lundruese nga subjektet fizike ose juridike pa qenë të pajisur me dokumentacionin e përmendur në pikat e mësipërme të këtij neni.

 

8. Vlerat e qirasë, sipas kategorive ujore, në të cilat lejohet vendosja e stacioneve të bovave të ankorimit, si dhe tarifa që paguajën mjetet lundruese turisitike që ankorohen në stacionet e bovave përcaktohen në vendimin e Këshillit të Ministrave, me proprozim të ministrisë përgjegjëse për turizmin.

 

 

Neni 24

Mbikqyrja e vendeve të ankorimit të mjeteve lundruese turistike

 

1. Mjetet lundruese turistike, si edhe vendet ku ankorohen ato i nënshtrohen mbikqyrjes së vazhdueshme nga ana e autoriteteve kompetente me qëllim, shmangien e:

            a) shkeljeve të legjislacionit doganor

            b) kryerjen e veprave penale

            c) ndotjen mjedisore

            ç) respektimin e standardeve turistike

 

2. Secili prej autoriteteve kompetente ka të drejtë që të ndërhyjë në përputhje me legjislacionin që rregullon fushën e tij të veprimit.

 

           

KREU VII

INSPEKTIMI DHE KUNDRAVAJTJET ADMINISTRATIVE

 

Neni 25

Inspektimi

 

1. Inspektimi i aktiviteteve të turizmit detar dhe operatorit të turizmit detar kryhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për inspektimin nga struktura përgjegjëse për inspektimin në fushën e turizmit.

 

Neni 26

Kundravajtje administrative

 

1. Kur nuk përbëjnë vepër penale, shkeljet e mëposhtme janë kundravajtje administrative dhe dënohen me gjobë, përkatësisht::

 

a) Mosnjoftimi i lidhjes së kontratave për mjetet lundruese sipas nenit 12 të këtij ligji dënohet me gjobë nga 10.000Lekë deri në 50.000Lekë.

 

b) Hyrja dhe/ose lundrimi në ujërat e brendshme, të lundrueshme pa autorizim sipas nenit 13, dënohet me gjobë nga 10.000lekë deri në 50.000Lekë.

 

c) Hyrja dhe/ose lundrimi në ujërat e brendshme territoriale, përtej afatit të autorizimit dënohet me gjobë nga nga 10.000 lekë deri në 50.000 Lekë.

 

ç) Ushtrimi i aktiviteteve detare për zbavitje jashtë vendeve të miratuara, sipas nenit 18 të këtij ligji dënohet me gjobë nga 10 000 Lekë deri në 50 000 Lekë.

 

d) Kryerja e aktiviteteve detare për zbavitje duke mosrespektuar ndalimet e parashikuara nga neni 6 i këtij ligji dënohet me gjobë nga 10.000 Lekë deri në 30.000 Lekë.

 

dh) Ushtrimi i veprimtarisë së operatorit detar të turizmit pa licencën/certifikatën përkatëse janë subjekt i sanksioneve administrative nga 10 000 Lekë deri në 50.000 Lekë.

 

2. Procedurat e konstatimit, vendosjes, ankimit dhe ekzekutimit të gjobave bëhen në përputhje me legjislacionin në fuqi për kundërvajtjet administrative.

 

3. Subjektet e gjobitura duhet të paguajnë gjobën brenda 10 ditëve nga data kur vendimi i dënimit me gjobë është bërë titull ekzekutiv.

 

 

Neni 27

                                                            Ankimi

 

 1. Ankimi administrativ, në lidhje me gjobat, do të bëhet në përputhje me përcaktimet në dispozitat e legjislacionit në fuqi për kundërvajtjet administrative.

 

 2. Ankimi administrativ, në lidhje me licencat, do të bëhet në përputhje me përcaktimet në dispozitat e ligjit nr. 10 081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

 

3. Pas përfundimit të procedurave të ankimit administrativ, sipas pikave 1 dhe 2 të këtij neni, mund të bëhet ankim në gjykatën administrative, brenda afateve dhe sipas procedurave të parashikuara në legjislacionin për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative.

 

KREU VIII

DISPOZITAT E FUNDIT

 

Neni 28

Aktet nënligjore

 

Ngarkohet Këshilli i Ministrave që të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të nenit 4, pika 2, nenit 6, pika 3, nenit 13, pika 3 nenit 18 pika 3, si edhe nenit 23, pikat 1 dhe 10, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi këtij ligji.

 

Ngarkohet ministri përgjegjës për turizmin dhe ministri përgjegjës për transportet që të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të nenit 8, pika 4, nenit 11, pika 2, nenit 15, pika 4 dhe nenit 25, pika 4, brenda 6 nga hyrja në fuqi e këtij ligji

 

Neni 29

Hyrja në fuqi

 

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë mbas botimit në Fletoren Zyrtare.

 

 

 

 

 

 

 

 

KRYETARI

 

Gramoz RUÇI

Nuk ka ende asnjë koment për këtë konsultim

Identifikohu për të komentuar