Projektligji per vijen bregdetare
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit
|
Postuar më: 17.06.2020
|
Statusi: Konsultim i hapur
|
Nr.Komenteve: 0
|
Nr.Shikimeve: 4750
P R O J E K T L I G J
Nr. _____/2020
PËR MENAXHIMIN E INTEGRUAR TË ZONËS BREGDETARE
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
Ky ligj ka për qëllim:
- Menaxhimin e integruar të zonës bregdetare të Republikës së Shqipërisë, për të realizuar mbrojtjen dhe përdorimin racional të territorit dhe të vlerave natyrore të zonës bregdetare;
- Menaxhimin e integruar të zonës bregdetare
- garantimin e zhvillimit të qëndrueshëm të zonës bregdetare në harmoni me planin e përgjithshëm kombëtar si dhe me planin sektorial kombëtar te turizmit
nevojat urbanistikesi dhe me veprimtaritë ekonomike dhe sociale që zhvillohen ose kanë ndikim mbi të; - nxitjen e aktiviteteve dhe veprimtarive për mbrojtjen, administrimin dhe rritjen e cilësisë së shërbimit në zonën bregdetare;
- përcaktimin e institucioneve përgjegjëse, për administrimin dhe menaxhimin e zonës bregdetare në të mirë të komunitetit dhe interesave socialë dhe ekonomikë të vendit.
Neni 2
Objekti
Dispozitat e këtij ligji kanë si objekt të përcaktojnë:
- sigurimin, mbrojtjen dhe shfrytëzimin racional të zonës bregdetare ;
- përcaktimin e mënyrës së menaxhimit të integruar të zonës bregdetare;
- rregullat dhe procedurat për aktivitetet që do të kryhen ne zonën bregdetare;
- kompetencat dhe përgjegjësitë qtë institucioneve për administrimin e zonës bregdetare.
Neni 3
Fusha e zbatimit
Dispozitat e këtij ligji zbatohen;
- në zonën bregdetare të Republikës së Shqipërisë, sipas përkufizimit të këtij ligji;
- në zonat, territoret, objektet, veprimtaritë të cilat ndodhen ose zhvillohen tërësisht apo pjesërisht, apo kanë ndikim në zonën bregdetare të Republikës së Shqipërisë.
Neni 4
Përkufizime
Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
- “Agjencia” është Agjencia Kombëtare e Bregdetit, krijuar sipas dispozitave të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar si dhe përgjegjësive të përcaktuara sipas këtij ligji;
- “Bregu i detit” përfshin sipërfaqen e tokës sipas përkufizimit të ligjit për pronat e paluajtshme të shtetit; .
- “Brezi i zhvillimeve të kontrolluara”, përfshin sipërfaqen e tokës nga bregu i detit deri në brendësi të tokës, të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave;
- “Donator” janë të gjitha individët vendas ose të huaj, institucionet financiare dhe bankare, kombëtare dhe ndërkombëtare, publike apo private, të vendit dhe të huaja, që financojnë projekte zhvillimi, për t’u zbatuar nga AKB-ja;
- “Lista e inventarit në bregun e detit”, është lista e inventarit të pasurive të paluajtshme në bregun e detit, e cila administrohet nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit;
- “Menaxhim i integruar i zonës bregdetare” konsiderohet procesi i zbatimit të koordinuar të politikave të ndryshme, të cilat kanë ndikim në zonën bregdetare. Këto politika përfshijnë planifikimin, zbatimin dhe kontrollin e ndërtimeve, si dhe rregullimin e harmonizuar të veprimtarive ekonomike që zhvillohen apo kanë ndikim në zonën bregdetare;
- “Projekt” janë planet ose programet e zhvillimit, që zbatohen nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit, të financuara nga donatorë të ndryshëm dhe/ose nga shteti;
- “Veprimtaritë e lidhura me zonën bregdetare” janë veprimtaritë ekonomike dhe sociale të cilat për shkak të natyrës së tyre, kanë apo mund të kenë ndikim në zonën bregdetare dhe të cilat ndodhen ose zhvillohen, tërësisht ose pjesërisht në zonën bregdetare. Këto veprimtari përfshijnë, por pa u kufizuar në to, veprimtaritë që kanë si objekt turizmin, aktivitetet e turizmit detar gjuetinë, akuakulturën, biodiversitetin, bujqësinë, pyjet dhe kullotat, energjinë, industrinë, shfrytëzimin e burimeve natyrore, infrastrukturën, portet dhe strukturat portuale;
- “Zonë bregdetare” është hapësira gjeografike tokësore dhe nën tokësore, e cila përbëhet nga bregu i detit dhe brezi i zhvillimeve te kontrolluara.
Neni 5
Parimet e menaxhimit të integruar të zonës bregdetare
Menaxhimi i integruar i zonës bregdetare bazohet mbi këto parime;
- respektimin e interesave kombëtare në lidhje me përmirësimin e administrimit të zonës bregdetare, përfshirë vijën bregdetare si dhe territorin tokësor dhe hapësirën detare të lidhur me të;
- ekuilibrimin e nevojave të ruajtjes dhe përdorimit racional të territorit të zonës bregdetare dhe të vlerave natyrore, mjedisore, kulturore, monumentale dhe turistike, me prioritetin e zhvillimit të qëndrueshëm të zonës bregdetare, duke marrë në konsideratë aspektet ekonomike dhe sociale që ndikojnë në të;
- respektimin e zbatimit të instrumenteve të planifikimit të territorit në zonën bregdetare;
- promovimin e veprimtarive ekonomike dhe sociale të cilat respektojnë përdorimin e qëndrueshëm të aseteve të zonës bregdetare dhe sanksionimin e atyre veprimtarive që kanë ndikim negativ mbi të;
- monitorimin, kontrollin dhe sanksionimin e shkeljeve ligjore të zhvillimeve në zonën bregdetare;
- harmonizimin me normat, praktikat dhe standardet evropiane në fushën e menaxhimit të integruar të zonës bregdetare.
- Instalimin e infrastrukturës së nevojshme të shërbimit dhe sociale.
KREU II
MENAXHIMI I INTEGRUAR I ZONËS BREGDETARE
Neni 6
Mënyra e menaxhimit të integruar të zonës bregdetare
Menaxhimi i integruar të zonës bregdetare bazohet në parimet e përcaktuara në nenin 5 dhe menaxhimi kryhet nga:
- Agjencia Kombëtare e Bregdetit, bazuar në vlerësimin/qëndrimin e Komitetit të Menaxhimit të Bregut të Detit, për veprimtaritë që zhvillohen në bregun e detit dhe për aktivitetet e turizmit detar si dhe infrastrukturën e tyre;
- Njësitë e vetqeverisjes vendore për veprimtaritë që zhvillohen në brezin e zhvillimeve të kontrolluara, duke bashkrenduar procesin me institucionet e përcaktuara në nenin 7 (komitetit dhe AKB) të këtij ligji.
Neni 7
Institucionet përgjegjëse për menaxhimin e zonës bregdetare
Në kuptim të këtij ligji institucionet përgjegjëse për menaxhimin e zonës bregdetare janë:
- Ministria përgjegjëse për turizmin;
- Komiteti i Menaxhimit të Bregut të Detit (KMBD), kryesuar nga Ministri përgjegjës për turizmin dhe në përbërje të tij ka përfaqësues të nivelit të lartë nga ministria përgjegjëse për mjedisin, ministria përgjegjëse për infrastrukturën dhe energjinë, ministria përgjegjëse për rendin dhe sigurinë, ministria përgjegjëse për bujqësinë, ministrinë përgjegjëse për mbrojtjen dhe ministrinë përgjegjëse për kulturën.
- Agjencia Kombëtare e Bregdetit;
- Organet e vetqeverisjes vendore, të cilat bashkëpunojnë me institucionet e përcaktuara më lart në funksion të menaxhimit të integruar të zonës bregdetare.
KREU III
PËRGJEGJËSITË E INSTITUCIONEVE SHTETËRORE PËR MENAXHIMIN E ZONËS BREGDETARE
Neni 8
Ministria përgjegjëse për turizmin
Ministria përgjegjëse për turizmin ka këto kompetenca në lidhje me menaxhimin e të zonës bregdetare:
- bashkëpunon me institucionet dhe organet e tjera shtetërore për zbatimin e koordinuar të politikave të ndryshme, të cilat kanë ndikim në zonën bregdetare;
- koordinon veprimtarinë e organeve shtetërore në lidhje me kontrollin e territorit të zonës bregdetare;
- koordinon bashkëpunimin dhe harmonizimin e kompetencave midis organeve të përfshira në menaxhimin e zonës bregdetare;
- bashkëpunon për hartimin e instrumenteve të planifikimit të territorit nga organet shtetërore përgjegjëse, duke mundësuar përfshirjen e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit në proceset e hartimit të projekteve që i përkasin zonës bregdetare, për të arritur qëllimet, kriteret dhe objektivat e menaxhimit të zonës bregdetare;
- propozon tarifat për ushtrimin e veprimtarive në bregun e detit dhe në zonat për ushtrimin e aktiviteteve të turizmit detar, të cilat miratohen me vendim të Këshill të Ministrave.
Neni 9
Komiteti i Menaxhimit të Bregut të Detit
- Komiteti i Menazhimit të Bregut të Detit ka këto kompetenca:
- Miraton planin e menaxhimit të bregut të detit, të hartuar dhe propozuar nga AKB-ja
- Jep mendim për kërkesat drejtuar AKB, lidhur me planifikimin dhe zhvillimin e territorit në zonën bregdetare;
- Jep pëlqimin për veprimtaritë e lidhura me zonën bregdetare dhe për tarifat për ushtrimin e këtyre veprimtarive, të hartuara nga AKB;
- Miraton hartën e stacioneve të plazheve si dhe plazheve publike, të cilat pajisen me një numër të veçantë identifikues
- Komiteti funksionon si organ kolegjial, në përputhje me përcaktimet e ligjit nr. 8480, date 25.8.1999 "Për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës shtetërore dhe enteve publike" dhe në bazë të rregullores së miratuar me urdhër të ministrit përgjegjës për turizmin, e cila miratohet jo më vonë se 1 (një) muaj nga ngritja e KMBD. Anëtarët shpërblehen për pjesëmarrjen në mbledhjet e Komitetit në përputhje me legjislacionin në fuqi.
- Sipas rastit KMST mund të këshillohet me përfaqësues të Njësisë përkatëse të Vetqeverisjes Vendore, ekspertë të fushës së turizmit, përfaqësues të agjencive për planifikimin e territorit dhe përfaqësues të institucioneve të tjera.
- Komitetit gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij mbështetet nga Sekretariati Teknik ose nga Grupi Teknik i Punës, i cili përbëhet nga ______punonjës, të përcaktuar me urdhër të ministrit përgjegjës së turizmit dhe është përgjegjës për:
- mbështetjen administrative dhe organizative të Komitetit;
- mundësimin e ekspertizës së nevojshme për çështje të caktuara;
- shqyrtimin dhe trajtimin paraprak të çështjeve për të cilat kërkohet vendimmarrje apo mendim nga Komiteti.
- Rregullorja e funksionimit të Sekretariatit Teknik ose Grupit të Teknik të Punës miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për turizmin.
Neni 10
Agjencia Kombëtare e Bregdetit
1. Menaxhimi i integruar i zonës bregdetare bëhet nga AKB-ja, bazuar në vlerësimin/qëndrimin e Komitetit të Menaxhimit të Bregut të Detit.
2. AKB, sipas këtij ligji, e shtrin veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e zonës bregdetare të Republikës së Shqipërisë dhe në zonat, territoret, objektet, veprimtaritë të cilat ndodhen ose zhvillohen, qoftë edhe pjesërisht, apo kanë ndikim në zonën bregdetare të Republikës së Shqipërisë.
3. AKB, si institucion në varësi të ministrisë përgjegjëse të turizmit, ushtron funksionet, kompetencat dhe përgjegjësitë përkatëse, bazuar në këtë ligj dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi për turizmin dhe aktivitetet e turizmit detar
Neni 11
Organet e vetëqeverisjes vendore
- Organet e vetëqeverisjes vendore të cilat kanë nën juridiksionin e tyre territor të përfshirë në brezin e zhvillimeve të kontrolluara:
- bashkëpunojnë me AKB gjatë fazës së hartimit të instrumenteve të planifikimit të territorit, dhe reflektojnë mendimet dhe sugjerimet e Agjencisë, në përputhje me qëllimet, objektivat dhe kriteret e menaxhimit të zonës bregdetare;
- i përcjellin Agjencisë çdo aplikim për pajisje me leje zhvillimore apo leje përdorimi që është dorëzuar pranë tyre, me qëllim marrjen e miratimit paraprak të Agjencisë, miratim i cili përbën kusht ligjor për dhënien e lejeve zhvillimore dhe të përdorimit nga ana e organeve të vetqeverisjes vendore;
- informojnë në çdo rast Agjencinë, për masat, veprimet dhe sanksionet e marra prej tyre gjatë kontrollit të territorit në brezin e zhvillimeve të kontrolluara, të kryera me iniciativën e tyre apo me kërkesën e Agjencisë për zonën bregdetare, me qëllim bashkërendimin e ndërhyrjeve në territor;
- zbatojnë kërkesat që i drejton Agjencia, në lidhje me kontrollin e territorit dhe inspektimin e ndërtimeve në zonën bregdetare.
Neni 12
Përgjegjësitë e organeve të tjera shtetërore
- Të gjithë organet shtetërore qendrore , përfshirë ministritë, organet publike si dhe çdo organ tjetër që është në varësi të tyre apo në përgjegjësi të Këshillit të Ministrave, që kanë detyra dhe përgjegjësi që prekin zonës bregdetare, sipas legjislacionit në fuqi, i ushtrojnë kompetencat e tyre, duke respektuar kriteret e menaxhimit të integruar të zonës bregdetare, në përputhje me këtë ligj.
- Të gjitha organet e përmendur në pikën 1 të këtij neni, i përcjellin Agjencisë çdo aplikim për pajisje me leje zhvillimore apo leje përdorimi që është dorëzuar pranë tyre, me qëllim marrjen e mendimit të Agjencisë, i cili përbën kusht ligjor për vazhdimin e procedurës për dhënien e lejeve zhvillimore dhe të përdorimit në brezin e zhvillimit të kontrolluar.
KREU IV
AGJENCIA KOMBËTARE E BREGDETIT
Neni 13
Funksionet dhe kompetencat e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit
Agjencia Kombëtare e Bregdetit ka këto funksione dhe kompetenca::
- AKB-ja realizon mbrojtjen dhe menaxhimin e zonës bregdetare, promovimin dhe monitorimin e projekteve në këtë zonë, ndjekjen e zhvillimit të zonës bregdetare e të planeve të miratuara nga autoritetet e planifikimit;
- Zbaton dhe merr pjesë në hartimin e politikave e të strategjive kombëtare për menaxhimin e integruar të bregdetit dhe bashkërendimin e punës për zbatimin e tyre;
- Bashkërendon programet e lidhura me zonën bregdetare dhe nxit investimet në zonën bregdetare ;
- -Kontribon në informimin, konsultimin dhe aksesin e publikut gjatë hartimit dhe zbatimit të politikave e të strategjive të lidhura me menaxhimin e integruar të zonës bregdetare;
- Bashkëpunon me organet përkatëse sipas përcaktimeve të këtij ligji, për projektet dhe aktivitetet për mbrojtjen dhe zhvillimin e bregdetit dhe monitorimin e zbatimit të tyre;
- Bashkëpunon me organizma, institucione, investitorë dhe aktorë të tjerë vendas dhe të huaj si dhe i fton për pjesëmarrje dhe përfshirje në projektet dhe zhvillimet me rëndësi për menaxhimin e integruar të zonës bregdetare;
- Monitoron zbatimin e dokumenteve të planifikimit të territorit, të miratuara nga autoritetet qendrore dhe vendore në zonën bregdetare;
- Monitoron respektimin e rregullave për përdorimin e pasurisë së patjetërsueshme publike në zonën bregdetare;
- Harton rregulloren e posaçme për administrimin e hapësirat publike të zonës bregdetare, që përdoren si plazhe publike apo të administruara nga subjekte private dhe i’a propozon për miratim Këshillit të Ministrave;
- Monitoron respektimin e kritereve ligjore për dhënien në përdorim dhe administrimin e plazheve, duke verifikuar administrimin e tyre nga subjektet shtetërore dhe private, si edhe lënien në dispozicion të publikut të plazheve publike pa pagesë për përdoruesit;
- Harton rregulloren për disiplinimin e zhvillimit të veprimtarive/aktiviteteve sportive, argëtuese, turistike dhe kulturore të cilat zhvillohen në zonën bregdetare. dhe i’a propozon për miratim ministrit përgjegjës;
- Monitorimin e respektimit të kritereve ligjore për kryerjen e veprimtarive, të cilat zhvillohen në zonën bregdetare;
- -Lajmëron organet shtetërore kompetente për rastet e konstatimit të shkeljeve administrative, veprimeve apo mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, dhe propozon marrjen e masave përkatëse ndaj personave përgjegjës;
- Administronpasuritë e paluajtshme shtetërore dhe publike, të cilat i kalohen në përgjegjësi administrimi, në përputhje me rregullat e përcaktuara nga legjislacioni shqiptar në fuqi;
- Krijon regjistrin elektronik për pasuritë e paluajtshme të zonës bregdetare, formati i të cilit miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për turizmin;
- Mirëmban dhe pastron bregun e detit. Pastrimi dhe mirëmbajtja realizohet nga vetë Agjencia ose me subjekte privatë të kontraktuar nga Agjencia. Shërbimi për pastrimin dhe mirëmbajtjen e bregut të detit nga subjektet private/publike nuk i nënshtrohet ligjit për prokurimin publik. Rregullat për pastrimin dhe mirëmbajtjen e bregut detar si dhe procedura e përzgjedhjes së subjekteve privat/publike, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
- jep me qira sipërfaqe të caktuara të bregut të detit për zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme përfshirë aktivitetet/veprimtaritë sportive argëtuese dhe turistike në det. Kriteret, procedurat dhe masa e dhënies me qera përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave;
- miraton kryerjen e aktiviteteve në bregun e detit dhe aktivitetet/veprimtaritë sportive argëtuese dhe turistike në det si dhe kryen planifikimin e aktiviteteve/veprimtarive në bregun e detit si dhe përcakton kushtet dhe kriteret për ushtrimit e tyre;
- jep paraprakisht mendimin e saj për lejet zhvillimore dhe lejet e përdorimit në zonën bregdetare, me përjashtim të bregut të detit, nëpërmjet verifikimit të kritereve të menaxhimit të zonës bregdetare, përpara miratimit përfundimtar nga ana e organit kompetent për lëshimin e tyre, përcaktuar sipas legjislacionit për planifikimin e territorit.
- Harton planin e menaxhimit të bregut të detit, i cila përmban planin e detajuar të veprimtarive në bregun e detit, në zonat për ushtrimin e aktiviteteve të turizmit detar si dhe tarifat për ushtrimin e tyre, në përputhje me parashikimet e legjislacionit në fuqi.
Neni 14
Detyrat dhe përgjegjësit e Agjencisë
1. Agjencia, në funksion të veprimtarisë së saj, kryen të gjitha veprimet dhe ndërmerr të gjitha nismat e nevojshme në mbështetje të planifikimit dhe menaxhimit të integruar të territorit dhe të veprimtarive që zhvillohen në zonën bregdetare, duke informuar, bashkëpunuar dhe ndihmuar organet shtetërore, subjektet private dhe personat e interesuar dhe ka këto përgjegjësi dhe detyra:
- kryen inventarizimin e territorit të zonës bregdetare;
- organizon, nxit dhe kontribuon në projektet, aktivitetet dhe veprimtaritë që kanë për qëllim mbrojtjen, administrimin dhe rritjen e cilësisë së vlerave të peisazhit, burimeve natyrore si dhe të trashëgimisë natyrore e kulturore në zonën bregdetare të Republikës së Shqipërisë;
- fton, nxit dhe bashkëpunon me organizma, institucione, investitorë dhe aktorë të tjerë ndërkombëtare apo vendas, për pjesëmarrjen dhe përfshirjen në projektet dhe zhvillimet me rëndësi për menaxhimin e integruar të zonës bregdetare;
- ofron shërbime të ndryshme, sipas përcaktimeve të këtij ligji kundrejt tarifave përkatëse, të cilat përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
- ushtron kontrollin e saj në zonën bregdetare, duke monitoruar respektimin e rregullave mbi përdorimin e pasurisë publike.
- a kontrollon respektimin e kritereve ligjore për dhënien në përdorim dhe administrimin e plazheve, duke verifikuar administrimin e tyre nga subjektet private/publike si edhe lënien në dispozicion të publikut të plazheve publike pa pagesë për përdoruesit.
- merr masa në rastet e shkeljeve të kritereve ligjore, dhe zbaton sanksionet e parashikuar nga ky ligj dhe nga legjislacioni shqiptar në fuqi, me qëllim shmangjen e dëmtimit të zonës bregdetare.
Neni 16
Bashkëpunimi ndërinstitucional
1. Agjencia, gjatë veprimtarisë së saj, ka të drejtë të marrë nga organet e tjera shtetërore, qendrore dhe vendore, të gjithë ndihmën dhe të dhënat e nevojshme për ushtrimin e funksioneve që i janë caktuar.
2. Institucionet shtetërore janë të detyruara të bashkëpunojnë me Agjencinë, të shkëmbejnë të dhëna dhe të krijojnë të gjitha lehtësitë, për përmbushjen e qëllimeve e të funksioneve gjatë veprimtarisë së saj.
Neni 17
Marrëveshjet me organet vendore
Agjencia lidh marrëveshje të veçanta me organet e vetëqeverisjes vendore të zonës bregdetare të Republikës së Shqipërisë për rregullimin e marrëdhënieve me to, përcaktimin e rasteve kur i delegohen kompetenca specifike këtyre njësive vendore, si dhe për mënyrën e mbledhjes dhe të shpërndarjes së tarifave të shërbimeve për veprimtaritë që zhvillohen në zonën bregdetare.
KREU V
KUNDËRVAJTJET ADMINISTRATIVE
Neni 18
Shkeljet dhe masat administrative
- Mënyrat e ushtrimit të kontrollit për verifikimin e respektimit të kritereve ligjore të menaxhimit të zonës bregdetare, nga Agjencia bazohen në procedurat e parashikuara nga ky ligj dhe nga legjislacioni shqiptar për inspektimet.
- Kur konstaton shkeljen e dispozitave të këtij ligji, Agjencia merr masat e mëposhtme;
- vendos gjobë ndaj organeve shtetërore, qendrore apo vendore, për veprime ose mosveprime në kundërshtim me parashikimet e dispozitave të këtij ligji, si më poshtë;
- Mosrespektimi i detyrimit për dhënien e informacionit dhe pengimi në përmbushjen e detyrave, në masën ________ lekë.
- Mosrespektimi i detyrimit për marrjen e mendimit të Agjencisë në dhënien e lejeve, licencave dhe autoriteteve përkatëse, në masën ________ lekë.
- Mosushtrimi i funksioneve të kontrollit dhe inspektimit në masën ______ lekë.
- Shtrembërimi i rezultateve të kontrollit dhe inspektimit në masën ______ lekë.
- Mosrespektimi i kërkesës së Agjencisë për ushtrimin e kompetencave ligjore në masën ______ lekë.
- Mosrespektimi i rregullave, kushteve dhe kritereve për përdorimin e pasurisë publike të patjetërsueshme në masën ______ lekë.
- u propozon organeve përkatëse marrjen e masave administrative ndaj subjekteve private që shkelin kushtet dhe kriteret e legjislacionit për planifikimin e territorit, për inspektimin e ndërtimeve si dhe të legjislacionit përkatës për veprimtaritë e lidhura me bregun e detit, në përputhje me sanksionet e parashikuara nga këto ligje;
- u propozon organeve përkatëse marrjen e masave disiplinore ndaj personave përgjegjës të organeve shtetërore, qendrore apo vendore, për veprime ose mosveprime në kundërshtim me parashikimet e dispozitave ligjore në fuqi dhe në përputhje me këtë ligj;
- paraqet pranë organeve përkatëse kërkesën për pezullimin ose shfuqizimin e licencës profesionale personale dhe të shoqërisë, në rastet e ndërtimit pa leje, shkeljeve të kushteve teknike të zbatimit, projektimit, shkelje të masës së pezullimit të punimeve të ndërtimit si dhe në rastet e ushtrimit pa leje apo me shkelje të rënda të kërkesave ligjore për veprimtaritë e lidhura me bregun e detit;
- përgatit kallëzimin penal për veprat penale të konstatuara gjatë ushtrimit të kontrollit dhe e paraqet atë pranë organeve përgjegjëse, sipas legjislacionit në fuqi.
Neni 19
Ankimi
1. Kundër masës administrative të vendosura nga Agjencia mund të bëhet ankim pranë Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë brenda 30 ditëve nga data e njoftimit të vendimit mbi masën adrministrative. Drejtori i Përgjithshëm shqyrton dhe vendos për këtë ankim brenda 7 ditëve nga data marrjes së ankimit.
2. Kundër vendimit përfundimtar të Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë mund të bëhet ankim në gjykatën kompetente për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve administrative.
Neni 20
Ekzekutimi i kundërvajtjeve administrative
Ekzekutimi i masave administrative në zbatim të këtij ligji bëhet në përputhje me ligjin nr. 10 279, datë 20.5.2010 “Për kundërvajtjet administrative”.
KREU VI
DISPOZITA TË FUNDIT DHE KALIMTARE
Neni 21
Servituti publik
1. Servituti publik është barra që i ngarkohet pronës private, e ndodhur në bregun e detit për interes publik. Servituti nuk përjashton përdorimin e pasurisë së paluajtshme ose të një pjese të saj që nuk cenon realizimin e servitutit publik.
2. Servituti publik përcaktohet nga plani i menaxhimit të bregut të detit ose diktohet nga një kërkesë për përdorim apo ndërtim për interes publik. Kur servituti bazohet në një plan menaxhimi të bregut të detit në fuqi, ai zbatohet ndaj një kërkese përdorimi apo ndërtimi.
3. Çdo servitut publik, i vendosur mbi pasuri/prona të caktuara, transferohet në pasuritë/pronat e reja të krijuara në të njëjtën vendndodhje fizike, si pasojë e një procesi nënndarjeje dhe/ose bashkimi të pasurive/pronave për qëllim zhvillimi. Servituti publik qëndron në fuqi pa afat në rast se akti që e krijon atë nuk përcakton një afat përfundimi.
4. Të drejtat dhe detyrimet mbi servitutin publik janë ato të përcaktuara në Kodin Civil dhe legjislacionin në fuqi.
NENI 22
Ndërtimet në bregun e detit
- Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, ndalohet dhënia e lejeve të ndërtimit në bregun e detit, me përjashtim të kontratave koncensionare/PPP, invetimeve strategjike dhe ndërtimeve për infrastrukturë publike.
- Për ndërtimet ekzistuese në bregun e detit, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, Agjencia kërkon nga institucionet përgjegjëse verifikimin e dokumentacionit përkatës.
- Agjencia verifikon në bashkëpunim me institucionet përkatëse, kontratat në fuqi të dhëna në bregun e detit. Kontratat të cilat pas verifikimit rezultojnë të rregullta mbeten në fuqi deri në përfundimin e afatit.
Neni 23
E drejta e parablerjes
Në rastet e shitjes së pronës private në bregun e detit, shteti ka të drejtën e parablerjes. Kriteret dhe procedurat e të drejtës së parablerjes përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 24
Ndryshime në legjislacionin në fuqi dhe shfuqizime
Cdo akt ligjor dhe nënligjor në fuqi që bie në kundërshtim më dispozitatat e këtij ligji shfuqizohet
Neni 25
Aktet nënligjore
Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet e nevojshme nënligjore, në zbatim të këtij ligji.
Neni 26
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Nuk ka ende asnjë koment për këtë konsultim