Plani Kombëtar për Integrimin Evropian 2022 – 2024 (PKIE 2022-2024)
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme
|
Postuar më: 07.01.2022
|
Data e Mbylljes: 03.02.2022
|
Statusi: Konsultim i mbyllur
|
Nr.Komenteve: 0
|
Nr.Shikimeve: 3102
Projektvendimi i Këshillit të Ministrave synon miratimin e Planit Kombëtar për Integrimin Evropian 2022 – 2024.
PKIE 2022 – 2024 do të shërbejë si instrument i planifikimit dhe monitorimit të detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe i procesit të anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian. PKIE 2022 – 2024 synon prioritizimin, planifikimin, monitorimin dhe vlerësimin e përafrimit të plotë të legjislacionit shqiptar me acquis e Bashkimit Evropian si një nga kriteret e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Plani Kombëtar për Integrimin Evropian ka një objektiv të trefishtë. Së pari, ai do të shërbejë si instrument i planifikimit të plotësimit të detyrimeve të lindura nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit. Kjo Marrëveshje, ratifikuar me Ligjin Nr. 9590, datë 27.07.2006 “Për ratifikimin e ‘Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komuniteteve Evropiane e shteteve të tyre anëtare”, përcakton në nenin 70 të saj detyrimin e Republikës së Shqipërisë për përafrimin e legjislacionit kombëtar me legjislacionin e Bashkimit Evropian në përputhje me afatet e përcaktuara nga kjo Marrëveshje.
Së dyti, bazuar në marrjen e statusit të vendit kandidat në qershor 2014, PKIE 2022 – 2024 ka si pikësynim final përafrimin e plotë të legjislacionit shqiptar me acquis e Bashkimit Evropian si një nga kriteret e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian përbën një hap më të avancuar nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit.
Së treti, në datë 26 mars 2020, Këshilli Evropian miratoi konkluzionet e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të datës 25 mars 2020 për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, përfshirë miratimin e metodologjisë së re të negociatave të anëtarësimit. Metodologjia e re bazohet në një përqasje më dinamike, më të parashikueshme duke e bërë procesin më të besueshëm dhe me një drejtim më të fortë politik.
Në këtë fazë të procesit të hapjes së negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian është e nevojshme që PKIE, si plani kombëtar i procesit të integrimit në BE, të reflektojë fazën e hapjes së negociatave për anëtarësim, duke prioritizuar detyrimet parësore që rrjedhin nga procesi i negociatave të anëtarësimit në BE, sikurse kërkohet sot e në vijim nga Komisioni Evropian, duke përfshirë mekanizmat e ndryshëm të stabilizim-asociimit.
Përafrimi i legjislacionit shqiptar me legjislacionin e Bashkimit Evropian duhet konsideruar si një cikël i vazhdueshëm, i përbërë nga këta hapa:
- Studimi i legjislacionit të Bashkimit Evropian,
- Identifikimi i mangësive të legjislacionit shqiptar kundrejt acquis,
- Hartimi i akteve shqiptare që synojnë përafrim,
- Monitorimi i zbatimit të legjislacionit të përafruar.
Projektvendimi i Këshillit të Ministrave synon të koordinojë këtë proces përafrimi duke përcaktuar prioritetet e tij, aktet që do të përafrohen, ministritë përgjegjëse për hartimin e projektakteve shqiptare, shkallën e përafrimit, afatet e miratimit dhe hyrjes në fuqi si dhe koston e hartimit të legjislacionit të përafruar.
Nuk ka ende asnjë koment për këtë konsultim