Projektligj "PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 102/2014 “KODI DOGANOR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, I NDRYSHUAR"
|
Postuar më: 15.04.2025
|
Data e Mbylljes: 13.05.2025
|
Statusi: Konsultim i mbyllur
|
Nr.Komenteve: 1
|
Nr.Shikimeve: 764
BASHKIMI TREGTAR I SHQIPERISE
Si organizatë përfaqësuese e sipërmarrjes me aktivitet në fushën e prodhimit, importit dhe distribucionit, dëshirojmë të sjellim në vëmendje komentet dhe kërkesën tonë në kuadër të konsultimit publik të projektligjit “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”.
Periudha e kufizuar e publikimit dhe aktiviteti i reduktuar i Parlamentit
Projektligji është publikuar më datë 15.04.2025, ndërsa afati për përfundimin e konsultimit është caktuar më 13.05.2025 – një periudhë që përkon me fushatën për zgjedhjet e përgjithshme të datës 11 maj. Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Kuvendi nuk mund të miratojë ligje 60 ditëve përpara përfundimit të mandatit të tij, deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri, me përjashtim të rasteve të jashtëzakonshme.
Në kushtet kur projektligji në fjalë nuk përbën një rast të tillë, dhe duke qenë se miratimi i tij pritet të bëhet nga legjislatura e re, konsiderojmë të nevojshme shtyrjen e afatit të konsultimit publik. Konsultimi publik është një mjet i rëndësishëm për përmirësimin e legjislacionit dhe pasurimin e tij me komente dhe sugjerime nga aktorët relevantë, në këtë rast nga biznesi.
Nevoja për një analizë të thelluar të ndryshimeve të propozuara në sistemin doganor
Kodi Doganor ka një ndikim të drejtpërdrejtë në mënyrën e funksionimit jo vetëm të administratës doganore dhe të marrëdhënieve të saj me biznesin dhe sektorët ekonomikë, por edhe në përgatitjen e vetë bizneseve për t’u përshtatur me ndryshimet e propozuara, përfshirë këtu sistemet e reja teknologjike dhe procedurat doganore. Ndryshimet e propozuara në projektligj përfshijnë ndër të tjera mbështetjen për përgatitjen dhe zbatimin e Kërkesës Kombëtare të Transitit dhe për regjistrimin dhe identifikimin e operatorit ekonomik (EORI), në përputhje të plotë me sistemin e ri të kompjuterizuar të transitit të BE-së (NCTS). Duke marrë parasysh që ndryshimet parashikohet të hynë në fuqi tëresisht, 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, besojme se sipërmarrësit shqiptarë kanë nevojë për kohë të mjaftueshme për t’u njohur dhe përgatitur për këto ndryshime.
Kërkesa për zgjatjen e afatit të konsultimit publik
Kodi Doganor është një nga ligjet më të rëndësishme me të cilat operon sipermarrja, dhe ndryshimet thelbësore që pritet të sjellë ky projektligj në sistemin doganor, përfshirja aktive e të gjitha palëve të interesuara – përfshirë sipërmarrjen, organizatat përfaqësuese të biznesit dhe ekspertët e fushës – është thelbësore për një proces konsultimi të plotë dhe të thelluar. Po ashtu, duke qenë se shqyrtimi i projektligjit do të bëhet nga legjislatura e re, gjykojmë se është në interesin e të gjitha palëve që të merret koha e nevojshme për të zhvilluar një proces gjithëpërfshirës konsultimi. Për këtë arsye, kërkojmë që afati i konsultimit publik të zgjatet me të paktën 30 ditë nga afati i parashikuar, për të siguruar një angazhim real dhe për të garantuar që Kodi Doganor të reflektojë në mënyrë të drejtë interesat dhe nevojat e të gjitha grupeve të përfshira.
Postuar më: 12.05.2025 04:22
Komentet nga qytetarët