Projektligji “Për garantimin e sigurisë së punës të pajisjeve, impianteve dhe instalimeve elektrike”

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë

|

Postuar më: 05.11.2018

|

Data e Mbylljes: 25.11.2018

|

Statusi: Konsultim i mbyllur

|

Nr.Komenteve: 0

|

Nr.Shikimeve: 2811

PDF

|

XML

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) ka iniciuar përgatitjen e projektligjit “Për garantimin e sigurisë së punës të pajisjeve, impianteve dhe instalimeve elektrike” dhe në zbatim të Ligjit nr. 146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik”, do të organizojë konsultimin publik me Organet Publike dhe Grupet e Interesit në lidhje me këtë projektligj.

Arsyet kryesore të nevojshme për nxjerrjen e këtij projektligji janë:

- Ligji në fuqi nr. 8734, datë 1.2.2001 “Për garantimin e sigurisë së punës të pajisjeve dhe të instalimeve elektrike”, megjithë ndryshimet e pësuara ndër vite, nuk i përshtatet më nevojave të stadit aktual, lidhur me sigurinë e punës së pajisjeve, impianteve dhe instalimeve elektrike, duke patur parasysh edhe zhvillimet teknike dhe teknologjike të ndodhura prej kësaj kohe.

- Ligji 8734 nuk parashikon detyrat dhe përgjegjësitë e operatorëve ekonomikë që përdorin, mirëmbajnë dhe/ose projektojnë pajisje, impiante e instalime elektrike, si dhe nuk parashikon kryerjen e vlerësimit të konformitetit të tyre nga “palë të treta”, Organizma të Miratuara të Vlerësimit të Konformitetit (OMVK), në fushën e pajisjeve, impianteve dhe instalimeve elektrike.

- Në këto kushte, nga ana e MIE është vlerësuar hartimi i projektligjit “Për garantimin e sigurisë së punës të pajisjeve, impianteve dhe instalimeve elektrike”, me anë të së cilit do të eliminohen problemet e mësipërme, si dhe do të realizohet një koherencë edhe me legjislacionin në fuqi për inspektimin, si dhe ligjin për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore.

Qëllimi i projektligjit:

- Qëllimi i këtij projektligji është realizimi i rolit rregullator të shtetit në fushën e sigurisë së pajisjeve, impianteve dhe instalimeve elektrike. Duke pasur në konsideratë që shteti ka detyrimin të garantojë siguri për jetën e njerëzve, të kafshëve, mjedisit dhe pronës në tërësi ky projektligj synon të përcaktojë detyrimet e operatorëve ekonomik që kryejnë aktivitete që përfshijnë prodhimin, montimin, instalimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve, impianteve dhe instalimeve elektrike, detyrimet të drejtat dhe kompetencat e strukturës përgjegjëse (inspektoratit shtetëror përkatës), si dhe trupave inspektuese palë të treta për inspektimin dhe vlerësimin e konformitetit të tyre duke përmirësuar kështu kuadrin ligjor dhe institucional.

Afati:

- Afati i procesit të konsultimit është deri më datën 22.11.2018, periudhë gjatë së cilës ju mund të konsultoni Projektligjin, Raportin e Vlerësimit të Ndikimit dhe Relacionin përkatës dhe mbi këtë bazë mund të dërgoni rekomandimet dhe komentet Tuaja në adresën: preng.prenga@infrastruktura.gov.al

Nuk ka ende asnjë koment për këtë konsultim

Diskutimet për këtë konsultim janë mbyllur.