PROJEKTLIGJI “PËR TRANSPLANTIMIN E ORGANEVE DHE GARANTIMIN E STANDARDEVE TË CILËSISË DHE SIGURISË NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale

|

Postuar më: 18.11.2026

|

Data e Mbylljes: 16.12.2026

|

Statusi: Konsultim i hapur

|

Nr.Komenteve: 0

|

Nr.Shikimeve: 15

PDF

|

XML

PROJEKTLIGJI

“PËR TRANSPLANTIMIN E ORGANEVE DHE GARANTIMIN E STANDARDEVE TË CILËSISË DHE SIGURISË NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”

 

Projektligji “Për transplantimin e organeve dhe garantimin e standardeve të cilësisë dhe sigurisë në Republikën e Shqipërisë” synon krijimin e një kuadri të posaçëm dhe të plotë ligjor për transplantimin e organeve njerëzore, duke përcaktuar kërkesat që duhet të respektohen në të gjitha fazat e procesit, nga dhurimi dhe marrja e organit deri në transplantimin ose asgjësimin e tij.

Qëllimi kryesor i projektligjit është garantimi i një niveli të lartë të mbrojtjes së shëndetit të njerëzve, nëpërmjet vendosjes së standardeve të cilësisë dhe sigurisë për organet njerëzore të destinuara për transplantim. Për këtë qëllim, projektligji rregullon në mënyrë të integruar dhurimin, marrjen, testimin, karakterizimin, ruajtjen, transportin dhe transplantimin e organeve, si dhe gjurmueshmërinë, raportimin dhe menaxhimin e ngjarjeve dhe reaksioneve serioze të padëshiruara.

Projektligji hartohet gjithashtu në kuadër të procesit të përafrimit të legjislacionit shqiptar me acquis-në e Bashkimit Evropian në këtë fushë. Ai synon përafrimin e plotë me Direktivën 2010/53/BE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, datë 7 korrik 2010, mbi standardet e cilësisë dhe sigurisë së organeve njerëzore të destinuara për transplantim, si dhe me Direktivën e Komisionit 2012/25/BE, datë 9 tetor 2012, që përcakton procedurat e informacionit për shkëmbimin, ndërmjet shteteve anëtare, të organeve njerëzore të destinuara për transplantim.

Miratimi i një ligji të posaçëm për transplantimin e organeve mundëson gjithashtu ndarjen më të qartë të regjimit juridik të organeve nga ai i indeve dhe qelizave. Për këtë arsye, projektligji parashikon shfuqizimin e dispozitave të ligjit nr. 10 454, datë 21.7.2011, “Për transplantimin e indeve, qelizave dhe organeve në Republikën e Shqipërisë”, për aq sa këto dispozita rregullojnë organet njerëzore dhe transplantimin e tyre. Në të njëjtën kohë, projektligji parashikon mekanizma kalimtarë për ruajtjen e vazhdimësisë së zbatimit të akteve nënligjore ekzistuese deri në miratimin e akteve të reja.

Në këtë kuadër, projektligji realizon edhe ndarjen e qartë të regjimit juridik të organeve njerëzore nga ai i substancave me origjinë njerëzore (SoHO). Organet njerëzore të destinuara për transplantim rregullohen në nivelin e Bashkimit Evropian nga një kuadër i posaçëm, i përbërë kryesisht nga Direktiva 2010/53/BE dhe Direktiva 2012/25/BE, të cilat trajtojnë kërkesat specifike të cilësisë dhe sigurisë, gjurmueshmërisë dhe shkëmbimit të organeve për transplantim. Në ndryshim nga organet, indet dhe qelizat, si dhe substancat e tjera me origjinë njerëzore që përfshihen në fushën përkatëse të zbatimit, rregullohen nga kuadri i ri i Bashkimit Evropian për SoHO, i përcaktuar nga Rregullorja (BE) 2024/1938. Për rrjedhojë, ndarja e dispozitave që rregullojnë organet nga pjesa tjetër e ligjit nr. 10 454, datë 21.7.2011, mundëson përafrimin e secilës fushë me instrumentin përkatës të acquis-së së Bashkimit Evropian dhe shmang mbivendosjen e dy regjimeve juridike të ndryshme.

Në këtë mënyrë, projektligji synon jo vetëm përafrimin formal të legjislacionit shqiptar me acquis-në përkatëse të Bashkimit Evropian, por edhe krijimin e bazës ligjore për zbatimin praktik të kërkesave të cilësisë, sigurisë, mbikëqyrjes dhe gjurmueshmërisë në të gjithë procesin e transplantimit të organeve.

Nuk ka ende asnjë koment për këtë konsultim

Identifikohu për të komentuar