Projektligji "Për Agjencinë Shtetërore të Pronës"
|
Postuar më: 09.09.2026
|
Data e Mbylljes: 07.10.2026
|
Statusi: Konsultim i hapur
|
Nr.Komenteve: 1
|
Nr.Shikimeve: 1099
Projektligji ka për qëllim riorganizimin e kuadrit institucional dhe funksional që rregullon administrimin e pronës së paluajtshme në Republikën e Shqipërisë, duke adresuar problematikat e akumuluara si pasojë e fragmentarizimit të kompetencave, mbivendosjes së përgjegjësive dhe koordinimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse për administrimin dhe regjistrimin. Ky projektligj nuk synon thjesht krijimin e një institucioni të ri, por konsiston në ndërtimin e një modeli të integruar të administrimit të pronës, i cili garanton një qasje koherente dhe të unifikuar në tre shtylla kryesore të menaxhimit të pasurisë së paluajtshme:
-
Regjistrimin kadastral, duke ruajtur dhe zhvilluar praktikën institucionale të Kadastrës ekzistuese, përfshirë proceset e digjitalizimit, regjistrimit fillestar dhe përmirësimit të regjistrave.
-
Menaxhimin e pronës shtetërore, përfshirë inventarizimin, përditësimin dhe regjistrimin e pasurive të paluajtshme të shtetit, si dhe ushtrimin e kompetencave të parashikuara nga ligji për pronat e paluajtshme të Republikës së Shqipërisë.
-
Përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë për legalizimin e ndërtimeve dhe kalimin e tokave bujqësore, si dhe procesin e trajtimit të pronës në kuadër të kompesimit, sipas legjislacionit në fuqi.
Kontributet në kuadër të procesit të konsultimit dhe përmirësimit të përmbajtjes së projektligjit, do të përcillen nga institucionet e interesuara nëpërmjet postës elektronike drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, me anë të regjistrit elektronik në adresën http://www.konsultimipublik.gov.al, në adresën postare të Ministrisë së Drejtësisë “Bulevardi “Zogu I-rë”, Tiranë”, si dhe në adresën e emailit të koordinatorit për konsultimin publik Greis.Como@drejtesia.gov.al.
Orget B.
Në kuadër të konsultimit publik për projektligjin, në rastin kur, “Blerësi ka fituar pronën (tokën) nga vetë ish-pronari me kontratë noteriale të regjistruar rregullisht prej dekadash. Ishpronari kundrejt aktit të shitjes ka marrë vlerën e plotë monetare dhe nuk ka asnjë pretendim apo mosmarrëveshje civile. Vite me vone Bleresi I prones eshte vene ne dijeni qe sipërfaqja e shitur ndodhet brenda pronës së njohur nga ish-KKKP-ja, por jashtë pjesës së kthyer fizikisht. Zyrat Kadastrale kanë vendosur kufizim mbi kartelën e pasurisë, duke penguar pajisjen me certifikate pronesie pronarin I cili prej dekadash ka blere token me akt te rregullt noterial dhe te regjistruar.”
Aktualisht Projektligji ne nenin 40 pika 4/b) shprehet: “b) Kur kufizimi vendoset për shkak se regjistrimi është bërë në mungesë të një akti fitimi pronësie, në shkelje të nenit 193 të Kodit Civil, kufizimi qëndron në regjistër deri në zgjidhjen e mosmarrëveshjes në rrugë civile (marreveshje) mes palëve, ose me vendim gjyqësor të formës së prerë, me kusht që të mos jetë regjistruar asnjë akt vijues kalim pronësie mbi pasurinë. Nëse janë regjistruar edhe akte të mëtejshme të kalimit të pronësisë mbi të njëjtat pasuri, kufizimi i nënshtrohet rregullit të përgjithshëm 30-ditor të përmendur në pikën 3.”
Në rastin e sipërpërmendur, kufizimi është vënë pa afat, ndërkohë që nuk ka mosmarrëveshje ndërmjet palëve dhe është regjistruar një akt vijues kalim pronësie mbi pasurinë (kontrata noteriale e shitjes së tokës ndërmjet ishpronarit dhe blerësit).
Projektligji nuk përmban asnjë mekanizëm në dispozitat kalimtare për fshirjen e automatizuar të kufizimeve historike administrative që rëndojnë mbi kartelat e pasurive private për shkak të procedurave të ish-institucionit perkatës. Për këtë propozohet të shtohet nje pike/nen ku kufizimet administrative të vendosura mbi kartelën e pasurisë vetëm për shkak të statusit të njohjes ose kthimit të pronës, mbi të cilën është regjistruar akt vijues kalim pronësie dhe nuk ka konflikte ndërmjet palëve, të fshihen nga ASHP-ja brenda …… ditëve nga hyrja ne fuqi e ligjit.
Në rastin kur: “Në marrëveshjet e sipërmarrjes, investitorët/ndërtuesit shpesh vonojnë apo refuzojnë lidhjen e kontratës përfundimtare në zbatim të kontratës paraprake të sipërmarrjes, për përcaktimin dhe individualizimin e sipërfaqeve takuese, ndërkohë që nisin tjetërsimin ose premtim-shitjen te të tretët të objekteve të ndërtuara mbi tokën e pronarit.”
Në projektligj Neni 52, pika 4 i jep noterit një afat prej 30 ditësh për të aplikuar për regjistrimin e kontratës së sipërmarrjes/porosisë, periudhë kjo që lë hapësirë për mbivendosje apo shitje paralele të të njëjtave njësi përpara se ato të shënohen "të zëna" në sistemin kadastral.
Neni 40, pika 3 kufizon urdhrin e bllokimit administrativ në vetëm 30 ditë, çka do të thotë se nëse gjykata vonon lëshimin e masës së sigurimit të padisë, bllokimi humb efektin e tij dhe ASHP-ja detyrohet të vazhdojë regjistrimin e transaksioneve të ndërtuesit me të tretët.
Neni 53 rregullon regjistrimin përfundimtar me certifikatë përdorimi, por nuk e kushtëzon apo kufizon lëshimin e certifikatave individuale apo regjistrimin e kontratave të shitjes së ndërtuesit, ndërkohë që ky I fundit nuk ka përmbushur detyrimet kontraktuale ndaj pronarit/ve të truallit dhe depozitimin e aktit të përcaktimit të sipërfaqeve takuese referuar projektit te miratuar ne lejen e ndërtimit, në zbatim të kontratës paraprake të sipërmarrjes, pjesë e dokumentacionit nëpërmjetë të cilës është marrë leja e ndërtimit të objektit.
Propozime:
1. Noteri, brenda 3 (tri) ditëve pune nga momentit i formalizimit të kontratës së sipërmarrjes, porosisë apo premtim shitjes së pasurive të paluajtshme, aplikon për regjistrimin e saj në regjistrin e lejes ose regjistrin e karabinasë. ASHP-ja bën bllokimin e menjëhershëm provizor elektronik të njësisë që nga momenti i paraqitjes së njoftimit noterial.
2. Regjistrimi përfundimtar i ndërtimit të ri, çelja e kartelave individuale dhe lëshimi i certifikatave të pronësisë për investitorin apo blerësit e tretë kushtëzohet apo kufizohet detyrimisht nga depozitimi i aktit noterial të përcaktimit të sipërfaqeve ndërtimore në përmbushje të detyrimeve kontraktuale ndërmjet investitorit dhe pronarit të truallit, në përputhje me kontratën e sipërmarrjes të regjistruar sipas nenit 52 të këtij ligji.
Postuar më: 24.09.2026 11:48
Komentet nga qytetarët