PËR MIRATIMIN E MANUALIT PËR STANDARDIZIMIN E NGRITJES DHE FUNKSIONIMIT TË SPORTELIT TË SHËRBIMIT PUBLIK

Këshilli i Ministrave

|

Postuar më: 28.08.2018

|

Data e Mbylljes: 06.09.2018

|

Statusi: Konsultim i mbyllur

|

Nr.Komenteve: 0

|

Nr.Shikimeve: 1962

PDF

|

XML

RELACION SHPJEGUES

 

“PËR MIRATIMIN E MANUALIT PËR STANDARDIZIMIN E NGRITJES DHE FUNKSIONIMIT TË SPORTELIT TË SHËRBIMIT PUBLIK”

 

  1. QËLLIMI I PROJEKTVENDIMIT DHE OBJEKTIVAT QË SYNOHEN TË ARRIHEN

 

Projektvendimi “Për miratimin e manualit për standardizimin e ngritjes dhe funksionimit të sportelit të shërbimit publik” i propozuar nga Kryeministri, ka për qëllim të përcaktojë rregullat për standardizimin e ngritjes dhe funksionimit të sportelit të shërbimit publik, me qëllim unifikimin e mënyrës së ofrimit të tyre nga institucionet e administratës publike nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, pavarësisht nëse shërbimin e ofrojnë vetë ose ndërmjet sporteleve të shërbimit dhe/ose sporteleve të pikave të shërbimit me një ndalesë.

 

Në manualin pjesë përbërëse të projektvendimit, përcaktohen në mënyrë të detajuar rregullat dhe standardet mbi të cilat duhet të bazohen të gjithë institucionet e administratës shtetërore që ofrojnë shërbime publike në sportel, për ngritjen dhe funksionimin e sportelit të shërbimit.

 

Ky projektvendim është i detyrueshëm për të gjithë institucionet e administratës shtetërore që ofrojnë shërbime publike në sportel, pavarësisht formës së organizimit të tyre.

 

Projektvendimi në tërësinë e tij përcakton detyrimin e institucioneve të administratës shtetërore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, që ofrojnë shërbime publike në sportel, për zbatimin e vendimit.

 

Ky projektvendim është pjesë e paketës së akteve ligjore e nën-ligjore të miratuara në fushën e ofrimit të shërbimeve publike, të cilat kanë për qëllim të krijojnë një sistem të unifikuar të ofrimit të shërbimeve publike nga institucionet shtetërore si në nivel qendror ashtu edhe në nivel lokal, duke respektuar parimet e organizimit dhe funksionimit të administratës shtetërore për hartimin e modeleve dhe detyrimet ligjore në fushën e shërbimeve publike.

 

Projektvendimi i propozuar, synon unifikimin e standardeve teknike të ngritjes dhe funksionimit të sportelit të shërbimit, konkretisht aksesueshmërinë e sporteleve në raport me përfituesit e shërbimit, përcaktimin e standardeve  të infrastrukturës fizike, sistemet TIK si dhe unifikimin e aspekteve funksionale lidhur me ndërveprimin mes sportelit të shërbimit dhe përfituesit të shërbimit, këtij të fundit dhe zyrës përgjegjëse të shërbimit, mënyrën e raportimit dhe matjes së performancës dhe rritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore.

 

  1. VLERËSIMI I PROJEKTVENDIMIT NË RAPORT ME PROGRAMIN POLITIK TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, ME PROGRAMIN ANALITIK TË AKTEVE DHE DOKUMENTE TË TJERA POLITIKE.

 

Në kuadër të përmbushjes së prioriteteve të qeverisë shqiptare në lidhje me reformën e Shërbimeve Publike, si pjesë e reformës së Administratës Publike, për mirëqeverisjen dhe luftën kundër korrupsionit, Kryeministri, çmon të nevojshëm miratimin e projektvendimit të propozuar për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe standardizimit të tyre. Kjo nismë propozohet si një instrument rregullator edhe në kuadër të masave për zbatimin e programit të Qeverisë për prioritetet e mirëqeverisjes dhe luftës kundër korrupsionit, si dhe Strategjisë Ndërsektoriale të Reformës në Administratën Publike 2015 – 2020.

 

III.    ARGUMENTIMI I PROJEKTVENDIMIT LIDHUR ME    PËRPARËSITË,           PROBLEMATIKAT DHE EFEKTET E PRITSHME.

 

Projektvendimi i Këshillit të Ministrave “Për miratimin e manualit për standardizimin e ngritjes dhe funksionimit të sportelit të shërbimit publik” është pjesë e paketës së akteve nënligjore të miratuara në zbatim të ligjit nr. 13/2016 “Për mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike në sportel në Republikën e Shqipërisë”.

 

Ky  akt përcakton në mënyrë të detajuar, rregullat dhe standardet mbi të cilat do të ngrihen dhe funksionojnë sportelet e shërbimit publik, pavarësisht nga forma e organizimit të tyre.

 

Ky projektvendim synon të përmirësojë cilësinë dhe efektivitetin e ofrimit të shërbimeve publike, nëpërmjet vendosjes së disa detyrimeve të cilat duhen të zbatohen nga institucionet e administratës shtetërore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, të lidhura me standardizimin e kritereve dhe komponentëve të cilët duhet të plotësojnë institucionet e administratës shtetërore gjatë ngritjes dhe funksionimit të sportelit.

 

Rregullat e standardeve teknike të ngritjes dhe funksionimit të sportelit të shërbimit janë mbështetur në legjislacionin në fuqi për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit, standardeve dhe të kushteve teknike të projektimit dhe të zbatimit të punimeve të ndërtimit, si dhe përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara.

 

Duke qenë se projektvendimi përcakton standardet e ofrimit të shërbimit publik në sportel, ai ka efekt të drejtpërdrejtë tek përfituesit e shërbimit (personat fizikë apo juridikë), pasi sa më të qarta dhe shteruese të jenë rregullat e ngritjes dhe funksionimit të sportelit, aq më cilësor do të jetë shërbimi i ofruar në drejtim të tyre.

 

Në këtë mënyrë, personat fizikë dhe juridikë që aplikojnë për përfitimin e shërbimeve publike të caktuara do t’i kenë të qarta detyrimet e institucioneve të administratës shtetërore për respektimin e disa standardeve të lidhura me ngritjen dhe funksionimin e sportelit dhe të drejtën e tyre për marrjen e shërbimit në përputhje me këto standarde.

 

Projektvendimi pritet të japë efektet e tij të para, kryesisht në drejtim të rritjes së aksesueshmërisë dhe përmirësimit të infrastrukturës fizike.

 

IV.    VLERËSIMI I LIGJSHMËRISË, KUSHTETUTESHMËRISË DHE           HARMONIZIMI ME LEGJISLACIONIN NË FUQI VENDAS E           NDËRKOMBËTAR.

 

Projektvendimi që propozohet për miratim do të ketë vendin e tij në rendin juridik shqiptar, i cili përcaktohet nga neni 116/1 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Baza kushtetuese dhe ligjore për propozimin e këtij projektvendimi, sipas hierarkisë ligjore është përmbledhur në:

 

  • Nenin 100 të Kushtetutës, i cili përcakton: ‘‘kompetencën e përgjithshme vendimmarrëse të Këshillit të Ministrave për nxjerrjen e vendimeve dhe udhëzimeve.’’
  • Nenin 26 të Ligjit Nr. 9000, datë 30.01.2003 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, i cili përcakton se: “Projektaktet, që u përkasin institucioneve të tjera qendrore, në varësi të Kryeministrit ose të ministrit përkatës, paraqiten për shqyrtim në Këshillin e Ministrave, me propozimin e Kryeministrit ose të ministrave përkatës”.
  • Neni 35 pika 1 dhe 2 e Ligjit 13/2016 “Për mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike në sportel në Republikën e Shqipërisë” përcakton se: “Standardizimi i mënyrës së ofrimit të shërbimeve publike në sportel bëhet sipas modeleve kombëtare, si dhe modeleve europiane edhe ndërkombëtare, të cilat hartohen dhe përshtaten si modele shqiptare nga autoriteti përgjegjës për modelet”.

 

     Ndërsa pika 2, gërma d) përcaktojnë: “Si pjesë e modeleve janë, por pa u     

     kufizuar në to:

    “d) modelet e paraqitjes vizuale të sporteleve fizike; ...”

 

  • Neni 36 pika 4 e Ligjit 13/2016 “Për mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike në sportel në Republikën e Shqipërisë” përcakton se: “Modelet e hartuara miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”
  • Pikën 3 të rregullores së Këshillit të Ministrave, miratuar me Vendimin Nr. 584, datë 28.08.2003, i ndryshuar, sipas të cilit “të drejtën për të propozuar projekt akte për shqyrtim në Këshillin e Ministrave e kanë Kryeministri dhe çdo Ministër”.

 

Projektvendimi është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Marrëveshjet Ndërkombëtare të Ratifikuara dhe ligjet e tjera në fuqi, që rregullojnë funksionimin e institucioneve shtetërore, si dhe në përputhje të plotë me Kodin e Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë, si ligji kryesor që rregullon veprimtarinë e institucioneve publike.

 

V. VLERËSIMI I SHKALLËS SË PËRAFRIMIT ME ACQUIS COMMUNAUITAIRE (PËR PROJEKT-AKTET NORMATIVE).

 

Ky projekt – vendim nuk synon përafrimin me acquis communautaire.

 

VI.    PËRMBLEDHJE SHPJEGUESE E PËRMBAJTJES SË VENDIMIT

 

Projektvendimin e Këshillit të Ministrave “Për miratimin e manualit për standardizimin e ngritjes dhe funksionimit të sportelit të shërbimit publik” miraton manualin për standardizimin e ngritjes dhe funksionimin e sportelit të shërbimit publik.  

 

Vendimi përbëhet nga dy pika dhe një lidhje pjesë përbërëse të vendimit.

 

Pika e parë përcakton miratimin e manualit të standardizimit të ngritjes dhe funksionimit të sportelit të shërbimit publik, sipas tekstit, që i bashkëlidhet vendimit dhe është pjesë përbërëse të tij.

 

Pika e dytë përcakton organet e ngarkuara për zbatimin e këtij vendimi të cilat janë të gjitha institucionet e administratës shtetërore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, që ofrojnë shërbime publike në sportel, pavarësisht formës së organizimit të tyre.

 

Vlen për t’u theksuar se ky rregullim është mbështetur në nenin 37, pika 1 e ligjit nr. 13/2016 “Për mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike në sportel në Republikën e Shqipërisë” e cila përcakton se:

 

“1. Modelet e miratuara në formën e kërkuar nga ky ligj janë detyruese për të gjitha institucionet e administratës shtetërore, pavarësisht nëse shërbimin e ofrojnë vetë ose nëpërmjet sporteleve të shërbimit dhe sporteleve të pikave të shërbimit me një ndalesë.”

 

Bazuar në pikën 2 të nenit 37 modelet e hartuara dhe të miratuar sipas ligjit kanë vlerë rekomanduese për shërbimet që ofrojnë institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore. Këto modele mund të bëhen detyruese për këtë kategori institucionesh vetëm mbi bazën e marrëveshjeve të lidhura për këtë qëllim.

 

Manuali bashkëlidhur vendimit si pjesë përbërëse e tij, përcakton standarde për ngritjen dhe funksionimin e sportelit të shërbimit për institucionet e administratës shtetërore që ofrojnë shërbime publike në sportel, në mënyrë që përfituesit të shërbimit t’i sigurohet aksesi në shërbime publike, një përvojë e njëtrajtshme dhe e parashikueshme në marrjen e shërbimeve, si dhe cilësi e lartë në përfitimin e tyre, pavarësisht institucionit përgjegjës për ofrimin shërbimit  apo formës së organizimit të sportelit të shërbimit.

 

Manuali trajton aspekte teknike të ngritjes dhe funksionimit të sportelit të shërbimit, konkretisht aksesueshmërinë e sporteleve në raport me përfituesit e shërbimit, përcaktimin e standardeve  të infrastrukturës fizike, sistemet TIK si dhe aspektet funksionale lidhur me ndërveprimin mes sportelit të shërbimit dhe përfituesit të shërbimit, këtij të fundit dhe zyrës përgjegjëse të shërbimit, mënyrën e raportimit dhe matjes së performancës dhe rritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore.

 

 

 

VII.   INSTITUCIONET DHE ORGANET QË NGARKOHEN PËR      ZBATIMIN E KËTIJ AKTI.

 

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen institucionet e administratës shtetërore që ofrojnë shërbime publike në sportel, nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave.

 

VIII.  PERSONAT DHE INSTITUCIONET QË KANË KONTRIBUAR NË HARTIMIN E PROJEKTVENDIMIT

Projektvendimi u hartua nga strukturat përgjegjëse të ADISA-s, si autoriteti përgjegjës për hartimin e modeleve, nga ekspertët e kontraktuar për këtë qëllim, në bashkëpunim me kabinetin e Kryeministrit dhe të Zëvendëskryeministrit.

IX. RAPORTI I VLERËSIMIT TË TË ARDHURAVE DHE SHPENZIMEVE BUXHETORE.

Ky projektvendim nuk ka efekte financiare të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershme për buxhetin e shtetit. Vetëm në të ardhmen, institucionet e administratës shtetërore të cilat duhet të ndërhyjnë në ndërtimin, rikonstruksionin e sporteleve të shërbimit, apo do të ndërtojnë të reja, duhet të kenë në konsideratë standardet e parashikuara në këtë vendim dhe të planifikojnë buxhetin në përputhje me to.

 

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

 

SENIDA MESI

 

Nuk ka ende asnjë koment për këtë konsultim

Diskutimet për këtë konsultim janë mbyllur.