Projektligj "Pë statusin e dëshmorit të atdheut"

Ministria e Mbrojtjes

|

Postuar më: 03.05.2018

|

Data e Mbylljes: 31.05.2018

|

Statusi: Konsultim i mbyllur

|

Nr.Komenteve: 0

|

Nr.Shikimeve: 4774

PDF

|

XML

P R O J E K T L I G J   Nr. ______/ 2018     PËR STATUSIN E DËSHMORIT TË ATDHEUT     Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,   KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI:   KREU I DISPOZITA TË PËRGJITHSHME   Neni 1 Objekti   Objekti i këtij ligji është përcaktimi i kritereve dhe procedurës për shpalljen ose njohjen e statusit “Dëshmor i Atdheut”, si dhe të drejtat dhe përfitimet që rrjedhin nga statusi “Dëshmor i Atdheut”.   Neni 2 Qëllimi   Qëllimi i ligjit është shpallja ose njohja e statusit “Dëshmor i Atdheut” personave të cilët me akte të rralla patriotizmi, vetëmohimi dhe heroizmi të jashtëzakonshëm, kontribuan në luftën për liri, pavarësi dhe çlirim kombëtar të Shqipërisë, deri në dhënien e jetës, si dhe të personave që kanë dhënë dhe japin jetën për mbrojtjen e integritetit territorial, interesave kombëtare shqiptare dhe në luftën kundër terrorizmit, krimit ndaj jetës së individit, mbrojtjes së pronës publike, si dhe në raste fatkeqësish natyrore në ndihmë të popullsisë.   Neni 3 Subjektet   Subjekte të këtij ligji janë, të ndjerët Dëshmorë të Atdheut, familjarët e tyre, si dhe organet e pushtetit qendror dhe organet e njësive të vetëqeverisjes vendore, që ngarkohen për ndjekjen dhe zbatimin e detyrimeve, që rrjedhin nga ky ligj.   Neni 4 Përkufizime   Në këtë ligj termat e mëposhtme kanë këto kuptime:  

  1.   “Person” kuptohet personi fizik me shtetësi shqiptare, shtetësi të huaj ose pa shtetësi, si dhe personi fizik që ka jetuar dhe ka vepruar para datës së krijimit të shtetit shqiptar (28 nëntor 1912).
  2. “Shpallje” është vendimi i Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut”, i cili i jep të ndjerit statusin e “Dëshmorit të Atdheut”.
  3. “Njohje” është vendimi i Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut”, i cili konfirmon të gjithë dekretet dhe vendimet për shpalljen “Dëshmor”, të dhëna nga organet shtetërore, para hyrjes në fuqi të këtij ligji.    
  4. “Familje e Dëshmorit të Atdheut” është ajo familje, që i ka dhënë Shqipërisë një apo më shumë persona të shpallur “Dëshmor i Atdheut”.
  5. “Organe shtetërore të mëparshme” kuptohen ish-organet shtetërore, para hyrjes në fuqi të këtij ligji, si p.sh.: ish-Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të Rrethit, ish-Këshilli Ekzekutiv Pluralist i Rrethit dhe Këshilli Bashkiak, si dhe Kuvendi Popullor apo Kryesia e Këshillit të Ministrave.
  6. “Subjekte kërkuese” janë përfaqësues të familjes së të ndjerit për të cilin kërkohet që të shpallet ose të njihet “Dëshmor i Atdheut” apo përfaqësues i familjes së dëshmorit, drejtues të organeve shtetërore, organizatat e dëshmorëve të atdheut, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
  7. “Organe publike” kuptohen organet përfaqësuese të pushtetit qendror dhe vendor; institucionet e administratës, qendrore dhe vendore, të pushteteve kushtetuese; personat juridikë dhe fizikë, në masën që ata përmbushin funksionet publike ose ushtrojnë një detyrë administrative, sipas ligjeve në fuqi. 
KREU IIKRITERET PËR SHPALLJEN OSE NJOHJEN E STATUSIT “DËSHMOR I ATDHEUT”   Neni 5 Kriteret për shpalljen ose njohjen e statusit “Dëshmor i Atdheut”   Dëshmorë të Atdheut shpallen ose u njihet statusi, si të tillë:  
  1. personave që kanë humbur jetën për lirinë, pavarësinë kombëtare dhe mbrojtjen e territoreve shqiptare apo në përpjekje për mësimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe, para 28 nëntorit 1912;
  2. shtetasve shqiptarë dhe të huaj, që kanë rënë në luftë për mbrojtjen e integritetit territorial, të lirisë dhe pavarësisë të Shqipërisë, si dhe për arsye të kundërshtimit të pushtimit të trojeve shqiptare nga ushtritë e huaja dhe të qëllimeve shoviniste të tyre, nga data 28 nëntor 1912 deri në 7 prill 1939;
  3. shtetasve shqiptarë që kanë humbur jetën, në mbrojtje të vlerave kombëtare dhe patriotike, të kombit shqiptar, para 7 prillit 1939;
  4. shtetasve shqiptarë që kanë marrë pjesë me armë në dorë ose në formë të organizuar në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe kanë rënë duke luftuar kundër pushtuesve nazifashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre, nga 7 prilli 1939 deri më 9 maj 1945;
  5. shtetasve shqiptarë të pushkatuar për pjesëmarrjen në formacionet luftarake të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare apo për mbështetje të pjesëmarrësve të Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, si dhe të pushkatuar për hakmarrje nga pushtuesit nazifashist apo bashkëpunëtorët e tyre, nga data 7 prill 1939 deri në datën 9 maj 1945;
  6. shtetasve shqiptarë që janë ekzekutuar apo kanë vdekur në burgjet dhe kampet e përqendrimit nazifashiste, deri më 9 maj 1945, si dhe shtetasit shqiptarë, të cilët, brenda 2 viteve nga dita e daljes nga burgjet apo kampet e përqendrimit nazifashistë, kanë vdekur si pasojë e plagëve apo sëmundjeve të ndryshme të marra në këto vende;
  7. shtetasve shqiptarë, pjesëtarë të formacioneve ushtarake të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, që kanë rënë në luftën kundër pushtuesve nazifashistë jashtë kufijve shtetërorë, deri më 9 maj 1945;
  8. shtetasve shqiptarë, pjesëmarrës në formacione të rregullta të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, që kanë humbur jetën, brenda datës 9 maj 1947, për shkak të sëmundjeve dhe plagëve të marra ose fatkeqësive të ndryshme, duke qenë në krye të detyrës luftarake;
  9. shtetasve shqiptarë që kanë rënë duke luftuar në Spanjë (1936-1939) ose në vende të tjera, të inkuadruar në formacionet e koalicionit antifashist, deri më 9 maj 1945, ose që kanë vdekur brenda 2 vjetëve nga plagët ose sëmundjet e marra në këto luftëra;
  10. shtetasve të huaj, pjesëtarë të formacioneve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, që kanë rënë duke luftuar kundër pushtuesve nazifashistë;
  11. shtetasve të huaj, pjesëtarë të formacioneve të ushtrive aleate në Luftën e Dytë Botërore, në ndihmë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare shqiptare, që kanë humbur jetën brenda territorit të Shqipërisë;
  12. shtetasve shqiptarë që kanë rënë duke luftuar për pavarësinë e Kosovës, si dhe shtetasit shqiptarë të rënë për të drejtat kombëtare, në konfliktet e tjera etnike të zhvilluara në Ballkan;
  13. shtetasve shqiptarë që bien në mbrojtjen e integritetit territorial të Republikës së Shqipërisë, për mbrojtjen e institucioneve shtetërore nga terrorizmi ose në luftë kundër bandave të armatosura dhe kundër krimit ndaj jetës së individit;
  14. shtetasve shqiptarë që vriten nga elementë kriminalë, për shkak të detyrës shtetërore që kanë kryer, në luftë ndaj krimit dhe përpjekjeve për vendosjen e rendit dhe qetësisë publike;
  15. shtetasve shqiptarë që bien në krye të detyrës, për mbrojtjen e paqes dhe të lirisë së kombit shqiptar, ose atyre që bien në krye të detyrës me misione në mbrojtje të paqes e të sigurisë së popujve të tjerë;
  16. shtetasve shqiptarë që humbin jetën në krye të detyrës, për mbrojtjen e pasurisë publike ose nga rreziqet e fatkeqësitë natyrore;
  17. shtetasve shqiptarë të vrarë gjatë tubimeve paqësore dhe pa armë, për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, si dhe që kanë humbur jetën në krye të detyrës në mbrojtje të procesit zgjedhor, pas datës 8 dhjetor 1990;
  18. shtetasve shqiptarë që kanë humbur jetën ose që humbasin jetën në përpjekje për të ndihmuar popullsinë në raste fatkeqësish natyrore apo që humbasin jetën në përpjekje për mbrojtjen e pronës publike ose për shpëtimin dhe mbrojtjen e jetës së individit nga krimi;
  19. shtetasve shqiptarë që vriten nga forcat apo elementë antishqiptar në mbrojtje të flamurit dhe simboleve kombëtare dhe manifestimit të ndjenjave kombëtare;
  20. shtetasve të huaj, pjesëtarë të formacioneve në ndihmë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë apo Policisë së Shtetit Shqiptar, që humbasin jetën në krye të detyrës, në ndihmë të popullsisë apo në përpjekje kundër terrorizmit ose krimit ndaj jetës së individit;
  21. shtetasve të huaj, pjesëtarë të formacioneve ushtarake të NATO-s, në ndihmë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, që humbasin jetën në krye të detyrës, në mbrojtje të integritetit territorial të Republikës së Shqipërisë.
  22. ekuipazhet që bien në krye të detyrës shtetërore gjatë fluturimit. 
Neni 6Përjashtimi nga statusi “Dëshmor i Atdheut”  Statusin “Dëshmor i Atdheut” nuk e përfitojnë personat, që janë dënuar me vendime gjykate të formës së prerë për krimet, si më poshtë: 
  1. për krime kundër njerëzimit;
  2. për bashkëpunim më pushtuesit e vendit;
  3. për veprimtari terroriste dhe agjenturore kundër interesave të Shqipërisë;
  4. për vrasje me dashje, pas datës 9 maj 1945. 
Neni  7Dëshmorët e shpallur me vendime të organeve shtetërore të mëparshme  Të gjitha dekretet/vendimet e organeve shtetërore për shpalljen “Dëshmor”, të marra para hyrjes në fuqi të këtij ligji, nuk janë objekt rishikimi nga ky ligj.   Neni 8 Dokumentet për shpalljen ose njohjen e statusit “Dëshmor i Atdheut”  
  1. Për shpalljen “Dëshmor i Atdheut” vlejnë si burime parësore dokumente të  organeve publike, të krijuara në kohën e ngjarjes dhe si burime dytësore, botimet me karakter historik, folklorik, publicistik dhe manuale biografike, të cilat shprehen për ngjarjen.  
  2. Për njohjen e Statusit “Dëshmor i Atdheut”, vlejnë dekretet/vendimet e organeve shtetërore të mëparshme për shpalljen “Dëshmor”, si dhe në mungesë të tyre vetëm burimet parësore, sipas pikës 1 të këtij neni.    
  3. Llojet e dokumenteve që paraqiten për shpalljen ose njohjen e statusit “Dëshmor i Atdheut”, si dhe kushtet teknike të plotësimit të tyre përcaktohen me udhëzim të Kryetarit të Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut”.
  Neni 9 Kërkesa për shpalljen “Dëshmor i Atdheut” dhe njohjen e statusit  
  1. Kërkesën për shpalljen ose njohjen e statusit “Dëshmor i Atdheut” e bën përfaqësuesi i autorizuar i familjes së të ndjerit, organet shtetërore ose përfaqësues të shoqërisë civile. 
  2. Forma e përmbajtjes së kërkesës përcaktohet në udhëzimin e Kryetarit të Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut” të përcaktuar në pikën 3 të nenit 8.   
KREU IIIORGANET E  PARAQITJES SË KËRKESËS, PROPOZIMIT DHE MARRJES SË VENDIMIT Neni 10Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmori i Atdheut” 
  1. Pranë Këshillit të Ministrave krijohet Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmori i Atdheut”, i cili është autoritet që jep ose njeh statusin “Dëshmor i Atdheut”, sipas propozimit të bërë nga Këshilli i Qarkut, Këshilli Bashkiak, prefekti ose ministri përkatës, për subjektet nën fushën e përgjegjësisë së tij.  
  2. Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i Atdheut” është organ kolegjial dhe i përhershëm, i cili përbëhet nga 7 anëtarë. Kryetari është ministri i Mbrojtjes, 4 anëtarë janë në rang zëvendësministri, si dhe 2 anëtarë caktohen nga shoqëria civile.  
  3. Përbërja dhe rregullat e detajuara të organizimit dhe funksionimit të Komisionit Qendror përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit të Mbrojtjes.   
  4. Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i Atdheut”, për ushtrimin e përgjegjësive të caktuara në ligj, mbështetet nga një staf teknik. Përgjegjësi i stafit teknik kryen dhe detyrën e sekretarit teknik të Komisionit Qendror. 
  5. Anëtarët e Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut” marrin shpërblim financiar për pjesëmarrjen në mbledhjen e Komisionit Qendror sipas legjislacionit në fuqi. Këshilli i Ministrave cakton masën e shpërblimit, si dhe institucionin që kryen pagesën. 
  6. Propozimet e dërguara nga këshillat e qarqeve, këshillat bashkiakë apo prefektët shqyrtohen nga Komisioni Qendror, brenda 3 muajve nga afati i regjistrimit në sekretarinë e komisionit qendror. 
  7. Komisioni raporton para Këshillit të Ministrave, të paktën 1 herë në vit, për punën e bërë për Statusin e “Dëshmorit të Atdheut”.
  Neni 11 Komisionet vendore  
  1. Pranë këshillave të qarqeve, bashkive dhe pranë prefekturave ngrihen dhe funksionojnë komisione për shqyrtimin e kërkesave për dhënien ose njohjen e statusit të “Dëshmorit të Atdheut”.  
  2. Kërkesa për shpalljen ose njohjen e statusit “Dëshmor i Atdheut”, së bashku me dokumentet shoqëruese, i paraqiten komisionit për shqyrtimin e kërkesave, pranë këshillit të qarkut, këshillit bashkiak ose prefektit, ku ka vendbanimin familja e të ndjerit, që kërkohet të shpallet ose të njihet si “Dëshmor i Atdheut”. 
  3. Komisionet, brenda 1 muaji nga depozitimi i kërkesës, shqyrtojnë kërkesat dhe dokumentet shoqëruese, të cilat relatohen përkatësisht, në këshillin e qarkut, këshillin bashkiak ose tek prefekti, për të vendosur mbi kërkesën e bërë nga kërkuesi.   
  4. Këshilli i qarkut, këshilli bashkiak ose prefekti merr vendim, brenda 1 muaji nga relatimi nga komisioni përkatës, për dërgimin ose jo të propozimit për trajtim pranë Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut”.  
  5. Mënyra e organizimit dhe funksionimit të komisioneve për shqyrtimin e kërkesave për dhënien ose njohjen e statusit të “Dëshmorit të Atdheut” miratohen, sipas përkatësisë me vendim të këshillit të qarkut, këshillit bashkiak ose të prefektit.     
Neni 12Ministri Në rastet e të rënëve, sipas pikave 11, 12, 13, 14, 16, 20, 21, 22 të nenit 5 të këtij ligji, ministri brenda fushës së përgjegjësisë të të cilit është i rëni, mund t’i propozojë drejtpërsëdrejti Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut”, shpalljen e të ndjerit “Dëshmor i Atdheut”.                    KREU IV VARREZAT E DËSHMORËVE DHE CEREMONITË NË NDERIM TË TYRE   Neni 13 Vendprehja e Dëshmorëve të Atdheut  
  1. Në shenjë nderimi, përkujtimi dhe mirënjohje kombëtare për Dëshmorët e Atdheut janë ndërtuar dhe do të ndërtohen varrezat, ku prehen Dëshmorët e Atdheut. 
  2. Ndërtimi, mirëmbajtja dhe ruajtja e Varrezave të Dëshmorëve të Atdheut bëhet nga shteti, sipas rregullave dhe procedurave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. 
  3. Çdo dëshmor ka një varr në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, të ngritur në territorin e qarkut ku ka rënë ose ka pasur vendbanimin, me përjashtim të atyre që prehen në varrezën e Dëshmorëve të Atdheut “Nënë Shqipëri’, në kryeqytet.  
  4. Varrimi i Dëshmorit të Atdheut apo rivarrimi i mbetjeve mortore të Dëshmorit të Atdheut në Varrezën e Dëshmorëve të Atdheut “Nënë Shqipëri”, në kryeqytet, bëhet me vendim të Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut”, me kërkesë të këshillit bashkiak, këshillit të qarkut, prefektit ose ministrit.  
  5. Varrimi i Dëshmorit të Atdheut apo rivarrimi i mbetjeve mortore (eshtrave) të Dëshmorit të Atdheut në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, në qarqet përkatëse, bëhet me vendim të këshillit të qarkut, këshillit bashkiak ose të prefektit. 
  6. Për Dëshmorët e Atdheut që nuk u janë gjetur eshtrat, në brendësi të territorit të Varrezave të Dëshmorëve të Atdheut mund të vendosen ndërtime monumentale apo pllaka përkujtimore me emrat dhe të dhënat e tyre.  
  7. Në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut në shenjë nderimi qëndron gjithmonë i ngritur flamuri kombëtar.  
  8. Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut mbajnë statusin e varrezave monumentale dhe të veprave kulturore. 
  9. Në vendvarrimet e Dëshmorëve të Atdheut zhvillohen ceremoni zyrtare dhe homazhe. 
Neni 14 Ceremonia e varrimit të Dëshmorit të Atdheut   Varrimi i Dëshmorit të Atdheut apo rivarrimi i mbetjeve mortore të Dëshmorit të Atdheut, bëhet me ceremoni zyrtare, me arkivol të mbuluar me flamurin kombëtar.   Neni 15 Objektet në nderim të Dëshmorëve të Atdheut  
  1. Në shenjë nderimi për Dëshmorët e Atdheut, me vendim të këshillit të qarkut/këshillit bashkiak/prefektit ose me urdhër të ministrit, brenda territoreve nën juridiksionin e tyre ngrihen, mirëmbahen dhe ruhen lapidare, pllaka përkujtimore, përmendore, si dhe emërtohen mjedise dhe institucione publike. 
  2. Zhvendosja e përmendoreve, lapidarëve, pllakave përkujtimore, si dhe e objekteve të tjera, që kanë lidhje me Dëshmorët e Atdheut, bëhet vetëm në raste të veçanta, kur këtë e kërkojnë interesa të lartë shtetërorë dhe me vendim/urdhër të autoritetit që i ka ngritur ato. 
  3. Zhvendosja e përmendoreve, lapidarëve, pllakave përkujtimore, si dhe e objekteve të tjera, që kanë lidhje me Dëshmorët e Atdheut, të ngritura nga organe shtetërore të cilat nuk ekzistojnë më, bëhet me vendim të këshillit bashkiak ose urdhër të ministrit, nën juridiksionin territorial të të cilit ndodhen këto objekte.
  Neni 16 Dita përkujtimore e Dëshmorëve të Atdheut   Dita përkujtimore e Dëshmorëve të Atdheut është 5 Maji. Neni 17Organizimi i ceremonive përkujtimore Organet e pushtetit qendror dhe vendor, shoqëria civile, si dhe organizatat e Dëshmorëve të Atdheut, organizojnë dhe marrin pjesë në ceremonitë përkujtimore për Dëshmorët e Atdheut, me rastin e 5 Majit, 28 dhe 29 Nëntorit. KREU VFAMILJET E DËSHMORËVE DHE SIMBOLET NË NDERIM TË TYRE   Neni 18 Familja e Dëshmorit të Atdheut  
  1. Familjet e Dëshmorëve të Atdheut gëzojnë nderim e përkrahje të veçantë nga shteti. Ato përfitojnë shpërblim financiar mujor, kriteret dhe masa e të cilit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit të Mbrojtjes dhe ministrit përgjegjës për financat.  
  2. Në rrethin e familjarëve, për efekt shpërblimi, bëjnë pjesë bashkëshorti/bashkëshortja, fëmijët nën 18 vjeç ose deri në 25 vjeç, kur kryejnë studimet e larta, prindërit bashkëjetues dhe personat në kujdestari, sipas certifikatës së gjendjes familjare, në çastin e vdekjes së Dëshmorit të Atdheut.  
  3. Shpërblimi ndërpritet kur asnjëri nga familjarët nuk plotëson kushtet e përcaktuara në pikën 2 të këtij neni dhe kur bashkëshortja/bashkëshorti i ve i Dëshmorit të Atdheut martohet përsëri.  
  4. Shpërblimi familjar tërhiqet nga kryefamiljari i Dëshmorit të Atdheut ose, në rast mosmarrëveshjeje, kur është më shumë se një person, nga secili, sipas pjesës që i përket.
  5. Në familjen e Dëshmorit të Atdheut, për efekt nderimi dhe mirënjohjeje, përfshihen bashkëshorti/bashkëshortja, bashkëjetuesi/bashkëjetuesja, fëmijët, prindërit, vëllezërit dhe motrat, prindërit e prindërve, njerka, njerku, thjeshtri, thjeshtra, mbesat dhe nipërit e dëshmorit.
  Neni 19 Simbolet e statusit “Dëshmor i Atdheut”  
  1. Familja e Dëshmorit të Atdheut pajiset nga Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i Atdheut” me certifikatën e Dëshmorit të Atdheut dhe simbolin “Familje e Dëshmorit të Atdheut”, me ceremoni zyrtare që zhvillohen për këtë rast. 
  2. Procedura e organizimit të ceremonisë së dorëzimit të certifikatës dhe simboleve të Dëshmorit të Atdheut, si dhe forma dhe përmbajtja e tyre përcaktohen me vendim të Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut”. 
KREU VISHOQATA E FAMILJEVE TË DËSHMORËVE TË ATDHEUT   Neni 20 Organizatat e Dëshmorëve të Atdheut   Në nderim të Dëshmorëve të Atdheut dhe të promovimit të veprës së tyre, mund të krijohen organizata jofitimprurëse (shoqata, fondacione, qendra), veprimtaria e të cilave zhvillohet në mënyrë të pavarur nga organet shtetërore dhe veprojnë e përmbushin detyrimet, sipas dispozitave të Kodit Civil të RSH-s dhe ligjit nr. 8788, datë 07.05.2001 “Për organizatat jofitimprurëse”, të ndryshuar.   Neni 21 Organizimi i familjeve të dëshmorëve  
  1. Familjet e Dëshmorëve të Atdheut mund të organizohen në organizatat e tyre. 
  2. Familja e Dëshmorit të Atdheut dhe organizatat e tyre kanë të drejtë të kërkojnë nga organet e njësive të vetëqeverisjes vendore dhe qendrore, marrjen e masave për mirëmbajtjen e varrezave të Dëshmorëve të Atdheut, si dhe të lapidarëve, busteve, pllakave përkujtimore, si dhe çdo kërkesë tjetër të ligjshme në lidhje me “Dëshmorët e Atdheut”.  
Neni  22Marrëdhëniet e organizatave me organet shtetërore 
  1. Shteti mbështet dhe nxit veprimtaritë e organizatave, të cilat kanë si objekt të veprimtarisë së tyre Dëshmorët e Atdheut. 
  2. Organet e qeverisjes qendrore dhe vendore bashkëpunojnë me organizatat e familjeve të Dëshmorëve të Atdheut për organizimin dhe zhvillimin e aktivitete në kuadër të festave kombëtare dhe vendore, si dhe të aktiviteteve që organizohen në kujtim të veprës së Dëshmorëve të Atdheut. 
KREU VII E DREJTA E ANKIMIT   Neni 23 Ankimi  
  1. Subjektet e interesuara, kundër vendimit të këshillit të bashkiak, këshillit të qarkut apo prefektit, që refuzon të pranojë kërkesën ose, kur këto organe nuk marrin në shqyrtim kërkesën brenda afateve të parashikuara nga ky ligj, mund të paraqesin ankim pranë gjykatës administrative të shkallës së parë, sipas juridiksionit territorial.  
  2. Subjektet e interesuara, kundër vendimit të Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut”, si dhe në rastet kur ky komision nuk shprehet brenda afateve ligjore të përcaktuar në nenin 10, pika 7 të këtij ligji, kanë të drejtë të ankohen në Gjykatën e Administrative të Shkallës së Parë Tiranë. 
KREU VIII DISPOZITA TË FUNDIT DHE KALIMTARE   Neni  24 Nxjerrja e akteve nënligjore  
  1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave, brenda 1 viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore, në zbatimin të pikave 3, dhe 5 të nenit 10, pikës 2 të nenit 13, si dhe të pikës 1 të nenit 18 të këtij ligji. 
  2. Ngarkohen këshillat e qarqeve, këshillat bashkiakë dhe prefektët, brenda 1 viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrin vendimet përkatëse, në zbatim të pikës 5 të nenit 11 të këtij ligji.  
  3. Ngarkohet Kryetari i Komisioni Qendror të Statusit “Dëshmori i Atdheut”, brenda 1 viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji të nxjerrë udhëzim, në zbatim të pikës 3 të nenit 8 të këtij ligji.  
  4. Ngarkohet Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmori i Atdheut”, brenda 1 viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji të nxjerrë vendim, në zbatim të pikës 2 të nenit 19 të këtij ligji.  
Neni 25Shfuqizimet Ligji nr. 8607, datë 27.04.2000 “Statusi i Dëshmorit të Atdheut”, i ndryshuar, shfuqizohet.  Neni 26 Hyrja në fuqi   Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.  
K R Y E T A R I     GRAMOZ RUÇI

Nuk ka ende asnjë koment për këtë konsultim

Diskutimet për këtë konsultim janë mbyllur.