VKM “Per miratimin e kostove të përllogaritura për pyllëzim kompesues në rastet e ndryshimit të destinacionit të fondit pyjor”

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit

|

Postuar më: 25.03.2021

|

Statusi: Konsultim i hapur

|

Nr.Komenteve: 0

|

Nr.Shikimeve: 1175

PDF

|

XML

Description: Leter me koke Keshilli i ministrave-1-01 

 

 

 

 

V E N D I M

(projekt)

 

(Nr._________ datë__________ 2021)

 

PËR

Miratimin e kostove të përllogaritura për pyllëzim kompesues në rastet e ndryshimit të destinacionit tË fondit pyjor

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 5 të nenit 5, të ligjit nr. 57/2020, datë 30.04.2020, “Për pyjet ”,  me propozimin e Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave;  

 

 

V E N D O S I :

 

  1. Përcaktimin e kostove të përllogaritura, që subjektet duhet të paguajnë paraprakisht për pyllëzimin kompensues, si rezultat i ndryshimit të destinacionit të përdorimit të fondit pyjor, të lejuara nga ligji.
     
  2. Për qëllim të këtij vendimi, termat e mëposhtëm kanë kuptimin:
     
  1. “Destinacion” është kategoria/forma e përdorimit të fondit pyjor.
  2. “Kosto të përllogaritura”, janë shuma e shpenzimeve materiale dhe sasitë e punës së gjallë duke përfshirë  mirëmbajtjen dhe shërbimet kulturale të nevojshme, për të realizuar pyllëzimin e detyrueshëm të sipërfaqeve pyjore, të cilave u ndryshon destinacioni i përdorimit, në sajë të një aktiviteti të miratuar paraprakisht dhe të lejuar nga ligji për pyjet.
  3. “Shërbime kulturale”, janë shërbime të cilat kryhen në objektet e pyllëzuara artificialisht, të tilla si zëvëndësimi i fidanëve të tharë, ujitja, prashitja, plehërimi dhe hijëzimi i fidanëve, për një periudhë kohore jo më pak se 3 vjet, duke përfshirë edhe mbrojtjen e objektit.
  4. “Rehabilitim”, është tërësia e masave që merren, për rigjenerimin dhe kthimin në gjendjen natyrore të njëjtë ose të përafërt me atë të sipërfaqes pyjore të cënuar për shkak të ndryshimit të destinacionit.
     
  1. sipërfaqet e fondit pyjor, të cilat i nënshtrohen ndryshimit të destinacionit për shkak të një aktiviteti të miratuar mbi to, zëvendësohen dhe/ose kompensohen nëpërmjet rehabilitimit të sipërfaqeve të tjera të fondit pyjor të degraduar. Llogaritja e sipërfaqeve zëvendësuese dhe/ose kompensuese është si vijon:

a) e barabartë me 3 (tre) fishin e sipërfaqes që hiqet nga fondi pyjor, për pyjet me formë qeverimi  trungishte dhe cungishte.

b) e barabartë me sipërfaqen që hiqet nga fondi pyjor, për pyjet me formë qeverimi shkurre, si dhe për  sipërfaqet me bimësi pyjore.

 

4. Kostot e pyllëzimeve, kostot e mirëmbajtjes së objekteve të pyllëzuara nëpërmjet shërbimeve kulturale dhe kostot për mbrojtjen e sipërfaqes së pyllëzuar objekt i kompensimit, llogariten mbi bazën e përcaktimit të kostove si më poshtë:

  1. Kosto e projektuesit;
  2. Kosto e zbatuesit dhe/ose drejtuesit teknik (mbikëqyrësit të punimeve);
  3. Kostot e lidhura me punën e gjallë dhe me operacionet e punës gjatë pyllëzimit (përgatitje objekti, hapje gropash, mbjellje, etj);
  4. Kostot e lidhura me çmimin e fidanëve;
  5. Kostot e lidhura me skemën e pyllëzimit;
  6. Kostot e lidhura me shërbimet kulturale për një periudhë jo më pak se 3 vite;
  7. Kostot për mbrojtjen (ruajtjen) e objektit nga dëmtimet për një periudhë jo më pak se 3 vite.
     
  1. Detajimet për llogaritjen e kostove, skemat e pyllëzimit në funksion të objektit të pyllëzimit dhe të llojit, modelet  përkatëse, etj., bëhen në përputhje me  udhëzimin e Ministrit, të dalë në zbatim të pikës 5, nenit 5, të ligjit 57/2020 “Për pyjet”.
     
  2. Kostot e pyllëzimit kompensues, llogariten nga struktura përgjegjëse për pyjet në bashki, në momentin e paraqitjes së kërkesës nga subjekti  për fillimin e procedurës të heqjes nga fondi pyjor. Kostot e përllogaritura i bashkëngjiten raportit teknik-ekonomik të hartuar dhe miratuar nga struktura përgjegjëse për pyjet në bashki  dhe i përcillen ministrinë përgjegjëse për pyjet, për vijimin e procedurës për heqjen nga fondi pyjor të sipërfaqes, ku do të ushtrohet aktiviteti i lejuar dhe/ose i miratuar. Modelet përkatëse të projekteve të pyllëzimit dhe kostove respektive detajohen në udhëzimin të  Ministrit.
     
  3. Pagesa e kostove të përllogaritura të pyllëzimit kryhet në llogarinë bankare të bashkisë, e cila ka në juridiksionin e saj sipërfaqen pyjore të cënuar dhe pagesa kryhet nga subjekti përfitues, kur ai nuk merr përsipër kryerjen e pyllëzimit kompensues. Në këtë rast pyllëzimi kompensues realizohet nga bashkia dhe/ose subjekti që ka në administrim sipërfaqen.
     
  4. Subjekti  kryen pagesën jo më vonë se 10 ditë, nga dita  e marrjes dijeni të aktit të miratimit të heqjes nga fondi pyjor dhe/ose ndryshimit të kategorisë së përdorimit, nga autoriteti përgjegjës shtetëror. Bashkia pasi konfirmon pagesën e kryer në llogari të saj, pajis subjektin me një dokument që vërteton shlyerjen e detyrimit për koston e pyllëzimit kompensues si dhe realizimin e pyllëzimit kompensues nga vetë bashkia. Një kopje e këtij dokumenti i përcillet për dijeni, strukturave përgjegjëse për pyjet në ministrinë përgjegjëse për pyjet.
     
  5. Bashkia dhe/ose subjekti që administron sipërfaqen, brenda 2 (dy) viteve nga data e derdhjes së pagesës në llogarinë e saj, realizon procesin e pyllëzimit sipas projektit të miratuar nga Agjencia Kombëtare e Pyjeve.
     
  6. Në rast se subjekti merr përsipër të realizojë vetë procesin e pyllëzimit kompensues, 30 ditë pas  aktit të miratimit të heqjes nga fondi pyjor dhe/ose ndryshimit të kategorisë së përdorimit subjekti lidh marrëveshje me bashkinë dhe/ose subjektin që ka në administrim sipërfaqen, nëpërmjet të cilës angazhohet për realizimin e detyrimit të pyllëzimit kompensues. Pyllëzimi kompensues realizohet nga subjekti për një periudhë jo më vonë se tre vite, nga momenti i nënshkrimit të marrëveshjes dhe pas përfundimit të pyllëzimit, sipas projektit të pyllëzimit dhe kërkesave të marrëveshjes, objekti i pyllëzuar i dorëzohet bashkisë dhe/ose subjektit që administron sipërfaqen.
     
  7. Ngarkohen për zbatimin e këtij vendimi Bashkitë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Agjencia Kombëtare e Pyjeve.
     

            Ky vendim hyn në fuqi pas botimit ne Fletoren Zyrtare.

 

 

KRYEMINISTRI

                                                                                 Edi    RAMA

 

 

 

Nuk ka ende asnjë koment për këtë konsultim

Identifikohu për të komentuar