Projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 111/2017 "Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti"
|
Postuar më: 14.07.2026
|
Data e Mbylljes: 11.08.2026
|
Statusi: Konsultim i mbyllur
|
Nr.Komenteve: 2
|
Nr.Shikimeve: 528
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 111/2017 ‘Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti’”, synon forcimin e sistemit të ndihmës juridike të garantuar nga shteti, rritjen e aksesit real, efektiv dhe të barabartë të individëve në drejtësi, veçanërisht të personave në kushte të pafavorshme ekonomike, sociale ose juridike.
Ligji nr. 111/2017 “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti” ka krijuar bazën ligjore për organizimin, administrimin dhe financimin e ndihmës juridike parësore, ndihmës juridike dytësore, si dhe përjashtimit nga tarifat dhe shpenzimet gjyqësore. Nëpërmjet këtij ligji është synuar garantimi i mbrojtjes së të drejtave themelore të individit dhe i interesave të tij të ligjshëm, duke përcaktuar format, kushtet, procedurat dhe institucionet përgjegjëse për funksionimin e sistemit të ndihmës juridike.
Në këtë kuadër, projektligji synon forcimin e sistemit të ndihmës juridike të garantuar nga shteti, duke adresuar problematikat e evidentuara gjatë zbatimit të ligjit nr. 111/2017 dhe duke përmirësuar aksesin efektiv në drejtësi për kategoritë përfituese, nëpërmjet këtyre ndërhyrjeve kryesore:
- forcimin e rolit të ndihmës juridike në informimin, edukimin ligjor dhe ndërgjegjësimin e publikut mbi të drejtat, detyrimet dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë;
- përfshirjen e njësive të vetëqeverisjes vendore si aktorë mbështetës në funksionimin e sistemit të ndihmës juridike, veçanërisht për informimin, referimin dhe bashkërendimin me shërbimet sociale;
- zgjerimin dhe qartësimin e kategorive të veçanta përfituese të ndihmës juridike, duke përfshirë viktimat e formave të ndryshme të dhunës, viktimat e terrorizmit, viktimat e krimit, personat me aftësi të kufizuara, përfituesit e skemave të mbrojtjes sociale, komunitetin rom dhe egjiptian, si dhe sinjalizuesit që raportojnë shkelje të së drejtës së BE-së sipas kuadrit ligjor europian, etj.
Kontributet në kuadër të procesit të konsultimit dhe përmirësimit të përmbajtjes së projektligjit, do të përcillen nga institucionet e interesuara nëpërmjet postës elektronike drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, me anë të regjistrit elektronik në adresën http://www.konsultimipublik.gov.al, në adresën postare të Ministrisë së Drejtësisë “Bulevardi “Zogu I-rë”, Tiranë”, si dhe në adresën e emailit të koordinatorit për konsultimin publik Greis.Como@drejtesia.gov.al.
Dorian M.
Në nenin 2 (i cili ndryshon nenin 3 të ligjit ekzistues), te shtesa e gërmës ll), pika ii), propozojmë riformulimin e përkufizimit të “viktimës së krimit”, duke hequr kufizimin “deri në shkallë të parë”.
Qendra “Res Publica” propozon rishikimin e këtij formulimi, pasi kufizimi vetëm te familjarët deri në shkallë të parë është tepër i ngushtë. Edhe duke marrë të mirëqenë se në këtë kategori përfshihen bashkëshorti, prindërit dhe fëmijët e viktimës, mbeten jashtë saj vëllezërit dhe motrat, gjyshërit, nipërit dhe mbesat, familjarë të tjerë, si dhe bashkëjetuesi ose persona të tjerë që mund të kenë pasur me viktimën një marrëdhënie familjare faktike, të qëndrueshme dhe veçanërisht të afërt.
Në realitetin familjar dhe shoqëror, shkalla formale e farefisnisë nuk pasqyron domosdoshmërisht afërsinë e marrëdhënies ose rëndësinë e dëmit të pësuar. Një person mund të jetë rritur nga gjyshi ose gjyshja, nga daja, halla, tezja ose xhaxhai, mund të ketë pasur një marrëdhënie faktike prindërore me një nip ose mbesë, ose mund të ketë bashkëjetuar për një kohë të gjatë me viktimën pa qenë i martuar. Përjashtimi automatik i këtyre personave vetëm për shkak të shkallës formale të farefisnisë nuk është i arsyeshëm, kur provohen si marrëdhënia veçanërisht e afërt, ashtu edhe dëmi i pësuar nga vdekja.
Direktiva 2012/29/BE, me të cilën projektligji deklaron se përafrohet, nuk e kufizon konceptin te familjarët e shkallës së parë. Ajo përfshin bashkëshortin, partnerin që bashkëjeton me viktimën në një marrëdhënie intime, të qëndrueshme dhe të vazhdueshme, të afërmit në vijë të drejtë, vëllezërit dhe motrat, si dhe personat në ngarkim të viktimës. Direktiva lejon kufizimin e numrit të familjarëve që ushtrojnë të drejtat, por jo përjashtimin kategorik të tyre vetëm nëpërmjet shkallës së farefisnisë.
Nga ana tjetër, praktika e GJEDNJ përdor konceptin “next of kin”, duke u referuar të afërmve duke mos e kushtëzuar statusin e viktimës indirekte vetëm me cilësinë e trashëgimtarit ose me ekzistencën e një familjari formalisht të afërt. Vlerësimi lidhet me natyrën dhe afërsinë reale të marrëdhënies me personin e vdekur.
Njëkohësisht, duhet shmangur krijimi, për qëllimet e ndihmës juridike, i një përkufizimi autonom të viktimës, i cili mund të zbatohet ndryshe nga statusi i viktimës në procedimin penal. Ligji nr. 111/2017 ka për objekt përcaktimin e kushteve dhe procedurave për përfitimin e ndihmës juridike të garantuar nga shteti. Ai nuk duhet t’u japë organeve administrative të ndihmës juridike kompetencën për të vendosur në mënyrë të pavarur nëse një person gëzon statusin procedural të viktimës dhe cili familjar duhet të njihet si viktimë.
Këto janë çështje që duhet të vlerësohen nga organi procedues dhe gjykata penale. Vendimmarrja e gjykatës penale për statusin e viktimës duhet të jetë përcaktuese dhe detyruese edhe për organet që administrojnë ndihmën juridike.
Kjo zgjidhje është në përputhje edhe me vetë strukturën e projektligjit. Neni i propozuar 21/1 parashikon që kërkesa për ndihmë juridike dytësore të shqyrtohet nga organi procedues që fillon hetimet ose nga gjykata dhe se këto organe caktojnë avokatin kur kriteret plotësohen. Për rrjedhojë, nuk ka arsye që administrata e ndihmës juridike të kryejë një vlerësim paralel dhe potencialisht të ndryshëm mbi statusin e viktimës.
Postuar më: 30.07.2026 07:25
VATRA
Pas shqyrtimit të projektligjit dhe duke u nisur edhe nga problematikat e hasura në praktikën e përditshme gjatë identifikimit dhe trajtimit të rasteve, vlerësojmë se do të ishte e nevojshme që në projektligj të përfshiheshin edhe disa çështje të tjera, të cilat po i parashtrojmë më poshtë, së bashku me argumentimin përkatës.
1. Përfshirja e personave që vuajnë nga sëmundje neurologjike degjenerative në kategoritë e veçanta të përfituesve
Në nenin 11 të ligjit në fuqi përcaktohen kategoritë e veçanta të përfituesve të ndihmës juridike. Ndërkohë, në nenin 9 të projektligjit janë propozuar disa shtesa dhe ndryshime të rëndësishme, të cilat synojnë zgjerimin e kategorive të përfituesve dhe garantimin e një aksesi më efektiv në drejtësi.
Në këtë kuadër, vlerësojmë se duhet të përfshihet si kategori më vete edhe personat që vuajnë nga sëmundje neurologjike degjenerative, si demenca etj., të cilët, për shkak të vulnerabilitetit që shkakton situata e tyre, përballen me vështirësi të veçanta në garantimin e të drejtave të tyre.
Konkretisht, propozojmë që në nenin 11 të shtohet si kategori më vete:
“Personat që vuajnë nga sëmundje neurologjike degjenerative, përfshirë personat që vuajnë nga demenca dhe sëmundje të tjera të ngjashme.”
Përfshirja e kësaj kategorie do të ishte e rëndësishme, pasi në praktikë këta persona dhe familjarët apo kujdestarët e tyre shpesh ndodhen përballë mungesës së informacionit dhe vështirësive në ndjekjen e procedurave administrative që lidhen me përfitimin e KEMP-it, si dhe, në vijim, me procedurat për heqjen e zotësisë për të vepruar, kur kjo është e nevojshme.
2. Mundësimi i ofrimit të ndihmës juridike dytësore nga avokatët e organizatave që ofrojnë ndihmë juridike parësore
Duke pasur parasysh rolin e rëndësishëm që organizatat kanë si në identifikimin e rasteve, ashtu edhe në trajtimin e tyre në fazën e ndihmës juridike parësore, vlerësojmë se është e nevojshme të krijohet mundësia që këto organizata të ofrojnë edhe ndihmë juridike dytësore, nëpërmjet avokatëve të tyre të licencuar.
Një parashikim i tillë do t’u garantonte përfituesve më shumë qëndrueshmëri, siguri dhe efikasitet në trajtimin e çështjes së tyre, duke shmangur ndërprerjen e mbështetjes juridike në momentin kur çështja kalon nga faza e ndihmës juridike parësore në atë dytësore.
Konkretisht, propozojmë që në projektligj, në pjesën që lidhet me ofrimin e ndihmës juridike dytësore, të shtohet parashikimi:
“Ndihma juridike dytësore mund të ofrohet edhe nga avokatët e licencuar, të cilët janë të punësuar, sipas rregullave të Kodit të Punës, pranë organizatave jofitimprurëse të autorizuara paraprakisht nga Ministria e Drejtësisë për ofrimin e ndihmës juridike parësore.”
3. Legjitimimi i avokatëve të organizatave në proceset gjyqësore
Në vijim të propozimit të mësipërm dhe me qëllim garantimin e vazhdimësisë së përfaqësimit juridik, propozojmë që në nenin 22/1 të shtohet një parashikim i posaçëm për rastet kur përfituesi përfaqësohet nga avokatët e organizatave.
Konkretisht, propozojmë të shtohet:
“Në rastet kur personi përfaqësohet nga avokatët e organizatave, gjykata vijon me legjitimimin e tyre sipas vullnetit të shprehur nga përfituesi.”
Në lidhje me praktikën e informimit të DNJF-së dhe AV-së, vlerësojmë se praktika aktuale e informimit mund të vijojë të mbetet e njëjtë.
4. Trajnimi i detyrueshëm dhe kriteret e vazhdueshme për avokatët që ofrojnë ndihmë juridike dytësore
Gjithashtu, me qëllim rritjen e cilësisë dhe profesionalizmit të avokatëve që bëhen pjesë e listës së avokatëve që ofrojnë ndihmë juridike dytësore, do të ishte efikase që në ligj të parashikohej një detyrim për ndjekjen e trajnimeve të përshtatshme.
Konkretisht, avokatët të cilët përzgjidhen për ofrimin e këtij shërbimi duhet të kenë detyrimin për të marrë pjesë në trajnime që kanë si temë kryesore trajtimin dhe përfaqësimin e kategorive të veçanta të përfituesve të ndihmës juridike, por jo vetëm.
Gjithashtu, propozojmë që të përcaktohet një numër minimal kreditesh që avokatët e kësaj liste duhet të plotësojnë në kuadër të trajnimeve të vazhdueshme. Përmbushja e këtij kriteri do të mund të shërbente si një nga elementet për vlerësimin periodik të mundësisë së tyre për të vijuar ofrimin e këtyre shërbimeve.
Në vlerësimin tonë, përfshirja e këtyre parashikimeve do të kontribuonte në forcimin e mekanizmit të ndihmës juridike të garantuar nga shteti, në rritjen e cilësisë së shërbimit dhe, mbi të gjitha, në garantimin e një aksesi më efektiv në drejtësi për kete kategori.
Duke ju falënderuar për punën dhe angazhimin në përmirësimin e kuadrit ligjor për ndihmën juridike të garantuar nga shteti, mbetemi të gatshëm për të kontribuar me propozime dhe sugjerime të tjera që mund të ndihmojnë në përmirësimin e këtij kuadri.
Postuar më: 10.08.2026 03:21
Komentet nga qytetarët