Projektligji per “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 10006, DATË 23.10.2008 “PËR MBROJTJEN E FAUNËS SË EGËR”, TË NDRYSHUAR

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit

|

Postuar më: 05.10.2018

|

Data e Mbylljes: 25.10.2018

|

Statusi: Konsultim i mbyllur

|

Nr.Komenteve: 0

|

Nr.Shikimeve: 1640

PDF

|

XML

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

KUVENDI

 

 

PROJEKTLIGJ

 

 

PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN Nr. 10006, DATË 23.10.2008 “PËR MBROJTJEN E FAUNËS SË EGËR”, TË NDRYSHUAR



Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI

 

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

 

Në ligjin nr. 10006, datë 23.10.2008 “Për mbrojtjen e faunës së egër”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

 

Neni 1


Në nenin 1, bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:

 

1. Pika 1 ndryshohet si më poshtë:

“1. Ky ligj ka për qëllim ruajtjen/konservimin e faunës së egër, sikurse dhe mbrojtjen, menaxhimin dhe kontrollin e saj, me synimin për të siguruar llojet, popullatat, habitatet ku kjo faunë e egër jeton, rrugët e shtegtimit, sikurse dhe kërkesat e saj për ushqim, strehim dhe shumim.” 

2. Pas pikës 2, shtohet pika 3 me këtë përmbajtje:

“3. Përmes këtij ligji synohet:

a) ruajtja ose restaurimi në gjendjen e favorshme të habitateve natyrore dhe llojeve të faunës së egër me interes për komunitettin europian;

b) vlerësimi i gjendjes së biodiversitetit në Shqipëri dhe monitorimi i kësaj gjendjeje; 

c) krijimi i një sistemi, për qëllimin e konservimit të qëndrueshme, të karakteristikave që formojnë bazën për përcaktimin e vendeve për t’u mbrojtur; 

d) sigurimi i një kuadri për përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, për të mirën e gjeneratave të sotme dhe të ardhshme, pa degradimin e habitateve dhe shqetësime ndaj llojeve, që të ndikojnë në statusin e tyre të favorshëm të ruajtjes;

e) kontribuimi në konservimin e gjendjes natyrore të tokës, në konservimin e cilësisë, sasisë dhe disponueshmërisë së ujit, mirëmbajtjen e atmosferës, prodhimin e oksigjenit dhe mirëmbajtjen e klimës.”.

Neni 2
 

Në nenin 2, bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:

1. Pas pikës 1 shtohet pika 1/1 me këtë përmbajtje

“1/1. "Ruajtja" është sipas kuptimit që ka në ligjin nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtura”.

2. Pika 2 ndryshohet si më poshtë:

“2. "Habitatet natyrore" janë sipas kuptimit që kanë në ligjin nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtura”.

 

3. Pas pikës 2, shtohen pikat 2/1, 2/2/, 2/3, 2/4, 2/5, 2/6 dhe 2/7 me këtë përmbajtje:

“2/1. "Tipet e habitateve natyrore, me interes për komunitetin europian" janë sipas kuptimit që kanë në ligjin nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtura”.

“2/2. "Tipe prioritare të habitateve natyrore" janë sipas kuptimit që kanë në ligjin nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtura”.

2/3. "Zonë me interes për komunitetin europian" është sipas kuptimit që ka në ligjin nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtura”.

2/4. "Zonë me status" është një zonë e përcaktuar gjeografike, shtrirja e së cilës përshkruhet me hollësi në aktin e saj të shpalljes si e tillë”. 

2/5. "Statusi i mbrojtjes të një ekosistemi, habitati ose peisazhi" është tërësia e influencimit që vepron në një ekosistem, habitat ose peisazh që mund të ndikojnë në përhapjen, strukturën, funksionet natyrore dhe mbijtesën afatgjatë të llojeve tipike”.

2/6. "Status i favorizuar mbrojtjeje për një ekosistem, habitat ose peisazh" ka kuptimin që jepet në ligjin nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtura”.

2/7. "Rrjeti ekologjik” është sistemi i zonave sipas kuptimit që kanë në ligjin nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtura”.

 

4. Pas pikës 6, shtohen pikat 6/1 dhe 6/2/ me këtë përmbajtje:

“6/1. "Llojet me interes për Komunitetin Europian" janë sipas kuptimit që kanë në ligjin nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtura”.

6/2. "Lloje prioritare" janë sipas kuptimit që kanë në ligjin nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtura”.

5. Pas pikës 9, shtohen pikat 9/1 dhe 9/2/ me këtë përmbajtje:

“9/1. “Status i një lloji" është gjendja (përhapja ose zvogëlimi afatgjatë) e popullatave të llojit, ndikuar / që vjen nga tërësia e faktorëve që veprojnë mbi llojin”.

“9/2. "Status i favorshëm ruajtjeje për një lloj" është kur:

a) të dhënat dinamike të popullatës për një lloj me interes tregojnë që ai ngelet për një kohë afatgjatë një përbërës i vlefshëm dhe i aftë i habitateve të tij natyrore;

b) përhapja natyrore e llojeve nuk është pakësuar dhe nuk ka gjasa të pakësohet në të ardhmen e afërt;

c) gjendet dhe me shumë gjasa do të vazhdojë të jetë një habitat i përshtatshëm, nga ana e përmasave, për të mbajtur popullatën për një kohë të gjatë.”.

 

6. Pas pikës 12, shtohet pika 12/1 me këtë përmbajtje:

“12/1. “Monitorimi” është mbikëqyrja e përcaktuar ire dhe sistematike e gjendjes së natyrës ose përbërësve të diversitetit biologjik dhe peisazhistik.”.

7.  Pas pikës 17, shtohet pika 18 me këtë përmbajtje:

“18. "Komisioni” është Komisioni i Bashkimit Evropian.”.


Neni 3
 

Në nenin 5 bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:

1. Pas paragrafit 1, shtohet pika dh) me këtë përmbajtje:

“dh) Mirëmbajtjen ose restaurimin në një status të favorshëm ruajtjeje të habitateve natyrore dhe të llojeve të faunës së egër me interes për Shqipërinë dhe Komunitetin Europian.”.

2. Pas paragrafit të parë shtohet pika 2 me këtë përmbajtje:

“2. Të gjitha informatat e nevojshme për secilën nga zonat me status do t'i dërgohen Komisionit, me qëllim vlerësimin dhe koordinimin e nevojshëm për të siguruar që zonat me status të formojnë një rrjet koherent, i cili plotëson kërkesat për mbrojtje të habitateve dhe llojeve me interes për komunitetin europian.”.


Neni 4


Në nenin 6 bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:

1. Pika 1 ndryshohet si më poshtë:

 

 

“1. Sigurimi i restaurimit dhe mirëmbajtjes së statusit të favorshëm të ruajtjes për faunën e egër, si dhe sigurimi i mbrojtjes së veçantë për llojet e saj, në përputhje me gjendjen konkrete të llojeve dhe të habitateve ku jetojnë, duke u dhënë status të veçantë mbrojtjeje:

a) llojeve të kërcënuara e në rrezik zhdukjeje.

b)llojeve që kërkojnë vëmendje të veçantë për arsye të natyrës specifike të habitatit të tyre.”.

2. Pika 2 ndryshohet si më poshtë:

“2. Ndalimi i vrasjes, kapjes ose marrjes së llojeve të kafshëve të përfshira në listën e kuqe të faunës së egër.”.

 

Neni 5

Pas nenit 6 shtohet neni 6/1 me këtë përmbajtje:

“Neni 6/1

Masat e mbrojtjes

 

Masat mbrojtëse në lidhje me mbrojtjen e pikave/vendeve janë:

1. Sapo të vendoset një zonë në listën e zonave me status, ajo do të jetë subjekt i masave të mbrojtjes në zonë. Masat specifike të ruajtjes për secilën zonë do të zbatohen në përputhje me planet e menaxhimit, planet zhvillimore dhe detyrimet ligjore ose kontraktuale, që korrespondojnë me kërkesat ekologjike të tipeve të habitatit natyror në Shtojcën I dhe llojeve në Shtojcën II të Direktivës së Habiatateve.

2. Në lidhje me mbrojtjen e zonave me status, do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për të shmangur ndotjen ose përkeqësimin e habitateve ose llojeve.

3. Çdo plan ose projekt që nuk lidhet drejtpërsëdrejt, por mund të ketë një efekt të rëndësishëm në zonën me status, i nënshtrohet vlerësimit të duhur të ndikimit të tij për zonën. Bazuar në raportin e vlerësimit të ndikimit për zonën dhe llojet, autoritetet kompetente do të miratojnë planin ose projektin, vetëm pasi të konstatohet se ai nuk do të ndikojë negativisht në integritetin e zonës në fjalë dhe pas marrjes së mendimit të publikut të gjerë.

4. Në rastet kur një plan apo projekt duhet të realizohet për arsye të interesit publik, pavarësisht vlerësimit negativ të ndikimit për zonën dhe llojet, dhe në mungesë të zgjidhjeve alternative, duhet të miratohen masa kompensuese, për të siguruar koherencën e përgjithshme të rrjetit të zonave me status. Komisioni informohet për masat kompensuese të miratuara.

5. Me propozimin e ministrit, Këshilli i Ministrave miraton listën e zonave me status, tipave të habitateve dhe llojeve, me interes për komunitetin europian, duke përfshirë tipat e habitateve dhe llojeve që janë autoktonë në territorin që shtrihet brenda secilës zonë.”.


Neni 6
 

Në nenin 7, pas pikës 2, shtohen pikat 3 dhe 4 me këtë përmbajtje:

“3. Ndalohet vrasja, kapja ose marrja e llojeve të faunës së egër, si dhe marrja e llojeve të florës së egër, të listuara në Shtojcën 3 të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 866, datë 10.12.2014, “Për miratimin e listave të tipeve të habitateve natyrore, bimëve, kafshëve dhe shpendëve, me interes për Bashkimin Evropian”.

4. Ministria, në bashkëpunim me organet e qeverisjes qëndrore e vendore, institute të specializuara, organizata jofitimprurëse dhe me persona fizikë e juridikë, harton planet e veprimit për ruajtjen e llojeve të kërcënuara dhe endemike, që miratohen me urdhër të ministrit.”.

Neni 7
 

Në nenin 8, pas pikës 3, shtohen pikat 4, 5, 6, 7 dhe 8 me këtë përmbajtje:

 

“4. Kriteret minimale për planet e menaxhimit të ekosistemeve dhe habitateve që ndodhen jashtë rrjetit përfaqësues të zonave të mbrojtura, përcaktohen me udhëzim të ministrit.

5. Formati që do të përdoret për hartimin e raportit mbi zbatimin e masave të marra, përcaktohet me urdhër të ministrit.

6. Kriteret minimale për planet e menaxhimit të llojeve me status të mbrojtur përcaktohen me udhëzim të ministrit.

7. Lista e llojeve të mbrojtura të vendit, me propozim të ministrit, miratohet me Vendim të Këshillit të Ministrave.

8. Ministria harton dhe administron regjistrin e llojeve me status të mbrojtur. Formati i regjistrit dhe kriteret e përdorimit të tij miratohen me udhëzim të ministrit.”.

 


Neni 8


Në nenin 13, pas pikës 3, shtohet pika 4 me këtë përmbajtje:

“4. Masat e marra për të siguruar mbrojtjen e llojeve në vendet e ruajtjes, duke përfshirë mirëmbajtjen e popullatave të llojeve të përmendura në pikën 1 të këtij neni, në një nivel të përputhshëm me kërkesat ekologjike dhe shkencore, realizohen duke mbajtur parasysh edhe kërkesat ekonomike, sociale dhe kulturore, si edhe veçoritë rajonale e lokale.”.


Neni 9
 

Në nenin 14, pika 1 ndryshohet si më poshtë:

“1. Për shpendët e egër që gjenden në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe për shpendët migratorë, zbatohen masa për të ruajtur, mirëmbajtur ose rivendosur një diversitet dhe habitat të mjaftueshëm nëpërmjet:

a) krijimit të zonave të mbrojtura mjedisore, sipas dispozitave të ligjit nr. 81/2017, "Për zonat e mbrojtura", si dhe dispozitave të VKM nr. 897, datë 21.12.2011, "Për miratimin e rregullave për shpalljen e zonave të veçanta të ruajtjes"; 

b) sigurimit dhe menaxhimit të habitateve, brenda dhe jashtë zonave të mbrojtura mjedisore, në bazë të nevojave ekologjike;

c) krijimit të biotopeve dhe rivendosjes së biotopeve të shkatërruara.”.


Neni 10

 

Në nenin 16, pas pikës 2, shtohet pika 3 me këtë përmbajtje:

 

“3. Rregullat për paraqitjen e kërkesës, dokumentet shoqëruese, kriteret që duhen përmbushur për dhënien në përdorim të sipërfaqeve për krijimin e qendrave të shpëtimit, procedura e miratimit apo refuzimit të kërkesës, si dhe procedura e miratimit të rregullores së organizimit dhe funksionimit të qendrës së shpëtimit përcaktohen me udhëzim të ministrit.”.



Neni 11


Në nenin 35, pas paragrafit të parë, shtohen pikat 2 dhe 3 me këtë përmbajtje:

 

2. Monitorimi i faunës së egër kryhet duke mbajtur parasysh tendencat dhe luhatjet në nivelet e popullatave të llojeve, si bazë për vlerësimet.

3. Ministri duhet të sigurojë monitorimin e llojeve të egra të faunës dhe habitateve të tyre, përfshirë monitorimin e kapjeve apo vrasjeve aksidentale të llojeve të faunës me interes për Bashkimin Evropian, sipas Shtojcës III të VKM Nr. 866, datë 10.12.2014, “Për miratimin e listave të tipeve të habitateve natyrore, bimëve, kafshëve dhe shpendëve me interes për Bashkimin Evropian”.

 


Neni 12
 

Në nenin 37 bëhen këto shtesa e ndryshime:

 

1. Pika 1 ndryshohet si më poshtë:

 

“1. Metodat, kriteret dhe procedurat për grumbullimin, regjistrimin dhe mbajtjen e të dhënave për faunën e egër miratohen nga ministri. Të dhënat duhet të përfshijnë edhe informacionin mbi aspektet sociale, ekonomike dhe mjedisore të kafshëve të egra dhe ndikimin mbi banorët lokalë.  Personat fizikë e juridikë, publikë dhe privatë, paraqesin të dhënat brenda 30 ditëve nga data e marrjes së kërkesës, të cilat shoqërohen edhe me shpjegime për interpretimin e tyre, si dhe me rekomandime për zgjidhjen e problemeve.”.

 

2. Pika 3 ndryshohet si më poshtë:

“3. Me miratimin e ministrit, agjencia përgjegjëse për monitorimin e mjedisit kontrakton monitorimin e përvitshëm për treguesit e veçantë të faunës së egër, sipas një kalendari të përcaktuar për llojet nën monitorim.”.


Neni 13

 

Në nenin 39, pika 1, ndryshohet si më poshtë:

 

“1. Kontrolli për mbrojtjen e faunës së egër dhe per statusin e saj të ruajtjes është veprimtari shtetërore, që siguron zbatimin e dispozitave të këtij ligji, të akteve nënligjore në zbatim të tij, si dhe të konventave përkatëse, ku Republika e Shqipërisë është palë.”.

 

Neni 14

 

Në nenin 44, pas pikës 2, shtohet pika 3 me këtë përmbajtje:

“3. Individët e konfiskuar apo te sekuestruar dorëzohen në qendrat e shpëtimit.”.


Neni 15


Pas nenit 49, shtohet neni 49/1 me këtë përmbajtje:

 

“Kudo në tekstin e këtij ligji, “Agjencia e Mjedisit dhe Pyjeve” zëvendësohet me “agjencinë përgjegjëse për monitorimin e mjedisit” dhe “drejtoria e shërbimit pyjor” zëvendësohet me “njësia vendore përgjegjëse për mbrojtjen e faunës së egër”.


Neni 16


Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

 

KRYETARI I KUVENDIT

 

GRAMOZ RUÇI

Nuk ka ende asnjë koment për këtë konsultim

Diskutimet për këtë konsultim janë mbyllur.