Plani i Menaxhimit i Basenit Ujor Erzen
Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore
|
Postuar më: 22.02.2023
|
Data e Mbylljes: 22.03.2023
|
Statusi: Konsultim i mbyllur
|
Nr.Komenteve: 0
|
Nr.Shikimeve: 252
Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në kuadër të procesit të konsultimit për “Planin e Menaxhimit të Basenit Ujor Erzen” mirëpret sugjerimet nga qytetarët, ekspertë të fushës, nga të gjitha institucionet e interesuara, organizata jofitimprurëse etj.
Në zbatim të Ligjit nr.111/2012 “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore” dhe për të patur një dokument të integruar të qeverisjes, në përputhje me kërkesat që vijnë nga Direktiva Kuadër e Ujit e Bashkimit Evropian (Direktiva 2000/60/KE) dhe nga Vendimi nr. 1015, datë 16.12.2020, i Këshillit të Ministrave është hartuar Plani i Menaxhimit të Basenit Ujor Erzen.
Ky dokument në nivel baseni ujor, identifikon një sërë masash prioritare për përmirësimin e statusit të çdo trupi ujor, efikasitetin dhe menaxhimin e përdorimit të burimeve ujore.
Plani i Menaxhimit të Basenit Ujor Erzen do i shërbejë institucioneve shtetërore, enteve publike e private për të menaxhuar në mënyrë të harmonizuar dhe për të siguruar ruajtjen e qëndrueshmërinë mjedisore në rajon baseni ujor, duke prekur çdo aspektet social-ekonomik të sektorit të menaxhimit të integruar të burimeve ujore.
Plani i Menaxhimit të Basenit Ujor Erzen synon rregullimin e të gjitha çështjeve që lidhen me menaxhimin e burimeve ujore, si përdorimet e burimeve ujore, statusi i përgjithshëm ekologjik i trupave ujor, objektivat mjedisore lidhur me ujërat sipërfaqësor, nëntokësor, zonat ujore me rëndësi ekonomike, zonat e mbrojtura, zonat e përvijuara për përdorim e ujit të pijshëm apo edhe zonat e larjes dhe rekreative. Jep sugjerime për çështjet që lidhen me monitorimin e ujërave, si dhe rregullimin e çështjeve të lidhura me përdorimin e burimeve ujore me leje apo autorizim.
Plani do të përfshijë një Program Masash të integruar brenda kuadrit ligjor dhe institucional të caktuar, ku merret në konsideratë statusi i çdo trupi ujor, përfshirë edhe me ndryshimet e mundshme në disponueshmërinë e burimeve ujore dhe ndryshimet klimatike.
Plani shërben si një instrument për planifikimin e investimeve në infrastrukturë, forcimin, ngritjen e strukturave institucionale, si dhe për zbatimin e Strategjisë së sektorit të menaxhimit të integruar të burimeve ujore në tërësinë e vet, së bashku me aspektet gjithëpërfshirëse të klimës.
Kontributet që në kuadër të procesit të konsultimit dhe përmirësimit të përmbajtjes së planit, do të përcillen nga institucionet e interesuara nëpërmjet postës elektronike drejtuar Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore, me anë të regjistrit elektronik në adresën http://www.konsultimipublik.gov.al, në adresën postare të Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore, Bulevardi “Zhan D’Ark”, Prona nr 33, Shtëpia e Ushtarakëve, Tiranë, në adresën e emailit të koordinatorit për konsultimin publik ermela.kraja@ambu.gov.al, si dhe nëpërmjet komenteve të drejtpërdrejta në tryezat e konsultimit të zhvilluara nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore.
Ermela Kraja, Koordinatore për konsultimin publik në AMBU: ermela.kraja@ambu.gov.al
Greis Dragoti, Koordinatore për të drejtën e informimit në AMBU: greis.dragoti@ambu.gov.al
Nuk ka ende asnjë koment për këtë konsultim