PROJEKTLIGJ “PËR INSPEKTIMIN NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”

Ministri i Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit

|

Postuar më: 31.05.2024

|

Data e Mbylljes: 28.06.2024

|

Statusi: Konsultim i mbyllur

|

Nr.Komenteve: 1

|

Nr.Shikimeve: 790

PDF

|

XML

Qëllimi i projektligjit është konsolidimi dhe përmirësimi i mëtejshëm i veprimtarisë dhe sistemit të inspektimeve, për të siguruar mbrojtjen e interesit publik, forcimin e transparencës dhe llogaridhënies në veprimtaritë e inspektimit, duke pasur parasysh të drejtat e subjektit të inspektimit. Ky projektligj synon të garantojë pavarësinë funksionale të inspektorateve, rritjen e profesionalizmit, efektivitetit dhe performancës së trupave inspektuese nëpërmjet përdorimit të teknologjisë, si edhe duke vendosur parimet bazë të inspektimit me fokus programimin e inspektimeve dhe këshillimin dhe informimin e subjekteve të inspektimit lidhur me veprimtarinë inspektuese, në nivel qendror dhe vendor.

Palët e interesuara janë të ftuara për të paraqitur komentet dhe rekomandimet e tyre, brenda 20 ditëve pune nga data e shpalljes së këtij njoftimi.

Komentet nga qytetarët

arrow

DHOMA AMERIK. E TREGT. NE SHQIPERI

Te nderuar

Me anë të kësaj Letre, Dhoma Amerikane e Tregtisë dëshiron të paraqesë komentet e anëtarëve të saj në lidhje me propozimin e projektligjit “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.

Ne e vlerësojmë qëllimin e këtij projektligji për të konsoliduar dhe përmirësuar veprimtarinë dhe sistemin e inspektimeve, por ky propozim përmban disa elementë që duhet të trajtohen me kujdes për të siguruar një reformë të qëndrueshme dhe efektive.

Në thelb, dëshirojmë të adresojmë dy çështje kyçe, që sipas vlerësimit tonë, duhet të merren parasysh në hartimin e kësaj reforme:
1. Parashikueshmëria Institucionale: Në një periudhë prej gati 10 vjetësh, ka pasur propozime dhe ndryshime të vazhdueshme në sistemin e inspektimit, duke kaluar nga një model i centralizuar në një model decentralizimi dhe më pas rikthim në një model centralizimi. Këto ndryshime të shpeshta dhe të paparashikueshme mund të krijojnë pasiguri në sistemin e inspektimit dhe mund të pengojnë përmirësimin e këtij sistemi. Është e rëndësishme që ndryshimet ligjore të jenë të qëndrueshme dhe të koordinuara në mënyrë që të lejojnë zhvillimin e qasjeve afatgjata dhe efikase për të reduktuar barrën administrative mbi bizneset.

2. Përfshirja e ligjeve të posaçme të Inspektoriateve: Propozimi aktual i projektligjit “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, duket më shumë parimor në natyrë dhe nuk përfshin në mënyrë të mjaftueshme ligjet specifike që rregullojnë funksionimin e inspektoriateve të ndryshme. Është e nevojshme që reforma të përfshijë një përmirësim të strukturuar dhe të qëndrueshëm të legjislacionit aktual, duke siguruar që të gjitha aspektet e inspektimit të jenë të rregulluara dhe të koordinuara në mënyrë efektive. Kjo përfshirje e detajuar do të ndihmojë në hartimin e një reforme të shtrirë dhe të saktë që do të sigurojë funksionimin e përshtatshëm të institucioneve në fushën e inspektimit.

Një reformë sistematike e inspektimit duhet të përmbushë standardet për përmirësimin e aspekteve ligjore dhe institucionale. Vetëm nëse zbatohet me efikasitet, kjo reformë mund të ndihmojë në uljen e barrës administrative për bizneset dhe në përmirësimin e klimës së biznesit në vend.

Si më poshtë do të gjeni edhe disa komente në lidhje me disa dispozita specifike të projektligjit:

Neni 7: ‘’ Çdo subjekt inspektohet mbi bazën e programit të inspektimit. Përjashtimisht, një subjekt mund të inspektohet jashtë programi në rastet e parashikuara shprehimisht me ligj” Koment: Mendojmë se do te ishte më e përshtatshme që rastet përjashtimore të specifikohen në këtë ligj. Të mos lihet evazive për arsye se krijon mundësinë për interpretime/keqinterpretime në praktikë.

Neni 8, pika 2. ‘’ Kur subjekti i inspektimit vepron në përputhje me një dispozitë ligjore që bie në kundërshtim me një dispozitë tjetër të të njëjtit ligj, veprimi i tij nuk konsiderohet shkelje’’. Koment: Edhe në këto raste nuk duhet të cënohet/rëndohet pozita e subjektit të inspektimit. Ligji nëpërmjet këtij parashikimi referon se mund të kemi mbivendosje apo dispozita kundërshtuese me ligje të tjera. Ky kontroll ligjshmërie duhet bërë përpara propozimit të këtij projektligji.

Neni 40, pika 1: ‘’Inspektimi i bëhet i ditur subjektit nëpërmjet njoftimit paraprak të autorizimit për kryerjen e inspektimit, me mjete elektronike (online) ose në forma të tjera të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, në çdo rast jo më vonë se 7 ditë përpara fillimit të procedurës së inspektimit’’. Koment: Sugjerojmë që është më e përshtatshme që ky afat të jetë më i gjatë se 7 ditë, psh të paktën 15 ditë pune.

Neni 43,pika 4: ‘’Në rastin kur nuk janë konstatuar shkelje të kërkesave ligjore gjatë procedurës së inspektimit, trupa inspektuese mbyll procesverbalin dhe merr vendim përfundimtar në vend. Procesverbali dhe vendimi përfundimtar mbahen në vendin e inspektimit dhe i njoftohen subjektit të inspektimit nëpërmjet postës elektronike’’. Koment: Sugjerojmë që të lihet dhe mundësia e njoftimit me postë fizike, jo vetëm nëpërmjet postes elektronike.

Neni 44, pika 4: ‘’Dënimi administrativ kryesor me paralajmërim nuk zbatohet në rastet e shkeljeve të rënda për të cilat parashikohet masa e pezullimit të aktivitetit, sipas ligjit të posaçëm’’. Koment: Duhet të specifikohen se cilat konsiderohen si shkelje të rënda.

Neni 48, pika 2: ‘’Kur pjesëmarrja, gjatë kryerjes së inspektimit, sipas shkronjës “ç” të pikës 1, të këtij neni, pengon kryerjen e veprimeve të inspektimit, trupa inspektuese mund të vendosë përjashtimin nga pjesëmarrja. Vendimi pasqyrohet në procesverbal dhe nuk mund të ankimohet veçmas vendimit përfundimtar të inspektimit’’. Koment: Kjo pikë duhet të rishikohet që të mundësohet ankimimi i këtyre vendimeve.

Neni 52: ‘’Marrja e kopjeve dhe sekuestrimi i dokumenteve’’. Koment: Sekuestrimi i dokumenteve duhet të bëhet në bazë të legjislacionit në fuqi. Bazuar në Kodin e Procedurës Penale, sekuestrimi bëhet nga gjykata ose prokurori. Sugjerojmë se ky nen i ligjit duhet të ndryshohet.

Neni 54, pika 2: ‘’ Nëse është në interes të personit të tretë dhe mbrojtjes së të drejtave ligjore të tij, inspektorati mund të urdhërojë kryerjen e publikimit të vendimit përfundimtar apo të një përmbledhjeje të tij’’. Koment: Ky paragraf bie ndesh me nenin 10.2, ku të dhënat/informacioni trajtohet në mënyrë konfidenciale në përputhje me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.

Neni 57, pika 1: ‘’ Moskorrigjimi i shkeljeve nga subjekti i inspektimit brenda afatit, përbën kundërvajtje administrative sipas përcaktimit në pikën 4 të nenit 44, të këtij ligji…’’ Koment: Afati i lënë në dispozicion të subjektit duhet të jetë i arsyeshëm. Në çdo rast jo më pak se 30 ditë. Kjo duhet të specifikohet në ligj.

Neni 58, pika 4. ‘’ Aktet nënligjore në fuqi, të cilat nuk bien në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, vazhdojnë të mbeten në fuqi, deri në daljen e akteve nënligjore në zbatim të këtij ligji’’. Koment: Në praktikë kjo dispozitë mund të përbëjë shkak për të krijuar konfuzion tek subjektet e inspektimit si dhe tek vetë inspektorët. Prandaj sugjerojmë që të rishikohet si pikë. Sugjerojmë që të bëhet një analizë paraprake se cilat mund të jenë ligjet dhe aktet nënligjore që mund të bien në kundërshtim me këtë ligj në mënyrë që të shfuqizohen. Këto janë tagra të ligjvënësit pra propozuesit të projektligjit.

Neni 59, pika 2. “’ Ngarkohet organi ekzekutiv i çdo njësie vendore të miratojnë rregulloren e parashikuar në pikën 6 të nenit 44 të këtij ligji’’. Koment: Sugjerojmë që të ketë një afat për miratimin e aktit nënligjor (rregullores).

Duke shpresuar se rekomandimet tona do të merren në konsideratë.

Me respekt
Dhoma Amerikane e Tregtisë

Postuar më: 27.06.2024 05:07

Diskutimet për këtë konsultim janë mbyllur.