PROJEKTLIGJ PËR SHPALLJEN E MORATORIUMIT TË GJUETISË NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit

|

Postuar më: 03.11.2021

|

Data e Mbylljes: 20.12.2022

|

Statusi: Konsultim i mbyllur

|

Nr.Komenteve: 0

|

Nr.Shikimeve: 3510

PDF

|

XML

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

KUVENDI

PROJEKTLIGJ

PËR SHPALLJEN E MORATORIUMIT TË GJUETISË NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI: 

Neni 1

Qëllimi

Qëllimi i këtij ligji është ndalimi i ushtrimit të aktivitetit të gjuetisë, me qëllim përmirësimin e gjendjes së llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie.

Neni 2

Objekti dhe fusha e veprimit

Ky ligj përcakton rregullat që do të zbatohen gjatë ndalimit të ushtrimit të veprimtarisë së gjuetisë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Neni 3

Pezullimi i përdorimit të zonave të gjuetisë dhe pezullimi i gjuetisë në zonat e mbarështimit të faunës së egër

1. Përdorimi i zonave të gjuetisë, të dhëna për këtë qëllim nëpërmjet ofertës publike, sipas legjislacionit në fuqi për gjuetinë, pezullohet.

2. Kontratat për mbarështimin e faunës së egër janë të vlefshme, por edhe në këto zona, ku mbarështohet fauna e egër, nuk mund të ushtrohet gjuetia deri në afatin e zbatimit të këtij ligji.

Neni 4

Përjashtim nga fusha e veprimit

1. Përjashtohen nga fusha e zbatimit të nenit 2 të këtij ligji:

a) gjuetia në rastet e konstatimit të mbipopullimit të një lloji të faunës së egër, në zonat e lejuara për gjueti dhe në rezervatet e mbarështimit, sipas legjislacionit në fuqi për gjuetinë;

b) gjuetia për qëllime kërkimore-shkencore.

2. Përjashtimi, i përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për mjedisin.

Neni 5

Afati i zbatimit

Afati i zbatimit të këtij ligji është pesë vjet, nga data e hyrjes së tij në fuqi.

Neni 6

Organet e kontrollit

1. Organet që monitorojnë rregullat për ndalimin e ushtrimit të veprimtarisë së gjuetisë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë janë:

  1. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nëpërmjet institucioneve të varësisë brenda fushës së përgjegjësisë që mbulon;
  2. Ministria e Brendshme nëpërmjet Inspekoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe Policisë së Shtetit;
  3. Strukturat përgjegjëse kontrolluese/inspektuese në bashki.

2. Veprimtaria kontrolluese, sipas këtij neni, ushtrohet në përputhje me legjislacionin në fuqi për kundravajtjet administrative.

3. Të drejtën e vendosjes së gjobës e kanë strukturat që janë përcaktuar në pikën 1 të këtij neni.

4. Shqyrtimi dhe marrja e vendimit përfundimtar dhe ankimi ndaj tij bëhet në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative, si dhe me legjislacionin në fuqi për kundravajtjet administrative.

Neni 7

Sanksionet

1. Shkeljet e këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen si më poshtë:

a) kur shkelja kryhet e organizuar nga operatorët e tureve të gjuetisë, shoqatat e gjuetarëve ose federatat e gjuetarëve, subjekti që e organizon dënohet me gjobë në masën 800 000 (tetëqind mijë) - 1 000 000 (një milion) lekë;

b) kur shkelja kryhet nga një person ose personi është pjesëtar i subjekteve organizuese, sipas shkronjës “a”, të kësaj pike, personi dënohet me gjobë në masën 80 000 (tetëdhjetë mijë) - 100 000 (njëqind mijë) lekë.

2. Në rastet e përsëritjes së shkeljes, nga subjektet e parashikuara në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 1, të këtij neni, përveç dënimit me gjobë, vendoset si dënim plotësues edhe heqja e lejes së gjuetisë, si dhe konfiskimi i armës së gjahut.

Neni 8

                                                              Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Nuk ka ende asnjë koment për këtë konsultim

Diskutimet për këtë konsultim janë mbyllur.