PËR ASISTENCËN SOCIALE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale

|

Postuar më: 19.03.2019

|

Data e Mbylljes: 17.04.2019

|

Statusi: Konsultim i mbyllur

|

Nr.Komenteve: 0

|

Nr.Shikimeve: 5356

PDF

|

XML

“PËR ASISTENCËN SOCIALE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”

 

 

I. QËLLIMI I PROJEKTAKTIT DHE OBJEKTIVAT QË SYNOHEN TË ARRIHEN

 

 

Ky projekakt ka për qëllim të rregullojë mënyrën e dhënies së ndihmës ekonomike, pagesave të aftësisë së kufizuar dhe bonusit të bebeve, për të garantuar mbrojtje sociale për të gjithë qytetarët.

 

Gjithashtu projektligji garanton mbështetje për familjet dhe individët në nevojë, të cilët nuk mund të sigurojnë plotësimin e nevojave bazë jetike për shkak të aftësive dhe mundësive të kufizuara social ekonomike.

 

Objektivat që synohen të arrihen në lidhje me programin e ndihmës ekonomike, kanë të bëjnë me: (i) administrimin dhe funksionimin e një skeme të përmirësuar të ndihmës ekonomike; (ii) thjeshtimin e procedurave të panevojshme për shkak të riorganizimit të skemës, të cilat janë bërë pengesë për mospërfitimin në kohë të ndihmës ekonomike; (iii) nxitjen e punësimit dhe përfshirjen e personave në moshë aktive pune përfitues të ndihmës ekonomike në programet aktive të punësimit dhe formimit profesional; (vi) mosrefuzimin e ofertave të përshtatshme të punës nga zyrat e punës; (v forcimin e masave shtrënguese në rastet e refuzimit apo largimit nga puna, me synimin për të shmangur sigurimin e të ardhurave në mënyrë alternative (informale); (vi) (iv) përjashtimin nga detyrimi i paraqitjes në zyrat e punës për tu regjistruar si punëkërkues të papunë  të anëtarëve të familjeve në zonat rurale që zotërojnë ose jo tokë bujqësore në pronësi/përdorim, apo familjeve që kanë anëtarë në moshë aktive pune, që ndjekin arsimin e mesëm apo të lartë, por jo më shumë se deri në moshën 25 vjeç; (vii) menaxhim dhe kontroll më të mirë mbi përdorimin e fondeve të ndihmës ekonomike dhe shmangien e abuzivitetit.

 

Objektivat që synohen të arrihen në lidhje me programin e aftësisë së kufizuar, kanë të bëjnë me: (i) përcaktimin e të drejtës së përfitimit të pagesave të personave me aftësi të kufizuar dhe të së drejtës së përfitimit të një ndihmësi personal; (ii) trajtimin e barabartë të të gjitha grupeve të aftësisë së kufizuar; (iii) heqjen e kufizimit për shkak të punësimit, duke garantuar që ky përfitim të mos ndërpritet në rast punësimi, por ti shërbejë personit m,e aftësi të kufizuar për tu integruar plotësisht në jetën shoqërore; (iv) thjeshtimin e procedurave të panevojshme për përfitimin e pagesave të aftësisë së kufizuar (heqjen e vendimmarrjes së Këshillit Bashkiak), dhe dhënien e këtij përfitimi bazuar në vendimin e autoritetit përgjegjës për përcaktimin e kësaj të drejte.

 

Objektivat që synohen të arrihen në lidhje me bonusin e bebeve (mbështetja financiare për foshnjat e porsalindura), kanë të bëjnë me: (i) krijimin e një politike të re sociale pro lindshmërisë; (ii) ofrimin e një ndihme të drejtpërdrejtë ndaj familjeve, për t’i përkrahur pas lindjes së fëmijës; (iii) dhënien e bonuseve të shumëfishuara për fëmijët e lindur.

Nuk ka ende asnjë koment për këtë konsultim

Diskutimet për këtë konsultim janë mbyllur.