Draft Strategjine Kombetare te Barazise Gjinore 2021-2030

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale

|

Postuar më: 23.03.2021

|

Data e Mbylljes: 16.04.2021

|

Statusi: Konsultim i mbyllur

|

Nr.Komenteve: 0

|

Nr.Shikimeve: 2444

PDF

|

XML

Projektakti për “Miratimin e Strategjisë Kombëtare për Barazinë Gjinore 2021-2030” (SKBGJ-2021-2030), propozohet nga Ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS), si një dokument politik i qeverisë shqiptare, e cila në mënyrë ndërsektoriale i kushton vëmendje të veçantë arritjes së barazisë gjinore si dhe zvogëlimit të dhunës me bazë gjinore e dhunës në familje, duke e konsideruar adresimin e duhur të tyre si kushte drejt një zhvillimi të qendrueshëm.

Kjo strategji lidhet në mënyrë të drejtëpërdrejtë me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim II 2015-2020, si dhe me Programin Qeverisës 2017-2021 dhe është një detyrim që rrjedh nga Ligji Nr. 9970, datë 24.07.2008 “Për barazinë gjinore në shoqëri”. Ajo reflekton gjithashtu lidhjen e drejtpërdrejtë me plotësimin e Objektivave të Zhvillimit të Qendrueshëm (OZHQ) dhe të Axhendës 2030. Po kështu, masat dhe veprimet e parashikuara në këtë strategji ndërthuren apo lidhen dhe me masat dhe veprimet e parashikuara në Strategjinë e Barazisë Gjinore 2020-2025 të Bashkimit Evropian, dhe në Planin e Veprimit për Barazinë Gjinore (GAP III) 2021-2025.

“SKBGJ 2021 – 2030” ka një kohëzgjatje dhjetë vjeçare, brenda së cilës synohet të arrihet jo vetëm sukses por dhe qendrueshmëri në veprimet e planifikuara e të realizuara. Kjo kohëzgjatje, kërkon domosdoshmërisht dhe një vlerësim dhe rishikim të ndërmjetëm, pra në vitin e pestë të zbatimit të saj, si rrjedhojë e të cilit objektivat specifikë të përmbushur mund të zëvendësohen me të tjerë, të cilët garantojnë qendrueshmëri dhe sjellin në vëmendje plotësimin edhe të detyrimeve të tjera në përputhje me zbatimin e Axhendës 2030 dhe detyrimeve të tjera ndërkombëtare, në vijim të atyre kombëtare. 

Në tërësinë e saj “SKBGJ 2021 – 2030” përbëhet nga katër qëllime strategjike kryesore, ku zenë vend edhe objektiva specifikë që reflektojnë nevojën për ndryshim apo shtimin e dimensioneve të reja drejt të cilave duhet të fokusohet vëmendja për adresimin e duhur të çështjeve të barazisë gjinore, bazuar dhe në zhvillimet më të fundit, si dhe duke konsideruar çështje të lidhura me emergjencat civile, fatkeqësitë natyrore apo fushat e reja deri tani të paadresuara apo shumë pak të adresuara në lidhje me barazinë gjinore (mjedisi dhe ndryshimet klimatike, dixhitalizimi, etj).

Vizioni i “SKBGJ 2021 – 2030”: "Një shoqëri e cila vlerëson barazinë gjinore si kusht të domosdoshëm drejt zhvillimit të qendrueshëm social, ekonomik e politik të vendit, ku askush nuk mbetet pas, si dhe që mbështetet në parimin e tolerancës zero kundër praktikave të dëmshme, dhunës me bazë gjinore e dhunës në familje, duke ndëshkuar dhunuesit dhe duke mbrojtur, rehabilituar e riintegruar personat e dhunuar”.

Në mbështetje të këtij vizioni, janë formuluar qëllimet kryesore strategjike me objektivat dhe masat përkatëse.

Nuk ka ende asnjë koment për këtë konsultim

Diskutimet për këtë konsultim janë mbyllur.