Projektligj "Për privatizimin e objekteve dhe sipërfaqeve ndërtimore nën objektet e dhëna për strehim, në inventar të Ministrisë së Mbrojtjes"

Ministria e Mbrojtjes

|

Postuar më: 04.02.2020

|

Data e Mbylljes: 24.11.2021

|

Statusi: Konsultim i mbyllur

|

Nr.Komenteve: 0

|

Nr.Shikimeve: 2380

PDF

|

XML

PROJEKTLIGJ

 

Nr. _____. _____.2021

 

PËR

PRIVATIZIMIN E OBJEKTEVE DHE TRUALLIT FUNKSIONAL, NË INVENTAR TË MINISTRISË SË MBROJTJES, DHËNË PËR STREHIM USHTARAKËVE DHE ISH-USHTARAKËVE

 

Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

 

V E N D O S I:

 

Neni 1

  1. Objektet ndërtimore të shndërruara për banim, së bashku me truallin funksional, dhënë për strehim ushtarakëve e ish-ushtarakëve nga Ministria e Mbrojtjes, privatizohen në favor të përfituesve që disponojnë dokumentacion për pajisjen me këto objekte dhe janë banorë aktualë të tyre.
  2. Në rastet kur përfituesi i së drejtës për privatizimin e objektit të kthyer në banesë dhe truallit funksional ka ndërruar jetë, procedurat e privatizimit kryhen me trashëgimtarët e tij sipas dëshmisë së trashëgimisë.

Neni 2

Objekt i privatizimit, sipas këtij ligji, janë:

  1. Për objektet ndërtimore dhe truallit funksional sipas listës bashkëlidhur këtij ligji që përcakton numrin, emërtimin dhe vendndodhjen e pronës,
  2. prona në inventar të Ministrisë së Mbrojtjes, që janë jashtë Planit të Vendosjes dhe Përhapjes së Forcave të Armatosura;
  3. prona të dala jashtë inventarit të strukturave të vartësisë të Ministrisë së Mbrojtjes për shkak të dhënies së tyre për banim dhe që nuk janë në administrim apo pronësi të ndonjë subjekti tjetër shtetëror apo privat;
  4. Ish-objektet ushtarake dhe truallit funksional, të cilat i kanë kaluar më parë Entit Kombëtar të Banesave, me qëllim privatizimin e tyre në favor të ushtarakëve apo ish-ushtarakëve dhe për të cilat procesi i privatizimit nuk ka filluar.

Neni 3

Në rastet kur objektet sipas nenit 1 të këtij ligji janë të ndërtuara mbi troje të njohura për kompensim me vendime përfundimtare ku është përcaktuar e drejta e parablerjes, privatizimi i këtyre objekteve do të vijojë sipas një ligji të veçantë.

Neni 4

Privatizimi kryhet për ato objekte ndërtimore dhe truallin funksional që, në bazë të akteve ligjore e nënligjore të mëparshme për kthim në banesa të objekteve që mbetën të lira nga ristrukturimi i Forcave të Armatosura, janë dhënë për strehim ushtarakëve dhe ish-ushtarakëve.

Neni 5

  1. Dokumentacioni vërtetues i pajisjes së personave me objekt për qëllim strehimi është:

a) autorizim ose vendim nga komisionet e strehimit;

b) listë shpërndarje nga komisioni i strehimit apo nga Ministria e Mbrojtjes;

c) urdhër i ministrit të Mbrojtjes për strehim;

ç) shkresë drejtuar Entit Kombëtar të Banesave;

d) autorizim nga komandat e reparteve për strehim;

dh) autorizim i përkohshëm  nga komandat e reparteve për strehim;

e) kontratë ruajtje ndërmjet poseduesit dhe komandës së repartit;

ë) urdhër ruajtje nga komanda e repartit që ngarkon poseduesin për ruajtjen e objektit;

f) urdhër për strehim të përkohshëm nga komanda e  repartit;

g) kontratë provizore ndërmjet poseduesit dhe komandës së repartit;

gj) kontratë qiraje ndërmjet poseduesit dhe komandës së repartit;

  1. Për privatizimin e objektit ndërtimor dhe truallit funksional, poseduesi dorëzon njërin nga dokumentet sipas përcaktimit të pikës 1 të këtij neni, i cili të jetë origjinal ose i njësuar me origjinalin.

Neni 6

  1. Objektet ndërtimore, të shndërruara për banim së bashku me truallin funksional, sipas nenit 1 të këtij ligji, i kalojnë në pronësi Entit Kombëtar të Banesave me qëllim privatizimin e tyre në favor të poseduesve.
  2. Privatizimi i objekteve dhe truallit funksional kryhet nga Enti Kombëtar i Banesave, brenda tri viteve nga kalimi në përgjegjësi administrimi të objekteve nga Ministria e Mbrojtjes.

Neni 7

  1. Privatizimi dhe regjistrimi i objekteve dhe truallit funksional të dhëna për strehim, kryhet nëpërmjet dokumentacionit të llojit planvendosje dhe planimetri të përgatitur nga Ministria e Mbrojtjes,  që përputhen me gjendjen faktike të objektit.  
  2. Objektet e dhëna për strehim dhe trualli funksional, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, i vihen në dispozicion menjëherë Entit Kombëtar të Banesave, i cili bën privatizimin e objekteve sipas gjendjes faktike të ndërtesës, që përfshin ndërtimet e reja, ndryshimet/ndërtimet e kryera në funksion të përshtatjes së objekteve për banim.
  3. Me kalimin e objekteve në pronësi të Entit Kombëtar të Banesave, Ministria e Mbrojtjes bën përditësimin e inventarit të pronave të saj në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës sipas nenit 37, të ligjit nr. 20/2020, “Për përfundimin e procesit të kalimit të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.

Neni 8

Përjashtohen nga procedura e privatizimit, sipas këtij ligji, të gjithë ata persona kryefamiljarë dhe anëtarë të tyre të familjes, referuar certifikatës së gjendjes familjare, që disponojnë një objekt tjetër banimi të përfituar nga shteti ose që në momentin e pajisjes me objekt për strehim kanë pasur detyrimin për të dorëzuar një objekt tjetër banimi dhe nuk e kanë dorëzuar.

Me përjashtim të objekteve sipas nenit 3 të këtij ligji, objektet e tjera që mbeten të paprivatizuara i kalojnë në administrim njësisë së vetëqeverisjes vendore përkatëse që lidh kontratat e qirasë me banorët aktualë të tyre.

Neni 9

Në rastet kur një subjekt i interesuar njofton Entin Kombëtar të Banesave se gjykata është duke shqyrtuar një mosmarrëveshje me objekt marrëdhëniet e pronësisë mbi pasurinë që synohet të privatizohet, procedura e privatizimit pezullohet deri me marrjen e vendimit të formës së prerë.  

Neni 10

Përfituesit e këtyre objekteve për privatizim nga Enti Kombëtar i Banesave të paguajnë vlerën e truallit funksional, sipas vlerës së çmimit që ka pasur trualli në momentin e pajisjes së ushtarakut, ish-ushtarakut me dokumentacion për qëllim strehimi, vlerën 4% të shpenzimeve operacionale të Entit Kombëtar të Banesave.

Neni 11

Ngarkohet ministri përgjegjës për financat dhe ekonominë dhe ministri i Mbrojtjes që brenda katër muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrjin një udhëzim të përbashkët, ku përcaktohen procedurat e detajuara për privatizimin e objekteve të dhëna për strehim që trajtohen me këtë akt ligjor.  

Neni 12

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

          KRYETARI

Lindita  Nikolla

Nuk ka ende asnjë koment për këtë konsultim

Diskutimet për këtë konsultim janë mbyllur.