Projektligj "Për mbylljen e shoqërive tregtare me kapital shtetëror në likuidim''
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit
|
Postuar më: 29.01.2026
|
Data e Mbylljes: 26.02.2026
|
Statusi: Konsultim i mbyllur
|
Nr.Komenteve: 1
|
Nr.Shikimeve: 534
Projektligji “Për mbylljen e shoqërive tregtare me kapital shtetëror në likuidim” ka për qëllim rregullimin e një procedure të posaçme ligjore për përfundimin, mbylljen dhe çregjistrimin përfundimtar të shoqërive tregtare me kapital shtetëror që ndodhen prej vitesh në proces likuidimi, si dhe përcaktimin e mekanizmit për trajtimin, administrimin dhe kalimin e aseteve dhe detyrimeve të tyre. Qëllimi themelor i këtij projektligji është krijimi i një zgjidhjeje ligjore të qëndrueshme për adresimin e problematikave të akumuluara ndër vite nga proceset e zgjatura të likuidimit të shoqërive tregtare shtetërore, duke krijuar vështirësi të theksuara në administrimin e detyrimeve, pasurive dhe në ushtrimin e marrëdhënieve juridike të tyre.Nëpërmjet këtij projektligji synohet përfundimi përfundimtar juridik, financiar dhe administrativ i shoqërive tregtare me kapital shtetëror në likuidim; transferimi i të drejtave dhe detyrimeve të tyre te një shoqëri shtetërore pasuese; sigurimi i vazhdimësisë juridike në marrëdhëniet me kreditorët dhe palët e treta, krijimi i kushteve për një administrim më efikas dhe të centralizuar të aseteve dhe pjesëmarrjeve shtetërore.
Fatmira S.
PËR PROJEKTLIGJIN “PËR MBYLLJEN E SHOQËRIVE TREGTARE ME KAPITAL SHTETËROR NË LIKUIDIM”
Komenti
Ky projektligj nuk merr parasysh fare zbatimin e kërkesave të ligjit nr. 9908 "Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare", i ndryshuar. Ndër të tjera,nuk merren fare parasysh interesat e aksionerëve të tjerë,përkundrazi, trajtohen si inekzistentë.
Projektligji nuk shoqërohet me një studim të plotë të gjendjes së vërtetë të këtyre shoqërive ku shteti është BASHKËPRONAR me të tjerë dhe jo PRONAR i vetëm.
Relacioni sqarues që shoqëron projektligjin nuk ka pasqyrim të realitetit mbi këto shoqëri.
Relacioni nuk jep asnjë shpjegim që disa prej këtyre SHA-ve, pasqyrohen me zotërim mbi 51 % të përqindjeve të kapitalit prej Ministrisë së Ekonomisë sepse këto përqindje janë aprovuar e janë regjistruar në shkelje të plota ligjore ndaj ish-pronarëve të truallit.
Ka shkelje ligjore jo vetëm qysh në krijimin e regjistrimin e tyre, por edhe gjatë gjithë këtyre viteve, deri në momentin e sotëm.
Ky reacion nuk jep asnjë shënim mbi arsyet se përse janë këto shoqëri ende të palikuiduara.
Ka SHA që kanë si aksionerë në listën e aksionerëve, qysh në momentin e regjistrimit fillestar në seksionin tregtar të Gjykatës së Tiranës e pastaj edhe pas mbartjes të këtyre të dhënave në QKB e në QRA, që kanë qenë të vdekur qysh vitet '90.
Ka shumë e shumë veprime të tjera në lidhje me pronat e këtyre SHA-ve, ku Ministria na paraqitet me zotërim absolut të kapitalit aksionar, saqë është e pamundur të shkruhen në një kuadrat të tillë.
Mendoj se, sot, këto prona janë objekt lakmie për shumë të tjerë që lobojnë për këtë projektligj të cilit i mungon plotësisht gjithçka dhe vetëm projektligj nuk mund të quhet.
Unë jam një ndër aksioneret e ShA "Duhan Cigare" Shkodër, që kam luftuar 14-vite, nga viti 2008 deri në shkurt të vitit 2022, me Ministrinë e Ekonomisë (me emra të ndryshuar ndër vite) për të fituar të drejtat që më/na takojnë, por nuk kam gjetur zgjidhje.
Në shkurt të vitit 2022, unë dhe disa prej aksionerëve të tjerë kemi hapur gjyq ndaj Ministrisë së Ekonomisë.
Pas betejës së humbur 14- vjeçare, kemi 4 vjet që jemi në proces gjyqësor. Koha e humbur edhe nga gjykatat, tash 4 vite,na sjell sot, pas 18 viteve, në këtë moment ku kemi një projektligj, i cili na zhvesh përfundimisht nga çdo e drejtë e jona.
PRANDAJ ËSHTË THELBËSORE QË KËTO SHA QË KANË PROCESE GJYQËSORE, NUK DUHET TË TRAJTOHEN ME KËTË PROJEKTLIGJ.
Për mosmarrëveshjet e tyre, zgjidhjen duhet ta japë VETËM GJYKATA.
KY PROJEKTLIGJ NA ZHVESH PLOTËSISHT NGA E DREJTA JONË THELBËSORE: AJO E GËZIMIT TË PRONËS TONË.
E THËNË NDRYSHE, KY PROJEKTLIGJ, NËN PARAQITJEN E MBROJTJES SË INTERESIT PUBLIK, FSHEH QËLLIMIN E VËRTETË TË TIJ: PLAÇKITJEN E PRONAVE DHE KALIMIN E TYRE PËR LLOGARI TË INTERESAVE ASPAK PUBLIKE.
Postuar më: 09.02.2026 08:19
Komentet nga qytetarët