Projektligji 'Per Formulen e Privatizimit te Klubeve Sportive'

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë

|

Postuar më: 20.09.2018

PDF

|

XML

 

stema1

  REPUBLIKA E SHQIPËRISË

KUVENDI

 

P R O J E K T L I GJ

 

Nr._____/2018

 

PËR 

 PËRCAKTIMIN E FORMËS DHE FORMULËS SË PRIVATIZIMIT TË KLUBEVE SPORTIVE

 

Në mbështetje të neneve 78, 83 pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

 

Neni 1

Qëllimi

 

Qëllimi i këtij ligji është të përcaktojë formën dhe formulën e privatizimit të klubeve sportive, në pronësi të organeve të qeverisjes qendrore dhe njësive të vetëqeverisjes vendore.

 

Neni 2

Objekti

 

  1. Të gjithë klubet sportive në pronësi të organeve të qeverisjes qendrore dhe njësive të vetëqeverisjes vendore, të cilët nuk janë të organizuar ende në formën e një shoqërie aksionare (sh.a.), brenda 12 (dymbëdhjetë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji duhet të shndërrohen në shoqëri aksionare (sh.a.) në përputhje me ligjin nr. 7926/1995 “Për transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare”, të ndryshuar.
  2. Organi shtetëror që ka në përgjegjësi administrimi ose në pronësi klubin sportiv dhe/ose që ka në pronësi pronat, asetet, titujt, markat tregtare dhe emrin e mirë të klubit sportiv, vendos si kontribut në natyrë në kapitalin themeltar të shoqërisë aksionare që do të krijohet, të gjithë pronat dhe asetet e klubit sportiv. Vlera e këtyre pasurive do të llogaritet në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.
  3. Vendimi për privatizimin e klubit sportiv merret nga:
  1. Ministria përgjegjëse për ekonominë, nëse organi që ushtron të drejtat e pronarit të klubit sportiv është një institucion shtetëror qendror, pas miratimit nga organi shtetëror që ka në përgjegjësi administrimi ose në pronësi klubin sportiv;
  2. Organi që ushtron të drejtat e pronarit të klubit sportiv, sipas ligjit nr. 139/2015, datë 17.12.2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, nëse organi që ushtron të drejtat e pronarit të klubit sportiv është një njësi e vetëqeverisjes vendore.

4. Privatizimi i klubeve sportive realizohet nëpërmjet transferimit te subjektet e interesuar të aksioneve të zotëruara nga organet e pushtetit qendror dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore në këto klube sportive, sipas formulës së privatizimit të parashikuar në këtë ligj.

 

Neni 3

 Forma dhe formula

 

Forma dhe formula e privatizimit të aksioneve të klubeve sportive, janë si më poshtë:

 

  1. Nga 51 për qind deri në 100 për qind të aksioneve të kapitalit u ofrohen subjekteve të interesuar, të cilët mund të jenë shoqëri apo bashkim shoqërish, që zotërojnë garanci të nevojshme financiare.  Paketa e aksioneve të parashikuara në paragrafin e mësipërm transferohet nëpërmjet shitjes, me procedurë konkurruese. Sasia e aksioneve që privatizohet përcaktohet me vendim të organit shtetëror që ka në pronësi klubin sportiv apo të njësisë së vetëqeverisjes vendore që ka në pronësi klubin sportiv. 
  2. Subjekti që ka financuar ndër vite klubin sportiv dhe rezulton fitues në procedurën e privatizimit, përfiton zbritje nga çmimi final i privatizimit në masën e financimeve që nuk u janë njohur si shpenzime të zbritshme për efekt të tatimeve të paguara, sipas kritereve, procedurave dhe dokumentacionit për përllogaritjen e shpenzimeve të zbritshme përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
  3. Kriteret e vlerësimit të aksioneve që do të privatizohen, të përzgjedhjes së subjekteve të interesuara, vlerësimit të ofertave, si dhe procedura e privatizimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe bazohen në këta elementë :

a) Deri në 90 për qind e pikëve të kritereve të vlerësimit për shpalljen fitues, i caktohen:

i.  Investimit të subjektit të interesuar në klubin sportiv ose kontributit të drejtpërdrejtë në    klubin sportiv nëpërmjet financimit të parave cash;

ii. Eksperiencës së mëparshme në financime, përfshirje apo administrim të klubeve sportive;

iii. Kritere të tjera.

b) Deri në 10 për qind të pikëve të kritereve të vlerësimit për shpalljen fitues, i caktohen çmimit të ofruar për aksion.

 

Neni 4

Mos ndryshimi i destinacionit të objekteve sportive

 

  1. Destinacioni i objekteve sportive, në kuptim të ligjit nr. 79/2017, datë 27.04.2017 “Për sportin”, të cilat janë në pronësi të klubeve sportive, nuk mund të ndryshohet pavarësisht privatizimit, për të paktën 99 vjet.
  2. Për efekt të pikës 1 më sipër, kontrata për shitjen e aksioneve duhet të përmbajë:

a) detyrimin që subjekti i interesuar të mos ndryshojë destinacionin e objekteve sportive;

b) detyrimin e palëve për të regjistruar në regjistrat e zyrës vendore të pasurive të paluajtshme këtë kufizim të së drejtës së pronësisë;

c) parashikimin së në rast tjetërsimi të objektit sportiv, pronari i ri mbart të njëjtin kufizim të së drejtës së pronësisë.

  1. Në rastin kur subjekti i interesuar do të shembë dhe do të rindërtojë nga fillimi një objekt sportiv në pronësi të klubit sportiv të privatizuar, mbi objektin e ri sportiv të ndërtuar do të aplikohen të njëjtat ndalesa për mos ndryshimin e destinacionit, sipas pikës 2 të këtij neni.
  2. Destinacioni i objekteve sportive të cilat janë në pronësi të klubeve sportive, nuk mund të ndryshohet as në rast falimenti.

 

Neni 5

Aktet nënligjore

 

Ngarkohet Këshilli i Ministrave për miratimin e akteve nënligjore në zbatim të pikave 2 dhe 3 të nenit 3, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

 

Neni 6

Hyrja në fuqi

 

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

 

KRYETARI

GRAMOZ RUÇI

 

 

Propozimet dhe sugjerimet tuaja me qëllim përmirësimin e projekt ligjit janë të mirëpritura në adresat zyrtare të MASR:

erzen.tola@arsimi.gov.al

voltisa.koci@arsimi.gov.al

Nuk ka ende asnjë koment për këtë konsultim

Diskutimet për këtë konsultim janë mbyllur.