Projektligji "Per markat tregtare"

Ministria e Financave

|

Postuar më: 01.12.2023

|

Data e Mbylljes: 28.12.2023

|

Statusi: Konsultim i mbyllur

|

Nr.Komenteve: 4

|

Nr.Shikimeve: 1074

PDF

|

XML

Komentet nga qytetarët

arrow

STUDIO LIGJORE BEQIRAJ & PARTNERS

Propozime për ndryshime në projektligjin “Për Markat tregtare” (sipas çdo shënimi me track changes):

- Neni 1 i projektligjit të të ndryshohet siç vijon:

Ky ligj zbatohet për çdo markë tregtare që është objekt i regjistrimit ose i një aplikimi për regjistrim në Republikën e Shqipërisë si një markë tregtare individuale, një markë tregtare certifikuese ose një markë tregtare kolektive, ose që është një regjistrim ndërkombëtar që ka efekte në Republikën e Shqipërisë.

- Neni 4, pika 7 e projektligjit të të ndryshohet siç vijon:

7. “Gjykatë” është “Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë” ose “Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë”, sipas rastit.

- Neni 4, pika 12 e projektligjit të të ndryshohet siç vijon:

12. “Licensë ekskluzive” është licensa nëpërmjet të cilës aplikanti ose pronari i markës tregtare autorizon vetëm të licensuarin që të përdorë markën tregtare në mënyrën e autorizuar nga i licensuari.

- Neni 4, pika 16 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

16. “Mallra të markave të falsifikuara” janë mallrat, duke përfshirë çdo paketim, etiketë, ngjitës, broshurë, udhëzues përdorimi, dokument garancie ose artikull tjetër të ngjashëm, edhe nëse paraqitet veçmas, që mbajnë në mënyrë të paautorizuar një shenjë e cila është identike me një markë tregtare të regjistruar rregullisht në lidhje me këto mallra, ose e cila nuk mund të dallohet në aspektet e saj thelbësore nga kjo markë tregtare, dhe që shkel në këtë mënyrë të drejtat e pronarit të markës tregtare në fjalë.

- Neni 4, pika 17 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

17. “Markë tregtare e mirënjohur” është marka tegtare, në kuptimin në të cilin përdoren fjalët “e mirënjohur” në nenin 6bis të Konventës së Parisit, e njohur si e tillë në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me nenet e këtij ligji dhe akteve të tjera ligjore ose nënligjore në zbatim të tij.17. “Marrëveshja e Madridit” është Marrëveshja e Madridit në lidhje me Regjistrimin Ndërkombëtar të Markave, e datës 14 Prill 1891, me të gjithë rishikimet dhe ndryshimet e mëvonshme.

- Neni 4, pika 19 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

19. “Mbajtës i së drejtave” është pronari ose mbajtësi i licensës së markës tregtare i regjistruar në kuptim të këtij ligji, dhe në rastin e markave kolektive dhe certifikuese, edhe çdo person ose entitet tjetër i autorizuar për të përdorur markën tregtare.

- Neni 5, pika 9 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

9. Termi “Observime” nënkupton prapësimet, argumentet, dokumentet dhe/ose provat që paraqiten nga një palë pjesëmarrëse në procedurat përpara DPPI-së.

- Neni 8, pika 1, shkronja ë e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

ë) markat tregtare që nuk janë autorizuar nga autoritetet kompetente dhe që duhet të refuzohen sipas Nenit 6ter të Konventës së Parisit;

- Neni 8, pika 1, shkronja f e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

f) markat tregtare që përfshijnë stema, simbole, emblema ose shenja të tjera zyrtare përveç atyre që mbulohen nga neni 6ter i Konventës së Parisit dhe të cilat janë të një interesi të veçantë publik, përveçse kur është dhenë pëlqimi i autoritetit kompetent për regjistrimin e tyre;

- Neni 9, pika 6 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

6. Mbi bazën e kundërshtimit të një personi të autorizuar nga ligji përkatës për të ushtruar të drejtat që rrjedhin nga një emërtim origjine ose një tregues gjeografik, marka tregtare e aplikuar nuk regjistrohet kur dhe në masën që, bazuar në ligjin kombëtar të Republikës së Shqipërisë ose në marrëveshjet ndërkombëtare në të cilat Republika e Shqipërisë është palë, që parashikojnë mbrojtjen e emërtimeve të origjinës dhe treguesve gjeografikë:

- Neni 27, pika 4 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

4. Pa cënuar dispozitat e marrëveshjes së licensimit, i licensuari mund të fillojë procedurën ligjore kundër shkeljes së markës tregtare vetëm në rast se pronari i markës tregtare jep pëlqimin e tij. Megjithatë, mbajtësi i një license ekskluzive mund të fillojë këtë procedurë ligjore nëse pronari i markës tregtare, pasi është njoftuar formalisht nga i licensuari, nuk fillon vetë procedurën ligjore kundër shkeljes brenda 3 muajve nga data që ka marrë njoftimin formal nga i licensuari ekskluziv.

- Neni 27, pika 5 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

5. Për qëllime të marrjes së shpërblimit të dëmit të pësuar, i licensuari ka të drejtë të ndërhyjë në procedurën ligjore kundër shkeljes të filluar nga pronari i markës. Për qëllime të marrjes së shpërblimit të dëmit të pësuar, pronari i markës tregtare ka të drejtë të ndërhyjë në procedurën ligjore kundër shkeljes së filluar nga i licensuari në përputhje me pikën 4 të ketij neni.

- Neni 27, pika 6 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

6. Marrëveshja e licensimit mund të nënlicesohet tek palë të treta kur parashikohet shprehimisht në marrëveshjen e licensimit ose me pëlqimin me shkrim të pronarit të markës. Kur parashikohet në licensë, i licensuari mund të japë një nënlicensë dhe parashikimet në këtë ligj për licensuesin ose të licensuarin përfshijnë edhe nënlicensuesin ose të nënlicensuarin.

- Neni 62, pika 2 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

2. Kërkesa për shfuqizim mund të depozitohet edhe në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë në njërin prej rasteve të mëposhtëm:

- Neni 62, pika 2, shkronja a e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

a) nëse është duke u zhvilluar një proces për shkelje së të drejtave të markës tregtare në gjykatë, përmes një kundërpadie sipas pikës 1 të këtij neni;

- Neni 62, pika 2, shkronja b e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

b) në çdo rast që kërkesa për shfuqizim është depozituar në Dhomën për Shfuqizim dhe Pavlefshmëri, dhe në çdo fazë të procedurës së shfuqizimit të markës, pala kërkuese ia drejton kërkesën për shfuqizim gjykatës.

- Neni 62, pika 6 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

6. Të dhëna të detajuara për përmbajtjen e kërkesës dhe dokumentet bashkëlidhur përcaktohen në Vendimin e Këshillit të Ministrave.

- Neni 65, pika 2 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

2. Kërkesa për deklarimin e pavlefshmërisë mund të depozitohet edhe në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë në njërin prej rasteve të mëposhtme:

- Neni 65, pika 2, shkronja a e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

a) nëse është duke u zhvilluar një proces për shkelje së të drejtave të markës tregtare në gjykatë, përmes një kundërpadie sipas pikës 1 të këtij neni;

- Neni 65, pika 2, shkronja b e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

b) në çdo rast që kërkesa për shfuqizim është depozituar në Dhomën për Shfuqizim dhe Pavlefshmëri, dhe në çdo fazë të procedurës për pavlefshmëri të markës, pala kërkuese ia drejton kërkesën gjykatës.

- Neni 66, pika 2 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

2. Kërkesa për deklarimin e pavlefshmërisë mund të depozitohet edhe në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë në njërin prej rasteve të mëposhtme:

- Neni 66, pika 2, shkronja a e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

a) nëse është duke u zhvilluar një proces për shkelje së të drejtave të markës tregtare në gjykatë, përmes një kundërpadie sipas pikës 1 të këtij neni;

- Neni 66, pika 2, shkronja b e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

b) në çdo rast që kërkesa për shfuqizim është depozituar në Dhomën për Shfuqizim dhe Pavlefshmëri, dhe në çdo fazë të procedurës së pavlefshmërisë së markës, pala kërkuese ia drejton kërkesën gjykatës.

- Neni 71, pika 1 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

1. Marka kolektive është marka që përcaktohet si e tillë në aplikimin për regjistrim të markës tregtare dhe që është e aftë të dallojë mallrat dhe shërbimet e anëtarëve të shoqatës që është pronare e markës nga mallrat ose shërbimet e ndërmarrjeve të tjera.

- Neni 71, pika 2 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

2. Marka kolektive mund të aplikohet nga shoqata e prodhuesve, ofruesve të shërbimeve, ose nga tregtarët, të cilët, sipas kushteve të ligjit që i rregullon ato, kanë aftësi të kenë në emrin e tyre, të drejta dhe detyrime të të gjithë llojeve, të lidhin kontrata ose të kryejnë veprime të tjera juridike, të padisin dhe të paditen.
Marka kolektive mund të aplikohet edhe nga persona juridikë që rregullohen nga e drejta publike.

- Neni 71, pika 3 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

3. Me përjashtim të gërmës “c” të pikës 1të nenit 8 të këtij ligji, shenjat ose treguesit që mund të shërbejnë në tregti për të përcaktuar origjinën gjeografike të mallrave ose shërbimeve mund të mbrohen si markë kolektive.

- Neni 72, pika 4 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

4. Informacioni i detajuar që duhet të përfshihet në Rregulloret e Përdorimit përcaktohen në Vendimin e Këshillit të Ministrave.

- Neni 74 i projektligjit të ndryshohet siç vijon:

Observime nga palë të treta për aplikimin për markë kolektive në përputhje me nenin 45 të këtij ligji mund të bazohen gjithashtu edhe në shkaqet e veçanta për refuzimin e aplikimit për markë kolektive që parashikohen në nenin 73 të këtij ligji.

- Neni 75 i projektligjit të ndryshohet siç vijon:

Përdorimi i markës kolektive nga çdo person i autorizuar për ta përdorur atë duhet të përmbushë kërkesat e këtij ligji, me kusht që të plotësohen kushtet e tjera të cilat vendosen nga ky ligj në lidhje me përdorimin e markave individuale.

- Neni 76, pika 2 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

2. Ndryshimi regjistrohet në Regjistër dhe informacioni i lidhur me të botohet në Buletin nëse ndryshimet në Rregulloren e Përdorimit plotësojnë kërkesat e nenit 72 të këtij ligji ose nuk përfshijnë ndonjë prej shkaqeve për refuzim që përcaktohen në nenin 73 të këtij ligji.

- Neni 76, pika 4 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

4. Për qëllime të zbatimit të këtij ligji, ndryshimet e në Rregulloren e Përdorimit kanë efekt vetëm nga data e regjistrimit të ndryshimeve në Regjistër.

- Neni 81, pika 4 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

4. Informacioni i detajuar që duhet të përfshihet në Rregulloret e Përdorimit përcaktohet në Vendimin e Këshillit të Ministrave.

- Neni 84 i projektligjit të ndryshohet siç vijon:

Përdorimi i markës certifikuese nga çdo person i autorizuar për ta përdorur atë në përputhje me Rregulloret e Përdorimit të përcaktuar në nenin 81, duhet të përmbushë kërkesat e këtij ligji, me kusht që të plotësohen kushtet e tjera e përcaktuara në këtë ligj në lidhje me përdorimin e markave individuale.

- Neni 89 i projektligjit të ndryshohet siç vijon:

Përveç shkaqeve për pavlefshmëri të parashikuara në nenet 65 dhe 66 të këtij ligji, marka certifikuese e cila është regjistruar në shkelje të parashikimeve të nenit 82 të këtij ligji, deklarohet e pavlefshme me anën e një kërkese të depozituar në Dhomën për Shfuqizim dhe Pavlefshmëri ose mbi bazën e një kundërpadie në procesin e shkeljes së të drejtave, përveçse kur pronari i markës, duke ndryshuar më tej Rregulloren e Përdorimit, përmbush kërkesat e nenit 82.

- Neni 91, pika 3 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

3. Pjesët integrale dhe dokumentet bashkëlidhur aplikimit ndërkombëtar depozitohen në përputhje me Protokollin e Madridit dhe dhe Rregulloret e Protokollit..

- Neni 95, pika 1 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

1. Aplikimi për shtrirje territoriale i bërë në vijim të regjistrimit ndërkombëtar dhe aplikimi për regjistrimin e ndryshimeve në Regjistrin Ndërkombëtar mund të depozitohen në Zyrën Ndërkombëtare nëpërmjet DPPI-së, kur, bazuar në dispozitat e Protokollit të Madridit, DPPI-ja është kompetente të përcjellë aplikime të tilla në Zyrën Ndërkombëtare.

- Neni 95, pika 2 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

2. Pjesët integrale dhe dokumentet bashkëlidhur me aplikimin për shtrirje territoriale ose aplikimin për regjistrimin e ndryshimeve në regjistrin ndërkombëtar depozitohen në përputhje me Protokollin e Madridit dhe Rregulloret e Protokollit.

- Neni 95, pika 4 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

4. Nëse aplikimi për shtrirje territoriale ose aplikimi për regjistrimin e ndryshimeve në regjistrin ndërkombëtar nuk është depozituar në përputhje me kërkesat e përcaktuara në pikën 2 të këtij neni, DPPI-ja i dërgon mbajtësit të regjistrimit ndërkombëtar njoftim që të plotësojë të metat ose mangësitë brenda 2 muajve nga data e marrjes së njoftimit.

- Neni 96 i projektligjit, titulli i nenit të ndryshohet siç vijon:

Tarifat për aplikimet në lidhje me markat ndërkombëtare

- Neni 96, pika 1 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

1. Çdo tarifë për përcjelljen e aplikimit në lidhje me markat ndërkombëtare në Zyrën Ndërkombëtare paguhet drejtpërdrejt për DPPI-në në përputhje me parashikimet e akteve nënligjore përkatëse.

- Neni 96, pika 2 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

2. Çdo tarifë e pagueshme për Zyrën Ndërkombëtare sipas Protokollit të Madridit, paguhet drejtpërdrejt në Zyrën Ndërkombëtare.

- Neni 98, pika 2 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

2. Nëse regjistrimi ndërkombëtar që shtrihet në Republikën e Shqipërisë konsiderohet se është i papranueshëm për mbrojtje sipas pikës 1 të këtij neni, për të gjithë ose një pjesë të mallrave ose shërbimeve për të cilat ai është regjistruar në Zyrën Ndërkombëtare, DPPI-ja, përpara përfundimit të periudhës së zbatueshme të refuzimit të përcaktuar në paragrafin (2)(a) të nenit 5 të Protokollit të Madridit, i dërgon ex-officio Zyrës Ndërkombëtare një njoftim për refuzim të përkohshëm, në përputhje me paragrafët (1) dhe (2) të nenit 5 të Protokollit të Madridit.

- Neni 98, pika 3 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

3. Çdo njoftim për refuzim të përkohshëm të regjistrimit ndërkombëtar që shtrihet në Republikën e Shqipërisë duhet t’i njoftohet Zyrës Ndërkombëtare, së bashku me një deklaratë me të gjithë arsyet, përpara përfundimit të afatit kohor të zbatueshëm që llogaritet nga data në të cilën njoftimi për shtrirje i është dërguar Republikës së Shqipërisë nga Zyra Ndërkombëtare.

- Neni 98, pika 4 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

4. Mbajtësi i regjistrimit ndërkombëtar mund t’i përgjigjet refuzimit të përkohshëm duke depozituar observimet e tij mbi arsyet e refuzimit brenda katër muajve nga data e marrjes së njoftimit të dërguar nga Zyra Ndërkombëtare. Observimet duhet të depozitohen me shkrim nëpërmjet një përfaqësuesi të autorizuar të caktuar sipas ligjit me banim në Republikën e Shqipërisë, së bashku me autorizimin e përfaqësimit.

- Neni 98, pika 5 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

5. Nëse mbajtësi i regjistrimit ndërkombëtar nuk depoziton observimet e tij në lidhje me njoftimin për refuzim të përkohshëm brenda afatit të caktuar, ose kur konsiderohet se regjistrimi ndërkombëtar nuk është i pranueshëm për t’u mbrojtur në Republikën e Shqipërisë, DPPI-ja, sipas rastit, refuzon mbrojtjen për të gjithë ose një pjesë të mallrave ose shërbimeve të regjistrimit ndërkombëtar me vendim dhe e njofton këtë vendim përfundimtar në Zyrën Ndërkombëtare.

- Neni 98, pika 6 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

6. Nëse mbajtësi i regjistrimit ndërkombëtar depoziton observimet e tij në lidhje me njoftimin për refuzim të përkohshëm brenda afatit të caktuar, dhe kur konsiderohet se regjistrimi ndërkombëtar është i pranueshëm për t’u mbrojtur në Republikën e Shqipërisë, DPPI-ja e pranon mbrojtjen e regjistrimit ndërkombëtar, vetëm kur nuk depozitohet asnjë kundërshtim ndaj këtij regjistrimi ndërkombëtar dhe e njofton këtë vendim përfundimtar në Zyrën Ndërkombëtare.

- Neni 99, pika 2 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

2. Mbajtësi i regjistrimit ndërkombëtar të markës kolektive ose certifikuese paraqet Rregulloret e Përdorimit të markës kolektive ose certifikuese, siç parashikohet respektivisht në nenet 72 dhe 81 të këtij ligji, drejtpërdrejt në DPPI.

- Neni 99, pika 3 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

3. Nëse Rregulloret e Përdorimit të markave kolektive ose certifikuese nuk janë depozituar drejtpërdrejt në DPPI, DPPI-ja lëshon ex-officio një njoftim për refuzim të përkohshëm.

- Neni 100, pika 1 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

1. Kur në DPPI depozitohet një kundërshtim në lidhje me regjistrimin ndërkombëtar që shtrihet në Republikën e Shqipërisë, DPPI-ja, përpara përfundimit të afatit të periudhës së zbatueshme të refuzimit sipas paragrafit (2)(a) të nenit 5 të Protokollit, i njofton këtë fakt Zyrës Ndërkombëtare si një refuzim i përkohshëm i bazuar mbi një kundërshtim, në përputhje me kërkesat e Protokollit të Madridit dhe Rregulloreve të Protokollit.

- Neni 100, pika 3 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

3. Të dhëna të detajuara dhe dokumentet bashkëlidhur kërkesës për kundërshtim të përcaktuar në këtë nen parashikohen në Rregulloret e Protokollit.

- Neni 101, pika 1 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

1. Kur kërkesa për kundërshtim depozitohet në DPPI në lidhje me një regjistrim ndërkombëtar që shtrihet në Republikën e Shqipërisë, DPPI-ja, përpara përfundimit të periudhës së zbatueshme të refuzimit të përcaktuar në paragrafin (2)(a) të nenit 5 të Protokollit, i njofton këtë fakt Zyrës Ndërkombëtare si një refuzim i përkohshëm bazuar në një kundërshtim, në përputhje me kërkesat e Protokollit të Madridit dhe Rregulloreve të Protokollit.

- Neni 101, pika 2 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

2. Çdo refuzim i përkohshëm i regjistrimit ndërkombëtar që shtrihet në Republikën e Shqipërisë duhet t’i njoftohet Zyrës Ndërkombëtare, së bashku me një deklaratë me të gjithë arsyet e kundërshtimit, përpara përfundimit të afatit kohor të zbatueshëm që llogaritet nga data në të cilën njoftimi për shtrirje i është dërguar Republikës së Shqipërisë nga Zyra Ndërkombëtare.

- Neni 101, pika 3 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

3. Mbajtësi i regjistrimit ndërkombëtar mund t’i përgjigjet refuzimit të përkohshëm duke depozituar observimet e tij mbi kundërshtimin brenda katër muajve nga data e marrjes së njoftimit të dërguar nga Zyra Ndërkombëtare. Observimet duhet të depozitohen me shkrim nëpërmjet një përfaqësuesi të autorizuar të caktuar sipas ligjit me banim në Republikën e Shqipërisë, së bashku me autorizimin e përfaqësimit.

- Neni 102, pika 2 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

2. DPPI-ja i dërgon Zyrës Ndërkombëtare njoftimin ose deklaratën që refuzon mbrojtjen e regjistrimit ndërkombëtar të markës në Republikën e Shqipërisë në lidhje me të gjithë ose një pjesë të mallrave ose shërbimeve nëse procedurat e ekzaminimit për shkaqet absolute dhe për specifikimin e listës së mallrave ose shërbimeve, ose sipas rastit, procedurat e kundërshtimit të regjistrimit ndërkombëtar të markës, kanë përfunduar me vendim të formës së prerë.

- Neni 102, pika 3 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

3. Kur njoftimi për refuzim të përkohshëm nuk është dërguar nga DPPI-ja brenda afatit kohor të zbatueshëm sipas paragrafit (2)(a) të nenit 5 të Protokollit, ose, kur në vijim të dërgimit të një njoftimi ose deklarate në përputhje me pikat 1 dhe 2 të këtij neni, një vendim i mëtejshëm i marrë nga DPPI-ja, Dhoma për Shfuqizim dhe Pavlefshmëri ose Bordi i Apelit sjell efekte tek mbrojtja e markës në Republikën e Shqipërisë, DPPI-ja, në masën që ajo është në dijeni të këtij vendimi, pa cënuar Rregullën 19 të Rregulloreve të Protokollit ose nenin 104 të këtij ligji, i dërgon Zyrës Ndërkombëtare një njoftim ose deklaratë të mëtejshme që tregon statusin e markës dhe, sipas rastit, mallrat dhe shërbimet për të cilat është mbrojtur marka në Republikën e Shqipërisë.

- Neni 103, pika 2 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

2. Aplikimi që rezulton nga transformimi përmban:
i. deklaratën që aplikimi është depozituar nëpërmjet transformimit,
ii. numrin ndërkombëtar të regjistrimit të regjistrimit ndërkombëtar që është çregjistruar,
iii. datën e regjistrimit ndërkombëtar në fjalë ose datën e shtrirjes së mëvonshme, sipas rastit,
iv. datën në të cilën është regjistruar çregjistrimi i regjistrimit ndërkombëtar,
v. sipas rastit, datën e çdo prioriteti të pretenduar në aplikimin ndërkombëtar dhe të regjistruar në Regjistrin Ndërkombëtar,
vi. pagesën e tarifës zyrtare përkatëse për transformimin,
vii. autorizimin e përfaqësimit, kur aplikimi paraqitet nga përfaqësuesi.

- Neni 103, pika 4 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

4. Kur marka që është objekt i regjistrimit ndërkombëtar nuk ka fituar akoma mbrojtjen në Republikën e Shqipërisë në ose përpara datës në të cilën është çregjistruar regjistrimi ndërkombëtar, çdo procedurë ose masë që ndërkohë është ndërmarrë në ose përpara datës në të cilën është depozituar aplikimi që rezulton nga transformimi për qëllime të regjistrimit ndërkombëtar konsiderohet se është ndërmarrë për qëllime të aplikimit që rezulton nga transformimi. Data e depozitimit të aplikimit që rezulton nga transformimi është data e regjistrimit ndërkombëtar ose data e shtirjes së mëvonshme, sipas rastit.

- Neni 104, pika 1 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

1. Efektet e regjistrimit ndërkombëtar që shtrihet në Republikën e Shqipërisë mund të deklarohen të pavlefshme.

- Neni 104, pika 2 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

2. Aplikimi për pavlefshmërinë e efekteve të regjistrimit ndërkombëtar që shtrihet në Republikën e Shqipërisë i nënshtrohet të njëjtave rregullave dhe procedurave të parashikuara në lidhje me aplikimin për shfuqizim në nenet 62-64 ose aplikimin për deklarim të pavlefshmërisë në nenet 65-70.

- Neni 104, pika 3 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

3. Në procedurat në lidhje me kërkesën për deklarimin e pavlefshmërisë ose kërkesën për shfuqizmin e regjistrimit ndërkombëtar të markës, DPPI-ja i dërgon mbajtësit të regjistrimit ndërkombëtar të markës njoftimin për kërkesën për deklarimin e pavlefshmërisë ose kërkesën për shfuqizmin e regjistrimit ndërkombëtar të markës, dhe e fton atë që të caktojë një përfaqësues të autorizuar për markën tregtare. Përfaqësuesi i autorizuar duhet të depozitojë prokurën ose aktin e përfaqësimit në DPPI brenda 2 muajve nga data e marrjes së njoftimit nga mbajtësi i regjistrimit ndërkombëtar të markës.

- Neni 104, pika 4 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

4. Afati i përcaktuar në pikën 1 të këtij neni nuk mund të shtyhet.

- Neni 104, pika 5 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

5. Kur plotësohen kërkesat e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, DPPI-ja i dërgon mbajtësit të regjistrimit ndërkombëtar të markës njoftimin përkatës, bashkë me një kopje të kërkesës për deklarimin e pavlefshmërisë ose kërkesës për shfuqizmin e regjistrimit ndërkombëtar të markës, nëpërmjet përfaqësuesit të autorizuar, dhe e fton atë të paraqesë observimet e tij brenda 2 muajve nga data e marrjes së njoftimit.

- Neni 104, pika 6 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

6. Kur mbajtësi i regjistrimit ndërkombëtar nuk plotëson kërkesat e përcaktuara në pikat 1 ose 3 të këtij neni brenda afateve të caktuara, DPPI-ja pranon automatikisht me vendim kërkesën për deklarimin e pavlefshmërisë ose kërkesën për shfuqizmin e regjistrimit ndërkombëtar të markës në lidhje me një pjesë ose të gjithë mallrat apo shërbimet që përfshihen në Regjistër.

- Neni 104, pika 7 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

7. Kur në procedurat në lidhje me kërkesën për deklarimin e pavlefshmërisë ose kërkesën për shfuqizmin e regjistrimit ndërkombëtar të markës është vendosur deklarimi i pavlefshmërisë ose shfuqizimi për të gjithë ose një pjesë të mallrave ose shërbimeve, DPPI-ja i dërgon Zyrës Ndërkombëtare njoftimin për deklarimin e pavlefshmërisë ose shfuqizimin e regjistrimit ndërkombëtar të markës, pasi ky vendim merr formë të prërë

- Neni 104, pika 8 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

8. Njoftimi i mbajtësit të regjistrimit ndërkombëtar të markës në lidhje me kërkesën për deklarimin e pavlefshmërisë ose shfuqizmin e regjistrimit ndërkombëtar të markës i komunikohet Zyrës Ndërkombëtare sipas Rregullës 23bis të Rregulloreve të Protokollit.

- Titulli i nenit 123 të projektligjit të ndryshohet siç vijon:

Përfaqësimi në DPPI dhe ekspertët e markave tregtare

- Të shtohet pika 8 në nenin 123 në lidhje me ekspertët e markave tregtare siç vijon:

8. Parimet e përgjithshme, kriteret dhe procedurat e licensimit, si dhe rregulla të tjera të detajuara në lidhje me ekspertët e markave tregtare në DPPI, përcaktohen në Vendimin e Këshillit të Ministrave për Ekspertët e Markave Tregtare.

- Neni 125, pika 2, shkronja b e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

b) veprimet që lidhen me shfuqizimin dhe deklarimin e pavlefshmërisë të markës tregtare, sipas kërkesave të parashikuara në këtë ligj;

- Neni 126, pika 1 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

1. Pa cënuar mjetet e tjera ligjore që janë parashikuar ose mund të parashikohen në legjislacionin kombëtar, të cilat mund të jenë më të favorshme për mbajtësit e të drejtave, për çdo rast shkeljeje së të drejtave të markës tregtare zbatohen mjetet, masat dhe procedurat ligjore që parashikohen në këtë ligj.

- Neni 127 i projektligjit të ndryshohet siç vijon:

Personat që kanë të drejtë te kërkojnë mbrojtjen e të drejtave të parashikuara në këtë ligj, dhe të kërkojnë zbatimin e masave, mjeteve dhe procedurave ligjore përkatëse, përfshijnë:
a) mbajtësit e të drejtave në përputhje me dispozitat e këtij ligji;
b) çdo person i autorizuar për të përdorur këto të drejta, në veçanti i licensuari për aq sa është e mundur dhe në përputhje me dispozitat e këtij ligji.

- Neni 128 i projektligjit, titulli i nenit të ndryshohet siç vijon:

Veprime që përbëjnë shkelje së të drejtave të markës tregtare

- Neni 129, pika 2 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

2. Për qëllime të pikës 1 të këtij neni, çdo provë që mbështet vlefshmërinë ose regjistrimin e markës tregtare vlerësohet nga gjykata nëse përbën provë që është në mënyrë të arsyeshme e mjaftueshme për provueshmërinë e pretendimeve të palës kërkuese.

- Neni 130, pika 1 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

1. Edhe përpara fillimit të procedurave gjyqësore për themelin e çështjes, gjykata, me kërkesë të palës që ka paraqitur prova që janë në mënyrë të arsyeshme të mjaftueshme për të mbështetur pretendimet e saj se të drejtat e markës tregtare janë shkelur ose ka rrezik të shkelen, mund të urdhërojë marrjen e masave të menjëhershme dhe efektive për sigurimin e provës në lidhje me shkeljen e pretenduar, si edhe për shtrirjen, origjinën dhe destinacionin e saj, me kusht që të mbrohet informacioni konfidencial. Këto masa mund të përfshijnë përshkrimin e hollësishëm, me ose pa marrjen e mostrave, ose konfiskimin fizik të mallrave cenuese dhe, sipas rastit, të materialeve dhe mjeteve të përdorura për prodhimin dhe/ose shpërndarjen e këtyre mallrave dhe dokumenteve të lidhura me to. Gjykata merr vendimin për të urdhëruar ose jo marrjen e masave për sigurimin e provës brenda pesë ditëve nga data e depozitimit të kërkesës, dhe përcakton afatin kohor brenda të cilit duhet të zbatohet masa e udhëruar nëpërmjet këtij vendimi. Ky afat kohor nuk duhet të jetë më shumë se pesë ditë nga data e marrjes së vendimit.

- Neni 130, pika 2 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

2. Kur është e nevojshme, gjykata vendos për marrjen e këtyre masave pa dëgjuar palën tjetër, veçanërisht kur vonesa mund t’i shkaktojë dëme të pariparueshme mbajtësit së të drejtës ose kur ka rrezik që të shkatërrohet prova.
Kur masat për sigurimin e provës vendosen pa dëgjuar palën tjetër, pala kundër së cilës është vendosur masa njoftohet mënjehërë, por jo më vonë se në fillim të ekzekutimit të masës.

Kur masat për sigurimin e provës janë vendosur pa i dhenë mundësi palës kundër së cilës është vendosur masa që të dëgjohet, kjo e fundit mund të depozitojë një kërkesë për rishikim të masës në gjykatë brenda pesë ditëve nga data e njoftimit të masës.

Në procedurat e rishikimit, gjykata i jep mundësi palëve që të dëgjohen dhe konfirmon, ndryshon ose shfuqizon vendimin që urdhëron marrjen e masave për sigurimin e provës brenda një afati kohor të arsyeshëm që nuk duhet të jetë më shumë se pesë ditë nga data e depozitimit të kërkesës për rishikim.

- Neni 130, pika 4 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

4. Me kërkesë të të paditurit, masat për sigurimin e provës shfuqizohen ose hiqen, pa cënuar të drejtën për dëmshpërblim që mund të pretendohet, nëse kërkuesi nuk paraqet në gjykatë padinë për themelin e çështjes brenda një afati të arsyeshëm të përcaktuar nga gjykata në vendimin e saj për marrjen e masave. Ky afat i arsyeshëm nuk mund të jetë më shumë se njëzetë ditë pune ose tridhjetë e një ditë kalendarike, cilido që është afati më i gjatë, nga data e ekzekutimit të masës për sigurimin e provës.

- Neni 130, pika 5 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

5. Nëse masat e sigurimit të provës shfuqizohen, hiqen ose bëhen të pavlefshme për shkak të një veprimi ose mosveprimi të kërkuesit, ose nëse është konstatuar më pas se nuk ka pasur shkelje të të drejtave të markës tregtare, gjykata mund të urdhërojë kërkuesin, me kërkesën e të paditurit, që t’i sigurojë këtij të fundit një shërpblim të përshtatshëm për çdo dëm të shkaktuar nga këto masa.

- Neni 132, pika 1 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

1. Gjykata, me kërkesën e personit të interesuar, mund:
a) të vendosë marrjen e masave të përkohshme kundër shkelësit të pretenduar për të parandaluar një shkelje të pritshme të të drejtave të markës tregtare, ose për të ndaluar në mënyrë të përkohshme vazhdimin e shkeljes së pretenduar të të drejtave;
b) të urdhërojë konfiskimin ose vendosjen nën konktroll të mallrave që dyshohet se shkelin të drejtat e markës tregtare në mënyrë që të parandalojë hyrjen ose qarkullimin e tyre në kanalet e tregtisë.
Gjykata merr vendimin për të urdhëruar ose jo marrjen e masave të përkohshme brenda pesë ditëve nga data e depozitimit të kërkesës

- Neni 132, pika 5 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

5. Kur është e nevojshme, gjykata vendos për marrjen e këtyre masave pa dëgjuar palën tjetër, veçanërisht kur vonesa mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për mbajtësin e së drejtës. Në një rast të tillë, palët informohen menjëherë, por jo më vonë se në fillim të ekzekutimit të masës.

- Neni 132, pika 6 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

6. Kur masat e përkohshme janë vendosur pa i dhenë mundësi palës kundër së cilës është vendosur masa që të dëgjohet, kjo e fundit mund të depozitojë një kërkesë për rishikim të masës në gjykatë brenda pesë ditëve nga data e njoftimit të masës së përkohshme.
Në procedurat e rishikimit, gjykata i jep mundësi palëve që të dëgjohen dhe konfirmon, ndryshon ose shfuqizon vendimin që urdhëron marrjen e masave të përkohshme brenda një afati kohor të arsyeshëm që nuk duhet të jetë më shumë se pesë ditë nga data e depozitimit të kërkesës për rishikim.

- Neni 132, pika 7 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

7. Me kërkesë të të paditurit, gjykata mund të vendosë shfuqizimin ose heqjen e masave, nëse kërkuesi nuk paraqet në gjykatë padinë për themelin e çështjes brenda afatit të arsyeshëm të caktuar nga gjykata në vendimin për marrjen e masave të përkohshme në përputhje me Kodin e Procedurës Civile.

- Neni 133, pika 1, shkronja a e projektligjit të ndryshohet siç vijon:
a) ndalimin e tregtimit të mallrave dhe ofrimit të shërbimeve që shkelin të drejtat e markës tregtare;

- Neni 133, pika 1, shkronja b e projektligjit të ndryshohet siç vijon:
b) heqjen nga kanalet e tregtisë dhe/ose konfiskimin e mallrave cënuese, dhe sipas rastit, të materialeve, pajisjeve, instrumenteve dhe mjeteve të përdorura kryesisht për krijimin ose prodhimin e këtyre mallrave ose shërbimeve;

- Neni 133, pika 2 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

2. Gjykata urdhëron zbatimin e masave të parashikuara në pikën 1, shkronjat “b”,“c” dhe “ç”, të këtij neni, me shpenzimet e shkelësit, përveçse kur ka arsye të veçanta për të vendosur ndryshe. Në shqyrtimin e kërkesës për marrjen e masave të parashikuara në pikën 1, shkronjat “b”, “c” dhe “ç”, gjykata vlerëson proporcionalitetin midis rëndësisë së shkeljes dhe masës së urdhëruar, si dhe interesat e palëve të treta.

- Neni 139, pika 2 e projektligjit të ndryshohet siç vijon:

1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda gjashtë muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të pikës 7 të nenit 22, pikës 8 të nenit 24, pikës 8të nenit 25, pikës 8 të nenit 26, , pikës 9 të nenit 28, pikës 6 të nenit 29, pikës 3 të nenit 33, pikës 3 të nenit 44, pikës 7 të nenit 46, pikës 11 të nenit 53, pikës 4 të nenit 54, pikës 2 të nenit 55, pikës 10 të nenit 57, , pikës 9 të nenit 59, pikës 9 të nenit 60, pikës 8 të nenit 61, pikës 6 të nenit 62,pikës 6 të nenit 65, pikës 8 të nenit 66, pikës 4 të nenit 72, pikës 4 të nenit 81, pikës 1 të nenit 96, pikës 2 të nenit 107, pikës 10 të nenit 108, pikës 9 të nenit 109, pikës 3 të nenit 110, pikës 2 të nenit 112, shkronjës a, të pikës 3 të nenit 113, pikës 9 të nenit 114, pikës 5 të nenit 116, pikës 2 të nenit 118, pikës 14 të nenit 121 dhe pikave 7 dhe 8 të nenit 123 .

Postuar më: 13.12.2023 12:28

arrow

Ergys M.

Nuk besoj se eshte ligj I rregullt sepse kufizon konkurrencën

Postuar më: 14.12.2023 11:04

arrow

Aleksandra M.

Pershendetje! Uroj te jeni mire! Kerkoj ndjese qe nuk isha prezente ne takimin e dt. 14 Dhjetor, po nuk ndodhesha ne Tirane. Komentet e mia ne lidhje me projekt-ligjin e paraqitur kane te bejne me dy ceshtje:
Se pari mesa duket ne ligjin e ri e drejta per te pasur nje marke te regjistruar i takon vetem entiteteve te regjistruara, pra person fizik apo juridik dhe jo individeve. Kjo per mendimin tim perben regres krahasuar me ligjin aktual dhe iu privon te drejten individeve kreative per te krijuar dhe mbrojtur markat e tyre, te cilat me vone mund t'ua transferojne entiteteve juridike. Do t'ju lutesha ta merrni ne konsiderate si ceshtje.
Se dyti mesa duket afatet e aplikanteve per plotesim dokumentacioni jane ulur nga tre muaj, ne dy muaj, cka mendoj se do te sjelle probleme, sidomos kur komunikimet tona si agjente nuk jane shpeshhere te drejtperdrejta me klientet (aplikantet), por nepermjet kanaleve te tjera, agjenci te tjera etj. Ne kushtet kur nje pjese shume e madhe e aplikimeve vijne nga kliente te huaj, une mendoj qe afati dy mujor eshte i pamjaftueshem per te njoftuar, komunikuar ndonje paqartesi, dhe me pas per te pritur dokumentat qe vijne prej aplikanteve. Ceshtja e zgjatjes se afatit me dy muaj shtese duhet te jete nje rast perjashtimor, ne pamundesi te arritjes se afatit te pare, por nuk mund te sherbeje gjithmone per te zgjidhur afatin e pare te dhene. Do t'ju lutesha shume qe afati tre mujor te mbetej sic ka qene ne Ligjin aktual, pasi ka arsye te justifikueshme per te mos u shkurtuar si afat.
Duke ju uruar suksese ne punen tuaj, me respekt
Aleksandra Mecaj

Postuar më: 15.12.2023 12:36

arrow

Brunilda D.

• Neni 5 pika 16, është:

16. Në çdo rast ku përcaktohen termat “autorizim përfaqësimi” ose “kopje dokumentacioni” , ato do të nënkuptohen si kopja origjinale ose kopja e njehsuar me origjinalin e dokumentit.
Të korrigjohet në:

16. Në çdo rast ku përcaktohen termat “autorizim përfaqësimi” ose “kopje dokumentacioni” , ato do të nënkuptohen si dokumenti origjinal ose kopja e njehsuar me origjinalin e dokumentit.
• Neni 9 pika 1 gërma c:

Të hiqet pjesa “janë të njëjta, të ngjashme ose”, sepse njëjtësia/ngjashmëria e markave për mallra të njëjta/të ngjashme parashikohet në pikën b).

• Neni 9 pika 2 gërma c:

Në këtë nen referohet marka e mirënjohur, por në asnjë pjesë të ligjit nuk del që tashm,ë DPPI ka një regjistër me markat e mirënjohura.

• Neni 10 pika 2 gërma c:

Të hiqet pjesa “janë të njëjta, të ngjashme ose”, sepse njëjtësia/ngjashmëria e markave për mallra të njëjta/të ngjashme parashikohet në pikën b).

• Neni 14:

Ky nen mbivendos 2 koncepte, regjistrimin dhe përdorimin. Në fakt, marka jo vetëm që nuk duhet përdorur, por as nuk duhet regjistruar në emer të dikujt tjeter pervec pronarit te saj, pa autorizimin e këtij të fundit.
Autorizimi i pronarit për të depozituar aplikimin nuk vërteton që pronari ka autorizuar dhe përdorimin. Duhet riformuluar neni që ta përcjellë saktë kuptimin.

• Neni 15, pika 3:

Më thjeshte do përcillej kuptimi i këtij paragrafi nëse thuhet se e drejta e markës është territorial, pra njihet vetëm aty ku përdoret.

• Neni 22 gërma a paragrafi iii:


Këtu, pervec ekstraktit duhet të shtohet edhe Çertifikata e Bashkimit/Ndarjes së shoqërisë, sepse praktika ka treguar se aplikantët/pronarët dërgojnë edhe këtë lloj dokumenti për të mbështetur ndryshimin në fjalë.


• Neni 42 pika 8:

Të saktësohet afati, brenda 45 ditëve nga data e marrjes së njoftimit.

• Neni 46 pika 3:

Dhoma e Kundërshtimeve duhet të vendosë për pezullimin dhe jo “mund të vendosë”


• Neni 47 pika 3:

Të shtohet “në pikën 4 të nenit 46”.

• Neni 47 pika 7:

Të korrigjohet si vijon: ….. “ose të gjitha mallrat ose shërbimet që përfshihen në aplikim, sipas kërkesës për kundërshtim”.

Sugjerim i përgjithshëm për kundërshtimin:

Është i paqartë fakti nëse Dhoma shqyrton kërkesën për kundërshtim ashtu si ajo depozitohet, pra kundërshtim të plotë/të pjesshëm, apo vendos vetë Dhoma, pavarësisht kërkesës si më lart, që shqyrtimin ta bëjë të plotë ose të pjesshëm. Nga mënyra e shprehur në nenet për kundërshtimin terminologjia e pjesshme/e plotë herë duket se është në vullnet të palës kundërshtare, herë sikur Dhoma është ajo që e cakton shqyrtimin dhe si do e marri vendimin. Të qartësohet kjo gjë dhe të vendoset që Dhoma shqyrton për aq sa është depozituar, ose t’i lihet dorë e lirë Dhomës që ta shqyrtojë kërkesën si ta gjykojë vetë (kjo e fundit do ishte jo normale).

• Neni 57 pika 6:

Duhet plotësuar/riformuluar ky nen në mënyrë që të jetë e qartë se nëse një pronar që ka një markë me 4 klasa, dhe do ta ripërtërijë vetëm për 2 klasa, i mjafton vetëm të paguajë tarifën për këto dy klasa. Pra, nuk ka nevojë të paraprihet kjo kërkesë ripërtëritje nga një kërkesë për kufizim liste?

• Neni 59 pika 3:

Në vazhdim të kësaj pike tëplotësohet se afati 2 mujor mund të zgjatet edhe me 2 muaj shtesë pas pagesës së tarifës shtesë.

Pika 5 në këtë nen është e përfshirë edhe në nenin 4.
Pika 8 është e dubluar, të dy paragrafët kanë të njëjtin kuptim.

• Neni 62 pika 4:

Të riformulohet si vijon:

4. Marka tregtare mund të shfuqizohet nëse, brenda një periudhe të pandërprerë prej 5 vjetësh pas datës së regjistrimit, ajo nuk është vendosur në përdorim genuin në lidhje me mallrat dhe shërbimet për të cilat ajo është regjistruar në përputhje me nenin 18 të këtij ligji, dhe nëse nuk ka arsye të justifikuara për mos-përdorimin.

Sugjerimi: Të korrigjohet në “nga data e regjistrimit”.

• Neni 64 pika 4:

Të riformulohet si vijon:

Kur Dhoma për Shfuqizim dhe Pavlefshmëri çmon se kërkesa për shfuqizimin e markës është e bazuar, ajo shfuqizon markën për disa ose të gjitha mallrat ose shërbimet sipas kerkeses per shfuqizim.

• Neni 64 pika 5:

Ky nen duhet riformuluar, e para sepse nuk është e mundur që të dyja palët të kenë interes që marka të shfuqizohet nga një datë e ndryshme nga ajo e depozitimit.
Së dyti, si ta kuptojmë termin “datë e mëparshme”, cila është shtrirja e saj kohore?
E treta, referimi në tekst në nenin 62, është i saktë? Sepse nuk duket të ketë lidhje neni 62 në referim me këtë “datë të mëparshme”.

• Neni 66 pika 4:

Pika 2 e nenit 46 i referohet mirënjohjes/reputacionit. Pra, duhet provuar mirënjohja/reputacioni patjetër? Nuk mjafton vetëm të jetë markë e mëparshme?
Kjo nuk ka kuptim, pasi kriteri është marka e mëparshme, jo domosdoshmërisht të jetë dhe e mirënjohur/ose me reputacion.

• Neni 67 pika 1:

Paragrafi është i papërfunduar, përcjell situatën por jo zgjidhjen.


• Neni 69, pika 2 dhe 3:

Të riformulohen si vijon:

2. Nëse kërkesa për deklarimin e pavlefshmërisë së markës nuk është depozituar sipas pikës 1 të nenit 66 të këtij ligji, Dhoma për Shfuqizim dhe Pavlefshmëri refuzon kërkesën me vendim.
3. Nëse nuk plotësohen kërkesat e parashikuara në pikën 3 të nenit 65 dhe ne pikat 3 dhe 4 të nenit 66, Dhoma për Shfuqizim dhe Pavlefshmëri i dërgon personit që ka depozituar kërkesën njoftim që të plotësojë të metat ose mangësitë brenda 2 muajve nga data e marrjes së njoftimit.
• Neni 69 pika 6:

Të rifomulohet si vijon:

6. Nëse pronari i markës tregtare të kontestuar nuk depoziton observimet, Dhoma për Shfuqizim dhe Pavlefshmëri, brenda 2 muajve, deklaron te pavlefshme markën e kontestuar me vendim, në lidhje me ato mallra ose shërbime për të cilat është filluar procedura për deklarimin e pavlefshmërisë.

• Neni 109 pika 7:

Neni 105 i përmendur në këtë nen nuk ka pikë 1.

• Neni 109 pika 8:

Duhet parashikuar një afat ankimimi ndaj një vendimi të tillë, organi ky ankimohet dhe mënyra e ankimit.

• Neni 114 pika 4:

Pika 4 eshte tejet kufizuese per inspektimin sipas pikes 3 sepse nuk ngelet me asgje per inspektim.



SUGJERIME NË TËRËSI PËR PROJEKTLIGJIN:


1. DPPI duhet të përcaktojë përfundimisht cilësinë e dokumenteve të huaja që duhet të pranojë. Tashmë që vetë DPPI lëshon dokumente të nënshkruara elektronikisht, po kështu duhet t’i pranojë në këtë cilësi edhe dokumentet e huaja dhe jo t’i refuzojë ato. Ose të përcaktojë se si duhet të paraqiten dokumentet elektronike që të jenë të pranueshme nga zyra.

2. Të krijohet një listë me marka kombëtare/ndërkombëtare që tashmë janë klasifikuar si marka të mirënjohura në vendin tonë, pasi ende nuk ekziston një listë e tillë. Kjo do të lehtësonte procedurën në rastin e kërkesave për kundërshtim që bazohen në markat e mirënjohura.

3. Përjashtimet nga mbrojtja e kanë humbur kuptimin e tyre të vërtetë, po kërkohet të përjashtohet nga mbrojtja çdo fjalë në gjuhë të huaj që mund të përkthehet në shqip, pavarësisht nëse vetë fjala është ose jo përshkruese për mallrat/shërbimet që kërkon të mbrojë marka.

Gjithashtu shpesh herë ekzaminuesi procedon me ndarjen e elementeve fjalë kur këto janë fjalë të sajuara/të krijuara nga vetë aplikanti, duke kërkuar përjashtimin nga mbrojtja të pjesës së kësaj fjale të përbërë.

4. Shpesh kërkohet saktësim i listës së mallrave nga ana e ekzaminuesit pa të drejtë. Klasifikimi i Nisës pasurohet përditë me mallra dhe këto mallra të reja duhet të pranohen nga ekzaminuesit në klasat që ato janë klasifikuar në aplikim, nisur nga natyra e tyre.


5. Të hiqet formaliteti për autorizim përfaqësimi në rastin e kërkesës për ndryshim të adresës së pronarit, pasi bëhet fjalë për të njëjtin person fizik/juridik.

Po kështu, në rastin e veprimeve zinxhir, nuk është e nevojshme që për çdo ndryshim të paraqitet nga një prokurë, por prokura të paraqitet për hapin e Ndryshimit të Emrit ose të Transferimit, sipas rastit në rradhën e veprimeve zinxhir, ose të paraqitet vetëm njëherë për të gjitha ndryshimet e kërkuara për aq kohë sa tashmë çdo dokument i depozituar skanohet dhe është pjesë e dosjes eletronike të markës dhe cilido ekzaminues ka akses ndaj ëksaj dosjeje.

6. Me vendosjen e sistemit elektronik dhe lëshimin e dokumenteve elektronike tashmë, të reduktohen tarifat e aplikimeve të ndryshme, pasi dokumentacioni lëshohet online, pra ka kosto më të ulët se kostoja e lëshimit të dokumenteve me letër.




Postuar më: 27.12.2023 09:08

Diskutimet për këtë konsultim janë mbyllur.