Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9774, datë 12.7.2007 “Për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis”, i ndryshuar

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit

|

Postuar më: 27.10.2022

|

Data e Mbylljes: 20.12.2022

|

Statusi: Konsultim i mbyllur

|

Nr.Komenteve: 0

|

Nr.Shikimeve: 333

PDF

|

XML

 

stema1

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

Kuvendi

 

 

P R O J E K T L I GJ

 

 

Nr._____/2022

 

 

PROJEKTLIGJ

 

“PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 9774, DATË 12.7.2007 “PËR VLERËSIMIN DHE ADMINISTRIMIN E ZHURMËS NË MJEDIS”, I NDRYSHUAR[1]

 

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë



KUVENDI
 

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

 

Në ligjin nr. 9774, datë 12.7.2007 “Për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis”, i ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

 

Neni 1

Kudo në tekstin e këtij ligji:

  1. “Agjencia e Mjedisit dhe Pyjeve” zëvendësohet me “Agjencinë Kombëtare të Mjedisit”
  2. “bashkisë/komunës” zëvendësohet me “bashkisë”.

 

Neni 2

 

Në nenin 2, pika 2 pas fjalës “..miratojnë” shtohen fjalët “orarin dhe..”.

 

Neni 3

 

Në nenin 3, pas pikës 19, shtohen pikat me përmbajtje si më poshtë:

 

“20. “Aglomerat” është pjesa e një territori, me numër popullsie më të madhe se njëqindmijë banorë dhe dendësi popullsie prej më shumë se 3 000 banorë/km2

21. “Zonë turistike” është zona me vlerë natyrore të peizazhit, historike, kulturore, sportive, shëndetësore dhe pushimi, e përcaktuar sipas legjislacionit të posaçëm në fuqi.

22. “Vërtetim” është dokumenti që lëshohet nga njësitë e vetqeverisjes vendore mbi plotësimin e kushteve teknike për gjenerimin e zhurmave nga personat  fizik dhe juridik që përdorin pajisje ose makineri  që gjenerojnë zhurmë mbi nivelet kufi të lejuara”.

 

Neni 4

 

Në nenin 5, pikat 1 dhe 2 ndryshojnë si më poshtë:

 

“1. Ministria është organi qendror përgjegjës për mbrojtjen e mjedisit nga zhurma dhe  për përcaktimin e niveleve kufi, si dhe nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Mjedisit vlerësimin e ndikimit të zhurmës në mjedis.

2. Ministria që mbulon shëndetësinë është organi qendror përgjegjës për mbrojtjen e shëndetit nga ndikimet negative të zhurmës dhe vlerësimin e tyre në shëndetin e njeriut nëpërmjet sektorit të zhurmave në Institutin e Shëndetit Publik”.

 

Neni 5

 

Nenet 6, 7, 22 dhe 23 shfuqizohen.

 

Neni 6

 

Neni 8 ndryshon si më poshtë:

 

“Neni 8

Organet e vetqeverisjes vendore

 

Organet e vetqeverisjes vendore, janë përgjegjëse për marrjen e masave për mbrojtjen e shëndetit dhe të mjedisit, nga veprimtaritë ekonomike apo sociale që gjenerojnë zhurma brenda juridisksionit të tyre, nëpërmjet:

  1. hartimit  dhe zbatimit të planeve vendore të veprimit për zhurmën, të cilat miratohen nga këshillat e bashkive.
  2. hartëzimit të zhurmës;   
  3. shpalljes së zonave të qeta, në një mjedis të banuar apo në një mjedis të hapur, si dhe vendosin kufizime të tjera për zhurmën, në përputhje me nivelet kufi të zhurmave dhe planin vendor të veprimit;

 ç)  lëshimit të vërtetimit mbi plotësimin e kushteve teknike për gjenerimin e zhurmave   brenda niveleve kufi ;

  1. kontrollit me pajisje të çertifikuara për matjen e niveleve të zhurmës, të  personave fizikë e juridikë, që ushtrojnë veprimtari që gjenerojnë zhurmë;
  2. kontrollit, matjes, pezullimit apo mbylljes së veprimtarive, që nuk respektojnë dispozitat e këtij ligji”;

 

 

Neni 7

 

Në nenin 9, pas shkronjës “c” shtohet shkronja “ç”, me përmbajtje si më poshtë:

 

“ç) oraret për ushtrimin e veprimtarive ekonomike, industriale, sociale, kulturore, argëtuese”.

 

Neni 8

Në nenin 12, bëhen këto ndryshime:

 

  1. Pika 2 ndryshon si më poshtë:

“2. Personat fizikë dhe juridikë, që nuk përfshihen në pikën 1, veprimtaritë e të cilëve lëshojnë zhurmë në mjedis, pajisjen me vërtetim nga njësitë e vetqeverisjes vendore mbi plotësimin e kushteve teknike për gjenerimin e zhurmave, brenda niveleve kufi të lejuara”.

 

  1. Pas pikës 2 shtohet pika 3 me përmbajtje si më poshtë:

3. Personat fizikë dhe juridikë të parashikuar në pikën 2 të këtij neni, brenda 1 viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji, plotësojnë kushtet teknike të përcaktuar në këtë ligj, për ushtrimin e veprimtarisë në rast se gjenerojnë zhurmë në mjedis.”

 

 

Neni 9

 

Në nenin 18, pika 4 ndryshon si më poshtë:

“ 4. Ushtrimi i veprimtarisë pa u pajisur me vërtetimin e parashikuar në pikën 2, të nenit 12, të këtij ligji”.

 

Neni 10

 

Në nenin 20, bëhen këto ndryshime:

 

  1. Pika 4 ndryshon si më poshtë:

“4. Organet e vetqeverisjes vendore, një vit pas hartëzimit të zhurmës dhe përgatitjes së hartave strategjike të zhurmës, pa u kushtëzuar, hartojnë planet vendore të veprimit kur:

  1. brenda territorit të tyre kanë nën administrim të paktën një aglomerat.
  2. brenda territorit te tyre ndodhen zona turistike;
  3. gjenden në afërsi të:
  1. një rruge të madhe, e cila ka më shumë se tre milion lëvizje automjetesh në vit,
  2. hekurudhe të madhe, e cila ka tridhjetëmijë lëvizje trenash në vit;
  3. aeroporti të madh, i cili ka më shumë se pesëdhjetëmijë lëvizje në vit (një lëvizje është një ngjitje ose një zbritje), duke përjashtuar ato për qëllime stërvitore.

 

  1. Pas pikës 4 shtohet pika 5, 6 dhe 7 me përmbajtje si më poshtë:

“5. Plani i veprimit për menaxhimin e zhurmave miratohet nga këshilli bashkiak dhe rishikohet çdo 5 vite nga data e miratimit të tij.

6. Gjatë hartimit të planeve të veprimi për menaxhimin e zhurmës, njësitë e vetqeverisjes vendore konsultohen me publikun, referuar përcaktimeve ligjore në fuqi për tërheqjen e mendimit të publikut në vendimmarrje për mjedisin.

7. Njësitë e vetqeverisjes vendore raportojnë në ministri brenda muajit shtator të çdo viti, për zbatimin e planeve të veprimit”.

 

Neni 11

 

Në nenin 21, pika 2 ndryshon si vijon:

 

“2. Njësitë e vetqeverisjes vendore publikojnë hartën strategjike, e cila është e aksesueshme për publikun, duke siguruar që informacioni mbi zhurmën mjedisore dhe efektet e saj të vihet në dispozicion të publikut”.

 

 

 

 

Neni 12

 

 

Në pikën 3 të nenit 24 fjalët “...realizohet nga ekspertë të certifikuar dhe” hiqen.

 

 

Neni 13

 

Në nenin 25, bëhen këto ndryshime:

 

  1. Pika 1 ndryshon si mëposhtë:

“1. Matjet për nivelin e zhurmës për instalimet e pajisura me leje mjedisi kryhen nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, ndërsa matjet për nivelin e zhurmës per aktivitetet e pajisura me vërtetim sipas pikës 2 të nenit 12,  kryhen nga njësitë e vetqeverisjes vendore”.

 

  1. Pika 3 shfuqizohet.

 

Neni 14

 

Në shkronjë “a” të nenin 28, pas fjalëve  “…me leje mjedisore”, shtohen fjalët “… ose me vërtetimin sipas nenit 12, pika 2 e këtij ligji;”.

 

Neni 15

 

Pika 1 e nenit 29, ndryshon më përmbajtjen si vijon:

“1. Kontrolli i zbatimit të dispozitave të këtij ligji dhe i akteve nënligjore, të dala në zbatim të tij, kryhet nga struktura përgjegjëse inspektuese në fushën e  mjedisit, struktura përgjegjëse në Njësinë e Vetëqeverisjes Vendore dhe Struktura përgjegjëse për kontrollin e automjeteve”.

 

 

Neni 16

 

Në pikën 1 të nenit 32, bëhen këto ndryshime:

 

  1. Shkronja “a” ndryshon si më poshtë:

“a) ushtrimi pa leje mjedisore i veprimtarive që kanë detyrim të pajisen me leje mjedisi dhe që lëshojnë zhurmë mbi nivelin kufi të lejuar nga 300 000 lekë deri në 500 000 lekë;

 

  1. Pas shkronjës “a” shtohet shkronja “a/1”, me këtë përmbajtje:

“a/1) ushtrimi pa vërtetimin sipas pikës 2 të nenit 12 të këtij ligji   i veprimtarive që kanë detyrim të pajisen me vërtetim dhe që lëshojnë zhurmë mbi nivelin kufi të lejuar , nga 200 000 lekë deri në 400 000 lekë;

 

  1. Shkronjat “c”, “ç”, “d”, “dh” dhe “e” ndryshojnë si më poshtë:  

 

“c) lëshimi i zhurmës në mjedise të qeta, të shpallura të tilla me akt nënligjor të organeve të qeverisjes qendrore apo vendore, nga 10 000 lekë deri në 50 000 lekë;

ç) refuzimi ose moslejimi i grupit të kontrollit për për të kryer matjet, nga 50 000 lekë deri në 100 000 lekë;

d) fillimi i punës ose i veprimtarisë, pa zbatuar masat e mbrojtjes nga zhurma, që kërkohen në lejen mjedisore apo vërtetimin për zhvillimin e aktivitetit që lëshon zhurmë, nga 100 000 lekë deri në 300 000 lekë;

dh) moszbatimi i masave të mbrojtjes nga zhurma, të kërkuara me shkrim nga grupi kontrollit, nga 200 000 lekë deri në 300 000 lekë;

e) instalimi dhe vënia në punë e veprimtarive, makinerive dhe impianteve në mjedise të brendshme apo të jashtme, pa zbatuar masa parandaluese e mbrojtëse, zhurma e të cilave kapërcen nivelin kufi, nga 50 000 lekë deri në 100 000 lekë;”

 

  1. Pas pikë 2 shtohet pika 3 me këtë përmbajtje:

“3. Gjoba e vendosur për kundravajtjet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni përbën titull ekzekutiv dhe paguhet brenda periudhës së përcaktuar në nenin 30 të ligjit nr.10 279, datë 20.5.2010 “Për kundërvajtjet administrative”.

 

 

 

Neni 17

 

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

 

 

K R Y E T A R I

 

LINDITA NIKOLLA

 

 

[1] ky ligj përafron pjeserisht Direktivwn 2002/49/EC të Parlamentit Evropian dhe e Këshillit e datës 25 qershor 2002 në lidhje me vlerësimin dhe menaxhimin e zhurmës mjedisore - Deklarata e Komisionit në Komitetin e Pajtimit mbi Direktivën në lidhje me vlerësimin dhe menaxhimin e zhurmës mjedisore, Fletorja Zyrtare L 189, 18/07/2002 F. 0012 – 0026, 02002L0049 — EN — 29.07.2021 — 006.001

 

Nuk ka ende asnjë koment për këtë konsultim

Diskutimet për këtë konsultim janë mbyllur.