P r o j e k t l i gj për “Disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr.10 440 datë 07.07.2011 “Për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis ”, të ndryshuar

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit

|

Postuar më: 08.01.2020

|

Statusi: Konsultim i hapur

|

Nr.Komenteve: 0

|

Nr.Shikimeve: 1390

PDF

|

XML

stema1

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

Kuvendi

P R O J E K T L I GJ

Nr._____/____/2019

PËR

 DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.10 440 DATË 07.07.2011 “PËR VLERËSIMIN  E NDIKIMIT NË MJEDIS ”, TË NDRYSHUAR

 

Në mbështetje të neneve 78, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë,

 

V E N D O S I:

Në ligjin nr.10 440, datë 07.07.2011 “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis ”, të ndryshuar bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

 

Neni 1

Neni 4 shfuqizohet.

Neni 2

 

Në nenin 5 bëhen ndyshimet si vijon:

a) Paragrafi “a” ndryshon me përmbajtje si vijon:

a) “Projektet ose pjesë të projekteve të përcaktuara në Shtojcën I dhe II të këtij ligji, të hartuar për qëllimet e mbrojtjes kombëtare dhe/ ose për përballimin e emergjencave civile, për të cilat argumentohet se vlerësimi i ndikimit të tyre në mjedis bie ndesh me qëllimet e mbrojtjes kombëtare dhe /ose përballimin e emergjencave civile”;

b) Në paragrafin “b” pas togfjalëshit “Ministria e Mbrojtjes...” shtohet togfjalëshi “dhe/apo autoriteti përgjegjës për emergjencat civile" si dhe pas togfjalëshit ...”e ndikimeve të rëndësishme negative” shtohet togfjalëshi “, të drejtpërdrejta ose jo, në mjedis”.

 

Neni 3

Në nenin 6 bëhen këto shtesa dhe ndryshime :

1. Pika 3 ndryshon me përmbajtje si vijon:

“3. “Vlerësimi i ndikimit në mjedis (VNM)” është procesi që kryhet për vlerësimin e ndikimeve të rëndësishme, të drejtpërdrejta ose jo, në mjedis, nga projekte të propozuara publike ose private nëpërmjet:

    1. Përgatitjes së raportit të vlerësimit të ndikimit në mjedis nga zhvilluesi,
    2. Kryerjes së konsultimeve, sipas kërkesave dhe procedurave të përcaktuara në kreun III të ketij ligji;
    3. Shqyrtimit nga autoriteti kompetent të raportit të vlerësimit të ndikimit në mjedis, dhe çdo informacioni tjetër shtesë nga zhvilluesi kur është i nevojshëm, si dhe çdo informacion tjetër i rëndësishëm marrë nëpërmjet procesit të konsultimeve;
    4. Konkluzionit të arsyetuar nga autoriteti kompetent mbi ndikimet e rëndësishme në mjedis të projektit, duke marrë në konsideratë rezultatet e shqyrtimit të raportit të vlerësimit të ndikimit në mjedis nga autoriteti kompetent;
    5. Përfshirjes në vendimin e miratimit të zhvillimit të projektit, nga autoriteti përgjegjës për miratimin e zhvillimit, të konkluzioneve ta arsyetuara nga autoriteti kompetent”.

 

2. Pas pikës 8 shtohet pika 8/1 me përmbajtje si vijon:

"8.1 Autoriteti ose autoritetet kompetente" është autoriteti ose autoritetet e përcaktuara si përgjegjëse për kryerjen e procesit të VNM-së , referuar detyrimeve të përcaktuara në këtë ligj”.

 

3. Pika 9 shfuqizohet

 

4. Pika 10 ndryshon me përmbajtje si vijon:

“10. “Autoriteti përgjegjës për miratimin e zhvillimit” është institucioni publik që, brenda fushës së përgjegjësisë që mbulon, funksioneve dhe kompetencave të përcaktuara në ligjin sektorial përkatës, është përgjegjës për miratimin e zhvillimit për projektet që janë  objekt  i këtij ligji”.

 

3. Pika 11 ndryshon me përmbajtje si vijon:

“11. “Zona të veçanta ruajtjeje” ka kuptimin që jepet në ligjin nr. 81/2017“Për zonat e mbrojtura”.

 

4. Pas pikës 14 shtohet pika 14/1 me përmbajtje si vijon:

“14/1. "Miratim zhvillimi", është akti i lëshuar nga autoriteti përgjegjës për miratimin e zhvillimit për projektet që janë subjekt i këtij ligji, që i jep të drejtë zhvilluesit, të vijojë me zbatimin e tij.”

 

5. Pas pikës 16 shtohet pika 16/1 me përmbajtje si vijon:

“16/1 “Vlerësimi i Duhur” është procesi që vlerëson rëndësinë e ndikimeve të një projekti të propozuar, në mënyrë individuale apo në kombinim me planet ose projektet e tjera të miratuara ose në zhvillim në Zonat e Veçanta të Ruajtjes, me qëllim informimin në proceset e vendimmarrjes”.

Neni 4

Në nenin 7 bëhen shtesat si vijon:

1. Pas pikës 1 shtohet pika 1/1  me përmbajtje si vijon:

“1/1. Zhvilluesi, nëse është e nevojshme, kërkon mendim paraprak nga ministria ose AKM-ja, nëse projekti që synon të zhvillojë është objekt i këtij ligji“.

2. Pas pikës 5 shtohet pika 6 me përmbajtje si vijon:

“6. Ministri përgjegjës për mjedisin miraton me udhëzim shpjegimin e detajuar të projekteve të parashikuara në shtojcat I dhe II të këtij ligji”.

 

Neni 5

Në nenin 8 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

1. Shkronja “ç” ndryshon me përmbajtje si vijon:

“ç) projektet e listuara apo jo në shtojcën I ose II të këtij ligji, ose që nuk kanë ndikim të drejtpërdrejtë, apo nuk lidhen domosdoshmërisht me menaxhimin e një zone të veçantë të ruajtjes, por që ka të ngjarë të ketë një efekt të rëndësishëm në këtë zonë, i nënshtrohet edhe Vlerësimit të Duhur, me qëllim sigurimin e autoriteteve kompetente, që ky projekt nuk do të sjellë pasoja  në integritetin e zonës”.

2. Pas shkronjës “ç” shtohet shkronja “d” me përmbajtje si vijon:

“d) projektet e përcaktuara në shkronjën “ç” më sipër, që i nënshtrohen edhe Vlerësimit të Duhur, identifikohen rast pas rasti nga autoriteti përgjegjës për menaxhimin e zonave të veçanta të ruajtjes, referuar legjislacionit në fuqi për zonat e mbrojtura”.

Në këtë rast, raporti paraprak i VNM-së përfshin edhe Vlerësimin e Duhur të përcaktuar në pikën 16/1 të nenit 6 të ndikimeve të këtyre projekteve në atë zonë, i cili shqyrtohet nga autoriteti përgjegjës për menaxhimin e zonave të veçanta të ruajtjes”.

Neni 6

Në nenin 9 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

1. Pika 2 ndryshon me përmbajtje si vijon:

“2. Vlerësimi i ndikimit në mjedis i thelluar për projektet e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, identifikon, përshkruan dhe vlerëson ndikimet e drejtpërdrejta ose jo të projektit minimalisht mbi faktorët e mëposhtëm:

  1. popullsinë dhe shëndetin e njeriut;
  2. biodiversitetin, me vëmendje të veçantë ndaj specieve dhe habitateve të mbrojtura, përcaktuar në aktet nënligjore për miratimin e listave të tipeve të habitateve natyrore, bimëve, kafshëve dhe shpendëve me interes për Bashkimin Evropian dhe listës së shpendëve të egër veçanërisht vulnerable
  3. terrenin, tokën, ujin, ajrin dhe klimën;

ç. pasuritë materiale, trashëgiminë kulturore dhe peizazhin;

      d. ndërveprimin midis faktorëve të përmendura më sipër”.

2. Pas pikës 2 shtohet pika 3 me përmbajtje si më poshtë:

“3.Ndikimet e përmendura në pikën 2 të këtij neni mbi faktorët e përcaktuar në të, përfshinë edhe efektet e pritshme në rastet e rreziqeve të shkaktuara nga aksidentet madhore industriale dhe/ose fatkeqësive natyrore gjatë zhvillimit të projektit”.

Neni 7

Në nenin 11 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

1. Në pikën 1 togfjalëshi “...një projekt i shtojcës II” zëvendësohet me togfjalëshin “...një projekt i përcaktuar në nenin 8, të këtij ligji”.

2. Pas pikës 3 shtohet pika 4 me përmbajtje si vijon:

“4. AKM-ja mund ta zgjasë afatin e marrjes së Vendimit për VNM paraprake, në raste të vecanta që lidhen me natyrën, kompleksitetin, vendndodhjen ose madhësinë e projektit, deri në një muaj nga afati i përcaktuar në zbatim të këtij ligji.. Në këtë rast AKM-ja informon zhvilluesin për arsyet e zgjatjes së afatit, si dhe për datën e marrjes së  Vendimit”.

 

Neni 8

Në pikën 1 të nenit 12 togfjalëshi “…autoritetit planifikues” zëvendësohet me togfjalëshin “autoriteti përgjegjës për miratimin e zhvillimit:”.

Neni 9

Në pikën 1 të nenit 15 shkronjat “c”, “ç” dhe “dh” zëvendësohen me shkronjat ”c” deri “e”

Neni 10

Titulli i  Kreut IV ndryshon me përmbajtje si vijon:

DHËNIA E INFORMACIONIT, RUAJTJA E TË DHËNAVE KONFIDENCIALE DHE KONFLIKTI I INTERESIT”

Neni 11

Neni 18 ndryshon me përmbajtje si vijon:

“Neni 18

Dhënia e informacionit

Autoritetet publike, me kërkesë të zhvilluesit apo personit fizik/juridik i pajisur me licencë për hartimin e raportit të VNM-së, vënë në  dispozicion të tyre informacionin e disponueshëm për përgatitjen e raportit të vlerësimit të ndikimit në mjedis, në përputhje me legjislacionin në fuqi për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare, dhe legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e mjedisit”. 

Neni 12

Pas nenit 19 shtohet neni 19/1 me përmbajtje si vijon:

“Neni 19/1

Konflikti i interesit

Palët e përfshira në zbatimin e këtij ligji, duke përfshirë të gjithë aktorët e përshirë në procesin e konsultimit, garantojnë një vendimarrje të paanshme, transparante nëpërmjet parandalimit të konfliktit të interesit ndërmjet interesave publike dhe atyre private, sipas legjislacionit në fuqi për parandalimin e konfliktit të interesit”.

Neni 13

Titulli i Kreut V ndryshon me përmbajtje si vijon:

“VENDIMI I AUTORITET PËRGJEGJËS PËR MIRATIMIN E ZHVILLIMIT”

Neni 14

Neni 20 ndryshon me përmbajtje si vijon 

“Neni 20

 

Vendimi i autoritetit përgjegjës për miratimin e zhvillimit

 

1. Autoriteti përgjegjës për miratimin e zhvillimit për një projekt publik ose privat të përcaktuar në këtë ligj, përpara vendimit për dhënien ose jo të miratimit të  zhvillimit, sigurohet që projekti t’i jetë nënshtruar kërkesave të këtij ligji dhe, në varësi të projektit, të jetë pajisur me Deklaratë Mjedisore ose Vendim për VNM paraprake.

2. Autoriteti përgjegjës për miratimin e zhvillimit, kur shqyrton dhënien ose jo të miratimit të zhvillimit për një projekt, apo vendosjen e kushteve për zhvilluesin, merr në konsideratë Deklaratën Mjedisore ose Vendimin për VNM paraprake për ndikimet në mjedis të projektit të propozuar.

3. Në rast se autoriteti përgjegjës për miratimin e zhvillimit të projektit merr vendim për miratimin e zhvillimit të projektit, në kundërshtim me Vendimin për VNM paraprake apo deklaratën mjedisore, jep argumentet përkatëse për këtë vendim.

4. Akti për miratimin e zhvillimit duhet të përfshijë të paktën informacionin e mëposhtëm:

(a) arsyetimin nga autoriteti kompetent mbi efektet domethënëse të projektit në mjedis, duke marrë parasysh rezultatet e shqyrtimit

(b) çdo kusht mjedisor të përcaktuar në Deklaratën Mjedisore apo Vendimin për VNM paraprake, përshkrim të karakteristikave të projektit dhe / ose masat e parashikuara për të shmangur, parandaluar ose zvogëluar dhe, nëse është e mundur, kompensuar ndikimet e rëndësishme   në mjedis, si dhe masat e monitorimit.

 

Neni 15

Neni 21 ndryshon me përmbajtje si vijon:

“Neni 21

 Miratimi i zhvilimit në Zonat e Veçanta të Ruajtjes

1. Autoritetet përgjegjëse për miratimin e zhvillimit, japin miratimin përkatës vetëm në rast se  Vlerësimi i Duhur ka konstatuar se nuk do të ketë efekte të konsiderueshme në integritetin e kësaj zone.

2. Kur projekti duhet të zhvillohet për arsye madhore të interesit publik kombëtar, pavarësisht ndikimeve  në zonë të identifikuara në Vlerësimin e Duhur dhe mungesës së zgjedhjeve alternative, autoritetet përgjegjëse miratojnë zhvillimin, vetëm me kushtin që zhvilluesi të marrë të gjitha masat kompensuese me qëllim sigurimin që zona e veçantë e ruajtjes nuk e humb integritetin e saj.

 

Neni 16

Titulli i  Kreut VIII ndryshon me përmbajtje si vijon:

“ANKIMI, MONITORIMI, VLEFSHMËRIA, KUNDRAVAJTJET ADMINISTRATIVE DHE SANKSIONET”

Neni 17

Nenin 25 ndryshon me përmbajtje si vijon:

 

“Neni 25

Ankimi

 

1. Çdo palë e interesuar, përfshirë edhe publikun e ndikuar, subjekt i këtij ligji, ka të drejtë të ankohet në rrugë administrative te ministri ndaj akteve, veprimeve apo mosveprimeve të ministrisë dhe AKM-së, sipas Kodit të Procedurave Administrative.

 

2. Me qëllim rritjen e efektivitetit të dispozitave të këtij neni, ministria dhe AKM-ja publikojnë në faqen zyrtare elektronike informacionin mbi të drejtën e publikut të ndikuar për të drejtën e tyre të ankimimit administrativ dhe gjyqësor”.

 

Neni 18

 

Në Kreun VIII, pas nenit 25 shtohet neni 25/1 me përmbajtje si vijon:

 

 “Neni 25/1

 

Monitorimi dhe Vlefshmëria

 

1. AKM-ja përcakton llojin e parametrave që monitorohen dhe kohëzgjatjen e monitorimit në raport me natyrën, vendndodhjen dhe madhësinë e projektit dhe ndikimeve të rëndësishme  të tij në mjedis, të cilat parashikohen në Vendimin për VNM Paraprake apo Deklaratën Mjedisore.

2. Zhvilluesi, gjatë fazës së zbatimit të projektit kryen vetmonitorimin e ndikimeve të rëndësishme të projektit në mjedis dhe i raporton AKM-së për masat e marra për mbrojtjen e mjedisit.

3. Struktura përgjegjëse për inspektimin në fushën e mjedisit inspekton ndikimet në mjedis nga zbatimi i projektit, si dhe kushtet e monitorimit të përcaktuara në Vendimin për VNM Paraprake apo Deklaratën Mjedisore.

4. Deklarata Mjedisore apo Vendimi për VNM paraprake për projektin e propozuar është e vlefshme për aq kohë sa është i vlefshëm dhe dokumenti i miratimit të zhvillimin përkatës për projektin.

5. Nëse projekti, që i është nënshtruar procesit të VNM-së, nuk fillon zbatimin në terren brenda 2 vjetëve nga data e miratimit të Deklaratës Mjedisore apo Vendimi për VNM paraprake, atëherë këto dokumente konsiderohen të pavlefshme dhe procesi i VNM-së fillon nga e para”.

 

Neni 19 

 

Neni 26 ndryshon me përmbajtje si më poshtë:

 

“Neni 26

 

Kundërvajtjet administrative dhe sanksionet

 

1. Shkeljet e mëposhtme të këtij ligji, që nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen si më poshtë:

a) Zhvilluesi që zhvillon një projekt, i cili listohet në shtojcën I dhe II të këtij ligji, pa ju nënshtruar kërkesave të këtij ligji dhe pa u pajisur me Vendim për VNM paraprake, ose Deklaratë Mjedisore, dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 500 000 lekë dhe me pezullimin e punimeve.

b) Mospërmbushja dhe mosrespektimi i kushteve të Vendimit për VNM paraprake ose Deklaratës Mjedisore nga zhvilluesi i projektit:

i. për Vendimin për VNM paraprake dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 200 000 lekë;

ii. për Deklaratë Mjedisore dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 500 000 lekë

c) Paraqitja e fakteve, të dhënave dhe dokumente të rreme, nga zhvilluesi apo personi fizik/juridik, i pajisur me licencë për hartimin e raportit të VNM-së, të cilat kanë ndikuar në vendimmarrjen e autoritetit kompetent perben veper penale dhe organi administrativ shfuqizon aktin dhe ben kallzim penal.

2. Krahës dënimit me gjobë i parashikuar pikën 1/b të këtij neni, në rast të mospërmbushjes dhe mosrespektimit nga ana e zhvilluesit, të kushteve të përcaktuara në Vendimin për VNM-në paraprake ose Deklaratën Mjedisore:

a) AKM-ja për Vendimin e VNM-së  paraprake pezullon aktivitetin për zbatimin e projektit nga 1 deri 12 muaj deri në zbatimin e kushteve;

b) Ministri, për Deklaratën Mjedisore, me propozim të AKM-së pezullon aktivitetin për zbatimin e projektit nga 3 deri 12 muaj deri në zbatimin e kushteve;

3. Në rast të pezullimit të Vendimit për VNM-në paraprake ose Deklaratës Mjedisore të përcaktuara në pikën, 2 të këtij neni, zhvilluesi, dorëzon në AKM për shqyrtim dhe miratim, jo më vonë se 30 ditë nga marrja dijeni të aktit të pezullimit, dokumentet e mëposhtëm:

a) raportin e detajuar mbi dëmin e shkaktuar, ku të përfshihen masat e marra për parandalimin e dëmeve të mëtejshme;

b) planin i rehabilitimit me qëllim kompesimin e dëmit të shkaktuar, në terma konkret ku përcaktohen masat dhe kohëzgjatja e realizimit të ketij plani.

4. Pas rehabilitimit të zonës, referuar dokumentave të përcaktuara në pikës 3 më sipër, zhvilluesi dorëzon raportin për zbatimin e planit të rehabilitmit dhe i kërkon autoritetit kompetent shfuqizimin e aktit të pezullimit.

5. Në rast të konstatimit se zona nuk është rehabilituar, AKM-ja shfuqizon Vendimin e VNM-së paraprake dhe në rastin e Deklaratës Mjedisore shfuqizimi bëhet nga Ministri,me propozim të AKM-së.

6. Në rast të konstatimit nga AKM-ja, se akti i miratimit të zhvillimit, është bazuar në një projekt, karakteristikat kryesore të tij janë ndryshuar në mënyrë të ndjeshme nga ato mbi të cilat është bazuar vendimmarrja për Vendimin për VNM paraprake ose Deklaratës Mjedisore, Ministri propozon pranë autoriteteve përgjegjëse shfuqizimin e aktit të miratimit të zhvillimit.

7. Në rast të paraqitjes, nga personi fizik/juridik i pajisur me licencë për hartimin e raportit të VNM-së mbi 3 herë të raporteve të VNM-së me mangësi, bazuar në metodologjinë kombëtare për hartimin e raporteve të vlerësimit të ndikimit në mjedis, ministri vendos pezullimin apo heqjen e certifikatës dhe njofton autoritetin që ka lëshuar licencën.

8. Në rastet kur shkeljet përbëjnë vepër penale, struktura përgjegjëse për inspektimin në fushën e mjedisit bën kallëzim penal pranë organeve përkatëse.

9. Procedura e konstatimit, vendosjes dhe ankimit të masave administrative si dhe ekzekutimi i masave administrative bëhet në përputhje me legjislacionin për kundërvajtjet administrative.

 

 

Neni 20

 

Kudo në përmbajtje të ligjit fjala “negative” hiqet.

 

 

 

Neni 21

 

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

 

 

K R Y E T A R I


 

Gramoz RUCI

Nuk ka ende asnjë koment për këtë konsultim

Identifikohu për të komentuar