Plani Kombëtar i Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuara

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale

|

Postuar më: 05.03.2021

|

Statusi: Konsultim i hapur

|

Nr.Komenteve: 0

|

Nr.Shikimeve: 3701

PDF

|

XML

Në rrugëtimin për të qenë një anëtare e familjes së madhe europiane, Shqipëria bën përpjekje të vazhdueshme për të ndërtuar një shoqëri që respekton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe ndalon diskriminimin. Ushtrimi i plotë dhe i barabartë i të gjitha të drejtave të personave me aftësi të kufizuara është një përparësi kombëtare që kërkon politikë aktive, të qëllimshme dhe të qëndrueshme si dhe veprime të përbashkëta të autoriteteve qendrore dhe lokale , institucioneve të pavaruara dhe pjesëmarrjes aktive të shoqërisë civile e sidomos të organizatave përfaqsuese të personave me aftësi të kufizuar.

Kushtet e jetesës së personave me aftësi të kufizuara shpesh perceptohen si çështje që duhet të përfshihen vetëm në fushën e çështjeve sociale apo kujdesit shëndetësor. Qasja që sjell Konventa për të  Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar ( KDPAK) për aftësinë e kufizuar si një qasje e lidhur drejtpërdrejt me realizimin e të drejtave të njeriut por edhe karakteri, shkaqet dhe kërkesat e aftësisë së kufizuar, e kanë bërë tashmë të qartë fizionominë gjithëpërfshirëse që duhet të ketë një dokument politik për aftësinë e kufizuar. Një nga karakteristikat kryesore të portofolit të politikave për personat me aftësi të kufizuar është se ndikon në mënyrë të barabartë në secilën fushë të jetës e për pasojë gati në sejcilin sektor administrativ. Prandaj kjo kërkon  vëmendjen maksimale dhe të kujdesshme të të gjitha ministrive të linjës me qëllim hartimin e politikave të efektshme dhe të koordinuara me kujdes. 

Plani Kombëtar i Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuar (PKVPAK) 2021-2025, është një dokument ndërsektorial i qeverisë shqiptare që përfshin politika të dedikuara për personat me aftësi të kufizuara e që do të hidhen për zbatim gjatë 5 vjecarit të ardhshëm. Qëllimi i tij është të vazhdojë promovimin dhe mbështetjen e integrimit të personave me aftësi të kufizuara në jetën social-ekonomike të vendit duke patur në vëmendje të vazhdueshme përmbushjen e detyrimeve të KDPAK përmes masave specifike. Ky plan, vjen si një dokument vijues i PKVPAK 2016-2020. 

Hartimi i PKVPAK 2021-2025 kaloi nwpwrmjet një procesi të udhëhequr nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nëpërmjet Grupit Teknik Ndërinstitucional të Punës (GTNP) i ngritur me Urdhër Nr.528 datë 25.09.2020 të Ministrit të Shëndetsisë dhe Mbrojtjes Sociale. Procesi i formulimit dhe konsultimit të dokumentit u realizua me asistencën teknike të dy ekspertëve vendas të UNDP-së si pjesë e Programit  të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara “Askush të mos Mbetet Pas /Leave No One Behind” (LNB),  që zbatohet në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe mbështetet nga Qeveria Zvicerane (SDC). 

Procesi i hartimit të këtij dokumenti përputhet edhe me një moment tjetër të rëndësishëm të zbatimit të politikave për aftësinë e kufizuar në Shqipëri në funksion të realizimit të parimeve të KDPAK, të ratifikuar nga shteti shqiptar në Shkurt 2013. Sipas procedurës monitoruese të Konventës, në Gusht 2019, qeveria shqiptare bëri raportimin e parë përpara Komitetit të KDPAK për progresin e bërë gjatë këtyre viteve në funksion të zbatimit të parimeve të kësaj Konvente. Rekomandimet e bëra nga ai Komitet në vëzhgimet përmbyllëse të raportit fillestar të Shqipërisë , duhet të adresohen e të përkthehen në masa dhe veprime konkrete në të gjitha fushat që prekin personat me aftësi të kufizuar. Ky Plan është hartuar pikërisht në mbështetje të zbatimit të rekomandimeve të Komitetit për të Drejtat e Personave me aftësi të kufizuara në OKB. Një tjetër dokument që vjen në ndihmë të përcaktimit të masave të këtij Plani është Raporti i monitorimit dhe vlerësimit afatmesëm të PKVPAK 2016-2020  që u krye në vitin 2018 dhe që përfshin një sërë rekomandimesh për përmirësimin e politikave në vitet në vijim. 

Financimi për zbatimin e masave të parashikuara në PKVPAK 2021-2025, është parashikuar në buxhetin e shtetit, pas një vlerësimi të fondeve të disponueshme në ministritë përkatëse të linjës. Në rastet kur buxheti i shtetit nuk është i mjaftueshëm për përmbushjen e plotë të objektivave, PKVPAK parashikon një ndarje të hendekut të financimit si dhe propozimin për fonde donatorësh. Gjithashtu, fondet dhe lloje të tjera burimesh të ofruara nga njësitë e qeverisjes vendore dhe shoqëria civile janë thelbësore për nxitjen e përfshirjes në nivel vendor, por ato nuk pasqyrohen në këtë Plan Kombëtar Veprimi, i cili fokusohet në angazhimet, aktivitetet dhe buxhetet e qeverisjes qendrore.

Zbatimi i PKVPAK 2021-2025, do të monitorohet nga Këshilli Kombëtar për Aftësinë e Kufizuar (KKAK), nëpërmjet Sekretariatit Teknik dhe me përfshirjen direkte të pikave fokale në ministritë e linjës. Zbatimi i suksesshëm i këtij Plani, do të varet edhe nga bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet aktorëve të ndryshëm, kryesisht i institucioneve të qeverisjes qendrore dhe vendore dhe organizatave të shoqërisë civile. 
 

Nuk ka ende asnjë koment për këtë konsultim

Identifikohu për të komentuar