Projektligji "Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve"

Ministri i Shtetit per Administraten Publike dhe Antikorrupsionin

|

Postuar më: 10.09.2025

|

Data e Mbylljes: 08.10.2025

|

Statusi: Konsultim i mbyllur

|

Nr.Komenteve: 3

|

Nr.Shikimeve: 1550

PDF

|

XML

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin hap procesin e konsultimit publik për draft projektligjin “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”.

Ju ftojmë të dërgoni komentet dhe sugjerimet tuaja brenda 20 ditëve pune nga data e shpalljes së njoftimit të procesit të njoftimit dhe konsultimit publik.

Faleminderit!

Komentet nga qytetarët

arrow

KOMITETI SHQIPTAR I HELSINKIT

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), në vijim të traditës së monitorimit dhe vlerësimit të legjislacionit antikorrupsion, dhe veçanërisht të Ligjit nr. 60/2016 “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, ka shqyrtuar projektligjin e ri të publikuar në regjistrin elektronik të konsultimit publik.

Duke u bazuar në raportet tona monitoruese, rekomandimet e përsëritura ndër vite, kemi përgatitur këtë oponencë ligjore me qëllim që të ndihmojë procesin e konsultimit publik dhe përmirësimin e mëtejshëm të këtij projektligji.

KShH vlerëson pozitivisht faktin se projektligji reflekton disa nga shqetësimet dhe rekomandimet e rëndësishme të organizatës tonë në raportet e saj monitoruese që nga hyrja në fuqi e këtij ligji, ndër të cilat:

• Pranimin e sinjalizimeve anonime (neni 17), që mundëson hetimin edhe në mungesë të identitetit të sinjalizuesit.
• Mbrojtjen e sinjalizimeve publike (neni 18), në përputhje me Direktivën e BE-së 2019/1937.
• Zgjerimin e rrethit të subjekteve të mbrojtura (neni 6), duke përfshirë ndihmësit dhe personat e lidhur me sinjalizuesin.
• Forcimin e garancive për konfidencialitetin (nenet 10-12).
• Përcaktimin e procedurave për hetimin administrativ (nenet 20-21).
• Detyrimin për raportim vjetor nga Njësitë Përgjegjëse dhe ILDKPKI (neni 25).
• Harmonizimin e pjesshëm me Direktivën e BE-së në lidhje me fushën dhe mbrojtjen kundër hakmarrjes.

Këto ndryshime përbëjnë hapa pozitivë drejt forcimit të mekanizmave të sinjalizimit dhe shënojnë progres krahasuar me ligjin ekzistues.

II. Rekomandime të KShH-së për përmirësime të mëtejshme të projektligjit ose çështje që mund të sjellin ndryshime të nevojshme në draftin e propozuar projektligjit

1. Përbërja e Njësive Përgjegjëse (neni 4, pika 8 dhe neni 14, pika 6):

Projektligji lejon që Njësia Përgjegjëse të përbehet nga “1 ose më shumë punonjës”. KSHH vlerëson se përbërja me vetëm një punonjës, nuk garanton paanshmëri dhe as kapacitet të mjaftueshëm për hetim administrativ. Përbërja duhet të jetë të paktën 3-anëtarë, të trajnuar dhe me integritet profesional. Megjithëse, KShH vlerëson se është momenti që hartuesit e këtyre ndryshimeve të marrin në konsideratë faktin që njësitë përgjegjëse kanë mungesë të theksuar sinjalizimesh të cilat janë përqëndruar tek ILDKPKI për shkak të një besimi më të mirë të sinjalizuesve tek ky institucion, si mekanizmëm i jashtëm sinjalizimi. Në kushtet dhe kontekstin shqiptar, nisur nga kultura dhe perceptimi që kanë punonjësit (sinjalizuesit potencial) se nëpunësit e njësive nuk oftojnë garanitë e mjaftueshme për paanshmëri dhe objektivitet në trajtimin e ankesave të brendshme, ky ndryshim besoj do të ishte i nevojshëm, duke garantuar kapacitete njerëzore të mjaftueshme për ILDKPKI që trajton dhe shqyrton këto ankesa. Gjithashtu, do të reduktohej ngarkesa e ILDKPKI-së në supervizimin e të gjitha njësive përgjegjëse që raportojnë çdo vit, kryesisht pa rezultate konkrete, pranë saj.

Nëse ky rekomandim i KShH-së nuk pranohet, sugjerojmë që të paktën për sinjalizime drejtuar funksionarëve të lartë të një institucioni në nivel politik ose me status nëpunësi civil (Ministër, Sekretar i Përgjithshëm, Drejtor Kabineti, Drejtor i Përgjithshëm, etj), apo pozicione të tjera të larta në sektorin privat (President, Drejtor, etj), sinjalizimet të dërgohen detyrimisht drejtpërsëdrejti tek ILDKPKI-së, duke shmangur konfliktin e interesit.

2. Përdorimi i termit “kuadri ligjor” (neni 4, pika 12 dhe neni 13):

Ky term është tepër i gjerë dhe termi i sinjalizuesve lidhet me sinjalizimet në fushën e korrupsionit. Në ligjin ekzistues theksi ishte tek “korrupsioni dhe shpërdorimi i detyrës”. Duke e lënë të hapur “ cdo shkelje të kuadrit ligjor”, mund të rritet numri i sinjalizimeve për shkak të mungesës dhe qartësisë ligjore dhe minimizohet rëndësia e sinjalizimit të korrupsionit apo akteve të tjera të lidhura me të (si psh shpërdorimi i detyrës, shkeljet e barazisë në tendera, etj).

3. Rregulloret e brendshme të subjekteve (neni 14, pika 2 dhe 7):

Projektligji ia lë subjekteve përgatitjen e rregulloreve të brendshme, duke krijuar fragmentim dhe rrezik për standarde të ndryshme në këto akte të brendshme. KShH vlerëson se kriteret minimale duhet të përcaktohen qartë me ligj ose vendim të Këshillit të Ministrave.

4. Mungesa e kritereve për emërim dhe trajnim (neni 14, pika 5-6):

Projekt ligji nuk sqaron kush emëron anëtarët e NjP, kriteret e integritetit dhe profesionalizmit që duhet të plotësojnë, nevojën për trajnimin e tyre fillestar dhe vazhdues si dhe plotësimin e vakancave. Kjo lë hapësira për abuzim dhe dobëson funksionimin praktik të NjP-ve.

5. Hetimi administrativ (neni 20, pika 3-5):

Nëse nuk merret në konsideratë rekomandimi i KShH-së që te ketë vetëm një mkeanizëm sinjalizimi (ILDKPKI), lidhur me këtë dispozitë vërehet se NjP merr kompetenca të gjera, çka në parim është pozitive dhe i shërben hetimit të gjithëanshëm të sinjalizimit (mbledhjen e deklaratave, kryerjen e inspektimeve dhe ekspertizave). Megjithëse, këto detyra nuk mund të ushtrohen realisht nga një person i vetëm, prandaj kërkohet përbërje kolegjiale dhe trajnim i detyrueshëm në normat e procedurës administrative.

6. Masat ndëshkimore (neni 26):

KShH sugjeron rishikimin e gjobave me qëllim që ato të jenë proporcionale dhe në përputhje me formën, shkallën dhe pasojat e shkeljes.

9. Mungesa e kontrollit efektiv

Projektligji parashikon rol mbikëqyrës për ILDKPKI-në, por është e domosdoshme që ky institucion i pavarur të pajiset me burimet e nevojshme njerëzore dhe financiare për të kryer një monitorim cilësor dhe efektiv, në mënyrë periodike të rrjetit të gjerë të NjP-ve në sektorin publik dhe privat në të gjithë Shqipërinë.

10. Ndërgjegjësimi i punonjësve

Projektligji nuk përcakton qartë kush është i ngarkuar me ndërgjegjësimin e punonjësve. Përvoja ka treguar se shumica e punonjësve nuk e njohin ligjin dhe mekanizmat e tij. Ndërgjegjësimet duhe të jenë vazhduese si dhe duhet të targetojnë edhe punonjësit e rinj që pranohen në administratën publike.

11. Mungesa e shpërblimit për sinjalizuesit

Pavarësisht rekomandimeve, projektligji nuk parashikon mekanizma shpërblimi për sinjalizuesit, siç parashikohet në praktikat e disa vendeve të BE-së. Mungesa e shpërblimit vlerësohet si një nga faktorët shkurajues të mungesës së sinjalizimeve, bazuar në takimet periodike informuese që KSHH ka realizuar me punonjësit e sektorit publik në sektorë të cenueshëm nga korrupsioni në vendin tonë. Nëse një sinjalizues arrin të sinjalizojë me sukses një praktikë të vërtetë korrupsioni, duke parandaluar apo kursyer dëme buxhetit të shtetit, vendosja e një shërblimi do të kishte efekt pozitiv të dy kahshëm (si për shtetin dhe interesin publik si dhe për sinjalizuesin).

Sa më sipër, në mënyrë të përmbledhur, KShH sugjeron që:

1. Bazuar në veprimtarinë tonë në terren (ndërgjegjësuese) dhe monitorimet e realizuara, sugjerojmë të suprimohen njësitë përgjegjëse duke parashikuar si mekanizëm të vetëm sinjalizimi ILDKPKI-në si një organ i besueshëm që ofron garanci të pavarësisë dhe objektivitetit. Nëse ky rekomandim nuk pranohet, sinjalizimi drejtpërsëdrejti në ILDKPKI të kushtëzohet në rastet e sinjalizimeve ndaj funksioneve/pozicioneve të larta në sektorin publik dhe atë privat. Ndërkohë që përbërja e NjP-ve të jetë jo më pak se 3 anëtarë, me kritere të qarta për integritetin dhe trajnim të detyrueshëm.
2. Termi “kuadri ligjor” të zëvendësohet me një përkufizim më të qartë dhe më të kufizuar, duke përfshirë në mënyrë eksplicite korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës si dhe akte të tjera të lidhura me to.
3. Rregulloret e brendshme të jenë të unifikuara dhe të bazohen në standarte minimum të parashikuarë në ligj apo në një vendim të Këshillit të Ministrave.
4. ILDKPKI të pajiset me burimet e nevojshme njerëzore dhe financiare, me qëllim që të ushtrojë efektivisht dhe me cilësi, kompetencat kontrolluese dhe monitoruese sistematike.
5. Të parashikohet shpërblim ose stimuj për sinjalizuesit, për të rritur numrin e sinjalizimeve, parandalimin dhe ndëshkimin e rasteve të korrupsionit dhe për rrjedhojë edhe efektivitetin e ligjit.
6. Të parashikohen gjoba proporcionale, në raport me formën, shkallën dhe pasojat e shkeljeve të kryera.
7. Të krijohet një mekanizëm i detyrueshëm për ndërgjegjësimin periodik të punonjësve.

Ne besojmë se duke shqyrtuar dhe adresuar këto mangësi, legjislacioni i ri për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve do të mund të garantojë një sistem më të besueshëm, më efektiv dhe në përputhje me standardet evropiane.

Me konsideratë,
Komiteti Shqiptar i Helsinkit

Postuar më: 03.10.2025 10:16

arrow

PARTNERET - SHQIPERI PER NDRYSHIM DHE ZHVILLIM

Komente lidhur me projektligjin për Sinjalizimin dhe Mbrojtjen e Sinjalizuesve:
1. Projektligji i ri nuk përcakton shprehimisht shfuqizimin e Ligjit Nr. 60/2016, gjë që krijon pasiguri ligjore dhe mundësi për mbivendosje kompetencash ndërmjet dispozitave të reja dhe atyre ekzisuese.
2. Mungojnë dispozita kalimtare për strukturat ekzistuese të sinjalizimit, çka mund të sjellë ndërprerje në zbatimin praktik të mekanizmave aktualë.
3. Projektligji i referohet ILDKPKI-së si organ i pavarur, por pa përcaktuar garanci konkrete për pavarësinë funksionale dhe buxhetore, siç kërkohet nga Direktiva e BE-së, për aq kohë sa institucioni mbetet financiarisht i varur nga qeveria.
4. Nuk është sqaruar bashkëpunimi me organet e tjera të zbatimit të ligjit (SPAK, ILD, Prokuroria), duke rrezikuar mbivendosje ose mungesë koordinimi në hetimet administrative dhe penale.
5. Afatet e përcaktuara (7 ditë për marrje njoftimi dhe 3 muaj për përgjigje) bien ndesh me afatet standarde të Kodit të Procedurave Administrative (30 ditë për trajtim çështjeje). Ky ligj mund të shkaktojë paqartësi në rast ankimimi ose apelimi.
6. Dispozitat për mbrojtjen nga hakmarrja nuk janë të harmonizuara me mekanizmat ekzistues të rivendosjes në punë apo dëmshpërblimit sipas Kodit të Punës.
7. Nuk është përcaktuar qartë nëse ILDKPKI apo Inspektorati i Punës ka kompetencën për të ndërhyrë dhe mbrojtur sinjalizuesit në rastet e penalizimit të padrejtë në vendin e punës, duke lënë vakum institucional.
8. Projektligji nuk përcakton detyrimin për referimin e menjëhershëm të rasteve me elementë penalë pranë SPAK-ut ose Prokurorisë, gjë që krijon vakum në bashkëpunim ndërinstitucional, vonesa në veprim dhe ulje të efikasitetit të mekanizmit të sinjalizimit.
9. Mungon garancia që sinjalizuesit nuk do të ndiqen penalisht për 'kallëzim të rremë' (neni 300 i Kodit Penal) kur veprojnë me mirëbesim.
10. Projektligji nuk i bën referencë të qartë Ligjit Nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” dhe Rregullores së Përgjithshme të BE-së për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR), ndonëse trajton të dhëna të ndjeshme për individët. Përcaktimi eksplicit i lidhjes me këto akte është thelbësor për të siguruar harmonizim me standardet evropiane, mbrojtje efektive të konfidencialitetit dhe siguri juridike në trajtimin e informacionit të sinjalizuesve.
11. Parashikimi i afatit 5‑vjeçar për ruajtjen e të dhënave është joproporcional dhe në kundërshtim me parimin e kufizimit të qëllimit sipas ligjit për mbrojtjen e të dhënave. Shumica e shteteve anëtare të BE-së parashikojnë 2 deri në 3 vjet, dhe ruajtja e të dhënave për një kohë të gjatë pas përfundimit të hetimit administrative, përbën risk.
12. Shumat e gjobave (50,000 – 500,000 Lekë) janë të ulëta për të pasur efekt ndëshkues dhe parandalues. Në praktikën e vendeve të BE-së, masat administrative shkojnë 600,000 apo edhe 900,000 Euro, në rastet e hakmarrjes apo zbulimit të identitetit te sinjalizuesit. Projektligji gjithashtu nuk bën dallim midis subjekteve publike dhe private me qarkullim të madh financiar, personave fizikë dhe juridikë. Mungojnë parashikimet për rastet e përsëritura si dhe masat shtesë disiplinore për zyrtarët publikë përgjegjës.
13. Nuk përcaktohet nëse sanksionet do të vendosen nga ILDKPKI apo një organ tjetër (p.sh. Inspektorati i Punës), duke krijuar pasiguri procedurale.
14. Projektligji nuk përcakton se cila është gjykata kompetente për shqyrtimin e ankesave, çka mund të çojë në interpretime të ndryshme.
15. Termi “vullnetar” duhet të reflektohet edhe në nenin 3, pika 2, për të harmonizuar fushën e zbatimit.
16. Duhet përcaktuar organi përgjegjës (p.sh. ILDKPKI) për zhvillimin e trajnimeve të njësive përgjegjëse.
17. Sygjerohet shtimi i një neni të veçantë që ngarkon ILDKPKI me detyrimin për të ndërmarrë masa të rregullta për ndërgjegjësim dhe trajnime në fushën e sinjalizimit dhe mbrojtjes së sinjalizuesve.
Ky nen mund të përfshijë:
 organizimin e trajnimeve periodike për punonjës publikë dhe privatë;
 zhvillimin e fushatave informuese dhe publikimeve udhëzuese për publikun;
 përgatitjen e raporteve vjetore publike mbi zbatimin e ligjit.

18. Sygjerohet një dispozitë pas nenit 26 “Kundërvajtje dhe masa administrative” që parashikon masa disiplinore ndaj personave përgjegjës për shkeljen e konfidencialitetit ose ushtrimin e veprimeve hakmarrëse ndaj sinjalizuesve. Dispozita duhet të përcaktojë që:
 përveç gjobave, zyrtarët publikë përballen me masa disiplinore sipas ligjit për nëpunësin civil;
 ILDKPKI ka detyrimin të njoftojë institucionin përkatës për nisjen e procedurës disiplinore;
 masat disiplinore nuk përjashtojnë sanksionet administrative


Postuar më: 07.10.2025 02:59

arrow

PARTNERET - SHQIPERI PER NDRYSHIM DHE ZHVILLIM

Postuar më: 07.10.2025 03:11

Diskutimet për këtë konsultim janë mbyllur.