PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.7643, DATË 02.12.1992, “PËR INSPEKTIMIN SANITAR”, TË NDRYSHUAR

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale

|

Postuar më: 22.10.2019

|

Data e Mbylljes: 21.11.2019

|

Statusi: Konsultim i mbyllur

|

Nr.Komenteve: 0

|

Nr.Shikimeve: 2994

PDF

|

XML

 

“PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.7643, DATË 02.12.1992, “PËR INSPEKTIMIN SANITAR”, TË NDRYSHUAR”

 

 

 

  1. QËLLIMI I PROJEKTAKTIT DHE OBJEKTIVAT QË SYNOHEN TË ARRIHEN

Ky projektligj synon të përcaktojë ndarjen e kompetencave për inspektimin higjieno-sanitar ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Ushqimit (këtu e në vijim institucioni përgjegjës për kontrollin zyrtar të ushqimit dhe ushqimit për kafshë) dhe Inspektoratit Sanitar Shtetëror (këtu e në vijim struktura përgjegjëse për inspektimin në fushën e shëndetit) sipas legjislacionit specifik rregullues të fushës së veprimtarisë, ndërmjet këtyre dy institucioneve.

 

 

 

  1. VLERËSIMI I PROJEKTAKTIT NË RAPORT ME PROGRAMIN POLITIK TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, ME PROGRAMIN ANALITIK TË AKTEVE DHE DOKUMENTE TË TJERA POLITIKE

Projektligji mbështet zbatimin e objektivave të parashikuara në programin e qeverisë për shëndetin si një e mirë publike, me faktorë të ndryshëm që ndikojnë në të, përfshirë dhe sigurinë ushqimore ku fokusi është ruajtja e shëndetit publik nëpërmjet rolit të përcaktuar të institucioneve monitoruese.

 

Ky projektakt nuk është parashikuar në programin analitik të akteve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për vitin 2019.

 

 

 

III. ARGUMENTIMI I PROJEKTLIGJIT LIDHUR ME PËRPARËSITË, PROBLEMATIKAT, EFEKTET E PRITSHME

 

Ligji nr.7643,datë 02.12.1992, “Për Inspektimin Sanitar”, i ndryshuar, është ligji bazë i cili rregullon kontrollin për përmbushjen e kushteve higjieno-sanitare në funksion të shëndetit publik i cili përfshin shumë fusha dhe faktorë që ndikojnë për ruajtjen e tij si një e mirë publike. Në ligjin aktual përcaktohet inspektorati sanitar shtetëror si organ që kontrollon zbatimin e akteve ligjore, nënligjore sanitare në veprimtaritë e ndryshme që ushtrojnë personat fizikë, juridikë.

 

Në kuadër të reformës në bujqësi dhe me hyrjen në fuqi të Ligjit Nr.9863, datë 28.1.2008 “Për Ushqimin”, i ndryshuar, bazuar në rregulloren e BE 178/2002, 854/2004, 888/2004 i cili rregullon çështjet e higjienës dhe sigurisë së ushqimit, krijimin e Agjencisë Kombëtare të Ushqimit dhe një sistemi të kontrollit formal për ushqimin e njerëzve, kafshëve me qëllim garantimin e një niveli të lartë të mbrojtjes së shëndetit të njerëzve, interesit të konsumatorit, ky  projektligj synon që të ndajë qartë kompetencat ndërmjet dy institucioneve për kontrollin higjieno-sanitar në objektet e prodhimit, ruajtjes, magazinimit, transportimit dhe tregtimit të produkteve ushqimore, si dhe të përditësojë për rrjedhim masat, sanksionet, monitorimin duke bërë shtesat dhe ndryshimet përkatëse në ligjin bazë: Ligji nr.7643, datë 02.12.1992, “Për Inspektimin Sanitar”, i ndryshuar.

 

Me ndryshimet e propozuara në ligjin bazë, për kontrollin higjieno-sanitar për të siguruar  koordinim të plotë me funksionet e ngarkuara për institucione gjithashtu përgjegjëse në inspektimin higjieno-sanitar, ky projektligj synon që subjektet (bizneset) të lehtësohen në aktivitetin e tyre duke qenë objekt kontrolli prej një organi të vetëm inspektues, që do të kushtëzohet në varësi të llojit të veprimtarisë së tyre.

 

Kryerja e inspektimit higjieno-sanitar në objektet e prodhimit, ruajtjes, magazinimit, transportimit dhe tregtimit të produkteve ushqimore nga një institucion i vetëm inspektues, nga institucioni përgjegjës për kontrollin zyrtar të ushqimit dhe ushqimit për kafshë, shmang mbivendosjen e kompetencave mes dy institucioneve pa cënuar sigurinë dhe cilësinë e produkteve  ushqimore të cilat janë thelbësore për mbrojtjen e shëndetit të popullsisë.

 

Pavarësisht ndryshimeve të propozuara, institucioni përgjegjës për kontrollin zyrtar të ushqimit dhe ushqimit për kafshë nuk do të ketë shtim të numrit të subjekteve që do të inspektojë, por vetëm shtim të një Liste Verifikimi (check list).

 

Nuk ka ende asnjë koment për këtë konsultim

Diskutimet për këtë konsultim janë mbyllur.