PËR MIRATIMIN E MANUALIT TË ETIKËS NË OFRIMIN E SHËRBIMEVE PUBLIKE NË SPORTEL

Këshilli i Ministrave

|

Postuar më: 28.08.2018

|

Data e Mbylljes: 06.09.2018

|

Statusi: Konsultim i mbyllur

|

Nr.Komenteve: 0

|

Nr.Shikimeve: 2567

PDF

|

XML

RELACION SHPJEGUES

 

“PËR MIRATIMIN E MANUALIT TË ETIKËS NË OFRIMIN E SHËRBIMEVE PUBLIKE NË SPORTEL”

 

  1. QËLLIMI I PROJEKTVENDIMIT DHE OBJEKTIVAT QË SYNOHEN TË ARRIHEN

 

Projektvendimi “Për miratimin e manualit të etikës në ofrimin e shërbimeve publike në sportel” i propozuar nga Kryeministri, ka për qëllim të përcaktojë rregullat e etikës gjatë ofrimit të shërbimeve publike në sportel, me qëllim unifikimin e mënyrës së ofrimit të tyre nga institucionet e administratës publike nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, pavarësisht nëse shërbimin e ofrojnë vetë ose ndërmjet sporteleve të shërbimit dhe/ose sporteleve të pikave të shërbimit me një ndalesë.

 

Në manualet pjesë përbërëse e projektvendimit, përcaktohen në mënyrë të detajuar rregullat e etikës së nëpunësit/punonjësit të administratës shtetërore që ofron shërbime publike në sportel.

 

Ky projektvendim është i detyrueshëm për të gjithë institucionet e administratës shtetërore që ofrojnë shërbime publike në sportel, pavarësisht formës së organizimit të tyre.

 

Projektvendimi në  tërësinë e tij përcakton:

 

  1. Miratimin e manualit të etikës në ofrimin e shërbimeve publike në sportel, që i bashkëlidhet vendimit dhe është pjesë përbërëse e tij.

 

  1. Detyrimin e institucioneve të administratës shtetërore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, që ofrojnë shërbime publike në sportel, për zbatimin e vendimit.

 

Ky projektvendim është pjesë e paketës së akteve ligjore e nën-ligjore të miratuara në fushën e ofrimit të shërbimeve publike, të cilat kanë për qëllim të krijojnë një sistem të unifikuar të ofrimit të shërbimeve publike nga institucionet shtetërore si në nivel qendror ashtu edhe në nivel lokal, duke respektuar parimet e organizimit dhe funksionimit të administratës shtetërore për hartimin e modeleve dhe detyrimet ligjore në fushën e shërbimeve publike.

 

Projektvendimi i propozuar, synon arritjen e objektivave të mëposhtëm:

 

  1. Unifikimin e rregullave të etikës të cilat janë të detyrueshme për të gjithë punonjësit e administratës shtetërore të cilët ofrojnë shërbime publike në sportel. Rregullat e unifikuara janë të lidhura me mënyrën e komunikimit, sjelljes, kodit të veshjes, profesionalizimi, ruajtja e konfidencialitetit etj.

 

  1. Standardet e sjelljes etike dhe detyrimet e nëpunësit/punonjësit të administratës publike në ofrimin e shërbimeve publike;

 

  1. Mbrojtjen e interesave të përfituesve të shërbimit duke thjeshtuar veprimtarinë administrative;

 

  1. Detyrimin e punonjësit që ofron shërbime publike te kryej me përgjegjësi detyrën;

 

  1. Detyrimin e punonjësit që ofron shërbime publike te zbatojë rregullat që lidhen me kodin e veshjes te përcaktuara nga vetë institucioni

 

 

  1. VLERËSIMI I PROJEKTVENDIMIT NË RAPORT ME PROGRAMIN POLITIK TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, ME PROGRAMIN ANALITIK TË AKTEVE DHE DOKUMENTE TË TJERA POLITIKE.

 

Në kuadër të përmbushjes së prioriteteve të qeverisë shqiptare në lidhje me reformën e Shërbimeve Publike, si pjesë e reformës së Administratës Publike, për mirëqeverisjen dhe luftën kundër korrupsionit, Kryeministri, çmon të nevojshëm miratimin e projektvendimit të propozuar për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe standardizimit të tyre. Kjo nismë propozohet si një instrument rregullator edhe në kuadër të masave për zbatimin e programit të Qeverisë për prioritetet e mirëqeverisjes dhe luftës kundër korrupsionit, si dhe Strategjisë Ndërsektoriale të Reformës në Administratën Publike 2015 – 2020.

 

III.    ARGUMENTIMI I PROJEKTVENDIMIT LIDHUR ME    PËRPARËSITË,           PROBLEMATIKAT DHE EFEKTET E PRITSHME.

 

Projektvendimi i Këshillit të Ministrave “Për miratimin e manualit të etikës në ofrimin e shërbimeve publike në sportel” është pjesë e paketës së akteve nënligjore të miratuara në zbatim të ligjit nr. 13/2016 “Për mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike në sportel në Republikën e Shqipërisë”.

 

Ky  akt përcakton në mënyrë të detajuar, rregullat e etikës mbi të cilat do të ofrojnë shërbime publike në sportel punonjësit e administratës shtetërore .

 

Ky projektvendim synon të përmirësojë cilësinë dhe efektivitetin e ofrimit të shërbimeve publike, nëpërmjet vendosjes së disa detyrimeve të cilat duhen të zbatohen nga institucionet e administratës shtetërore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, të lidhura me detajimin e rregullave etike gjatë punës në sportel.

 

Rregullat e etikës të përcaktuara, janë mbështetur në legjislacionin në fuqi, që rregullojnë sjelljet etike në sektorin publik, të drejtën e informimit, mbrojtjen e të dhënave personale, mbrojtjen nga diskriminimi, konfliktin e interesave dhe rregullat e komunikimit institucional dhe ndërinstitucional.

 

Rregullat e përcaktuara në projektvendim, janë organizuar në një model standard, lehtësisht të kuptueshëm për të gjithë nëpunësit/punonjësit e administratës shtetërore, që ofrojnë shërbime publike në sportel, me qëllim shmangien e keqkuptimeve apo interpretimin e gabuar të elementeve që përcaktohen në manualin bashkëlidhur vendimit.

 

Duke qenë se projektvendimi përcakton standardet e ofrimit të shërbimit publik në sportel, ai ka efekt të drejtpërdrejtë tek përfituesit e shërbimit (personat fizikë apo juridikë).

 

Në këtë mënyrë, personat fizikë dhe juridikë që aplikojnë për përfitimin e shërbimeve publike të caktuara do t’i kenë të qarta detyrimet e institucioneve të administratës shtetërore për respektimin e etikës në marrdhëniet që krijohen midis tyre.

 

Projektvendimi pritet të japë efektet e tij të para, kryesisht në drejtim të përmirësimit të sjelljes së nëpunësve/punonjësve të administratës publike kundrejt përfituesit të shërbimit.

 

IV.    VLERËSIMI I LIGJSHMËRISË, KUSHTETUTESHMËRISË DHE           HARMONIZIMI ME LEGJISLACIONIN NË FUQI VENDAS E           NDËRKOMBËTAR.

 

Projektvendimi që propozohet për miratim do të ketë vendin e tij në rendin juridik shqiptar, i cili përcaktohet nga neni 116/1 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Baza kushtetuese dhe ligjore për propozimin e këtij projektvendimi, sipas hierarkisë ligjore është përmbledhur në:

 

  • Nenin 100 të Kushtetutës, i cili përcakton: ‘‘kompetencën e përgjithshme vendimmarrëse të Këshillit të Ministrave për nxjerrjen e vendimeve dhe udhëzimeve.’’
  • Nenin 26 të Ligjit Nr. 9000, datë 30.01.2003 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, i cili përcakton se: “Projektaktet, që u përkasin institucioneve të tjera qendrore, në varësi të Kryeministrit ose të ministrit përkatës, paraqiten për shqyrtim në Këshillin e Ministrave, me propozimin e Kryeministrit ose të ministrave përkatës”.
  • Neni 35 pika 1 dhe 2 e Ligjit 13/2016 “Për mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike në sportel në Republikën e Shqipërisë” përcakton se: “Standardizimi i mënyrës së ofrimit të shërbimeve publike në sportel bëhet sipas modeleve kombëtare, si dhe modeleve europiane edhe ndërkombëtare, të cilat hartohen dhe përshtaten si modele shqiptare nga autoriteti përgjegjës për modelet”.

 

     Ndërsa pika 2, gërma a) përcakton: “Si pjesë e modeleve janë, por pa u     

     kufizuar në to:

    “a)rregullat e sjelljes në sportelet fizike;...

 

  • Neni 36 pika 4 e Ligjit 13/2016 “Për mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike në sportel në Republikën e Shqipërisë” përcakton se: “Modelet e hartuara miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”
  • Pikën 3 të rregullores së Këshillit të Ministrave, miratuar me Vendimin Nr. 584, datë 28.08.2003, i ndryshuar, sipas të cilit “të drejtën për të propozuar projekt akte për shqyrtim në Këshillin e Ministrave e kanë Kryeministri dhe çdo Ministër”.

 

Projektvendimi është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Marrëveshjet Ndërkombëtare të Ratifikuara dhe ligjet e tjera në fuqi, që rregullojnë funksionimin e institucioneve shtetërore, si dhe në përputhje të plotë me Kodin e Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë, si ligji kryesor që rregullon veprimtarinë e institucioneve publike.

 

V. VLERËSIMI I SHKALLËS SË PËRAFRIMIT ME ACQUIS COMMUNAUITAIRE (PËR PROJEKT-AKTET NORMATIVE).

 

Ky projekt – vendim nuk synon përafrimin me acquis communautaire.

 

VI.    PËRMBLEDHJE SHPJEGUESE E PËRMBAJTJES SË VENDIMIT

 

Projektvendimin e Këshillit të Ministrave “Për miratimin e manualit të etikës në ofrimin e shërbimeve publike në sportel” miraton manualin e etikës në ofrimin e shërbimeve publike në sportel.   

 

Vendimi përbëhet nga dy pika dhe një lidhje pjesë përbërëse të vendimit.

 

Pika e parë përcakton miratimin e manualit të etikës në ofrimin e shërbimeve publike në sportel, sipas tekstit, që i bashkëlidhet vendimit dhe është pjesë përbërëse të tij.

 

Pika e dytë përcakton organet e ngarkuara për zbatimin e këtij vendimi të cilat janë të gjitha institucionet e administratës shtetërore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, që ofrojnë shërbime publike në sportel, pavarësisht formës së organizimit të tyre.

 

Vlen për t’u theksuar se ky rregullim është mbështetur në nenin 37, pika 1 e ligjit nr. 13/2016 “Për mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike në sportel në Republikën e Shqipërisë” e cila përcakton se:

 

“1. Modelet e miratuara në formën e kërkuar nga ky ligj janë detyruese për të gjitha institucionet e administratës shtetërore, pavarësisht nëse shërbimin e ofrojnë vetë ose nëpërmjet sporteleve të shërbimit dhe sporteleve të pikave të shërbimit me një ndalesë.”

 

Bazuar në pikën 2 të nenit 37 modelet e hartuara dhe të miratuar sipas ligjit kanë vlerë rekomanduese për shërbimet që ofrojnë institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore. Këto modele mund të bëhen detyruese për këtë kategori institucionesh vetëm mbi bazën e marrëveshjeve të lidhura për këtë qëllim.

 

Lidhja 1, bashkëlidhur vendimit përcakton në mënyrë të detajuar tërësinë e vlerave dhe parimeve të cilat duhet të udhëheqin punën e përditshme të të gjithë nëpunësve/punonjësve të administratës shtetërore, të cilët ofrojnë shërbime publike në sportel, përfshirë edhe nivelin drejtues të sporteleve. Ai ka si qëllim që të shërbejë si udhëzues lidhur me veprimet e përditshme apo me ato vendimmarrëse në punë, në përputhje me misionin, parimet dhe vlerat të cilat duhet të karakterizojnë një punonjës të administratës shtetërore në raport me qytetarët.

 

Pjesa e parë e manualit trajton elementët e përgjithshëm si qëllimin e manualit, baza ligjore përkufizime e tj.

 

Kreu I rregullon çështjet që kanë të bëjnë me integritetin profesional të nëpunësve/punonjësve që ofrojnë shërbimet publike në sportel. Këtu gjejnë trajtim, ndërshmëria, paanshmëria, mosdiskriminimi i qytetarëve, trajtimi i rasteve të konfliktit të interesit, pranimit të dhuratave etj.

 

Kreu II trajton sjelljen etike dhe profesionalizimin e nëpunësve/punonjësve të cilët duhet të kenë në konsideratë zbatimin e ligjshmërisë, përkujdesjen ndaj pronës publike, kohën e punës, profesionalizimin në sjelljen e tyre, mirësjelljen veprimtarinë e jashtë të tyre etj.

 

Kreu III trajton komunikimin, marrëdhëniet e brendshme dhe institucionale. Në këtë pjesë rregullohet komunikimi me qytetarët dhe biznesin, komunikimi shkresor, elektronik dhe me forma të tjera me nëpunës/punonjës dhe institucione të tjera.

 

Kreu IV trajton transparancën dhe konfidencialitetin. Transparanca rregullohet në drejtim të sigurimit të informacionit në favor të përfituesve të shërbimit si edhe rritjen e aksesit të tyre në përfitimin e shërbimeve publike. Ndërsa konidencialiteti ka si synonim mbrojtjen e të dhenave personale për përfituesit e shërbimeve dhe kufizimin e përdorimit të tyre vetëm për aq sa është e domosdoshme.

 

Kreu V trajton kodin e veshjes së nëpunësve/punonjësve që veprojnë në sportelet e shërbimit. Ky kre e trajton veshjen në mënyrë të përgjithshme dhe më pas përcakton rregulla bazë për veshjen e nëpunësve/punonjësve femra dhe meshkuj.

 

Kreu VI trajton monitorimin e zbatimit të rregullave të etikës nga nëpunësit/punonjësit që veprojnë në sportelet e shërbimit dhe sanksionet që mund të merren në këto raste.

 

VII.   INSTITUCIONET DHE ORGANET QË NGARKOHEN PËR      ZBATIMIN E KËTIJ AKTI.

 

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen institucionet e administratës shtetërore që ofrojnë shërbime publike në sportel, nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave.

 

VIII.  PERSONAT DHE INSTITUCIONET QË KANË KONTRIBUAR NË HARTIMIN E PROJEKTAKTIT

Projektvendimi u hartua nga strukturat përgjegjëse të ADISA-s, si autoriteti përgjegjës për hartimin e modeleve, ekspertët e kontraktuar për këtë qëllim, në bashkëpunim me kabinetin e Kryeministrit dhe të Zëvëndëskryeministrit.

IX. RAPORTI I VLERËSIMIT TË TË ARDHURAVE DHE SHPENZIMEVE BUXHETORE.

Ky projektvendim nuk ka efekte financiare për buxhetin e shtetit.

 

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

 

SENIDA MESI

Nuk ka ende asnjë koment për këtë konsultim

Diskutimet për këtë konsultim janë mbyllur.