PROJEKTLIGJ “PËR KËSHILLIN FISKAL TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”

Ministria e Financave

|

Postuar më: 17.06.2026

|

Data e Mbylljes: 15.07.2026

|

Statusi: Konsultim i mbyllur

|

Nr.Komenteve: 1

|

Nr.Shikimeve: 926

PDF

|

XML

Komentet nga qytetarët

arrow

Besmira K.

Komente nga UN Women Shqiperi për ligjin “PËR KËSHILLIN FISKAL TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”

Nga një analizë e përgjithshme rezulton se ky projektligj, i cili përcakton se Këshilli Fiskal monitoron zbatimin e rregullave fiskale, vlerëson politikën fiskale dhe jep opinione mbi qëndrueshmërinë e financave publike, nuk përfshin në mënyrë të qartë analizën e ndikimeve sociale ose gjinore të politikave fiskale. Për këtë arsye dhe në përputhje me praktikat më të mira të OECD, BE, etj rekomandohet që projektligji të plotësohet me dispozita që i japin Këshillit Fiskal kompetencën për të vlerësuar integrimin e buxhetimit të përgjigjshëm gjinor në dokumentet kryesore fiskale. Këto parashikime, jo vetëm që nuk e ndryshojnë funksionin e tij si institucion i pavarur përgjegjës për monitorimin e disiplinës fiskale dhe të qëndrueshmërisë së financave publike, por e forcojnë atë duke i dhënë mundësinë këtij Këshilli të vlerësojë në mënyrë më të saktë, gjithëpërfshirëse dhe të drejtë, ndikimin e politikave fiskale në jetën e të gjithë qytetarëve, gra dhe burra. Kjo qasje është tërësisht bazuar dhe në përputhje me praktikat ndërkombëtare të menaxhimit modern të financave publike dhe me objektivat e Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Edhe pse asnjë nga Këshillat Fiskalë të vendeve të rajonit të Ballkanit, nuk ka të parashikuar në mandatin e tij, aanalizën gjinore të buxheteve apo politikave fiskale në përgjithësi, shembulli më i mirë vjen nga Austria, ku Austrian Fiscal Advisory Council, gjatë punës së tij për të këshilluar përmirësimin e politikave fiskale në përgjithësi, merr në konsideratë efektet afatgjata të politikave fiskale. Analiza gjinore, ashtu si edhe në rastin e Shqipërisë, vijon të kryhet nga Ministria e Financave dhe institucionet përkatëse, por Këshilli Fiskal, kontrollon nëse kjo analizë është kryer dhe marrë parasysh gjatë hartimit të buxhetit dhe/apo politikave fiskale. Ky është një rol mjaft i rëndësishëm që ndihmon në zbatimin me korresktësi të të gjithë kuadrit ligjor buxhetor, ku Buxhetimi i Përgjigjshëm Gjinor është pjesë integrale dhe e pandashme.
Po ashtu edhe praktikat e Kanadasë dhe Irlandës, ku Parliamentary Budget Officer (në rastin e Kanadasë) dhe Irish Fiscal Advisory Council (në rastin e Irlandës), bashkëpunojnë me institucionet e tjera përgjegjëse për kryerjen e analizave gjinore të buxheteve dhe politikave fiskale, ofrojnë shembuj dhe prakika shumë të mira për tu ndjekur në këtë kontekst.
Duke qenë se Shqipëria ka tashmë një sistem të fortë dhe të shëndetshëm ligjor , institucional, dhe funksional të buxhetimit të përgjigjshëm gjinor në administratën publike, është mëse e logjikshme që Këshilli Fiskal, i cili ka për kompetencë të vlerësojë cilësinë e dokumenteve buxhetore dhe politikës fiskale, të kryejë gjithashtu edhe vlerësimin nëse dokumentet buxhetore përmbajnë analizën e kërkuar të ndikimit gjinor.
Kjo do ta bënte Shqipërinë një nga vendet e para në rajon që i jep një Institucioni Fiskal të Pavarur një rol mbikëqyrës mbi cilësinë e integrimit të buxhetimit të përgjigjshëm gjinor; një risi institucionale, por e përputhshme me mandatin e Këshillit dhe me tendencat ndërkombëtare për zgjerimin e analizave të institucioneve fiskale drejt vlerësimeve të ndikimeve distributive dhe cilësisë së politikave fiskale.
Më tej, Komisioni Evropian ka promovuar gjithnjë e më shumë integrimin e perspektivës gjinore në ciklin buxhetor. Disa shtete anëtare kanë filluar të përfshijnë analiza të ndikimit gjinor në dokumentet fiskale, duke u bazuar dhe qenë në përputhje me:
• acquis-in për qeverisjen ekonomike;
• parimet e transparencës fiskale;
• standardet e OECD-së mbi Gender Budgeting;
• rekomandimet e FMN-së për menaxhimin e financave publike.
Nga pikëpamja teknike e kuptimit dhe zbatimit të Buxhetimit të Përgjigjshëm Gjinor, një nag argumnetat më të rëndësishëm që mbështesin propozimet konkrete të mëposhtme, rrjedh nga fakti se ekziston ende një perceptim i gabuar se buxhetimi i përgjigjshëm gjinor lidhet vetëm me politikat sociale ose programet për gratë.
Në përkufizimin e dhënë nga UN Women dhe të përqafuar nga OECD, FMN, BE, etj, Buxhetimi i Përgjigjshëm Gjinor është një strategji për arritjen e barazisë gjinore, që konsiston në integrimin e perspektivës gjinore në procesin buxhetor, përmes analizimit të mënyrës së mbledhjes dhe shpërndarjes së burimeve publike, me qëllim identifikimin e ndikimeve të ndryshme të politikave fiskale mbi gratë dhe burrat dhe ristrukturimin e të ardhurave dhe shpenzimeve publike për të promovuar barazinë gjinore.
Si i tillë, Buxhetimi i Përgjigjshëm Gjinor duhet domosdoshmërisht të jetë pjesë e pandashme dhe integrale e vlerësimit të cilësisë së politikës fiskale dhe impaktit të tyre afatmesëm/afatgjatë në jetën e grave dhe burrave në Shqipëri.
Integrimi i këtyre dispozitave në kompetencat dhe detyrat e Këshillit Fiskal, do ti mundësojë atij që nëpërmjet:
• analizës nëse dokumentet buxhetore përmbajnë analiza të ndikimit gjinor;
• identifikimit të mangësive në informacionin fiskal;
• promovimin e transparencës dhe cilësisë së politikës fiskale;
të përmirësojë analizën e tij dhe të forcojë llogaridhënien ndaj Kuvendit dhe publikut.

Më konkretisht, disa nga ndryshimet e propozuara në këtë projëktligj janë:


Neni 5 Detyrat e Këshillit Fiskal Bazuar në nenin 4, ku një nga detyrat e KF përcaktohet si: monitoron zbatimin e parimeve, rregullave dhe kufizimeve fiskale të përcaktuara në Ligjin Organik të Buxhetit, rekomandojmë të shtohet një pikë e re: "Vlerëson integrimin e perspektivës gjinore në Kuadrin Makroekonomik dhe Fiskal, projektbuxhetin vjetor dhe dokumentet kryesore të politikës fiskale, duke analizuar nëse politikat fiskale dhe alokimet buxhetore kontribuojnë në arritjen e objektivave të barazisë gjinore dhe në përdorimin efektiv të burimeve publike." Buxhetimi i përgjigjshëm gjinor është pjesë e menaxhimit modern të financave publike dhe kontribuon në rritjen e efektivitetit, eficensës, barazisë, gjithëpërfshirjes dhe transparencës së politikave fiskale.
Neni 5 Opinioni mbi projektbuxhetin Të shtohet një paragraf: "Në opinionin për projektligjin e buxhetit, Këshilli Fiskal vlerëson gjithashtu nëse dokumentacioni buxhetor përmban analizën e ndikimit gjinor dhe informacion të mjaftueshëm për të vlerësuar efektet e politikave fiskale mbi gratë dhe burrat." Ky parashikim, rrit cilësinë e analizës së buxhetit, por pa zgjeruar kompetencat vendimmarrëse të Këshillit. Ai forcon zbatimin e gjithë kuadrit ligjor dhe strategjik mbi Menaxhimin e Financave Publike në përgjithësi dhe të Buxhetimit të Përgjigjshëm Gjinor në vecanti.
Neni 5 Përgatitja e analizave Sugjerohet të shtohet analiza gjinor dhe e ndikimit gjinor Ndihmon në realizimin e procesit të integrimit gjinor dhe Buxhetimit të Përgjigjshëm Gjinor.
Neni 6 Veprojnë në mënyrë të pavarur dhe autonome Sugjerohet të shtohet “dhe të barazisë gjinore” Në përputhje me legjislacionin shqiptar për barazinë gjinore dhe praktikat e institucioneve të pavarura.
Neni 7 Përzgjedhja e anëtarëve Të shtohet: "Në procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve respektohet parimi i barazisë gjinore dhe synohet përfaqësim i balancuar ndërmjet grave dhe burrave." Në përputhje me legjislacionin shqiptar për barazinë gjinore dhe praktikat e institucioneve të pavarura.
Neni 11 Anëtarët e Sekretarit Teknik Të shtohet: “Të procedurat e përzgjedhjes së anëtarëve respektohet parimi i barazisë gjinore dhe synohet përfaqësim i balancuar ndërmjet grave dhe burrave." Në përputhje me legjislacionin shqiptar për barazinë gjinore dhe praktikat e institucioneve të pavarura.
Neni 12 Programi Vjetor i Punës Rekomandohet që të shtohet si një pikë më vete: “Programi Vjetor mund të përfshijë analiza tematike mbi ndikimin gjinor të politikave fiskale”. Lejon zhvillimin gradual të ekspertizës së Këshillit si dhe mundëson institucionalizimin e mëtejshëm të BPGJ.
Neni 15 Raporti Vjetor Të shtohet: "Raporti vjetor përfshin edhe një seksion mbi vlerësimin e integrimit të buxhetimit të përgjigjshëm gjinor në dokumentet fiskale dhe buxhetore." Forcon transparencën dhe llogaridhënien publike si dhe krijon mundësinë që BPGJ të jetë pjesë integrale e dokumentit mbi Kuadrin Makroekonomik-Fiskal.
Neni 17 Aksesi në informacion Të shtohet: "Njësitë publike i vënë në dispozicion Këshillit Fiskal, kur ekzistojnë, të dhëna statistikore dhe financiare të ndara sipas gjinisë, si dhe tregues të tjerë të nevojshëm për analizën e ndikimit të politikave fiskale." Statistikat e ndara sipas gjinisë dhe tregues të tjerë (mosha, statusi social, punësimi, etj) janë të dhëna të domosdoshme për kryejrn e analizës gjinore. Ministria e Financave ka përfshirë në Udhëzimin Vjetor të përgatitjes së buxhetit, jo vetëm detyrimin për kryerjen e analizës gjinore për cdo program buxhetor, por ka hartuar edhe një model se si mund të kryhet kjo analizë.

Disa këndvështrime shtesë, të cilat lidhen drejtpërdrejt me mandatin bazë të Këshillit Fiskal dhe që mund të forcojnë më tej argumentimin për integrimin e perspektivës gjinore:

• Do të ishte me vlerë të konsiderohej përfshirja e dimensionit gjinor dhe demografik në analizën e rreziqeve fiskale afatgjata. Faktorë si plakja e popullsisë, ulja e lindshmërisë, emigracioni dhe pjesëmarrja e grave në tregun e punës kanë ndikim të drejtpërdrejtë në bazën tatimore, në sistemin e pensioneve dhe në qëndrueshmërinë afatgjatë të financave publike. Në këtë kuptim, analizimi i këtyre faktorëve nuk është vetëm një çështje e barazisë gjinore, por edhe një element i rëndësishëm i vlerësimit të qëndrueshmërisë fiskale.
• Përveç vlerësimit të qëndrueshmërisë fiskale, mund të konsiderohet edhe promovimi i analizave distributive të politikave fiskale (gender sensitive distributional analysis), përfshirë ndikimet e tyre mbi gratë dhe burrat. Këto analiza ndihmojnë në identifikimin e grupeve që përfitojnë ose preken më shumë nga masat fiskale dhe kontribuojnë në rritjen e cilësisë, transparencës dhe efektivitetit të politikave publike.
• Një aspekt tjetër që mund të merret në konsideratë është forcimi i kapaciteteve analitike të Këshillit Fiskal në fushën e analizave socio ekonomike dhe distributive. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht zgjerim i mandatit të institucionit, por sigurim që, kur është e nevojshme, Këshilli të ketë akses në ekspertizën e duhur për të vlerësuar ndikimet më të gjera të politikave fiskale.
• Gjithashtu, mund të parashikohet mundësia që Këshilli Fiskal, kur trajton politika me ndikim të rëndësishëm social apo gjinor, të kërkojë opinione teknike ose të bashkëpunojë me universitete, institute kërkimore apo institucione të tjera që disponojnë ekspertizë në këto fusha.
• Mund të theksohet më fort një argument ekonomik që shpesh mungon në diskutimet mbi barazinë gjinore: barazia gjinore nuk është vetëm një objektiv social, por edhe një faktor që ndikon drejtpërdrejt në produktivitetin, punësimin, bazën tatimore dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të financave publike. Për këtë arsye, vlerësimi i ndikimeve gjinore të politikave fiskale është plotësisht në përputhje me misionin e Këshillit Fiskal për të vlerësuar cilësinë dhe qëndrueshmërinë e politikës fiskale.

Postuar më: 14.07.2026 05:38

Diskutimet për këtë konsultim janë mbyllur.