Plani Kombëtar për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Infrastrukturës Digjitale Broadband 2020-2025

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë

|

Postuar më: 16.04.2020

|

Data e Mbylljes: 27.05.2020

|

Statusi: Konsultim i mbyllur

|

Nr.Komenteve: 1

|

Nr.Shikimeve: 1900

PDF

|

XML

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hartuar draft Planin Kombëtar të Broadband për Shqipërinë 2020-2025.
Ky dokument strategjik do të zëvendësojë Planin Kombëtar Broadband, të miratuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave  nr. 468 datë 30.05.2013, të ndryshuar në vitin 2015. Dokumenti bën rishikimin e vizionit, objektivave strategjike dhe qëllimeve për zhvillimin e infrastrukturës broadband në përputhje me zhvillimet e fundit të tregut të telekomunikacioneve, zhvillimeve teknologjike në këtë fushë, me nevojat gjithnjë në rritje për konektivitet digjital të shpejtësisë së lartë dhe shumë të lartë të komunikimit si dhe në përgjigje të kërkesave dhe aspiratave të transformimit digjital në mbështetje të gjithë investimeve të kryera nga qeveria shqiptare në kuadër të digjitalizimit të infrastrukturës publike dhe shërbimeve elektronike.

Përsa më sipër, ftohen grupet e interesit të dërgojnë komentet/rekomandimet e tyre

Komentet nga qytetarët

arrow

Gentian Suçi

Ne lidhje me “PROJEKTVENDIMIN PËR MIRATIMIN E PLANIT KOMBËTAR PËR ZHVILLIMIN E QËNDRUESHËM TË INFRASTRUKTURËS DIGJITALE BROADBAND 2020-2025”,

Keto jane disa nga ceshtjet qe une doja te paraqisja per konsultim mbasi lexova draftin:

1. Si do jete qasja e adresimit te efektit mjedisor te infrastruktures digjitale dhe masat perkatese? Asgje nuk eshte shpjeguar ne draft se si kjo do ndodhe. Nuk eshte marre mundimi te parashtrohet asnje fakt apo hap konkret ne qellimin e adresimit te efektit mjedisor dhe asnje mase e argumentuar mire. Duhet korrigjuar ky mosadresim i pasojave.

2. Cilat do jene efektet e infrastruktures digjitale ne pasurite e paluajtshme? Vendosja e strukturave te rrjeteve celulare 5G ne qytete kryesore mund te sjelle pasoja ne vleren e pasurive e paluajtshme ku infrastruktura do instalohet. Nuk eshte adresuar si ceshtje. Per shkak te frekuences me rreze te shkurter duhet instaluar me shume antena ne qendra urbane. (1) Qytetaret, pronat e te cileve preken, duhen informuar dhe u duhet dhene nje ze per te reaguar.

3. Cilat do jene pasojat shendetesore te instalimeve prane qendrave urbane dhe shkollave? Sa larg duhen instaluar nga shkollat, per shembull, 20 metra, 50 metra? Infrastruktura duhet te kete parametra sigurie dhe te perfshije shqetesimet shendetesore.
Në prill 2019, qeveria belge ndaloi një test 5G në Bruksel për shkak te shqetësimeve se rrezatimi nga stacionet bazë mund të jetë i dëmshëm. (2)
Anëtarët e Parlamentit në Hollandë gjithashtu po i bëjnë thirrje qeverisë të kontrolloje probelmatikat e ngritura mbi 5G-ne. (3)
Zvicra po merr hapa për të monitoruar ndikimin e 5G te njerëzit. (4)
Në vitin 2011, Organizata Botërore e Shëndetit tha që telefonat celularë mund të shkaktojnë disa kancere të trurit, duke lënë të hapur mundësinë që ekziston një lidhje midis kancerit dhe rrezatimit të celularit. (5)
Sistemi 5G ka frekuence edhe me te larte akoma se ato te viti 2011 dhe Shqiperia nuk ka pse te jete pararoje e eksperimenteve. (6)

4. Pse instalimi i struktures 5G shihet si prioritet i qeverise? A nuk duhet te jete ajo investim privat i atyre qe do marrin fitime financiare nga ai rrjet, kompanite celulare? Shqiperi ka nevoje per internet dhe e kuptoj rritjen 0.1 te ekonomise me instalimin e nje rrjeti modern digjital, por rrjeti 5G nuk ka pse te paguhet nga taksapaguesit shqiptare per te pasuruar kompanite celulare. Broadbandi me fije optike eshte me i lire dhe me i sigurte. Perfituesit kryesore te 5G nuk jane fshatrat e thella, por kompanite celulare. A nuk duhet te kete nje studim qe krahason matshem keto aspekte dhe jo thjesht iluzione nga grupet e interesuara?

5. A ka mjete per te mos monopolizuar broadbandin dhe shmangje te vendosjes se cmimeve nga ofruesit ashtu si ka ndodhur edhe me pare me tarifat celulare ku kompanite kishin bere ujdi menjane dhe vendosen cmime te larta bashkarisht? Si do demokratizohet plani i shperndarjes?

6. Ne draft ka thirrje nga disa plane te interesuara per rritje cmimesh per ofrimin e internetit te qytetaret. Nuk me duket ogur i mire qe kjo te jete shqetesim ne nje draft qeveritar. A nuk i duhet lene kjo ekonomise se tregut?

7. Ne objektivat startegjike, permendet qe nje qytet kryesor do pajiset me lidhje 5G nga fundi i 2025. Duhet transparence dhe jo plane ne ajer. Duhet te jene te shkruar me te zeze ne te bardhe dhe qytetaret te informohen. Qeveria ka qene ne lartesine e duhur per t’u shprehur gjate Covid-19. Kjo duhet te ndodhe edhe kur ne qytete shqiptare behen eksperimente te kesaj natyre.

1. https://newyork.cbslocal.com/2018/05/29/5g-cell-phone-service/
2. https://www.brusselstimes.com/brussels/55052/radiation-concerns-halt-brussels-5g-for-now/
3. https://www.emfsa.co.za/news/5g-the-netherlands-political-concern-about-the-effects-of-radiation-on-public-health-is-growing/
4. https://www.reuters.com/article/us-swiss-5g/switzerland-to-monitor-potential-health-risks-posed-by-5g-networks-idUSKCN1RT159
5. https://www.cnet.com/news/who-cell-phones-may-cause-cancer/
6. https://www.facebook.com/terryrexx/videos/3060905413973185/

Postuar më: 19.04.2020 08:23

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë

arrow
Në lidhje me komentet dhe cështjet e ngritura nga Z. Gentian Suçi, duke e falenderuar për kontributin, komentet dhe shqetësimet që sjell në vëmendje dëshirojmë të informojmë si më poshtë:

1.Për aspektet e efektit mjedisor dhe zhvillimet në infrastrukturën digjitale, sqarojmë se çështjet e ndikimit mjedisor janë të adresuara me legjislacion të posaçëm dhe nuk janë pjesë e këtij dokumenti pasi çdo zhvillim duhet të respektojë kërkesat ligjore në lidhje me ndikimin në mjedis përfshirë dhe zhvillimet e infrastrukturës së broadband. Megjithatë në dokumentin e ripunuar, është përfshirë informacion si dhe masa në lidhje me mbrojtjen nga rrezatimet EMC në veçanti për zhvillimet e pritshme të rrjeteve 5G/NGN. Sikurse mund të jeni të informuar Shqipëria ka të adoptuar në rregullimet për këtë qëllim praktikën e BE-së.

2.Në lidhje me shqetësimin e ngritur ne pikën e dytë informojmë se instalimet e rrjetit të komunikimeve elektronike dhe antenave celulare në veçanti kryhen në zbatim të legjislacionit në fuqi si ligji per planifikimin e territorit, kuadri nënligjor në zbatim të tij ku ka kërkesa specifike për dokumentacionin shoqërues për miratimin e një leje përfshirë dhe marrëdhënien me pronën/pronarët ku mendohet të vendoset një antenë. Është detyrë e autoritetit planifikues përkatës të shqyrtojë dhe miratojë, refuzojë dhënien e lejes në varësi të respektimit/përmbushjes së gjithë kërkesave ligjore. Në vijim informojmë se në dokumentin e ripunuar është dhënë informacion në lidhje me masat për mbrojtjen nga rrezatimet EMC referuar praktikës ndërkombëtare dhe rregullimeve të BE-së. Në veçanti për rrjetet 5G do zbatohen standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e shëndetit.

3.Në lidhje me komentin për standardet për rregullat e vendosjes së antenave, distancave që duhet të kenë nga shkollat etj. Dëshirojmë të sqarojmë dhe njëherë se të gjitha këto janë cështje që mbulohen nga legjislacioni për planifikimin e territorit. Zhvillimet e pritshme në rrjetet 5G kanë do shoqërohen me plotësimet e nevojshme të legjislacionit përkatës. Në lidhje me mbrojtjen e nevojshme nga rrezatimet e antenave celulare, në dokument është dhënë informacion që detyra për mbojtjen nga rrezatimet jo jonizuese rregullohet me ligj specifik, institucioni përgjegjës për këtë është Zyra për Mbrojtjen nga Rrezatimet në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale. Gjithashtu në dokumentin e ripunuar është prezantuar se nga AKEP janë kryer matje për nivelet e rrezatimeve në vecanti prane shkollave, qendrave shëndetësore etj. Monitorimi i kryer tregon se nivelet e rrezatimit janë brenda standardeve. Për ndjeshmërinë që ka çështja në veçanti për diskutimet e hapura për 5G, në dokument është parashikuar vijimi i monitorimit nga AKEP si dhe është shtuar një seksion për mbrotjen e konsumatorit. Në lidhje me masat për ndërtimin e rrjeteve ato adresohen në detaje në legjislacionin për planifikimin e territorit ligji nr. 107/2014 i ndryshuar, dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.

4.Lidhur me komentin e pikës 4, dëshirojmë të sqarojmë se zhvillimin e rrjeteve broadband dokumenti e shikon të lidhur me zhvillimin e rrjeteve fikse dhe ato të lëvizshme. Sjellim ne vëmendje se parimet e rregullimit në sektorin e komunikimeve elektronike janë ato mbi bazën e neutralitetit teknologjik. Përsa i takon zhvillimit të rrjeteve 5G, informojmë se 5G shihet botërisht si një zhvillim i rëndësishëm në transformimin digjital dhe krijimin e ekonomise digjitale në veçanti për aplikacionet e shumta të përdorimit dhe komunikimet në Internetin e gjërave, (IoT), komunikimet makinë-makinë (M2M), në smart cities apo përdorimet nga “vertical industry” etj. Dokumenti referon praktikën e BE-së në lidhje me zhvillimin e 5G si dhe jep këndvështrimin e industrisë vendase. Në të njëjtën kohë në dokument mbahet paraysh fakti që aktualisht mbulimi me mobile broadband është mbizotërues në Shqipëri për këtë arsye por dhe për avantazhet teknologjike të lidhura me lëvizshmërinë, pritet të vijojë të ketë rëndësi për zhvillimet në të ardhmen. Ndërkoh, aktualisht projekti për zhvillimin e broadband që është duke u zhvilluar me mbështetjen e BE-së përmes instrumentit të WBIF është kryesisht për zhvillimin e infrastrukturës fizike me fibër optike për broadband për prespektivat afatgjata. Praktikat e zhvilluara në BE apo në vendet në zhvillim, tregojnë për nevojën e investimeve, apo të ndërhyrjes me fonde publike në zonat e thella, zonat rurale ku nuk ka interes per investim nga sektori privat. Kjo është e nevojshme dhe e rëndësihme për objektivat e gjithëpërfshirjes dhe realizimit të shërbimit universal. Kjo është një praktikë e mirëzhvilluar në BE dhe vendet e tjera. Gjithashtu është praktike e parashikuar në legjislacionin shqiptar për zbatimin e ndihmës shtetërore. Cfarë është prezantuar në dokument nuk kupton investimin për rrjetet 5G apo celulare nga shteti sikurse mesa kuptojmë është keqkuptuar nga ju.

5.Kuadri ligjor në Shqipëri për telekomunikacionet është mbështetur gjërësisht në praktikën e BE-së dhe tregu i telekomunikacioneve është plotësisht i liberalizuar që nga viti 2008. Ligji ka një sërë nenesh për masat rregullatore që garantojnë konkurencën e ndershme. Dokumenti në asnjë pjesë të tij nuk flet për krijim situatash monopoli në broadband. Fakti që në treg janë të autorizuar mbi 200 ISP tregon për hapje të plotë të tregut.

6. Në lidhje me komentin dhe shqetësimin e ngritur për rritjen e tarifave, sqarojmë se dokumenti prezanton rezultatet e raportit ndërkombëtar të ITU-së që ka analizuar tarifat për aksesin e broadband dhe nivelin e përballueshmerisë së tyre. Sipas raportit ndërkombëtar të ITU-së, është një fakt që tarifat e aksesit broadband në Shqipëri janë ulur ndjeshëm në vitet e fundit. Gjithashtu në document ka një referencë me studimin e kryer me mbështetjen e UNDP-së në 2017 në lidhje me tarifat e ulta për komunikimet e të dhënave. Në dokument nuk ka asnjë pjësë që të flasë për rritje të çmimeve. Për më tepër është nënvizuar një fakt pozitiv që çmimet që ofron tregu janë të përballueshme. Në vijim sjellim në vemendjen tuaj se rregullimi i tregut të telekomunikacioneve bëhet sipas ligjit nr. 9918 datë 19.5.2008 për komunikimet elektronike në Republikeë e Shqipërisë i ndryshuar. Vendosja e tarifave është një e drejtë e operatorëve dhe në rastet e caktuara kur një operator përcaktohet si operator me fuqi të ndjeshme në tregun përkatës është subjekt i rregullimit.

7. Në lidhje me komentin në pikën 7, sqarojmë se dokumenti në lidhje me 5G dhe objektivin për të pasur 5G në qytetet kryesore i është referuar roadmap të BE-së dhe objektivave që BE ka vendosur. Gjithsesi zhvillimet në 5G do jënë në varësi të kërkesës dhe zhvillimeve në tregun vendas për të cilin mendohet të adoptohet një dokument i veçantë.

Për çdo sqarim tjetër të nevojshëm shprehemi të gatshëm për zhvillimin të një takimi me ju.
(për kontakte: fotjon.kosta@infrastruktura.gov.al)
Diskutimet për këtë konsultim janë mbyllur.