Projektligji "“PËR DISA SHTESA NË LIGJIN NR.10463, DATË 22.09.2011 “PËR MENAXHIMIN E INTEGRUAR TË MBETJEVE”, TË NDRYSHUAR
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit
|
Postuar më: 21.10.2019
|
Data e Mbylljes: 11.11.2019
|
Statusi: Konsultim i mbyllur
|
Nr.Komenteve: 0
|
Nr.Shikimeve: 2909
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KUVENDI
Ligj
(Projekt)
(Nr. ___, datë _____ 2019)
“PËR DISA SHTESA NË LIGJIN NR.10463, DATË 22.09.2011 “PËR MENAXHIMIN E INTEGRUAR TË MBETJEVE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
Në ligjin nr. 10463, datë 22.9.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa:
Neni 1
Në nenin 3, pas pikës 38, shtohen pikat 38/1, 38/2, 38/3, 38/4 dhe 38/5 me këtë përmbajtje:
38/1 “Plastik” është një polimer të cilit mund t’i jenë shtuar aditivë apo substanca nga lëndë të tjera, dhe i cili është i aftë të kryejë funksionin kryesor lidhës të komponentit strukturor të një qeseje mbajtëse.”
38/2 “Qese plastike mbajtëse” është qesja mbajtëse, transportuese me ose pa vesh prodhuar nga plastika, e cila jepet në pikat e tregtimit apo shpërndarjes të mallrave ose produkteve.”
38/3 “Qese e lehtë plastike mbajtëse” është qesja plastike me trashësi për çdo anë, me të vogël se 50 mikron.”
38/4 “Qese shumë e lehtë plastike mbajtëse” është qesja plastike me trashësi për çdo anë, me të vogël se 15 mikron.”
38/5 “Qese plastike mbajtëse oxo-degradueshme ose oxo-biodegradueshme” është qesja plastike mbajtëse e prodhuar nga materiale që përfshijnë aditivë të cilët katalizojnë copëzimin e materialit plastik në mikro-fragmente.”
38/6 “Qese plastike mbajtëse higjeno-sanitare” është qesja plastike mbajtëse apo transportuese pa vesh e cila shërben për grumbullimin, paketimin dhe/ose transportimin e mbetjeve”.
Neni 2
Në nenin 29, shtohet pika 3 me këtë përmbajtje:
“3. Me përjashtim nga sa parashikohet në pikën 1 dhe 2 të këtij neni, ndalohet përdorimi, hedhja ne treg, prodhimi, importimi, apo futja në territorin e Republikës së Shqipërisë të qeseve plastike mbajtëse, qeseve të lehta plastike mbajtëse, qeseve shumë të lehta plastike mbajtëse, si dhe qeseve plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo oxo-biodegradueshme sipas përcaktimit të këtij ligji. Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit, përcakton masa të hollësishme për zbatimin e kësaj pike.
Neni 3
Në nenin 62, pas pikës 25 shtohet pika 25/1 dhe 25/2 me këtë përmbajtje:
“25/1. Çdo person, që hedh në treg, prodhon, importon, apo fut në territorin e Republikës së Shqipërisë qese plastike mbajtëse, qese të lehta plastike mbajtëse, qese shumë të lehta plastike mbajtëse, si dhe qese plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo oxo-biodegradueshme, sipas përcaktimit të pikës 3 të nenit 29, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në vlerën nga 1 000 000 (një milion) deri në 1 500 000 (një milion e pesëqind mijë) lekë.”
“25/2. Çdo person që përdor në territorin e Republikës së Shqipërisë qese plastike mbajtëse, qese të lehta plastike mbajtëse, qese shumë të lehta plastike mbajtëse, si dhe qese plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo oxo-biodegradueshme, sipas përcaktimit të pikës 3 të nenit 29, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në vlerën nga 30 000 (tridhjetë mijë) deri në 100 000 (një qind mijë) lekë.”
Neni 4
Dispozitë Kalimtare
- Subjektet të cilat para hyrjes në fuqi të këtij ligji, prodhojnë, importojnë, apo hedhin në treg, në territorin e Republikës së Shqipërisë qese plastike mbajtëse, qese të lehta plastike mbajtëse, qese shumë të lehta plastike mbajtëse, si dhe qese plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo oxo-biodegradueshme, sipas përcaktimit të pikës 3 të nenit 29 të këtij ligji, ndalojnë ushtrimin e këtyre veprimtarive brenda datës 1 Shkurt 2020.
- Subjektet të cilat fusin apo përdorin në territorin e Republikës së Shqipërisë qese plastike mbajtëse, qese të lehta plastike mbajtëse, qese shumë të lehta plastike mbajtëse, si dhe qese plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo oxo-biodegradueshme, sipas përcaktimit të pikës 3 të nenit 29 të këtij ligji, ndalojnë ushtrimin e këtyre veprimtarive brenda datës 1 Qershor 2020.
- Ngarkohet Këshilli i Ministrave që brenda 1 muaji nga hyrja në fuqi e këtij ligji të nxjerr aktin nënligjor në zbatim të pikës 3, të nenit 29 të këtij Ligji.
Neni 5
Shfuqizime
- Çdo dispozitë ligjore dhe akt nënligjore që bien ndesh me përcaktimet e këtij ligji, shfuqizohen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Neni 6
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYETARI I KUVENDIT
GRAMOZ RUÇI
Nuk ka ende asnjë koment për këtë konsultim