P R O J E K T L I GJ “PËR NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR.155, DATË 7.12.2020 “PËR NDRYSHIMET KLIMATIKE”

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit

|

Postuar më: 28.07.2022

|

Data e Mbylljes: 20.12.2022

|

Statusi: Konsultim i mbyllur

|

Nr.Komenteve: 1

|

Nr.Shikimeve: 759

PDF

|

XML

Kjo nismë është ndërmarrë pasi shpeshherë individë që ndotin hapësirat publike dhe mjedisin ndëshkohen pak ose aspak nga autoritetet. Shumë praktika të vendeve të tjera tregojnë se ashpërsimi i masave, jo vetëm mbi subjektet ndotëse por gjithashtu edhe mbi individët, që hedhin mbeturinat në mjediset publike ul ndjeshëm ndotjen e mjedisit.

  1. Qëllimi i këtij projektligji është ashpërsimi i kundravajtjeve administrative me 30% të vlerës së gjobave, bazuar në rezultatet e këshillimit kombëtar, nga ku rezultoi se qytetarët vlerësuan se për të parandaluar dëmtimin apo rrezikun e dëmtimit të mjedisit dhe hapësirave publike nga veprimet e individëve apo subjekteve që ushtrojnë veprimtari ekonomike,nevojitet që të ashpërsohen masat ndëshkuese, në përputhje edhe me parimin “ndotësi paguan”.

Ashpërsimi i masës së gjobës si një masë me impakt të drejtëpërdrejtë në veprimtarinë ekonomike të subjekteve apo ekonominë/buxhetin e individëve do të ndikojë në ndërgjegjësimin e tyre për të shmangur kryerjen e veprimeve të cilat do të conin në prishjen/dëmtimin e mjedisit.

  1. Parashikimin në legjislacionin e fushës së mjedisit të dënimit me gjobë si titull ekzekutiv, në përputhje me Ligjin nr.10279/2010 “Për kundravajtjet administrative”.

Në lidhje me këtë propozim i cili do të sillte efektivitet në ekzekutimin e sanksioneve që vendosen nga organet administative, sqarojmë se, aktualisht procesi i ekzekutimit të gjobave vështirësohet për shkak të ankimit administrativ dhe gjyqësor të gjobës duke zgjatur në kohë procesin dhe duke humbur qëllimin e vendosjes së sanksionit për ndotjen e mjedisit. 

Fuqizimi i strukturës përgjegjëse inspektuese në mjedis, me qëllim ushtrimin e kontrollit/inspektimeve për të gjitha kundravajtjet administrative në fushën e mbrojtjes së mjedisit sipas referencave ligjore të parashikuara në Kreun i të këtij raporti.

Në ligjin nr.155, datë 7.12.2020 “Për ndryshimet klimatike”, bëhet ndryshimi si më poshtë vijon:

Neni 1

Në nenin 34 bëhen ndryshimet e mëposhtme.

  1. Pika 1 dhe 2 ndryshojnë si më poshtë:

“ 1. Shkeljet e mëposhtme të këtij ligji, që nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen si më poshtë:

a) zhvillimi i një aktiviteti pa leje mjedisi, që përfshin shkarkimet e GES-it sipas kërkesave të nenit 10 të këtij ligji, dënohet me gjobë në vlerën nga 1 300 000 (një milion e treqind mijë) deri në 2 600 000 (dy milion e gjashtëqind mijë) lekë, duke u shtuar me vlerën 2 për qind të masës së gjobës çdo ditë deri në korrigjimin e mospërputhjes;

b) mospërmbushja e detyrimit nga cilido operator për monitorimin e shkarkimeve të GES-it dhe raportimin e tyre në AKM, sipas kërkesave të neneve 8, pika 1, dhe 13, pikat 6 e 7, të këtij ligji ose akteve të tij nënligjore, dënohet me gjobë në vlerën nga 1 300 000 (një milion e treqind mijë) deri në 2 600 000 (dy milion e gjashtëqind mijë) lekë, duke u shtuar me vlerën 2 për qind të masës të gjobës çdo ditë deri në korrigjimin e mospërputhjes;

c) mosnjoftimi në AKM i ndryshimeve të parashikuara në pikën 1 të nenit 12 të këtij ligji, për të cilin mund të nevojitet një përditësim i lejes së mjedisit, që përfshin shkarkimet e GES-it lidhur me shkarkimin e këtyre, dënohet me gjobë në vlerën nga 1 300 000 (një milion e treqind mijë) deri në 2 600 000 (dy milion e gjashtëqind mijë) lekë, duke u shtuar me vlerën 2 për qind të masës të gjobës çdo ditë deri në korrigjimin e mospërputhjes.

2. Gjoba e vendosur për kundravajtjet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni përbën titull ekzekutiv dhe të drejtën e gjobës e ka struktura përgjegjëse inspektuese në fushën e mjedisit”.

2. Në pikën 5 fjalët “inspektoratit përgjegjës për mjedisin” zëvendësohen me “strukturës përgjegjëse inspektuese në fushën e mjedisit”

Komentet nga qytetarët

arrow

INSTITUTI I POLITIKAVE MJEDISORE

Në emër të IEP shprehim mbështetje të këtij ashpërsimi të masave të kundravajtjes ndaj nenin 34 të Ligjit "Për ndryshimet Klimatike"

Postuar më: 01.08.2022 11:46

Diskutimet për këtë konsultim janë mbyllur.