PROJEKTLIGJ "PËR BANKËN E SHQIPËRISË"
|
Postuar më: 15.07.2026
|
Data e Mbylljes: 12.08.2026
|
Statusi: Konsultim i mbyllur
|
Nr.Komenteve: 2
|
Nr.Shikimeve: 1349
aurel l.
Përshëndetje.
Neni 42 i këtij projektligji, ndër të tjera përcakton se "gëzon integritet të lartë moral", vetëm kaq dhe në asnjë prej neneve vijuese nuk parashikohen kushtet dhe procedura sesi do të vlerësohet e vërtetohet përmbushja e këtij kriteri parësor. Ashtu si edhe ne shumë raste të zgjedhjes së drejtuesve të institucioneve kushtetuese sipas Kushtetutës, edhe këtu kemi shprehje të dëshirës, por mungon rruga dhe mjetet që do të përdoren për përmbushjen e saj.
Nga sa më lart, Ju paraqes këto plotësime e komente që mund ti bëhen projektligjit në këtë fazë dhe për këtë pikë delikate:
- Cilat janë kushtet specifike që zbërthejnë qënësinë e Integritetit të lartë Moral tek një individ kandidat për pozicionin si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës?
- Cilat janë dokumentat dhe procedura ligjore që duhet të ndiqet nga Institucionet propozuese e miratuese për të siguruar përmbushjen në shkallën më të lartë të këtij kriteri nga kandidadët pjesmarrës? Të paktën formalisht në Janar 1998 u krijua Komisioni Nazif Bezhani, me mandat ligjor për kontrollin e pastërtisë së figurës së zyrtarëve të lartë publikë, dhe funksionoi për afër 4 vite duke ndjekur procedurën ligjore dhe dokumentuar pastërtinë sipas ligjit të kohës të zyrtarëve të lartë.
- Cili corpus/trupë individësh mund të jenë aq të pastër moralisht saqë të fitojnë të drejtën ligjore për të propozuar dhe miratuar kandidaturat që ofrohen për anëtarë të Këshillit të Lartë Mbikëqyrës? Deri tani Guvernatori dhe Anëtarët e këshillit mbikëqyrës BSH kanë qenë pjesë e objektit të vendimmarrjes të shumicave parlamentare që kanë ekzistuar dhe qeverisur.
Shpresoj që komentet e mësipërme në formën e pyetjeve retorike të pasqyrohen sic duhet në kontekstin e Shqipërisë së fenomeneve të korrupsionit të paanë dhe krimit të organizuar, për të bërë të mundur që ajka e mbetjes së këtij populli të jetë në krye të institucionit rregullator dhe politikbërës të sistemit financiar në Shqipëri.
Falemnderit,
Aurel Laçi
Postuar më: 23.07.2026 02:01
ALBANIAN ASSOCIATION OF BANKS
Komente dhe sugjerime mbi projektligjin “Për Bankën e Shqipërisë”
• Neni 12, Instrumente të tjera të politikës monetare
“Këshilli, me shumicë votash prej dy të tretave të të gjithë anëtarëve të tij, mund të vendosë që të përdorë metoda të tjera operacionale të politikës monetare, siç e konsideron të përshtatshme, në përputhje me objektivat e Bankës së Shqipërisë.”
Koment: Kur metodat e reja operacionale krijojnë detyrime financiare apo raportuese për institucionet e kreditit, Banka e Shqipërisë duhet të kryej konsultim paraprak me subjektet e prekura, të publikoj analizën e ndikimit dhe të caktoje një periudhë të arsyeshme tranzitore.
• Neni 13, Ofrimi i linjës se likuiditetit
Ne piken 3 - Te përcaktohet/ vendoset një kufi për normën penalizuese. Një normë tepër e lartë mund ta përkeqësojë situatën e institucionit të kreditit të licencuar dhe të cënojë vetë qëllimin e stabilitetit financiar.
• Neni 62, Masat administrative dhe sanksionet
Në pikën 4, të nenit 62, përcaktohet se: “... te gjitha masat dhe sanksionet e përshkruara ne këtë nen, te vendosura nga Banka e Shqipërisë, konsiderohen urdhra ekzekutimi sipas dispozitave te Kodit te Procedurës Civile, dhe ekzekutohen nga përmbaruesit sipas ligjit.”
Formulimi “urdhra ekzekutimi”, mendojmë se nuk është terminologjikisht i saktë.
Sipas të drejtës procedurale civile, “Titulli ekzekutiv” është akti/dokumenti qe përmban një detyrim te ekzekutueshëm me forcë, ndërsa “urdhri i ekzekutimit” është akti procedural qe i jepet përmbaruesit për te filluar ekzekutimin e titullit. Mendojmë se duhet ndryshuar formulimi, duke përcaktuar se “Masat administrative dhe sanksionet e vendosura nga Banka e Shqipërisë, konsiderohen tituj ekzekutivë dhe ekzekutohen nga përmbaruesit gjyqësorë, sipas ligjit”.
Sipas pikës 2 te këtij neni, masat përfshijnë, sipas rastit, paralajmërime, urdhra me shkrim, gjoba, masa korrigjuese, pezullime ose largime nga detyra te administratorëve, heqje licence, si edhe masa te tjera te parashikuara ne ketë ligj ose ne legjislacionin përkatës.
Sipas pikës 4, te gjitha masat dhe sanksionet e përshkruara ne këtë nen, te vendosura nga Banka e Shqipërisë, ekzekutohen nga përmbaruesit sipas ligjit.
Mendojmë se ekzekutimi nëpërmjet shërbimit përmbarimor duhet te kufizohet vetëm për gjobat që vendoset nga ana e BSH, pasi nuk ka kuptim qe për masat e tjera (paralajmërime, urdhra me shkrim, gjoba, masa korrigjuese, pezullime ose largime nga detyra te administratorëve, heqje licence) të ngarkohet shërbimi përmbarimor.
Edhe në projektligjin Për institucionet financiare, neni 115, është specifikuar se gjobat e vendosura nga Banka e Shqipërisë sipas dispozitave të këtij ligji janë tituj ekzekutiv dhe për ekzekutimin e tyre ngarkohet zyra përmbarimore.
Gjithashtu në nen nuk ka asnjë parashikim mbi njoftimin e shkeljes, faktet, masën e propozuar, dhe një afati për paraqitjen e shpjegimeve dhe provave/pretendimeve të palës tjetër. P.sh.: Përpara vendosjes së masës, subjekti njoftohet për faktet dhe masën e propozuar dhe i jepet një afat jo më i shkurtër se x ditë pune për paraqitjen e shpjegimeve dhe provave.
• Neni 68, Sekreti profesional dhe konfidencialiteti
Sugjerojmë që të shtohet si pikë “Parimi i Minimizimit”: Informacioni konfidencial transmetohet vetëm në masën e nevojshme dhe proporcionale me qëllimin e ligjshëm për të cilin kërkohet.”
• Neni 75, “Ankimi gjyqësor”
Në nenin 75, është përcaktuar se, çdo person juridik ose fizik, i prekur nga shkeljet e pretenduara të këtij ligji nga Banka e Shqipërisë, ka të drejte t'i ankimojë ato në gjykatën e apelit. Formulimi nuk është i qartë, sepse duket sikur është Banka e Shqipërisë që ka kryer shkeljen. Nga ana tjetër, nuk është e sakte as nga ana ligjore dhe as gjuhësore, pjesa e fjalisë ku thuhet “t’i ankimojë ato”. Duket sikur ka te drejte të ankimojë shkeljet (?!).
Duke qenë se qëllimi i dispozitës është qe te ankimohet vendimi / akti i Bankës së Shqipërisë, për shkeljet qe mund te ketë kryer personi juridik / fizik, duhet formuluar ne mënyrë të qartë: “Çdo person juridik ose fizik, të cilit i cënohen të drejtat ose interesat e ligjshme nga një akt i Bankës së Shqipërisë ka te drejte të ankimojë atë në gjykatën e apelit”.
Gjithashtu, mendojmë se duhet saktësuar se ankimi behet ne Gjykatën Administrative të Apelit.
Edhe pika 2, sipas të cilës: “Pavarësisht përcaktimit në pikën 1 të këtij neni, akti i Bankës së Shqipërisë zbatohet pa kufizim derisa gjykata të japë vendimin e saj”, duhet të riformulohet, pasi formulimi se akti zbatohet pa kufizim derisa gjykata të japë vendimin e saj, nuk është shumë i saktë.
Nëse synimi është që ankimi të mos ketë efekt pezullues, mund të formulohet në mënyrë më të qartë duke përcaktuar se, në asnjë rast ankimi në gjykatë, nuk pezullon zbatimin e vendimit.
Ose mund te përdoret i njëjti formulim qe është përdorur edhe në draftin e ligjit Për Institucionet e Kreditit (neni 322), ku përcaktohet se ankimi gjyqësor, paraqitet sipas procedurave te parashikuara në legjislacionin në fuqi për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative.
• Neni 85, Lehtësia e likuiditetit për institucionet e kreditit
Mendojmë se ky nen duhet të harmonizohet me parashikimet e nenit 13, te projektligjit.
SHOQATA SHQIPTARE E BANKAVE
Tiranë, 11 gusht 2026
Postuar më: 11.08.2026 03:46
Komentet nga qytetarët