Projektligj“Për regjistrin e pronarëve përfitues”
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit
|
Postuar më: 21.07.2026
|
Data e Mbylljes: 18.08.2026
|
Statusi: Konsultim i mbyllur
|
Nr.Komenteve: 2
|
Nr.Shikimeve: 1186
Qëllimi i projektligjit “Për regjistrin e pronarëve përfitues” është garantimi i transparencës së pronësisë dhe kontrollit të subjekteve juridike, nëpërmjet krijimit dhe funksionimit të një regjistri të saktë, të përditësuar dhe të aksesueshëm të pronarëve përfitues. Ky projektligj miratohet në kuadër të përafrimit të legjislacionit AML/CFT dhe synon të forcojë integritetin e sistemit financiar dhe ekonomik, duke parandaluar përdorimin e subjekteve juridike për qëllime të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit dhe armëve të dëmtimit në masë, si dhe duke rritur besimin në mjedisin e biznesit dhe në institucionet publike.
Laureta A.
Pershendetje !
Une jam Audituese Ligjore
Dua te shpreh mendimin tim ne lidhje me gjobat qe marrin subjektet ne rastin e ndryshimit te pronarit perfitues. Nuk me duket e llogjikshme vlera prej 400,000leke . Po te shihni statistikat ne QKB ka nje ulje pothuajse ne 0 leke per gjobat ne regjistrimin fillestar te subjketit dhe pronarit perfitues pasi sistemi te jep mundesine per regjistrim direkt te subjektit si edhe te pronarit perfitues . Duhet te mendohet ne menyre te tille edhe per ndryshimin e tij dhe jo te vendosen gjoba kaq te renda per subjektet. Kjo sjell lehtesimin e punes per bizneset dhe jo penalizim te tyre . Duhet te falen gjobat e deritashme per ndryshimin e pronarit perfitues dhe te krijohet mundesia e kryrjes se ndryshimit sic ndodh ne momentin e pare te biznesit dhe te pronarit perfitues gjithashtu. Nuk mund te jete gjoba ne QKB me e larte se ne Tatime Dogana apo bashki .Ndergjegjesimi nuk kryhet me vendosje gjobash . Duhet te jemi me afer biznesit .
Shpresoj qe zeri im te degjohet ne ndihme te bizneseve.
Ju faleminderit
Postuar më: 03.08.2026 11:21
PARTNERET SHQIPERI PER NDRYSHIM DHE ZHVILLIM
Tiranë, 17 gusht 2026
Komente dhe propozime për përmirësimin e projektligjit “Për regjistrin e Pronarëve Përfitues”
Vlerësim në parim i projektligjit
Në përgjithësi, nisma për hartimin e projektligjit “Për regjistrin e pronarëve përfitues” dhe objektivat që ai synon të përmbushë vlerësohen pozitivisht, pasi synojnë forcimin e transparencës dhe llogaridhënies lidhur me pronësinë dhe kontrollin e subjekteve juridike. Nëpërmjet krijimit dhe funksionimit të një regjistri të saktë, të përditësuar dhe të aksesueshëm, projektligji synon të kontribuojë në përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (AML/CFT), si dhe në forcimin e integritetit të sistemit financiar dhe ekonomik. Gjithashtu, ai synon të parandalojë përdorimin e subjekteve juridike për pastrimin e parave, financimin e terrorizmit dhe financimin e përhapjes së armëve të dëmtimit në masë, duke rritur njëkohësisht besimin në mjedisin e biznesit dhe në institucionet publike.
Megjithatë, projektligji duket se mbështetet në një masë të konsiderueshme në përkthimin e drejtpërdrejtë të dispozitave të Direktivës (BE) 2024/1640, pa i përshtatur ato plotësisht me kontekstin juridik dhe institucional shqiptar. Për pasojë, disa dispozita përmbajnë terminologji, referenca dhe mekanizma të konceptuar për kuadrin institucional të Bashkimit Evropian, të cilët nuk gjejnë zbatim të drejtpërdrejtë në vend. Për këtë arsye, projektligji duhet të rishikohet dhe të përshtatet me kuadrin ligjor dhe institucional vendas, veçanërisht për përcaktimin e pronarit përfitues të organizatave jofitimprurëse.
Në vijim paraqitet vlerësimi ynë në parim, së bashku me propozimet përkatëse:
• Së pari, kriteret e propozuara për përcaktimin e personit që ushtron kontrollin e fundit efektiv mbi një organizatë jofitimprurëse krijojnë paqartësi, pasi mund t’u referohen strukturave të ndryshme drejtuese, si drejtori ekzekutiv, bordi drejtues ose asambleja e përgjithshme. Kjo e vështirëson identifikimin e personit fizik që duhet të regjistrohet si pronar përfitues dhe mund të sjellë interpretime dhe praktika të ndryshme në zbatim. Për këtë arsye, nevojitet një formulim më i qartë dhe i përshtatur me natyrën dhe strukturën organizative të OJF-ve. Për të garantuar një zbatim të thjeshtë dhe të njëtrajtshëm, propozohet që, kur nuk mund të identifikohet një person tjetër që ushtron kontrollin e fundit efektiv, si pronar përfitues të konsiderohet personi fizik i autorizuar për përfaqësimin ligjor të organizatës, pavarësisht pozicionit të tij në hierarkinë organizative. Ky është edhe rasti i trajtimit të pronarit përfitues në legjislacionin kroat. Konkretisht, neni 28, pika 4, i ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit citon “pronar përfitues i shoqatave vendase ose të huaja dhe i bashkimeve të tyre, fondacioneve, fondeve të posaçme (endoëment), organizatave artistike, dhomave të tregtisë dhe industrisë, sindikatave, organizatave të punëdhënësve, partive politike, kooperativave, unioneve të kreditit ose bashkësive fetare mund të konsiderohet çdo person fizik i autorizuar për t’i përfaqësuar ato ose çdo person fizik që ushtron një rol kontrollues në administrimin e pasurisë së tyre”. Në këtë kuptim, edhe për shoqatat, fondacionet dhe qendrat, të cilat janë tri format e organizatave jofitimprurëse të parashikuara nga Ligji nr. 8788/2001, “Për organizatat jofitimprurëse”, propozohet që pronar përfitues të konsiderohet personi fizik i autorizuar për përfaqësimin e tyre.
• Së dyti, sipas Ligjit nr. 80/2021 “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse”, Regjistri Elektronik i Organizatave Jofitimprurëse është regjistri që krijohet dhe administrohet si bazë të dhënash shtetërore, në të cilin regjistrohen organizatat jofitimprurëse. Sipas nenit 4, pika 2, ky regjistër administrohet nga Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm të Tiranës. Për më tepër, neni 36, pika 1, i Ligjit nr. 80/2021, nën titullin “Regjistrimi i njëkohshëm”, parashikon mekanizmin e regjistrimit të njëkohshëm, duke shmangur nevojën që OJF-të të kryejnë procedura të veçanta regjistrimi pranë institucioneve të tjera. Edhe projektligji për Regjistrin e Pronarëve Përfitues mbështetet në ekzistencën dhe funksionimin e Regjistrit Elektronik të Organizatave Jofitimprurëse, duke parashikuar marrjen dhe transferimin automatik të të dhënave të përgjithshme të OJF-ve prej tij. Megjithatë, afati ligjor për krijimin dhe vënien në funksion të këtij regjistri, i përcaktuar deri më 30 dhjetor 2023, ka kaluar, ndërkohë që regjistri ende nuk është funksional. Për rrjedhojë, mbetet e paqartë se si do të zbatohen dispozitat e projektligjit për organizatat jofitimprurëse në momentin e hyrjes së tij në fuqi, për sa kohë mekanizmi mbi të cilin mbështetet transferimi automatik i të dhënave nuk është ende funksional. Për këtë arsye, propozohet që projektligji të bëjë referencë të qartë te Ligji nr. 80/2021 “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse”, duke parashikuar që mekanizmi i marrjes dhe transferimit automatik të të dhënave të OJF-ve nga Regjistri Elektronik i Organizatave Jofitimprurëse të zbatohet pas vënies në funksion të këtij regjistri.
• Së treti, në disa nene të projektligjit përdoret formulimi “subjektet juridike të ngjashme me trustin e shprehur, siç janë fondacionet…”. Ky formulim mund të krijojë paqartësi dhe të keqinterpretohet sikur fondacionet e krijuara dhe që veprojnë sipas Kodit Civil dhe Ligjit nr. 8788/2001 “Për organizatat jofitimprurëse”, në mënyrë të përgjithshme, konsiderohen subjekte juridike të ngjashme me trustet e shprehura. Sipas Kodit Civil dhe Ligjit nr. 8788/2001 “Për organizatat jofitimprurëse”, fondacionet janë një nga 3 format e organizatave jofitimprurëse, që kanë për objekt arritjen e një qëllimi të ligjshëm nëpërmjet destinimit të pasurisë në të mirë dhe në interes të publikut. Ndërkohë, sipas përkufizimit të projektligjit, “trusti i shprehur” është një trust, i konceptuar si marrëdhënie kontraktore, veprim juridik ose person juridik, i krijuar qëllimisht nga themeluesi, ndërmjet të gjallëve ose për shkak të vdekjes, zakonisht nëpërmjet një dokumenti me shkrim, për vendosjen e aktiveve nën kontrollin e një kujdestari, në përfitim të një përfituesi ose për një qëllim të caktuar.
Pra, bëhet fjalë për koncepte juridike me natyrë dhe qëllim të ndryshëm. Trusti i shprehur përbën një organizim me natyrë private, të krijuar për vendosjen dhe administrimin e aktiveve në interes të një përfituesi ose për një qëllim të caktuar, ndërsa fondacioni, sipas legjislacionit shqiptar për OJF-të, krijohet nëpërmjet destinimit të pasurisë në të mirë dhe në interes të publikut dhe janë publike. Për rrjedhojë, fondacionet e krijuara sipas Kodit Civil dhe Ligjit nr. 8788/2001 nuk mund të konsiderohen si subjekte juridike të ngjashme me trustet e shprehura. Për këtë arsye, propozohet që, në të gjithë tekstin e projektligjit, pas fjalës “fondacionet” të shtohet “fondacionet kur këto janë të ngjashme me trustin e shprehur”. Ky riformulim do të qartësonte se referenca nuk përfshin fondacionet e krijuara dhe që veprojnë si organizata jofitimprurëse sipas Kodit Civil dhe Ligjit nr. 8788/2001 “Për organizatat jofitimprurëse”, por vetëm fondacionet private që, për nga natyra, struktura dhe funksionimi i tyre, paraqesin karakteristika të ngjashme me trustet e shprehura.
Sugjerime nen për nen për përmirësimin e projektligjit
Neni 3 “Përkufizime”, pika 1.1.2. Formulimi i propozuar për identifikimin e pronarit përfitues të një organizate jofitimprurëse krijon paqartësi, si për shkak të përfshirjes së themeluesit, ashtu edhe për shkak të kritereve të parashikuara për përcaktimin e personit që ushtron kontrollin e fundit efektiv. Themeluesi nuk duhet të konsiderohet automatikisht pronar përfitues, pasi, sipas kuadrit ligjor që rregullon organizimin dhe funksionimin e OJF-ve sipas Ligjit 8788/2001 ai nuk gëzon domosdoshmërisht kompetenca të posaçme drejtuese, vendimmarrëse ose kontrolli pas krijimit të organizatës. Themeluesi gëzon këto kompetenca vetëm në rastet e fondacioneve private. Në këtë rast themeluesi duhet të lidhet për trustet e shprehura ose fondacionet private kur këto janë të ngjashme me trustin e shprehur.
Nga ana tjetër, kriteret për përcaktimin e kontrollit të fundit efektiv (Pika 1.1.2 shkronja a) dhe 1.1.2 shkronja b)) mund t’u referohen subjekteve të ndryshme. Në strukturën tipike të një OJF-je, ndikimi mbi vendimmarrjen e përditshme mund të ushtrohet nga drejtori ekzekutiv, ndërsa kompetenca për zgjedhjen, emërimin ose largimin e organeve vendimmarrëse dhe/ose ekzekutive ushtrohet zakonisht nga bordi ose asambleja. Për rrjedhojë, njëri kriter mund t’i referohet një personi fizik, ndërsa tjetri një organi kolegjial. Gjithashtu, nuk përcaktohet nëse këto kritere duhet të plotësohen njëkohësisht apo janë alternativë përzgjedhëse sipas rastit.
Për të shmangur interpretimet e ndryshme dhe për të garantuar një zbatim të thjeshtë, të njëtrajtshëm dhe efektiv, propozohet të hiqet referimi ndaj themeluesit dhe të përcaktohet si pronar përfitues përfaqësuesi ligjor i OJF-së, si personi që, në ushtrimin e funksioneve të tij, ka përgjegjësi për përfaqësimin e organizatës dhe zbatimin e vendimmarrjes lidhur me administrimin e veprimtarisë dhe të aseteve të saj.
Formulim i propozuar:“Për organizatat jofitimprurëse, pronar përfitues konsiderohet personi fizik që ushtron funksionin e përfaqësuesit ligjor të organizatës.”
Neni 5 “Detyrimet dhe afatet e regjistrimit”, pika 3, shkronja “ç”. Ulja e afatit për regjistrimin e ndryshimeve të të dhënave të pronarit përfitues nga 90 ditë, sipas ligjit aktual, në 28 ditë sipas projektligjit, krijon vështirësi objektive për organizatat jofitimprurëse. Projektligji e lidh fillimin e afatit 28-ditor me datën e ndodhjes së ndryshimit faktik. Në rastin e OJF-ve, kjo nënkupton se detyrimi për njoftimin e QKB-së mund të lindë përpara se ndryshimi të jetë pasqyruar në regjistrin gjyqësor dhe, rrjedhimisht, përpara se ai të jetë formalizuar përmes procedurës së regjistrimit në gjykatë. Në këtë kontekst, duke qenë se çdo ndryshim i të dhënave të pronarit përfitues duhet të mbështetet në dokumentacionin përkatës, mbetet e paqartë se cili dokument do të konsiderohet i mjaftueshëm për regjistrimin e ndryshimit pranë QKB-së: vendimi i organit kompetent të OJF-së, me të cilin është miratuar ndryshimi, apo vendimi i gjykatës që regjistron këtë ndryshim. Nëse regjistrimi pranë QKB-së kryhet mbi bazën e vendimit të organit kompetent të OJF-së, lind më tej çështja nëse, pas regjistrimit të ndryshimit nga gjykata, OJF-ja do të duhet të ridepozitojë pranë QKB-së edhe vendimin e gjykatës, me qëllim përputhjen e të dhënave dhe dokumentacionit ndërmjet dy regjistrave. Kjo do të krijonte praktikisht një procedurë të dyfishtë për të njëjtin ndryshim. Nga ana tjetër, në praktikë, ndërmjet marrjes së vendimit nga organi kompetent i OJF-së dhe regjistrimit të tij nga gjykata ekziston një periudhë kohore që nuk është nën kontrollin e organizatës. Sipas të dhënave të gjykatës dhe eksperiencës së sektorit, regjistrimi i ndryshimeve mund të zgjasë nga 3 deri në 9 muaj. Për rrjedhojë, nëse për regjistrimin e ndryshimit të pronarit përfitues pranë QKB-së kërkohet vendimi i gjykatës, përmbushja e detyrimit brenda 28 ditëve nga ndryshimi faktik bëhet objektivisht e pamundur dhe mund të çojë në penalizimin e OJF-ve për vonesa që nuk varen prej tyre.
Për këtë arsye, propozohet:
• të rishikohet afati 28-ditor për regjistrimin e ndryshimeve të të dhënave të pronarit përfitues për OJF-të, duke marrë në konsideratë procedurën e regjistrimit gjyqësor;
• të përcaktohet qartë se cili dokument përbën bazën për regjistrimin e ndryshimit pranë QKB-së – vendimi i organit kompetent të OJF-së apo vendimi i gjykatës;
• të qartësohet nëse, në rast se regjistrimi në QKB kryhet mbi bazën e vendimit të organit kompetent të OJF-së, kërkohet ridepozitimi i dokumentacionit pas regjistrimit të ndryshimit nga gjykata;
Neni 6 “Mënyra e regjistrimit të të dhënave të pronarëve përfitues”, pika 1. Në vijim të problematikës së evidentuar më sipër lidhur me mosfunksionimin ende të Regjistrit Elektronik të Organizatave Jofitimprurëse, mbetet e paqartë nëse OJF-të do të aplikojnë drejtpërdrejt pranë QKB-së apo do të ndiqet mekanizmi i regjistrimit të njëkohshëm dhe i transferimit automatik të të dhënave, i parashikuar nga Ligji nr. 80/2021.
Propozohet që dispozita të bëjë referencë të qartë te Ligji nr. 80/2021 dhe të përcaktojë procedurën që do të zbatohet deri në funksionalizimin e Regjistrit Elektronik të OJF-ve. Pas funksionalizimit të tij, të dhënat duhet të transferohen automatikisht ndërmjet regjistrave, duke shmangur procedurat e dyfishta pranë gjykatës dhe QKB-së.
Neni 6 pika 4, shkronja b dhe c. Shkronjat “b” dhe “c” parashikojnë të njëjtën procedurë, konkretisht pezullimin e aplikimit për regjistrim fillestar, ndryshimin ose përditësimin e të dhënave, me qëllim plotësimin e të metave që pengojnë regjistrimin. Megjithatë, ato vendosin afate të ndryshme, përkatësisht 21 ditë për subjektet me pronësi direkte dhe 30 ditë për subjektet raportuese, pa përcaktuar arsyet ose kriteret që justifikojnë këtë diferencim.
Gjithashtu, nuk është e qartë se cilat kategori subjektesh përfshihen konkretisht në shkronjën “c”. Diferencimi i afateve mund të sjellë paqartësi dhe trajtim të pabarabartë të subjekteve raportuese.
Propozohet të qartësohet fusha e zbatimit të secilës dispozitë dhe arsyeja e përcaktimit të afateve të ndryshme. Në alternativë, sugjerohet vendosja e një afati të njëjtë prej 30 ditësh për të gjitha subjektet raportuese, në përputhje me afatin e parashikuar në ligjin aktual.
Neni 7 “Identifikimi i pronarëve përfitues për subjektet juridike”. Duhet të plotësohet dhe harmonizohet numërimi i paragrafëve. Fjalia hyrëse përcakton se pronarët përfitues janë persona fizikë, ndërsa shkronja “a” u referohet edhe personave juridikë. Paragrafet duhet të ketë dy nëndarje një për personat fizikë dhe një për personat juridike. Paragrafi “Në rastin e subjekteve juridike të ndryshme nga shoqëritë tregtare, për të cilat, për shkak të formës dhe strukturës së tyre, nuk është e përshtatshme ose nuk është e mundur të llogaritet pronësia, pronarët përfitues janë personat fizikë që kontrollojnë subjektin juridik në forma të tjera, qoftë drejtpërdrejt apo tërthorazi, përveç rasteve zbatohet identifikimi i pronareve perfitues per subjektet juridike te ngjashme me trustet e shprehuara, përfshirë trustet e shprehura me disa nivele kontrolli” duket se pjesa e nënvizuar e fjalisë është e paplotë dhe e paqartë në formulim .
Propozohet rishikimi dhe formulimi i paragrafit të referuar si më sipër.
Neni 8 “Pronësia përfituese nëpërmjet kontrollit”, pika 3, shkronja b). Në rastin e OJF-ve, kjo dispozitë krijon paqartësi në identifikimin e pronarit përfitues nëpërmjet kontrollit. Nuk është e qartë nëse kriteret e parashikuara në këtë nen duhet të plotësohen njëkohësisht apo nëse mjafton plotësimi i njërit prej tyre. Kjo paqartësi është veçanërisht problematike për OJF-të, pasi, për shkak të strukturës së tyre ligjore, disa forma kontrolli mund të ekzistojnë njëkohësisht: drejtori ekzekutiv ose përfaqësuesi ligjor ushtron funksione individuale drejtuese, ndërsa bordi ose asambleja, si organ kolegjial, mund të ketë kompetencën për emërimin ose largimin e tij. Për pasojë, nuk është e qartë se cili person fizik duhet të identifikohet si pronar përfitues kur kriteret çojnë te subjekte të ndryshme, njëri individual dhe tjetri kolegjial. Siç është propozuar edhe më sipër, zgjidhja më e thjeshtë dhe më pak konfuze do të ishte identifikimi i përfaqësuesit ligjor si pronar përfitues i OJF-së, sipas modelit kroat. Kjo do të siguronte qartësi, zbatim të njëtrajtshëm dhe efektivitet në zbatimin e dispozitës.
Propozohet të qartësohet mënyra e identifikimit të pronarit përfitues kur format e kontrollit ekzistojnë njëkohësisht dhe, në rastin e OJF-ve, të përcaktohet si pronar përfitues përfaqësuesi ligjor
Neni 10 “Strukturat që përfshijnë organizime ligjore ose subjekte juridike të ngjashme” dhe Neni 11 “Identifikimi i pronarëve përfitues për subjektet juridike të ngjashme me trustin e shprehur”. Në vijim të problematikës së evidentuar më sipër, këto dispozita mund të interpretohen sikur fondacionet, në mënyrë të përgjithshme, konsiderohen subjekte juridike të ngjashme me trustet e shprehura dhe, për rrjedhojë, u nënshtrohen të njëjtave kërkesa.
Propozohet që formulimi në këto nene të harmonizohet me propozimin e mësipërm, duke qartësuar se fondacionet përfshihen në këtë kategori vetëm kur, për nga natyra, struktura dhe funksionimi i tyre, janë të ngjashme me trustet e shprehura, duke përjashtuar kështu zbatimin automatik të këtij regjimi ndaj fondacioneve që veprojnë si OJF sipas legjislacionit shqiptar.
Propozohet që, në të gjithë tekstin e projektligjit, pas fjalës “fondacionet” të shtohet “fondacionet kur këto janë të ngjashme me trustin e shprehur”.
Neni 13 “Identifikimi i një kategorie të pronarëve përfitues” citon “Subjektet juridike të ngjashme me trustet e shprehura, siç janë fondacionet, përfshirë strukturat e kontrollit me shumë nivele, trustet e shprehura dhe organizimet ligjore të ngjashme, me kusht që: (i) subjekti juridik, trusti i shprehur ose organizimi ligjor i ngjashëm të jetë krijuar për qëllime jofitimprurëse ose bamirësie; dhe (ii) pas një vlerësimi të përshtatshëm të rrezikut, të rezultojë se kategoria përkatëse paraqet rrezik të ulët keqpërdorimi për pastrim parash ose financim të terrorizmit.” Ky formulim i barazon në mënyrë të drejtpërdrejtë fondacionet me trustet e shprehura, megjithëse ato kanë natyrë dhe karakteristika juridike të ndryshme. Fondacioni është person juridik pa anëtarësi, që administron pasurinë për realizimin e një qëllimi në të mirë dhe në interes të publikut, ndërsa trusti është një marrëdhënie juridike për administrimin e aktiveve nga një kujdestar. Ky barazim mund të sjellë keqinterpretim dhe t’u ngarkojë fondacioneve detyrime që nuk përputhen me natyrën e tyre juridike.
Propozohet që, në të gjithë tekstin e projektligjit, pas fjalës “fondacionet” të shtohet “fondacionet kur këto janë të ngjashme me trustin e shprehur”.
Neni 16 “Informacioni mbi pronarët përfitues”. Në këtë nen mungon numërimi i paragrafit të parë. Gjithashtu, duhet të përcaktohet qartë se cili institucion verifikon dhe konfirmon që informacioni i depozituar është i mjaftueshëm, i saktë dhe i përditësuar, duke qenë se mosplotësimi i këtyre kërkesave mund të sjellë penalitete për subjektin juridik.
Propozohet të plotësohet numërimi i paragrafëve dhe të përcaktohen qartë institucioni përgjegjës, procedura dhe kriteret për verifikimin e informacionit mbi pronarët përfitues.
Nenet 23–28. Dispozitat përdorin formulime të tilla si “shtetet anëtare garantojnë”, “Komisioni përcakton” dhe “shtetet anëtare njoftojnë Komisionin”, të cilat nuk janë përshtatur me kontekstin institucional dhe statusin aktual të Shqipërisë si vend kandidat.
Propozohet rishikimi i tyre.
Neni 37 “Ankimi administrative”. Në pikën 3 referenca ndaj nenit 32 është e pasaktë, pasi ekstraktet rregullohen nga neni 29.
Propozohet zëvendësimi i fjalëve “sipas nenit 32” me “sipas nenit 29 të këtij ligji”.
Neni 39 – “Kundravajtjet administrative”. Masat administrative të parashikuara, veçanërisht gjobat deri në 600 000 lekë dhe pezullimi i statusit, mund të sjellin pasoja joproporcionale për OJF-të, sidomos për organizatat e vogla me kapacitete të kufizuara financiare, duke rrezikuar vijimësinë e veprimtarisë së tyre. Dispozita nuk merr në konsideratë madhësinë dhe kapacitetin ekonomik të subjektit, natyrën dhe rëndësinë e shkeljes, kohëzgjatjen, përsëritjen apo shkaqet e saj.
Edhe Gjykata Kushtetuese, në vendimin nr. 62, datë 20.11.2023, për ligjin nr. 80/2021 “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse”, ka vlerësuar se sanksionet ndaj OJF-ve duhet të jenë të qarta, të parashikueshme dhe proporcionale me qëllimin e synuar, duke shfuqizuar masat administrative që nuk përmbushnin këto standarde.
Propozohet që, përpara vendosjes së gjobës, të parashikohet paralajmërimi dhe një afat për korrigjimin e shkeljes; gjobat të diferencohen sipas kapacitetit ekonomik të subjektit dhe rëndësisë së shkeljes; të përjashtohet përgjegjësia kur vonesa shkaktohet nga procedurat gjyqësore ose mosfunksionimi i sistemeve publike; të garantohet e drejta për t’u dëgjuar; si dhe pezullimi i statusit të përdoret vetëm si masë e fundit.
Neni 42 “Dispozita tranzitore”. Neni përcakton një afat gjashtëmujor për transferimin e të dhënave nga miratimi i ligjit, ndërsa neni 44 parashikon që aktet nënligjore të miratohen nga Këshilli i Ministrave brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e ligjit. Duke qenë se procedura dhe mënyra e transferimit do të përcaktohen me këto akte, fillimi i afatit gjashtëmujor që nga miratimi i ligjit krijon paqartësi dhe mund të vështirësojë zbatimin e dispozitës.
Propozohet që afati për transferimin e të dhënave të fillojë nga hyrja në fuqi e vendimit të Këshillit të Ministrave të parashikuar në nenin 44.
Postuar më: 17.08.2026 05:01
Komentet nga qytetarët