Projektligji 'Per Formulen e Privatizimit te Klubeve Sportive'
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë
|
Postuar më: 20.09.2018
|
Data e Mbylljes: 10.10.2018
|
Statusi: Konsultim i mbyllur
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KUVENDI
P R O J E K T L I GJ
Nr._____/2018
PËR
PËRCAKTIMIN E FORMËS DHE FORMULËS SË PRIVATIZIMIT TË KLUBEVE SPORTIVE
Në mbështetje të neneve 78, 83 pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
Neni 1
Qëllimi
Qëllimi i këtij ligji është të përcaktojë formën dhe formulën e privatizimit të klubeve sportive, në pronësi të organeve të qeverisjes qendrore dhe njësive të vetëqeverisjes vendore.
Neni 2
Objekti
- Të gjithë klubet sportive në pronësi të organeve të qeverisjes qendrore dhe njësive të vetëqeverisjes vendore, të cilët nuk janë të organizuar ende në formën e një shoqërie aksionare (sh.a.), brenda 12 (dymbëdhjetë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji duhet të shndërrohen në shoqëri aksionare (sh.a.) në përputhje me ligjin nr. 7926/1995 “Për transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare”, të ndryshuar.
- Organi shtetëror që ka në përgjegjësi administrimi ose në pronësi klubin sportiv dhe/ose që ka në pronësi pronat, asetet, titujt, markat tregtare dhe emrin e mirë të klubit sportiv, vendos si kontribut në natyrë në kapitalin themeltar të shoqërisë aksionare që do të krijohet, të gjithë pronat dhe asetet e klubit sportiv. Vlera e këtyre pasurive do të llogaritet në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.
- Vendimi për privatizimin e klubit sportiv merret nga:
- Ministria përgjegjëse për ekonominë, nëse organi që ushtron të drejtat e pronarit të klubit sportiv është një institucion shtetëror qendror, pas miratimit nga organi shtetëror që ka në përgjegjësi administrimi ose në pronësi klubin sportiv;
- Organi që ushtron të drejtat e pronarit të klubit sportiv, sipas ligjit nr. 139/2015, datë 17.12.2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, nëse organi që ushtron të drejtat e pronarit të klubit sportiv është një njësi e vetëqeverisjes vendore.
4. Privatizimi i klubeve sportive realizohet nëpërmjet transferimit te subjektet e interesuar të aksioneve të zotëruara nga organet e pushtetit qendror dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore në këto klube sportive, sipas formulës së privatizimit të parashikuar në këtë ligj.
Neni 3
Forma dhe formula
Forma dhe formula e privatizimit të aksioneve të klubeve sportive, janë si më poshtë:
- Nga 51 për qind deri në 100 për qind të aksioneve të kapitalit u ofrohen subjekteve të interesuar, të cilët mund të jenë shoqëri apo bashkim shoqërish, që zotërojnë garanci të nevojshme financiare. Paketa e aksioneve të parashikuara në paragrafin e mësipërm transferohet nëpërmjet shitjes, me procedurë konkurruese. Sasia e aksioneve që privatizohet përcaktohet me vendim të organit shtetëror që ka në pronësi klubin sportiv apo të njësisë së vetëqeverisjes vendore që ka në pronësi klubin sportiv.
- Subjekti që ka financuar ndër vite klubin sportiv dhe rezulton fitues në procedurën e privatizimit, përfiton zbritje nga çmimi final i privatizimit në masën e financimeve që nuk u janë njohur si shpenzime të zbritshme për efekt të tatimeve të paguara, sipas kritereve, procedurave dhe dokumentacionit për përllogaritjen e shpenzimeve të zbritshme përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
- Kriteret e vlerësimit të aksioneve që do të privatizohen, të përzgjedhjes së subjekteve të interesuara, vlerësimit të ofertave, si dhe procedura e privatizimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe bazohen në këta elementë :
a) Deri në 90 për qind e pikëve të kritereve të vlerësimit për shpalljen fitues, i caktohen:
i. Investimit të subjektit të interesuar në klubin sportiv ose kontributit të drejtpërdrejtë në klubin sportiv nëpërmjet financimit të parave cash;
ii. Eksperiencës së mëparshme në financime, përfshirje apo administrim të klubeve sportive;
iii. Kritere të tjera.
b) Deri në 10 për qind të pikëve të kritereve të vlerësimit për shpalljen fitues, i caktohen çmimit të ofruar për aksion.
Neni 4
Mos ndryshimi i destinacionit të objekteve sportive
- Destinacioni i objekteve sportive, në kuptim të ligjit nr. 79/2017, datë 27.04.2017 “Për sportin”, të cilat janë në pronësi të klubeve sportive, nuk mund të ndryshohet pavarësisht privatizimit, për të paktën 99 vjet.
- Për efekt të pikës 1 më sipër, kontrata për shitjen e aksioneve duhet të përmbajë:
a) detyrimin që subjekti i interesuar të mos ndryshojë destinacionin e objekteve sportive;
b) detyrimin e palëve për të regjistruar në regjistrat e zyrës vendore të pasurive të paluajtshme këtë kufizim të së drejtës së pronësisë;
c) parashikimin së në rast tjetërsimi të objektit sportiv, pronari i ri mbart të njëjtin kufizim të së drejtës së pronësisë.
- Në rastin kur subjekti i interesuar do të shembë dhe do të rindërtojë nga fillimi një objekt sportiv në pronësi të klubit sportiv të privatizuar, mbi objektin e ri sportiv të ndërtuar do të aplikohen të njëjtat ndalesa për mos ndryshimin e destinacionit, sipas pikës 2 të këtij neni.
- Destinacioni i objekteve sportive të cilat janë në pronësi të klubeve sportive, nuk mund të ndryshohet as në rast falimenti.
Neni 5
Aktet nënligjore
Ngarkohet Këshilli i Ministrave për miratimin e akteve nënligjore në zbatim të pikave 2 dhe 3 të nenit 3, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
Neni 6
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYETARI
GRAMOZ RUÇI
Propozimet dhe sugjerimet tuaja me qëllim përmirësimin e projekt ligjit janë të mirëpritura në adresat zyrtare të MASR:
Nuk ka ende asnjë koment për këtë konsultim