Projektligj "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 80/2021 “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse”.
|
Postuar më: 05.05.2025
|
Data e Mbylljes: 02.06.2025
|
Statusi: Konsultim i mbyllur
|
Nr.Komenteve: 1
|
Nr.Shikimeve: 1265
Ministria e Drejtësisë, në kuadër të procesit të konsultimit për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 80/2021 “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse”, mirëpret sugjerimet nga qytetarët, ekspertë të fushës, të gjitha institucionet e interesuara, organizata jofitimprurëse, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, lidhur me ndërhyrjet e synuara në ligjin nr.80/2021 “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse”, në vijim të vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese, me vendimin nr.62/2023.
Kontributet në kuadër të procesit të konsultimit dhe përmirësimit të përmbajtjes së projektligjit, do të përcillen nga institucionet e interesuara nëpërmjet postës elektronike drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, me anë të regjistrit elektronik në adresën http://www.konsultimipublik.gov.al, në adresën postare të Ministrisë së Drejtësisë “Bulevardi “Zogu I-rë”, Tiranë”, si dhe në adresën e emailit të koordinatorit për konsultimin publik Greis.Como@drejtesia.gov.al.
PARTNERET - SHQIPERI PER NDRYSHIM DHE ZHVILLIM
Tiranë, 13.05.2025
Opinion ligjor mbi Projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 80/2021 “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse””
Qëllimi i këtij opinioni është të ofrojë një vlerësim mbi ndryshimet e propozuara mbi Projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 80/2021 “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse”” dhe të analizojë përputhshmërinë e tij me legjislacionin në fuqi. Për qëllime të këtij opinioni janë marrë në analizë përmbajtja e projekligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 80/2021 “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse”, relacioni i projektligjit, Vendimi Nr. 62, datë 20.11.2023, i Gjykatës Kushtetuese , Ligji Nr. 80/2021 “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse”, i përditësuar , dhe Ligjin Nr. 112/2020 ”Për regjistrin e pronarëve përfitues”, i përditësuar .
Qëllimet e Ndryshimeve të Projektligjit
Ligji Nr. 80/2021 “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse” është akti kryesor ligjor që rregullon regjistrimin e organizatave jofitimprurëse në vend. Projektligji synon rishikimin e Ligjit Nr. 80/2021 për të siguruar përputhshmëri me Vendimin nr. 62, datë 20.11.2023, të Gjykatës Kushtetuese, i cili shfuqizoi detyrimin për regjistrim të organizatave jofitimprurëse, kompetencat e kancelarit për shqyrtimin e regjistrimeve dhe masat administrative për shkeljet përkatëse. Kjo ndërhyrje është e domosdoshme, pasi vendimet e Gjykatës janë të detyrueshme për zbatim, dhe synon të garantojë sigurinë juridike, të forcojë shtetin e së drejtës, të qartësojë normën ligjore dhe të plotësojë vakumin ligjor të krijuar.
Vlerësimi i Projektligjit
Në përgjithësi, ndryshimet e propozuara pasqyrojnë interpretimin e dhënë nga Gjykata Kushtetuese dhe përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt përputhshmërisë me vendimin e saj. Megjithatë, vlerësohet se kjo përputhshmëri duhet të jetë e plotë dhe të shoqërohet me harmonizimin e dispozitave të tjera ligjore përkatëse, me qëllim shmangien e paqartësive dhe garantimin e një kuadri ligjor koherent dhe të zbatueshëm në praktikë. Më poshtë paraqiten vlerësimet dhe rekomandimet për përmirësim.
Në konstatimin e parë, vihet re se Ligji “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse” përmban dy nene me të njëjtin titull: neni 39/1 “Kundravajtjet administrative” dhe neni 49 “Kundravajtjet administrative”. Kjo përbën një mospërputhje me praktikat e rregullta ligjore.
Sa i përket draftligjit për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse, neni 3 “Përkufizime” parashikon ndryshimet e mëposhtme:
“Pika 9 ndryshohet si më poshtë:
9. ‘Regjistrimi i organizatave jofitimprurëse’ është regjistrimi i organizatave jofitimprurëse pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me qëllim fitimin e personalitetit juridik, si dhe çdo regjistrim tjetër i ndryshimeve të të dhënave, përfshirë transformimin, bashkimin dhe çregjistrimin e subjektit nga regjistri.”
Në pikën 10, togfjalëshi “Regjistrim tjetër” zëvendësohet me “Regjistrim i ndryshimeve të të dhënave.”
Duke iu referuar nenit 3, krijohet përshtypja se ekziston një mospërputhje midis pikës 9 dhe pikës 10. Nëse reflektojmë përmbajtjen e pikës 10, ku “Regjistrimi i ndryshimeve të të dhënave” përkufizohet si çdo ndryshim, shtesë ose fshirje të dhënash në regjistër, atëherë përfshirja e këtij përkufizimi edhe në pikën 9 mund të shkaktojë mbivendosje ose përsëritje të panevojshme.
Për këtë arsye, sugjerohet që përkufizimi i “Regjistrimit të ndryshimeve të të dhënave” të qëndrojë vetëm në pikën 10, për të shmangur kontradiktat dhe për të siguruar koherencë në formulimin e përkufizimeve ligjore.
Nenit 39/1.
Neni 39/1 i Ligjit Nr. 80/2021 citon si më poshtë:
“Neni 39/1
Kundravajtjet administrative
1. Mospërmbushja e detyrimit për regjistrimin ose çregjistrimin e organizatës jofitimprurëse dhe depozitimin e akteve të tjera në regjistër brenda afateve të parashikuara nga ky ligj, dënohet nga gjykata me gjobë nga 0.1% deri në 1% të të ardhurave vjetore të deklaruara nga organizata jofitimprurëse.
2. Në çdo rast, masa e gjobës, sipas pikës 1 të këtij neni, nuk mund të jetë më e vogël se 30.000 (tridhjetë mijë) lekë.
3. Kundër vendimit për dënimin me gjobë mund të bëhet ankim në gjykatën e apelit.”
Në analizën e nenit 39/1, rezulton se dispozitat e pikës 1 dhe pikës 2 të tij bien ndesh me Vendimin Nr. 62, datë 20.11.2023, të Gjykatës Kushtetuese mbi shfyqizimin e masave administrative. Konkretisht, në lidhje me marzhin e përcaktuar për masën e gjobës nga 0.1% deri në 1%, Gjykata ka vlerësuar se ky nuk i përmbush standardet kushtetuese përsa i përket qartësisë së normës juridike. Më konkretisht, vendimi thekson se ky marzh nuk ofron një kuptim të saktë dhe të parashikueshëm për mënyrën e përllogaritjes së gjobave mbi të ardhurat vjetore të deklaruara të organizatave jofitimprurëse, duke i bërë ndëshkimet të karakterit arbitrar. Gjykata Kushtetuese, gjithashtu, ka konstatuar se: “Nga ana tjetër, edhe përcaktimi i gjobës në masën minimale prej 30.000 lekësh konsiderohet, për të njëjtat shkaqe, si një masë joproporcionale në lidhje me synimin që kërkohet të arrihet.”. Pavarësisht shfuqizimit nga Gjykata Kushtetuese dhe konstantimit në relacionin e projektligjit Neni 39/1 mbetet i pandryshuar në projektligj.
Gjithashtu, duhet të kemi parasysh se neni 39/1 përfaqëson një ndryshim të Ligjit Nr. 8789/2001 “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse”. Ky ligj do të shfuqizohet me vendosjen në funksion të regjistrit elektronik për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse (Neni 53, Ligji Nr. 80/2021). Duke qenë se neni 39/1 është ngushtësisht i lidhur me vijueshmërinë e ligjit që amendon, me hyrjen në fuqi të regjistrit elektronik dhe shfuqizimin e Ligjit nr. 8789/2001, ky nen do të humbasë objektin dhe funksionin e tij ligjor, duke u konsideruar i pavlefshëm dhe pa efekte të mëtejshme juridike.
Në këtë kontekst, dhe në përputhje me standardet kushtetuese, rekomandohet shfuqizimi i nenit 39/1 për të shmangur paqartësitë ligjore dhe për të garantuar përputhshmërinë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Kundravajtjet administrative
Projektligji i propozuar parashikon përditësimin e nenit 49 ”Kundravajtjet Administrative”, me përmbajtjen e mëposhtme:
“Neni 49
Kundërvajtjet administrative
(zëvendësuar fjale në pikën 5, me ndreqje gabimi botuar në FZ 125/2021, datë 6.8.2021; shfuqizuar pikat 2 deri në 6 me VGJK nr. 62, datë 20.11.2023)
1. Organizata jofitimprurëse, si dhe personat e autorizuar për të bërë regjistrimin janë përgjegjëse sipas ligjeve në fuqi për vërtetësinë e fakteve, të të dhënave të njoftuara dhe të dokumenteve shoqëruese të depozituara në regjistrin elektronik.
1.1 Deklarimi në regjistrin elektronik i të dhënave të pavërteta, kur nuk përbën vepër penale, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë në masën 60.000 (gjashtëdhjetë mijë) lekë.”
1.2 Moskryerja e detyrimit për regjistrimin e ndryshimeve të të dhënave përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë në masën 60.000 (gjashtëdhjetë mijë) lekë.”
1.3 Vendimi i gjyqtarit për dënimin me gjobë ankimohet drejtpërdrejt në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.”
Në relacionin për projektligjin argumentohet se referuar arsyetimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese mbi kundravajtjet administrative, “vlerësohet se për shkelje si deklarimi i të dhënave të pa vërteta dhe mos deklarimi i ndryshimeve të të dhënave, të parashikohen masa administrative, por të jenë në përputhje me parimin e proporcionalitetit. Duke marrë në referencë parashikimet e ligjit nr. 9723, datë 3.5.2007 “Për regjistrimin e biznesit”, të ndryshuar, për të njëjtat shkelje janë parashikuar masat administrative prej 60 000 (gjashtëdhjetë mijë) lekësh”.
Në vijim, do të analizojmë nenin përkatës të projektligjit në raport me parashikimet e Ligjit Nr. 112/2020 “Për regjistrin e pronarëve përfitues”, të përditësuar, me qëllim vlerësimin e përputhshmërisë ligjore dhe të respektimit të parimit të proporcionalitetit.
Referuar kundravajtjeve administrative të Ligjit Nr. 112/2020 ”Për regjistrin e pronarëve përfitues”, i përditësuar, neni 13, pika 2, shkronja d), përcakton se ” mosregjistrimi i çdo ndryshimi në të dhënat e regjistruara, që depozitohen në regjistër, brenda afatit të përcaktuar në shkronjën “ç” të pikës 3 të nenit 5 të këtij ligji dënohet me gjobë në vlerën 400 000 (katërqind mijë) lekë”.
Më tej pika 3 dhe pika 4 e këtij neni parashikojnë se:
“3. Gjoba vendoset nga titullari i QKB-së, vendimi i të cilit ankimohet drejtpërdrejt në gjykatën administrative kompetente në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative.
4. QKB-ja dhe autoriteti përgjegjës për mbajtjen e Regjistrit të Organizatave Jofitimprurëse për subjektet raportuese, të cilat kryejnë shkeljet e parashikuara në pikën 2 të këtij neni, nuk do të ofrojnë shërbimet ndaj tyre, përveç regjistrimit të ndryshimeve të të dhënave të përfaqësuesit ligjor, si dhe do të ndryshojnë statusin për subjektet raportuese nga statusi “aktiv” në statusin “të pezulluar” në regjistrin tregtar dhe në Regjistrin e Organizatave Jofitimprurëse deri në pagimin e gjobës dhe regjistrimin e të dhënave përkatëse për pronarët përfitues”.
Në një krahasim të drejtpërdrejtë midis Ligjit Nr. 112/2020 dhe projektligjit aktual për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse, vihet re se për të njëjtën kundërvajtje administrative parashikohen masa të ndryshme ndëshkuese. Kjo krijon paqartësi ligjore dhe rrezik për trajtim të pabarabartë, duke shtuar rrezikun që një organizatë, si subjekt i të dy ligjeve, të penalizohet dy herë për të njëjtën shkelje. Për më tepër, projektligji nuk përcakton në mënyrë të qartë organin kompetent për vendosjen e gjobave në rast shkeljeje të detyrimeve të regjistrimit.
Në këtë kontekst, rekomandohet që projektligji të mos përmbajë dispozita të veçanta për kundërvajtjet administrative, pasi kuadri ligjor ekzistues parashikon masa ndëshkuese të konsiderueshme për organizatat jofitimprurëse në raste të mosrespektimit të detyrimeve ligjore. Gjithashtu, është e nevojshme të përcaktohet një metodologji e qartë për vlerësimin dhe vendosjen e masave administrative. Një qasje e tillë do të shmangte mbivendosjen e sanksioneve, do të ulte barrën administrative dhe do të garantonte qartësi dhe trajtim të drejtë për sektorin jofitimprurës.
Postuar më: 13.05.2025 09:54
Komentet nga qytetarët