Strategjia Afatmesme e të Ardhurave 2024-2027 dhe Plani i Veprimit 2024-2027

Ministria e Financave

|

Postuar më: 20.09.2024

|

Data e Mbylljes: 18.10.2024

|

Statusi: Konsultim i mbyllur

|

Nr.Komenteve: 2

|

Nr.Shikimeve: 1706

PDF

|

XML

Komentet nga qytetarët

arrow

ARTUR P.

Pershendetje
Bëhet fjalë për strategji. Ajo duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Jemi në një stad kur, Edukimi financiar duhet patjeter të përcaktohet si prioritet. Kjo masë deri, sot për 3 dekada ka qenë e neglizhuar nga cdo qeveri. Përfshirë dhe qeverinë aktuale. Vetëm e permendni pak, mendoj thjesht formalisht, tek perdorimi parasë në dorë në pagesa.
Por jo. Është një koncept shumë i gjerë.
Edukimi financiar duhet ndër prioritetet kryesore, i mbështetur le një matrice veprimesh shteruese.Nisur nga nuveli shkollir elementar e me lart. Impakti i ketij Prioriteti nuk është afatshkurtër, por afat mesëm e afatgjate.

Postuar më: 22.09.2024 08:51

arrow

DHOMA AMERIK. E TREGT. NE SHQIPERI

Ju lutem gjeni si më poshtë Komentet e Dhomës Amerikane të Tregtisë në lidhje me draft Strategjinë Afatmesme të të ardhurave 2024-2027 dhe Planin e Veprimit

1. Rekomandimet e AmCham në lidhje me Informalitetin dhe zgjerimin e bazës së tatimpaguesve.
• Rritja e të ardhurave buxhetore përmes përfshirjes në ekonominë formale të më shumë tatimpaguesve dhe jo nëpërmjet rritjes së normave tatimore.

• Hartimi i një politike për luftën kundër informalitetit dhe ndjekja e implementimit të saj gjatë gjithë kohës. Eksperienca ka treguar se fushatat kundër informalitetit (psh fushatat në bregdet në kohën e sezonit turistik) nuk kanë funksionuar.
Komente për draft strategjinë: Në gjykimin tonë, draft strategjia parashikon qartazi rritjen e të ardhurave nëpërmjet rritjes së normave tatimore (veçanërisht tatimin mbi pasurinë) dhe është e përgjithshme në lidhje me “mirë administrimin tatimor” dhe mënyrën sesi do të arrihet ulja e informalitetit dhe mbledhja e më shumë të ardhurave.

Synime të tilla si: “Zvogëlimi i hendekut të pajtueshmërisë së TVSH”; “Zvogëlimi i shmangies tatimore”; “Reduktimi i punës së padeklaruar” kanë qenë objektiv i qeverisë në vite por deri tani nuk kanë rezultuar shumë efektive.

Përshëndesim synimin e qeverisë për të ndryshuar skemën e tatimit të pagave duke rritur pragun e patatueshëm dhe duke ndryshuar normat e progresivitetit. Kjo ka qenë një kërkesë e hershme e anëtarëve tanë. Gjithsesi, ne sugjerojmë që ndryshimi të bëhet brenda fundit të vitit 2024, duke u fokusuar në rritjen e pragut të patatueshëm dhe rritjen e kufirit për të cilin aplikohet norma 13% dhe 23%.

Sa i takon rritjes së parashikuar të pagës minimale dhe asaj maksimale për efekt të kontributeve të sigurimeve është e rëndësishme për biznesin që rritja e pagës minimale të mos shoqërohet me rritjen e pagës maksimale e cila aktualisht është shumë e lartë (176.416 Lekë) pasi krijon kosto shtesë.

Ndryshimet e propozuara në lidhje me skemën e tatimit mbi të ardhurat të bizneseve të vogla duhen bërë sa më parë, pa pritur vitin 2027 për shkak se skema aktuale (e cila qëndroi në fuqi edhe me ligjin e ri për tatimin mbi të ardhurat) krijon shmangie tatimore nëpërmjet shkallëzimeve të xhiros.

Propozimi i AmCham dhjetor 2017:

“Sugjerimi ynë është që ministria të propozojë ndryshimin e ligjit për tatimin mbi të ardhurat dhe atë për taksat vendore që të vendosë një mënyrë dhe masë tatimi që iu lejon bizneseve të vogla formalizimin e tyre pa barrë fiskale të ekzagjeruar. Në këtë këndvështrim, duhet të trajtohen veçmas aktivitetet e shitjes së mallrave dhe ato të shërbimeve për arsye se tek ofrimi i shërbimeve, xhiro prej 8 milionë është më pranë fitimit neto të subjektit ndërsa në rastin e shitjes së mallrave, pjesën më të madhe të xhiros e zë vlera e shitjes së mallrave (dhe jo marxhi i fitimit)”
Pra, duke i mbetur filozofisë se kush fiton (jo qarkullon) më shumë paguan më shumë, klasifikimi i biznesit të bëhet në bazë të fitimit. Kjo e shoqëruar me lehtësim të raportimit/ dokumentimit për bizneset me xhiro të vogël. Duke u tatuar fitimi dhe jo xhiro do të ketë efekt edhe në kërkesën më të madhe për të dokumentuar lëvizjet e mallrave dhe uljen e presionit për të fshehur të ardhurat/qarkullimin”.

2: Rekomandimet e AmCham në lidhje me Qëndrueshmërinë e sistemit fiskal.
Politikat tatimore duhet të jenë të drejta, të qëndrueshme dhe të parashikueshme për të minimizuar ndikimin negativ te bizneset.
Barra fiskale. Sistemi tatimor duhet të harmonizohet me atë të vendeve të BE (përfshirë incentivat/përjashtimet/rimbursimet në fushën e TVSH dhe akcizave, të cilat janë të rregulluara në nivel evropian). Anëtarët e Dhomës këmbëngulin që ndryshimet ligjore në lidhje me tatimet indirekte si TVSH dhe akciza por edhe taksat mjedisore si ajo e karbonit apo e plastikes të bëhen me synim harmonizimin e plotë të legjislacionit shqiptar me atë të BE.
Komente për draft strategjinë: Në strategji parashikohet: “Qeveria parashikon ndryshime në legjislacion me qëllim realizimin e

1. Të ardhura shtesë nga tatimet/taksat indirekte – tatimet/taksat mbi konsumin. Këto të ardhura do të sigurohen kryesisht nga analiza e impakteve të deritanishme të politikave fiskale mbi të ardhurat, nga rishikimi i përjashtimeve në TVSH apo Akcizë të kategorive të caktuara të furnizimit të mallrave dhe shërbimeve, të cilat e kanë përfunduar misionin e tyre për të cilin ishin dizenjuar, apo që kanë rezultuar jo me impaktet pozitive të pritshme, si dhe nga zbatimi i skedulit të rritjes të nivelit të akcizave për mallra të tillë si cigaret dhe duhanet.
2. Rishikimi i përjashtimeve nga taksat dhe tarifat kombëtare. Të gjitha përjashtimet nga taksat dhe tarifat kombëtare do jenë objekt rishikimi periodik, duke vlerësuar efektivitetin dhe efikasitetin e tyre. Ka disa përjashtime të parashikuara në ligj, të cilat pjesërisht janë prezantuar me qëllim favorizimin e disa sektorëve prioritarë dhe pjesërisht me qëllim adresimin e problematikave me të cilat është përballur administrata tatimore. Sektorët prioritarë do të duhet të mbështeten qartësisht përmes transfertave direkte nga buxheti, në mënyrë që të jenë më të lehta për t’u monitoruar, ndërkohë që eliminimi i përjashtimeve nga pagimi i taksave, nuk cënon integritetin e sistemit tatimor
i. Analizimi i nivelit të taksës së plastikës, dhe inkurajim nëpërmjet mekanizmave tatimore për riciklimin e tyre.
ii. Mbështetje për regjimin e taksave ambientale nëpërmjet udhëzimeve sqaruese .
Do të vlerësohet ndryshimi i taksës mbi plastikën (kryesisht për ambalazhet plastike), duke qenë se kjo taksë ka hasur disa problematika në zbatim. Duke marrë në konsideratë aspiratën e vendit tonë për t'u bërë destinacion i pëlqyer turistik, do të ishte veçanërisht e rëndësishme të sigurohen stimujt e duhur për ta mbajtur mjedisin të pastër. Ky objektiv është pasqyruar edhe në politikat e ndërmarra siç është rasti i rishikimit të nivelit të taksës së karbonit për qymyrin.
Ndryshimet si më sipër sidomos në TVSH dhe akcizë janë argumentuar edhe me raportin e FMN që identifikonte përjashtime tatimore që ekzistojnë në Shqipëri dhe të ardhurat e buxhetit nëse do të anulloheshin këto përjashtime. Nga ana tjetër, raporti i FMN nuk bën analizë dhe krahasim të këtyre përjashtimeve me ato të vendeve të BE (duke qënë se qëllimi i këtij raporti është identifikimi i ndryshimeve me qëllim rritjen e të ardhurave buxhetore).

Ne sugjerojmë që çdo ndryshim në TVSH dhe akcizë (duke qenë të rregulluar në nivel evropian) të bëhen në përputhje me Direktivat përkatëse (harmonizim i plotë), përfshirë këtu normën e ulët tatimore të TVSH për produktet e shportës.

3: Rekomandimet e AmCham në lidhje me ndryshimet ligjore në proces:
Analiza për projektligjet e propozuara së fundmi që kanë impakt në barrën fiskale, siç janë:
• Projektligji për taksën mbi pasurinë e paluajtshme.
Ky Projektligj është publikuar në Regjistrin Elektronik për Njoftimet dhe Konsultimet Publike. Gjatë kohës së konsultimit Dhoma Amerikane ka përcjellë në Ministrinë e Financave komentet e saj, për të cilat ende nuk na është kthyer një përgjigje nëse janë shqyrtuar si komente dhe nëse po cilat janë marrë në konsideratë.
• Projektligji mbi sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet.
Projektligji "Për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet", është publikuar në Regjistrin Elektronik për Njoftimet dhe Konsultimet Publike. Edhe për këtë projektligj Dhoma Amerikane ka përcjellë komentet pranë Ministrisë së Financave por ende nuk kemi asnjë përgjigje.
• Projektligji për përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit.

Ky projektligj erdhi si propozim i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe parashikon vendosjen e një detyrimi të ri financiar. Për këtë arsye ne kemi sugjeruar përfshirjen e Ministrisë së Financave për shqyrtimin e këtij projektligji. Në komentet që Dhoma i ka përcjellë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit ka vendosur për dijeni edhe Ministrinë e Financave pasi parashikimi i një detyrimi të ri financiar është shqetësues për bizneset. Edhe për këtë projektligj nuk kemi asnjë përgjigje.

Koment: Në lidhje me ndryshimet ligjore që janë në proces si projektligjet më sipër, ne presim një proces konsultimi real dhe të kemi përgjigje me shkrim nga Ministria e Financave për ato çështje ku propozimi për ndryshim nuk pranohet. Anëtarët e Dhomës janë të shqetësuar për kostot e larta që rëndojnë mbi bizneset dhe qytetaret sidomos për tatimin mbi pasurinë, sigurimin nga tërmeti dhe përgjegjësia e zgjeruar e prodhuesit. Duhet bërë një analizë e përgjithshme se si këto ndikojnë bashkërisht në barrën fiskale.

Me respekt
Dhoma Amerikane e Tregtisë

Postuar më: 16.10.2024 04:57

Diskutimet për këtë konsultim janë mbyllur.