Projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 26/2017, datë 16.03.2017 "Për Produktet Kozmetike" i ndryshuar
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale
|
Postuar më: 18.11.2026
|
Data e Mbylljes: 16.12.2026
|
Statusi: Konsultim i hapur
|
Nr.Komenteve: 0
|
Nr.Shikimeve: 15
PROJEKTLIGJI
“PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 26/2017, DATË 16.3.2017, ‘PËR PRODUKTET KOZMETIKE’, TË NDRYSHUAR”
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 26/2017, datë 16.3.2017, ‘Për produktet kozmetike’, të ndryshuar” synon plotësimin dhe përmirësimin e kuadrit ligjor kombëtar që rregullon produktet kozmetike, me qëllim rritjen e nivelit të mbrojtjes së shëndetit të njeriut, forcimin e kërkesave për sigurinë e produkteve kozmetike dhe përgjegjësitë e operatorëve ekonomikë, si dhe përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit shqiptar me acquis të Bashkimit Evropian në këtë fushë.
Ligji nr. 26/2017, i ndryshuar me ligjin nr. 99/2024, ka vendosur bazën kryesore ligjore për rregullimin e produkteve kozmetike në Republikën e Shqipërisë. Projektligji i propozuar nuk ndryshon parimet themelore të këtij sistemi, por synon plotësimin e tij në ato elemente ku, nga analiza e përputhshmërisë me legjislacionin e Bashkimit Evropian, janë identifikuar nevoja për dispozita më të plota ose më të qarta. Projektligji përmban 21 nene ndryshuese dhe plotësuese të ligjit ekzistues.
Referenca kryesore e procesit të përafrimit është Rregullorja (KE) nr. 1223/2009 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, datë 30 nëntor 2009, “Për produktet kozmetike”, e ndryshuar. Tabela e përputhshmërisë e përgatitur për këtë qëllim evidenton si dispozitat tashmë të përafruara në legjislacionin shqiptar, ashtu edhe elementet për të cilat kërkohet plotësim i mëtejshëm i kuadrit kombëtar.
Një objektiv i rëndësishëm i projektligjit është gjithashtu përgatitja e kuadrit kombëtar për momentin e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kjo është e nevojshme për shkak të natyrës juridike të Rregullores (KE) nr. 1223/2009, e cila, pas anëtarësimit, do të jetë drejtpërdrejt e zbatueshme. Për këtë arsye, projektligji bën dallimin ndërmjet dispozitave që nevojiten në kuadrin kombëtar gjatë periudhës para anëtarësimit dhe dispozitave që, pas anëtarësimit, duhet t'i lënë vend zbatimit të drejtpërdrejtë të Rregullores. Tabela e përputhshmërisë identifikon shprehimisht këtë nevojë dhe parashikon një dispozitë tranzitore për shmangien e mbivendosjes ose kundërshtimit me dispozitat drejtpërdrejt të zbatueshme të Rregullores.
Ndryshimet e propozuara bazohen në vlerësimin e kuadrit ekzistues kundrejt kërkesave të Rregullores (KE) nr. 1223/2009. Nga ky vlerësim rezulton se një pjesë e konsiderueshme e kërkesave të acquis është tashmë e reflektuar në ligjin nr. 26/2017, të ndryshuar, por disa elemente kërkojnë plotësim në nivelin e ligjit ose krijimin e një baze ligjore më të qartë për rregullimin e mëtejshëm me akte nënligjore.
Në veçanti, ndërhyrjet e propozuara lidhen me plotësimin e përkufizimeve; detyrimet e personit përgjegjës dhe shpërndarësve; vlerësimin e sigurisë dhe dosjen e informacionit të produktit; procedurat e njoftimit; kufizimet për substancat e ndaluara ose të kufizuara; substancat kancerogjene, mutagjene ose toksike për riprodhimin (CMR); nanomaterialet; testimin te kafshët dhe metodat alternative; etiketimin dhe informacionin për publikun; mbikëqyrjen e tregut; marrjen e mostrave dhe analizat laboratorike; masat korrigjuese dhe zbatimin e ligjit; efektet serioze të padëshiruara; si dhe efektivitetin dhe proporcionalitetin e sanksioneve.
Në disa prej këtyre fushave, përafrimi i plotë nuk varet vetëm nga dispozitat e ligjit, por edhe nga përmbajtja dhe përditësimi i akteve nënligjore. Kjo vlen, në veçanti, për raportin e sigurisë së produktit kozmetik dhe listat e substancave të ndaluara ose të kufizuara, ngjyruesve, konservuesve dhe filtrave UV. Tabela e përputhshmërisë evidenton se baza ligjore ekziston, por përputhshmëria e plotë me anekset përkatëse të Rregullores kërkon që aktet nënligjore kombëtare të pasqyrojnë dhe të përditësohen në përputhje me acquis përkatës.
Nuk ka ende asnjë koment për këtë konsultim